|
QYTETI PRANË QIELLIT: BABA TOMORI SI KOMANDANT RAKETASH
(Fragmenti 22 i librit Qyteti pranë qiellit, vijon nga dje)
Kur enverkomunizmi shqiptar qe në mes të periudhës së tij të ushtrimpushtetit, kreu një revolucion kulturor. Me këtë rast shpërtheu luftën kundër besimeve fetare dhe faltoreve të tyre, kudo ku ndodheshin.
Doemos që nuk u kursye edhe tyrbja e Abas Aliut në majë të Tomorit.
Në vend të saj do të ngrihej një pikë ushtarake.
Kishte shumë zell për ta mbyllur shkatërrimin fetar me ndërtimin e një shënje imponuese shtetërore. Pika ushtarake nisi të ngrihej vetëm pak ditë pas fjalës së Enver Hoxhës të 6 shkurtit të vitit 1966. Dukej sikur ky dëshironte të mos humbiste asnjë minutë për prishjen e kenotafit të Abas Aliut, i cili kishte venerim popullor.
Ky simbol fetar do të përfundonte me zhdukje edhe në rast se nuk do të ish bektashi, por i krishterë. Megjithatë bie në sy që regjimi nuk pati asnjë tolerancë për këtë shenjë historike edhe pse bektashizmi me klerikët e vet e patën ndihmuar shumë Partinë Komuniste Shqiptare gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare.
Po ashtu adhuruesit e këtij kulti qenë më së shumti skraparllinj, bashkëkombës që i kishin vënë shpatullat e mbështetjes jo vetëm Rilindjes dhe Pavarësimit, por edhe Fan Nolit dhe Enver Hoxhës.
Për ndërtimin e këtij simboli të ngadhënjimit të shtetit ideologjik mbi gjithçka u desh një punë tepër e madhe dhe e mundimshme. Po kështu një sforcim kolosal fizik u desh për shtrirjen nën tokë, në një gjatësi prej 20 km, të kabllove të tensionit të lartë dhe kabllove telefonike.
Për shkak të izolimit të plotë për gjashtë muajt e dimrit, pika furnizohej me dru zjarri dhe ushqim që në verë dhe njëzetë ushtarët e oficerët për gjashtë muaj nuk dilnin nga dera në çfarëdo rrethane që të ndodheshin. Efektivët që shërbenin në këtë pikë, ushtarë apo oficerë, ishin nga më të zgjedhurit dhe më të besuarit, madje ata, me që kishin shërbyer aty, gëzonin si të thuash një status prej heroi dhe qenë të privilegjuar në jetën civile, ku vendoseshin në punë të mira dhe në sektorë delikatë shtetërorë.
U shfarros tyrbja e Abas Aliut dhe u ngrit reparti i nëndheshëm ushtarak duke hapur gropën e harresës. Tempullin pagan e pastaj në po atë vend, majëmalin e Tomorit, Kishën e Shën Mërisë, e patën shfarrosur fizikisht kohrat, tyrben Enver Hoxha personalisht.
Qe ai tani Perëndia, vetë Tomori i shenjtë. Jo më kot e pëlqente urimin që të rronte ai mal.
Pika ushtarake u ngrit edhe me gurët nga prishja e tyrbes së Abas Aliut. Ishte një ndërtesë tunelore. Kam qenë atje në mesditën e 19 shkurt 1972, i nisur nga Berati me nxënësit e gjimnazit Babë Dudë Karbunara, ku jepja mësim, të prirë nga një alpinist shumë i njohur i qytetit, Petraq Kule.
Këtë ditë të 19 shkurtit e kam parë me sytë e mi tërë atë strukturë të nëndheshme të ushtrisë.
Qenë disa ambiente shumë të mira për kohën, ku ishte vendosur teknika ushtarake, salla e mbledhjeve, zyrat e komandës, fjetina dhe mensa e ushtarëve.
