|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: ABAS ALIU APO PARTIZANËT?
(Fragmenti 25 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Në librin “800 ditë në majë të Tomorrit”, në kapitullin “Dy fjalë për një mal janë pak”, autori i saj, oficeri i lartë i ndërlidhjes së Ushtrisë Shqiptare, Dajla Omeri, shkruan: “Lartësia më madhe që ndodhet në veri të tij është 2416 metra dhe njihet si “Çuka Partizani”, ndërsa në jug është lartësia 2379 metër që njihet si “Çuka e Abas Aliut” dhe kufizohet nga qafa e Kulmakës me lartësi 1473 metër. Gjatësia veri-jug është 19 kilometër dhe gjerësia në bazë është 6 km. Kurrizi që ka disa kreshta me lartësi mbi 2000 metër është i thepisur dhe i pakalueshëm”.
Në vazhdim: “Nga jugu është shumë i thepisur, ka pjerrësi gati 90 gradë, përjashtim bën vetëm jugu i Çukës së Abas Aliut, i cili është me pjerrësi 30-40 gradë dhe i kalueshëm me vështirësi”.
Sipas Dajlan Omerit, i cili filloi punën në 25 dhjetor 1961, me ndërtimin e pikës ushtarake në majëmal të Tomorit, ku edhe qëndroi për tre vjet, deri në 25 mars 1964, tjetër është Çuka Partizani dhe tjetër Çuka e Abas Aliut.
Pika më e lartë e Tomorit është e para, 37 metra më e ulët e dyta, ku u ndërtua pika radiondërlidhëse dhe është vendi i njohur historik i faltores bektashiane.
Në rast se shohim “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” të vitit 1985 zëri Çuka “Partizani” thotë saktësisht: “Maja më e lartë e malit të Tomorit me lartësi 2416 m, e dyta në Krahinën Malore Jugore pas majës së Dritës (Papingut) në Nëmërçkë dhe një nga majat më të larta të Shqipërisë. Gjendet në pjesën V të Tomorit dhe ngrihet në formë piramidale me shpate të rrëpirta, të përpunuara nga akujt e kuaternarit. Në anën L ka cirqe akullnajote. Përbëhet nga shkembinj gëlqerorë të kretakut dhe eocenit. Mbulohet me borë që nga fillimi i vjeshtës dhe deri nga fundi i verës. Është pikësynimi i shpeshtë për ngjitjet alpinistike”.
Këtë tekst të kopjuar fjalë për fjalë ka edhe shpjegimi i Çukës “Partizani” në botimin e vitit 2013 të Fjalorit të ri Enciklopedik Shqiptare.
E njëjta gjë edhe tek “Fjalori Enciklopedik i Beratit”, publikuar afërsisht në këtë kohë.
Që të tre Fjalorët, përfshi edhe dy publikimet pas rënies së sistemit shoqëror komunist, nuk kanë asnjë fjalë për të quajturën “Çuka e Abas Aliut”.
Ka mjaft bashkëkombës të cilët mendojnë se të dyja çukat janë vetëm një. Me pak fjalë mekami i Abas Aliut është ndërtuar tek
Çuka “Partizani”, e cila para se nga pushteti i pas vitit 1944 t’i vendoste këtë emër, thirrej nga populli Çuka “Tomori” ose Çuka e Tomorit.
Me sa duket ka pasur një luftë të mirëfilltë të qeverisë ateiste komuniste për ta përvetësuar emërtimin e kësaj lartësie maksimale të malit. Këtë do të përpiqemi ta zbardhim kapitullin tjetër, por një gjë po e kryejmë domosdoshmërisht tani.
Që titulli Partizan asaj maje i është bashkëngjitur për arsye ideologjike dhe është aq fort i fuqishëm saqë e ndesh në këtë formë pothuaj në të gjitha paraqitjet që i bëhen Tomorit në internet, për çdo turist të botës, por kemi prova që më parë këtë lojë e kanë kryer fashistët italianë.
Na e shpjegon këtë Dajlan Omeri me librin e tij të sipërcituar.
Aty ai ravijëzon se që ditën e parë të 25 dhjetorit 1961 kur ishte ngjitur në majë pati gjetur atje një shishe konjaku të vulosur me zift. Brenda pati një letër në të cilën qenë shkruar emrat e disa alpinistëve. Aty thuhej, emër për emër, se në 10 korrik 1950 aty në majë patën qenë shtatë alpinistë.
Atëhere Dajlan Omeri e kishte thyer shishen e konjakut dhe në listë si pushtues i majës së Tomorit vendosi edhe emrin e tij e të shoqëruesve.
Ndërkohë Omeri shton se po ashtu në majën e Tomorit pati gjetur një pllakë e bardhë mermeri, në të cilin me shkronja plumbi në italisht qenë gdhendur një tog fjalësh. Në këtë tekst të shkurtër thuhej se një nënrepart italian e kishte kaluar dimrin në atë vend, në 1940, gjatë luftës italo-greke.
Ndërkohë oficeri radiondërlidhës Daljan Omeri kishte dalluar pranë mekamit, faltores bektashiane, edhe disa varreza ushtarësh italianë.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|