Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

INTRIGË KUNDËR SHQIPËRISË NË TRENIN QË TË ÇONTE NË BEOGRAD, 19 JANAR 1939


Agresioni fashist italian kundër Shqipërisë në 7 prill 1939 vijon të jetë i ngarkuar me gjykimet e mëparshme, ku disa prej tyre koha do t’i nxjerrë mënjanë si steriotipe, kurse të tjerë nuk ka për t’i ndryshuar. Njëri prej këtyre të fundit është shprehur nëpërmjet sintezës së vargut të këngës popullore “7 prill mos ardhsh kurrë, ti që na rrëzove flamurë!”
Humbjen e pavarësisë tonë, këtë gjëmë, e kemi parë deri tani si poshtërsi të kryer prej vetëm Benito Musolinit dhe klanit të tij pushtetushtrues, me pak fjalë të ardhur nga vetëm një drejtim: Roma. As Hitlerin nuk e kemi përzjerë në këtë ligësi.
Por nuk kemi pse vonojmë të nxjerrim në pah si dashës i këtij krimi, pse jo edhe edhe në mënyrë të thërthortë pjesëmarrës, një drejtim tjetër: Beogradin.
Është folur shumë pak për këtë, madje jo drejt për së drejti. Nuk ka pasur asnjë arsye ky qëndrim, por gjithsesi mbetet një heshtje e pakuptimtë.
Ja pse të shkruash posaçërisht për këtë temë përbën një gjest denoncimi të domosdoshëm historik.
Të sigurtë se nuk po nxitemi prej ndonjë pathosi të nëmur ultranacionalist, sipas të cilit ku janë serbët ndodhen patjetër armiqtë tanë të përbetuar, po i paraqitim lexuesit çfarë kemi mësuar me durim dhe për një kohë të gjatë prej historiografisë italiane të pas luftës, e cila ka punuar sistematikisht dhe i ka të gjitha kartat e dokumenteve në dorë.

