Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: BABA TOMOR APO BABA ABAZ ALI?


(Fragmenti 21 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Formulimi tipik dhe më i përhapur nga mediat shqiptare për pelegrinazhin fetar në Malin e Tomorit, është pak u shumë ky: “Në malin e shenjtë të Tomorrit ka nisur peligrinazhi i përvitshëm i besimtareve bektashinj, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia. Ata kremtojnë në teqenë e Kulmakut festën në nder të Abaz Aliut”.
Më tej, si për ta sqaruar më mirë: “Peligrinazhi i përvitshëm në malin e Tomorrit zhvillohet gjatë periudhës 18-25 Gusht dhe çdo vit kjo festë e bektashinjve regjistron rreth 100 mijë persona nga vendi dhe bota, që vizitojnë Teqenë e Abaz Aliut, ku kryejnë ritet fetare siç është edhe kurbani në nderim të tij”.
Duhet thënë se ky formulim mediatik, por edhe mendësi shumë e shtrirë mes njerëzve, është kumti më i shtrembëruar i një të vërtete tjetër historike.
Më i gabuari dhe më i padrejti.
Ky bektashizim i pelegrinazhit më të madh në Shqipëri, njëlloj si një udhëtim për në Jeruzalem apo Mekë, përfaqëson përvetësimin e rëndë të një riti dy-tri apo edhe katër mijëvjeçar, i nisur të gjallojë dhe të bëhet identitet parailir (dhe më pas ilir, arbër dhe shqiptar), që kur në ato troje rreth malit, Berat e Skrapar të lashtë të marrë bashkë, nisi të marrin frymë qeniet njerëzore.
Në rast se në ndërgjegjen tonë etnike dhe kombëtare, por edhe në historishkrimin e botës, ka ekzistuar e ka mbërritur deri tek ne Olimpi ynë, mali hyjnor i Tomorit, kjo më së pari është meritë e paraardhësve tanë të moteve themeluese të territorit tonë.
Etnologia angleze Margaret Hasluck, e cila në vitin 1930 u ngjit në majë të tij, vuri re dy veçansi: pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorin ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kuran.
Kjo do të thotë, çfarë e kanë vënë re edhe shumë historianë, se “ky adhurim është mbeturinë e kultit pagan të natyrës”.
Studiuesi Shaban Sinani do të theksonte se “Nga kulti pagan i majave të larta, i përhapur në gjithë Shqipërinë, kulti i malit të Tomorit ka mbijetuar në rrjedhë të shekujve e të ndërrimeve fetare”.
Tashmë dihet se “vendet e peligrinazheve të epokës pagane dhe ritet pagane mbetën po ato në epokat e mëvonshme fetare, ndryshuan vetëm përfytyrimet që lidhen me këto rite, duke marrë një veshje kristiane ose islame”. “Ky evolucion dhe stanjacion njëherësh, thotë Sinani, është karakteristik edhe për kultin e Tomorit dhe ritet e pelegrinëve në nderim të tij”.
Ndërkohë edhe studiuesi me origjinë nga Skrapari, Zylyftar Hoxha, spikat natyrën e shprehur shumëfetare të pelegrinazhit. Vijnë të marrin pjesë edhe të krishterët, nënvizon ngulshëm ai.
Gazetari po ashtu i lindur në Skrapar, Bashkim Koçi, në një reportazh të tij të 20 gushtit 2018, do të pohonte se nga pelegrinët “nuk janë të gjithë bektashinj. Sigurisht, këta të fundit janë në shumicë, por kur dëgjova emrin Luigj, i cili paskësh ardhur deri në Tomorr nga Lezha...”
Sigurisht kjo prani të krishterësh nuk është frut i “natyrës liberale të bektashizmit”, tolerancë e tij, leje pjesëmarrje që ata e japin, por një e drejtë historike e kristianëve.
Një shekull e gjysmë më parë, sipas një gojëdhëne që ka dëgjuar mitropoliti i Beratit Aleks Aleksudhi, “në mesin e muajit gusht si besimtarët e krishterë ashtu dhe ata myslimanë ngjiten në malin e Tomorit për të kryer nderimet dhe faljet për shenjtorët e tyre. Një traditë e tillë e ka zanafillën që në kohët më të lashta kur njerëzit kishin ndërtuar në majën e malit një faltore pagane”.
