Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: TË SHOHËSH VATIKANIN NGA MAJËMALI I TOMORIT


(Fragmenti 19 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Kur mbërrin në fshatin Tomor i Madh të malit të Tomorit, në një kodrinë shkëmbore të lartuar për pesëdhjetë metra mbi sipërfaqen e relievit tjetër, ndesh përpara një kështjellë. Ndodhet e vendosur në një terren shumë të mbrojtur, ku vetëm një shteg i vështirë të çon deri atje dhe për t’ja dalë mbanë duhet ta ruash kokën mirë.
Kjo është kalaja e Tomorit, një emërtim që nuk ka ndryshuar kurrë, nga asnjë zot dhe mbi zot i qiellit dhe i tokës. Ky emër e ka shoqëruar tërë ekzistencën e saj mbi dymijëvjeçare, në mos edhe shumë më tutje në thellimë të historisë.
Kjo kështjellë ka rol strategjik po aq sa edhe maja e vetë malit, ku ka vigjëluar “syri” numër një, fillimisht tempulli pagan dhe pastaj faltore të njëpasnjëshme të krishtera dhe së fundi ajo bektashiane.
Kalaja e Tomorit është “syri” i dytë i malit.
Ngjan tamam si me njeriun, që i përputh dhe i harmonizon vështrimet e të dyve dhe nuk lë t’i shpëtojë gjë.
Në rast se kalaja e Tomorit ka vështruar ngulshëm rëzën e malit, bazamentin e tij, korridor kalimi mes Gadishullit Apenin dhe Maqedonisë, Selanikut e ujrave veriore të Egjeut, tempulli në majëmal e ka shumë më të gjerë rrezen e vëzhgimit.
Këtë përmasë po e llogaritim ndryshe nga rutina. Po e kryejmë në raport me detin, ujrat jugore të Adriatikut dhe veriore të Jonit.
Sepse ndërsa fshat pas fshati ngjitesh drejt malit pika e parë prej ku sheh kaltërsinë e detit është fshati i Tomorit të Madh. Nga këtu dallon jo vetëm gjirin e Vlorës, por edhe hapësirën e pas Sazanit. Po të jetë mot fort i kthjellët shikimi të shtyhet edhe më tutje. Ka që thonë se vështrimi të rrok deri edhe brigjet e përtejme, ato italiane të Brindisit.
Por këtë të fundit mund edhe ta gjykosh me një lloj rezerve. Po të takohesh me vendas, tomoricarët, ata të rrëfejnë disa çudira me të vërtetë të pabesueshme. Janë si legjenda të reja. Njëherë njëri prej tyre më tha se në vitet shtatëdhjetë të shekullit të shkuar, pra kur ishte komunizmi enverian, në majë të malit, diku afër vendit të dikurshëm të tempullit, shteti i asaj kohe pati vendosur raketa tokë-tokë, pra nga ato që në rast mbrojtjeje, do të goditnin prapavijat e ushtrive të huaja agresore.
Përtej legjendës është edhe një çudi tjetër. Sipas kësaj të fundit, në njërin prej mureve të jashtëm të Kalasë së Tomorit ndodhen të ngulura disa ganxha, në të cilat shumë herët historisë njerëzore mbaheshin të lidhura anije?!
Ndërkohë besoj se nga majëmali i 2416 metrave është parë tymi i shpërthimit fatal të Vezuvit, ndodhur në vitin 79 para Krishtit, kur shkatërroi dhe vrau tërë qytetin e Pompeut. Prej këtij majëmali pa tjetër janë parë jo vetëm shkulmet e tymta e të llavta të shpërthimeve të tjera, të mëvonshme, por edhe gjëmimet shoqëruese.
Ja pse Tomori e ka ndjerë afër dhe e konsideron mal shok të tij Vezuvin. Prandaj edhe gojëdhënat e fantazojnë këtë shokëri si aftësi komunikimi të përhershëm mes të dyve.
Ndërkohë besoj edhe në një gjysmë legjendë tjetër: që nga lartësia e tempullit, 2416 metra, është parë qyteti i Vatikanit në Romë, me pak fjalë kubeja e Shën Pjetrit.
Besoj në këto sepse kush banon dhe është rritur në malin e Tomorit ka njëhershëm një lidhje shpirtërore me të dhe me detin.
Po e ilustroj këtë vetëndjerje shokërimi të ngushtë me një gjest të kryer prej skraparllinjve të dekadave të fundit.
Pesëmbëdhjetë mijë prej tyre kanë emigruar dhe janë vendosur në Durrës. Masa kryesore e tyre ndodhen zyrtarisht në lagjen “5 shtatori”, në kodër, por mes durrsakëve ajo thirret si “Lagjia e skraparllinjve”.
Për ta kundruar hollësishëm dukurinë e lidhjes së pashkëputshme Mali i Tomorit-Det, na ndihmojnë disa të dhëna të interpretuara prej studjuesit Hajri Nuhu.
Sipas tij, në qytet-portit më të madh të Adriatikut jugor, skraparllinjtë kanë zënë kodrat më të bukura që qarkojnë Durrësin në pjesën perëndimore të tij. Të gjitha dritaret e banesave të tyre, më së shumti vila, dritaret i kanë hapur nga lindja.
Kështu kanë vepruar edhe me ballkonet.
E kanë bërë këtë zgjidhje jo aq fort për arsye arkitektonike, por tërësisht shpirtërore: herë pas here dallojnë hellë në horizont malin e Tomorit.
Ky rit kryhet herët në mëngjes, pa zbardhur e plotë dita, ende pa e mjegulluar ajrin drita e diellit apo avujt e mbitokës. Duhet për këtë të të ndihmojë edhe një qiell pa re.
Bashkëngjitur këtij fragmenti po ju paraqitim dy foto-dëshmi të kapjes nga vështrimi njerëzor i siluetës së malit të Tomorit që prej një kodre të Durrësit, nga shtëpia e një skraparlliu, operatorit Leonard Musaj. Të parën, më të qartën, gazetari Fatjon Kaloçi e publikoi në faqen online “Çorovoda”.
Fotografimi i dytë i kameramanit profesionist Musaj është kryer prej lartësisë së Vilës së Zogut. Nga që është mesditë silueta e Tomorit mezi dallohet në sfond.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com