Konti Çiano dhe Milan Stojadinoviç

Marrëdhëniet mes Italisë dhe Jugosllavisë (edhe kur mes dy luftrave botërore ajo thirrej Mbretëria Serbo Kroate Sllovene), kanë qenë përherë të shoqëruara me një dyshim dhe mosbesim reciprok aq të fortë, sa tensioni i lartë mes Tiranës në kohën e Enver Hoxhës dhe Beogradit të drejtuar prej Josif Broz Titos, i përfytyruar prej nesh si më i acarti në historinë e shtetit tonë, ngjan disi më i përmbajtur.
Mosbesimi i ndërsjellë dhe lufta e nëndheshme mes Italisë dhe Jugosllavisë, përveç mjaft problemeve territoriale e ndërkufitare mes njëri-tjetrit, krijohej pa pushim edhe për një arsye gjeostrategjike të dorës së parë: kush do ta fitonte përparësinë absolute për kontrollimin e gadishullit të Ballkanit.
Këtë shkak e njihte mjaft mirë jo vetëm struktura diplomatike e Ahmet Zogut, por mjeshtërisht edhe ajo e Hoxhës. Dinin ta përdornin këtë kontradiktë për të përfituar hapësirë në realizimin e interesave shqiptare.
Kur Musolini mori pushtetin shërbimi i tij i fshehtë nisi t’i përdorte edhe më shumë ustashët kroatë të Ante Paveliç për të destabilizuar regjimin e Beogradit. Të njëjtën gjë bënte edhe nëpërmjet inkurajimit të lëvizjes nacionaliste shqiptare në Kosovë. Këta dy “butonë” shefi i fashistëve italianë i shtypte në një harmoni të habitshme.
E gjithë kjo luftë e nëndheshme u klasifikua si periudha e konfliktit të heshtur, një mënyrë veprimi për të penguar daljen në sipërfaqe dhe në dijeni të opinionit publik ndërkombëtar, të gjendjes reale. Me këtë rast edhe krijimin e iluzioneve se popujve ballkanas nuk u vinte asnjë rrezik prej Romës dhe Bogradit.
Ky stil censure inteligjente ka shkaktuar edhe gropën informative të mosspikatjes së aktit paralel kriminal të kryer, bashkë me agresionin fashist italian të 7 prillit 1939, prej jugosllavëve.
Dy lojtarë të rëndësishëm janë përpjekur t’i bëjnë gola njëri-tjetrit në këtë fushë intrigash: Konti Çiano dhe Milan Stojadinoviç. Për të parin lexuesit shqiptarë dinë shumë, për të dytin pothuaj asgjë.
Stojadinoviç qe serb i lindur në 1888 në pjesën perëndimore të atdheut të tij dhe pas studimeve të larta në Beograd u doktorua në Gjermani. Ka qenë tri herë ministër i suksesshëm i financave, deri ato çaste njeri me natyrë pluraliste dhe refuzues i bashkëpunimit me diktaturat. Duke qenë se një kohë punoi si privat (drejtues bankash), grumbulloi pasuri të madhe. Kur rihyri në politikë në qershor 1935 u bë kryeministër dhe ministër i Jashtëm, poste që i mbajti deri në fillim shkurt 1939, ndërsa pak ditë më parë pati pritur në Beograd kolegun italian Çiano dhe fshehtas kishin bërë edhe llogaritë për fatin e Shqipërisë.
Tashmë Milan Stojadinoviç, me simpati për anglezët dhe i mbështetur në karrierë prej tyre, ndryshoi krah kompromisi. Ai u afrua me Gjermaninë naziste, vend me të cilin Jugosllavia ato kohë kryente pesëdhjetë për qind të shkëmbimeve të saj ekonomike.
Ky kurs i ri ia shtoi armiqtë, sidomos atë pjesë të popullit dhe elitës serbe, të cilët në traditën e vet qenë për bashkëpunim me demokracitë perëndimore, Britaninë e Madhe dhe Francën.
Takimi Çiano-Stojadinoviç, për të cilin në vijim do të japim më shumë informacion, u bë në periudhën 18 deri 23 janar 1939. Ndërkohë ky, vetëm dy muaj e pak para se të ndodhte sulmi pushtues fashist italian kundër Shqipërisë, qe paraprirë prej të tjerëve.
Doktrina jugosllave e shitjes së fatit të popullit shqiptar tek Benito Musolini dhe ambiciet e tij diktatoriale pati filluar ritëm të plotë dy vite më herët, në mars 1937, kur Konti Çiano bëri një vizitë në Beograd dhe pastaj Stojadinoviç ia ktheu në fillim dhjetor të po atij viti.
Në qershor 1938 kryeministri jugosllav u ritakua në Venecie me partnerin e tij.
Këtë çast marrëveshja e ligë kundër Shqipërisë pothuaj kishte marrë formë të plotë: Milan Stojadinoviç i pati deklaruar ministrit të Jashtëm italian se vendi i këtij të fundit në Ballkan do të kishte një status “absolutisht të jashtëzakonshëm”. Po ashtu e pati siguruar se për Jugosllavinë Shqipëria nuk kishte shumë rëndësi.
Kjo donte të thoshte se Roma fashiste e kishte të marrë nga Beogradi lejen për ta vënë nën sundim të plotë vendin fqinj, për të cilin deri ato çaste kishin traditë të konkuronin e të luftonin shurdhasi, me spiunazh dhe me diversion.

Gjueti dhe bisedime diplomatike

Pak ditë para se në atë fundjanar 1939 Konti Çiano të nisej për në Beograd, në datën 15, në ditarin e vet pati shënuar: “Me Duçen biseduam se çfarë duhet të them e bëj në Jugosllavi. Pika kryesore qe çështja shqiptare. Ramë dakord se nuk ja vlen mundimi që për Shqipërinë të sakrifikojmë miqësinë e çmuar me Beogradin. Me pak fjalë në rrethanat e tanishme do të veprojmë vetëm në rast se arrijmë një marrëveshje mbi këtë bazë: rrumbullakosje përfundimtare të kufirit jugosllav, çmilitarizim të kufirit shqiptar, aleancë ushtarake, mbështetje për serbët që të fitojnë Selanikun”.
Doemos që për këtë vizitë të minstrit të Jashtëm italian në Beograd Ahmet Zogu kishte informacion dhe i dërgoi Kontit Çiano gjeneral Sereqin. Këtij i pati dhënë edhe një letër, nëpërmjet të cilës i propozonte kontit që në Beograd të trajtonte me Stojadinoviçin temën e të drejtave më të gjera të shqiptarëve të Kosovës në Jugosllavi. Dhendri i Musolinit ja premtoi.
Kjo ndodhi në 16 janar.
Çiano qëndroi në kryeqytetin jugosllav pesë ditë, nga 18 deri në 23 janar 1939. Bashkë me pjesën zyrtare të vizitës Stojadinoviç i ofroi edhe zbavitjen: gjuetinë. E çoi atë në pyllin e Beranjës, sot territor i shtetit kroat, hapësirë shplodhëse mes lumenjve Drava dhe Danub.
Gjuetia nuk qe vetëm argëtim por edhe një ndër mënyrat më të dobishme për të kryer bisedime për çështje të ndërlikuara diplomatike.
Në ditarin e tij të datës 19 janar Konti Çiano shkruan se pas gjuetisë bashkë me Milanin qenë kthyer me tren për në Beograd dhe rrugës i pati hapur çështjen e Shqipërisë: “Në fillim Stojadinoviç u duk sikur u turbullua. Pastaj e theu akullin dhe foli për ndarjen e Shqipërisë si rrugëzgjidhja më e mirë”.
Sidoqoftë prej gjithë këtij inskenimi gjuetie në pyll për lepuj dhe në sediljet e buta të trenit për fatin e një populli të vogël ministri i Jashtëm italian e njëkohësisht dhendri i diktatorit Benito Musolini mbeti mjaft i kënaqur.
Në 22 janar në ditarin e vet Çiano mes të tjerash, ndërsa në Beograd po flitej për një krizë qeverie dhe rrëzimin e mundshëm të Milan Stojadinoviçit, çfarë po të ndodhte ishte shqetësuese për Romën, thotë: “Tani kriza më intereson jo aq shumë për shkak të marrëdhënieve tona me Beogradin, të cilat në të ardhmen e afërt nuk do të ndryshojnë shumë, por mbi të gjitha për sa i takon Shqipërisë, mbi të cilën arritëm një marrëveshje. Me çdo mënyrë me Duçen u harmonizua kjo formulë: Në qoftë se politika e Stojadinoviçit është ende e vlefshme për ta ndarë Shqipërinë midis nesh dhe Jugosllavisë; në rast të kundërt, pra të pushtimit të Shqipërisë nga ana jonë pa Jugosllavinë dhe po qe se është e nevojshme, edhe kundër Jugosllavisë”.