Po ashtu etnologia britanike Margaret Hasluck ka vënë në dukje në vitin 1930 se pelegrinazhi është “vazhdim i mëvonshëm i traditës mitologjike ilire dhe shprehje e njësisë shpirtërore shqiptare”. Ka theksuar po ashtu: “Vetë bektashinjtë e pranojnë se me kultin dhe me teqenë e tyre kanë zëvendësuar një kult shumë më të vjetër”.
Nuk ka asnjë dyshim se në fillim të mijëvjeçarit të parë të pas Erës së Re në majë Tomor u ngrit një kishë kushtuar Shën Mërisë dhe se çdo 15 gusht, ditë e festimit të krishterë për Shën Mërinë e Virgjër, si në të gjithë hapësirat botërore ku praktikohej ky besim fetar, kryhej këtu dhe riti i nderimit për nënën e Krishtit.
Sikur të mos kishte pasur pushtim osman ky rit do të vijonte edhe tani.
Siç shihet data e festimit nën nismën e bektashinjve pothuaj nuk ka lëvizur nga vendi. Kjo ka ndodhur jo sepse e vendosën të shenjtët e themelimit të besimit të tyre, histori sa një e pesta apo e gjashta e tërë biografisë së pelegrinazhit, por qe një traditë e ngulitur. Nuk mund të veprohej në të kundërt. Nuk u vinte njeri nga pas.
Në fund të fundit bektashinjtë shqiptarë (si edhe muslimanët) u krijuan prej lendës njerëzore të të krishterëve, siç edhe këta më parë qenë materializuar nga rradhët e paganëve.
Ja pse ta bektashizosh, me prirje për ta monopolizuar, këtë mal, do të thotë t’ja zvogëlosh së tepërmi përmasën gjigande në historinë dhe gjeografinë kombëtare.
Tomori është mali i tërë Shqiptarëve.
Në relievin nacional ai është një shenjë që shihet nga shumë e shumë larg, përtej territoresh ku besohet dhe praktikohet bektashizmi, shkon deri në hapësira ku masivisht ka të krishterë ortodoksë dhe po ashtu diku tjetër të krishterë katolikë.
Përmasat e asaj që nga Tomori sheh një shqiptar janë tepër të mëdha, gati të pabesueshme. Specialisti i alpinizmit Gazmend Shehu, na ka bërë të ditur se me sy të lirë nga majëmali “Shihet gati gjysma e Shqipërisë, nga jugu dallohet Nemërçka, në kufi me Greqinë, juglindje Mali i Thatë në Pogradec, Ostrovica në Vithkuq, malet e Gorës dhe të Oparit, të Gramshit, në veri qyteti i Elbasanit në pëllëmbë të dorës, Gjinari, Krrabë, në veriperëndim, në kohë të kthjellët me shikueshmëri të lartë, mali Skënderbeut në Krujë, Dajti, deri afër Lezhës, dhe në perëndim gjithë bregdeti nga Bishti i Pallës, Karavastaja, grykëderdhja e Semanit, Sazani, Karaburuni, Mali Çikës, Ballshi në Mallakastër dhe vargmalet paralele Trebeshinë-Dhëmbel-Nemerçkë, Shëndelli-Lunxhëri-Bureto”.
Ervin Numani, i cili është i pasionuar pas natyrës dhe gjeografisë, me shumë përvojë për LOS (Line of Sight), përdorimin e antenave të mikrovalëve për të dalluar sa më mprehtësisht vijën e shikimit gjer në fund të horizontit, e ka fotografuar Tomorin që nga kalatë e Petrelës dhe të Prezës. Një pjesë e vogël e malit, thotë ai, duket edhe nga Rinasi dhe në kohë të kthjellët edhe nga Lezha.
Surpriza më e madhe e Ervinit është një fotografim i malit të Tomorit që nga Grand Europa Resort në Velipojë.
Pra që nga Shkodra!!

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com