|
QYTETI PRANË QIELLIT: GARA E HUMBUR E MALIT TË SKËNDERBEUT ME MALIN E TOMORIT
(Fragmenti 22 i librit Qyteti pranë qiellit, vijon nga dje)
Të katër Grupet e Zjarrit të RDKA, Repartit të Raketave të Drejtuara Kundërajrore, tregon Dilaver Goxhaj, njëri prej oficerëve më të vjetër të kësaj njësie, qenë të fortifikuar, kurse kabinat e drejtimit të raketave (katër) qëndronin mbi karoceri makinash.
Këto ishin në nëntokë, me përparësi kabinën dhënëse-marrëse të zbulimit, e cila e groposur në një pus 10 metër të thellë, ulej dhe ngrihej me ashensor në mënyrë elektrike dhe mekanike. Këto kabina lidheshin edhe me gjashtë shtratet e lëshimit të raketave. Që të gjashta ndaheshin në tre kanale lëshimi, pasi sistemi ishte i tillë që në varësi të rrezikshmërisë, kundër një objekti mund të lëshoheshin edhe tre raketa njëherësh.
Sipas Goxhajt, probabiliteti i asgjësimit të avionëve armiq të futur dhunshëm në hapësirën sovrane shtetërore të Shqipërisë, qenë: me një raketë 77%, me dy raketa 92% dhe me tre 96%.
Pesha e një rakete ishte 2 ton; gjatësia e raketës 10,5 m, shpejtësia maksimale 1100 m/sek, koha e fluturimit deri në 55 sek. Qitja bëhej kundër objektivave që fluturonin në lartësi 3 deri 22 km.
Zona e asgjësimit qe 12-30 km.
Një Grup Zjarrit mbulonte një zonë ajrore prej 1962 kilometra katrorë. Raketa e veçuar apo treshja e kombinuar e tyre behej kur avioni ndodhej në distancë jo më të madhe se 44 km.
Duke qenë se mbrojtja e kryeqytetit kishte epërsi absolute (popullsia e madhe, institucionet kryesore të shtetit, objektet e shumta industriale), që në fillim u vendos që pjesa kryesore e regjimentit të raketave të drejtuara tokë-ajër të vendoseshin në Krujë: në pllajën në majë të malit të Skëndërbeut, saktësisht në Sëri Sëlltik.
Pra në vendndodhjen e legjendarizuar të këtij prijësi të madh shpirtëror bektashi, të cilin krutjanët e pretendojnë se ai, më parë se malin e Tomorit, kishte preferuar atë pranë qytetit të tyre me histori të shquar qëndrese kombëtare për liri.
Ishte kjo arsyeja në 1969, ndërsa njeri prej katër grupeve, në mbrojtje të zonës naftëmbajtëse, u pozicionua sekretisht në Qafën e Lalarit, në jug-perëndim të Patosit, nisën punimet për hapjen e rrugës drejt majëmalit të shenjtë SëriSëlltik. Që kjo rrugë të mos diktohej nga ajri dhe toka, rrëfen Dilaver Goxhaj, u mendua të bëhej nga prapa malit të Skënderbeut, nga fshati Nojë, ku qenë edhe rezervat e shtetit.
Faqja e malit ishte 90 gradë e pjerrët dhe punimet kryheshin duke u varur ushtarët me litarë.
Në një nga ditët e muajit të parë të punimeve erdhi për kontroll Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë, Petrit Dume. Komanda e repartit i raportoi për vështirësitë e hapjes së asaj rruge por i sugjeroi që pozicioni i zjarrit të mos vendosej në majë, pasi nga konsultimet që ishin bërë me Meteorologjinë e Ushtrisë, mësohej se në atë mal binin 130-1400 rrufé në vit. Ato mund ta nxirrnin teknikën luftarake nga gatishmëria, sidomos në rast lufte me aviacionin e rëndë bombardues armik.
Atëherë Petrit Dume urdhëroi të ndaloheshin menjëherë punimet derisa të sqarohej çështja me udhëheqjen e partisë e të shtetit. Pas disa ditësh një urdhër i ri komunikonte zhvendosjen e pozicionit të zjarrit të raketave të drejtuera ajrore SA-75 ose SAM-2 të tre grupeve të regjimentit në kodrat e Krastës, në jug-perëndim të qytetit të Krujës, tashmë të istaluara në kushte fushore.
I rikujtojmë lexuesit se nga kjo pike shumë e rëndësishme luftarake mali i Tomorit, 90 kilometra larg dhe që dallohej jo vetëm me dylbi apo aparatura speciale, por edhe me sy të lire, shfrytëzohej si objekt tokësor për të kontrolluar aftësinë zbuluese të Stacionit të Drejtimit të Raketave.
Ndërkaq grupi i pozicionuar në Qafën e Lalarit në Patos për të kryer të njëjtin veprim të domodoshëm gatishmërie për luftim, përdorte Malin e Dajtit në Tiranë, të cilin e kishte larg plot 110 km.
Pra mali i Tomorit në vijë ajrore (dhe kjo është befasuese) qenka më afër me Krujën se Patosi me Tiranën. Plot njëzetë kilometra më pranë.
Ky nuk është iluzion, por fakt ë vërtetë, real, shumë kuptimplotë në mesazhin e vet.
Më saktë Tomori, krahasuar me qytetet kryesore të Shqipërisë së jugut, Fier dhe Vlorë, në të shkuarën antike edhe me Apolloni e Bylis, ndodhet më afër me të dy kryeqendrat e shqiptarëve: me atë bashkëkohësen, Tiranën, dhe atë historiken, Krujën.
Ja edhe një sekret pse ai është Olimpi ynë.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|