Kush e nisi i pari bisedën për ndarjen e Shqipërisë

Në rezolutën përfundimtare të bisedimeve Çiano-Stojadinoviç u vu në reliev fakti se rezultatet e atij çasti qenë frut i një pune bashkëpunuese mes dy qeverive që prej vitit 1937. Por thelbi, çështja shqiptare, nuk u shkrua për t’u bërë publike.
Aq më pak u bë e ditur një rrethanë: para se të nisej për në Beograd Duçja i pati thënë Kontit Çiano se e dëshironte patjetër një rezultat të këtyre bisedimeve: për çfarë mund t’i ndodhte Shqipërisë prej palës italiane, jugosllavët të mos përziheshin. Me pak fjalë të mos prisnin që do të këshilloheshin me ta.
Sipas Çianos, Musolini këmbëngulte që gjatë takimeve zyrtare në Beograd të flitej në parim edhe për një ndarje të Shqipërisë. Kjo temë nuk qe aq e lehtë dhe Konti u përpoq të gjente një mënyrë sa më pak kompromentuese për Romën. Gjatë bisedimeve në trenin që po i kthente prej gjahut në Belje për në kryeqytet, ai foli në parim për një mundësi të rishikimit të kufijve veriorë të Shqipërisë. Sipas historiografisë italiane të pas luftës Çiano e saktësoi: bëhej fjalë për një bashkim të Shkodrës dhe të portit detar të Shëngjinit me Jugosllavinë.
Konti, gjithnjë sipas historiaografisë italiane, po ashtu e bëri të qartë edhe një favor tjetër, të cilin mund t’ia jepnin Beogradit: eliminimin e qendrës frymëzuese të nacionalistëve shqiptarë në Kosovë, e cila vijonte të nxiste frymën e kryengritjes kundër Serbisë dhe Jugosllavisë.
Në këtë paketë ministri i Jashtëm Çiano, si kompensim për favoret që po u bënin, u premtoi jugosllavëve se në rast që italianët do të pushtonin Selanikun, menjëherë do t’u siguronin serbëve një dalje detare në këtë port.
Por asgjë prej këtyre që kanë dalë më vonë nga çsekretimi dokumentar i arkivave në Romë dhe në Beograd, nuk e tha me zë jo vetëm në rezolutën përfundimtare, por edhe vitet e shumtë që erdhën më pas.
Sipas historiografisë së shumë informuar italiane për një ndarje të territorit të Shqipërisë Milan Stojadinoviç nuk ka shqiptuar asnjë rrokje dhe ca më pak të keqë qenë më i pasionuari, siç shkruan në ditar Çiano. Paskej shqiptuar si përgjigje se për këtë çështje do të informonte më së pari figurën e parë të Jugosllavisë, regjentin, princin Pavël.
E vërteta mund të jetë mes dy interpretimeve. Stojadinoviç duke lënë të kuptohet se ai personalisht si edhe qeveria e tij ishin për një ndarje të territorit të Shqipërisë mes Italisë dhe Jugosllavisë, duhet ta ketë deklaruar edhe qëndrimin e këshillimit me kryetarin e vet të shtetit.
Këtë veprim paralel e të dyfishtë jo për ndonjë manovër teknike, Stojadinoviç e kreu sepse dinte çfarë mendonte Pavël për këtë temë. Ai ishte kundër. Ia pati deklaruar jo vetëm atij, por tërë qeverisë jugosllave se “Kemi tashmë aq shumë shqiptarë në kufinjtë tanë... dhe këta na japin aq fort bezdi a nuk ndjej asnjë dëshirë ta rrit numrin e tyre”.
Ndërkohë pas takimit kryesor zyrtar dhe intrigës në tren, në tre ditët e tjera të qëndrimit të Çianos në Beograd, për temën e ndarjes së Shqipërisë mes Jugosllavisë dhe Italisë Stojadinoviç nuk i solli mikut të tij asnjë përgjigje prej princit. Në fakt ai as edhe e kishte biseduar. Pavel dinte gjithçka dhe po nxitonte ta rrëzonte nga posti.
Historiografia italiane e pas luftës ka zbuluar se në arkivat angleze gjendet material dokumentar i mjaftueshëm për të pohuar një fakt: çështjen e ndarjes së territorit të Shqipërisë Milan Stojadinoviç e kishte biseduar me princin Pavel para se të bënte takimin me Kontin Çiano dhe pati marrë refuzimin e tij të prerë. Madje Pavel e pati urdhëruar që të mos firmoste asgjë gjë për këtë temë.
Të gjitha këto hollësi i mori vesh edhe ambasadori britanik në Beograd, sepse para ardhjes së ministrit të Jashtëm italian në Beograd regjenti, princi Pavel, pati biseduar kokë më kokë me të.