Në brendësi qe shumë ngrohtë, ndërsa një aparat televiziv shihte nga RAI, televizioni italian. Por me siguri ai kapte lirisht edhe televizionin jugosllav dhe atë grek. Dëgjuam një oficer që thoshte se në ekran u dilte edhe Spanja.
Për këtë të fundit nuk do të habitesha, sepse dy vite më vonë do të më transferonin të punoja mësues në një fshat të largët, malor, në Tërpan dhe atje rastisi njëherë që aparati i repartit ushtarak të kapte Madridin.
Në atë 19 shkurt 1972, kur hymë brenda nga lart, duke zbritur shkallët, na bëri përshtypje edhe uji i borës, të cilin për të na shuar etjen, ushtarët e ngrohën mbi sobë dhe e shkrinë në një kazan të madh. Kishte një shije të rrallë, të gjallëronte tërë trupin, si të ish elizir. Nuk e kam provuar më pas këtë ndjesi, edhe pse si beratas kam pirë ujë të shëndetshëm Bogove sa jam shqepur.
Kur mbërritën në këtë pikë ushtarake, pasi u shplodhëm, u përpoqëm të shuajmë kërshërinë për funksionin e saj. Patëm dëgjuar që ishte një njësi tepër e rëndësishme ndërlidhjeje spiun, që varej direkt nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë për të kapur valët e radiove ushtarake të vendeve fqinje.
E kam besuar këtë legjendë për tërë jetën, deri dy vite të shkuara, kur u takova posaçërisht me tre krerë që para nëntëdhjetës, por edhe gjatë luftës së Kosovës, në 1999, kishin komanduar disa nga pikat e përgjimit dhe të pelengimit për ish-Jugosllavinë, Italinë dhe Greqinë.
Po atëherë çfarë qe kjo pikë sekrete?
Ju siguroj që, me sa kuptova nga çfarë pashë në atë 19 shkurt 1972, ajo nuk vëzhgonte e regjistronte ufot që uleshin mbi malin hyjnor të Tomorit, sepse gojëdhëna për këtë gjë ekzistojnë që në kohë të Rilindjes dhe hollësitë e tyre do tua bëjmë të ditur shumë shpejt.
Që ti marrim punët me rradhë e të mos ngutemi, le ta nisim me atë informacion që na ka dërguar, me kërkesën tonë, Dilaver Goxhaj, njëri prej oficerëve të lartë drejtues të RDKA, çfarë do të thotë Reparti i Raketave të Drejtuara Kundërajrore. Ky ishte një regjiment me numurin ushtarak 3700, me qendër në Tiranë, në varësi të Komandës së Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit (MKA).
E dhëna e parë shpjeguese e Dilaver Goxhajt është kjo: mali i Tomorrit shfrytëzohej nga ky regjiment me vendndodhje kryesore në Krujë dhe në periferi të Tiranës, si objekt tokësor vetëkolaudimi.
Kjo donte të thoshte se në fillimin e çdo ditë, kur rivihej në gatishmëri kjo njësi raketash, gjithçka konsiderohej gati për veprim, në rast se antenat e tyre të drejtuara posaçërisht ku ndodhej mali i Tomorit, e kapnin sinjalin e lëshuar nga pika ushtarake në majë të tij.
Ishte 90 km ajrore larg.
Si të thuash, miratimi raketave u vinte prej andej, nga babamali i famshëm. Njësoj si ti kishte në majë apo në shpatullat e tij shkëmbore.
Dhe thoni po deshët që Tomori nuk është mal Komandant i Përgjithshëm!
Raketat qenë tokë-ajër, të llojeve SA-75 ose SAM-2. Patën ardhur në fillim një pjesë nga Bashkimi Sovjetik (1959) dhe nga Kina në vitin 1969.
Ato, të organizuara në katër grupe zjarri, qenë vendosur posaçërisht për mbulimin kundërajror të kryeqytetit të Shqipërisë dhe po ashtu të zonës naftëmbajtëse të Patosit.
Ndërsa tre grupe ishin në Krujë-Tiranë, i katërti ndodhej në Patos, shumë më afër Komandantit, Baba Tomorit.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|