Në 7 prill nuk qenë vetëm fashistët italianë si pushtues, por edhe jugosllavët

Në 23 janar 1939 Konti Çiano tashmë qe i rikthyer në atdheun e vet, kurse më pak se një javë më pas, në 4 shkurt ra qeveria Stojadinoviç.
Për Benito Musolinin kjo ishte një e padëshiruar e madhe. Diktatorit italian i hipi inati aq shumë sa ra në sy të të gjithëve. Zemërimi i tij qe i madh edhe sepse i sollën informacione që Milan Stojadinoviç pati rënë për shkak të çështjes shqiptare. Madje kaq kundërshtim pati shkaktuar ujdia sekrete sa që rrëzimi i kryeministrit jugosllav ishte planifikuar pa u mbyllur dita e largimit të ministrit të Jashtëm italian dhe vetëm turpi publik se mos kjo sfidonte Romën fashiste, bëri që aksioni të zgjatej edhe disa ditë.
Pas heqjes së Stojadinoviçit mendohet se qenë edhe anglezët. Beogradi nuk duhej t’i lihej influencës së nazistëve gjermanë dhe fashistëve italianë.
Gjithsesi Musolini me kohë e pati urdhëruar përgatitjen e sulmit ushtarak mbi Shqipërinë dhe sipas historianëve italianë të pas luftës, në 25 mars 1939 dërgata zyrtare të të dyja palëve u takuan pa bujë në Beograd dhe përpiluan një marrëveshje, sipas të cilës Italia i respektonte kufinjtë e mbretërisë së Jugosllavisë, hiqte dorë prej mbështetjes dhe nxitjes së emigrantëve ustashë në Itali, duke e lejuar kontrollimin e tyre prej një funksionari të policisë jugosllave. Po ashtu u hapej rrugë dhënies së disa të drejtave për pakicën jugosllave. Bashkë me statusin e kombit të privilegjuar në marrëdhëniet ekonomike.
Nga ana e vet Beogradi pranoi pozicionin e epërm të Italisë në Shqipëri si edhe i njohu mbretit italian Viktor Emanuelit III edhe titullin e perandorit të Etiopisë. Kishte hapur kështu rrugën për t’i dhënë këtij mbreti edhe kurorën e Skënderbeut.
Dy javë më pas ndodhi gjëma e 7 prillit.
Pushtues të parë e të dukshëm qenë fashistët italianë, doemos. Ata i kallzon dhe i dënon si përgjegjës historia. Në krah të tyre, por të padukshëm, për ndarjen e Shqipërisë ranë dakort për gjithçka në trenin që udhëtonte për në Beograd apo pjesërisht, të dëshiruar për ta coptuar, pra likujduar vendin tonë, qenë edhe jugosllavët.

Ylli Polovina

Tiranë, më 3 maj 2020

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com