|
QYTETI PRANË QIELLIT: NË 26 KORRIK 1455 SKËNDERBEU NDODHEJ NË TOMOR
(Fragmenti 18 i librit Qyteti pranë qiellit, vijon nga dje)
Kur Katedralen e Shën Kollit në Lezhë u mblodh në 2 mars 1944 Kuvendi i Lezhës bashkë me Gjergjin, i cili u zgjodh kryekomandant, dhe në krahë të princërve Andre Topia (bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën dhe të nipin Tanushin), me Gjergj Stres Balshën e Nikollë e Pal Dukagjinin, Pjetër Spanin e katër djemtë e tij, Lekë Zaharinë dhe Zahari Gropën, Lekë Dushmanin dhe Stefan Gjurashin Cërnojeviçin e Malit të Zi, ishte edhe Teodor Muzaka i Riu.
Ky princ i Beratit shoqërohej në këtë ngjarje prej disa pjesëtarëve të tjerë të familjes.
Muzakajt kishin zhvilluar dhe ruajtur në pothuaj tre gjenerata, të paktën që prej betejës së Fushë Kosovës në 1378 kundër agresionit osman, raporte të ngushta me Kastriotët. Ndërkohë u bënë edhe kushërinj. Bashkëshortja e Skënderbeut, Donika, qe vajza e Maries, të motrës së Teodor Muzakës plak (senior).
Kur në vitin 1449 ky Teodor po vdiste, i propozoi Skënderbeut që, në emër të Lidhjes së Lezhës, ta merrte kalanë e Beratit nën mbrojtjen e tij. Për ta plotësuar këtë dëshirë të mikut dhe kushëririt të tij, i shtyrë edhe prej interesave strategjike të besëlidhjes së princërve arbër, Gjergj Kastrioti dërgoi një njësi luftarake me pesëqind vetë të stërvitur shumë mirë.
E komandonte kapidani Pal Kuka.
Këta hynë në kalanë ato çaste, pas pushtimit turk në 1417, të çliruar prej Muzakajve. Pal Kuka e mori kështjellën në dorëzim, duke mbetur aty, tashmë si garnizon mbrojtës.
Porta e Lartë nuk mund ta lejonte gjatë këtë ndryshim gjeostrategjik në pafavor të saj dhe planifikoi një diversion. Që nga Gjirokastra drejt Beratit u nis një grup ushtarak shumë operativ dhe nëpër natë, falë stërvitjes së tyre fizike, por edhe spiunazhit që kishin brenda kalasë (ndoshta vetëm qytetarë të pakënaqur), ngjitën muret dhe pasi hynë brenda i masakruan të pesëqindët e Pal Kukës.
Për ta çuar deri në fund sfidën kundër Skënderbeu dhe Lidhjes së Lezhës, ata e ngritën të sëmurë prej shtratit fisnikun mjekërbardhë Teodor Muzaka dhe e varën me një ceremoni publike barbare.
Gjergj Kastrioti dhe Lidhja për ta shpëtuar Pal Kukën e burgosur nga turqit paguan dhe ky u rikthye në Krujë në shërbim të luftës antiosmane.
Sqarojmë se Muzakajt kishin në pronën e tyre edhe krahinën e Tomorit (Tomonisht), çfarë është e shkruar në testamentin e të birit të madh të Teodorit, Gjon Muzakës, në vitin 1510, kur qe i emigruar në Itali.
Me pak fjalë kur gjatë verës së vitit 1455 në krye të 12 mijë luftëtarëve shqiptarë dhe 500 ushtarëve të mbretërisë së Napolit Skënderbeu e rrethoi kalanë e Beratit për ta marrë, juridikisht e kish pronë të Lidhjes ku vetë ishte i parë, kryekomandant.
Si edhe të tij personalisht, sepse Teodor Muzaka edhe me këtë cilësi ia la në dorëzim.
Siç dihet armata e Lidhjes së Lezhës, megjithë sulmet dhe bombardimet e forta, në ditët e para nuk e mori dot kalanë dhe më në fund të dy palët nisën bisedimet. Komanda e garnizonit turk në kështjellë përpunoi një dredhi, ndërsa të dërguarve arbër u pranoi në parim dorëzimin paqësor pas pesëmbëdhjetë ditësh. Në fakt ata ngulën këmbë që armëpushimi të qe një muaj, kohë e mjaftueshme që thirrja për ndihmë të shkonte deri në Stamboll tek sulltani e të vinte ushtria e dërguar prej tij.
Kur u konsumuan katër ditët e para që armëpushimit dhe korrieri special turk ja kishte dalë të zbriste me litar që prej bedenit më të lartë e të rrezikshëm, i cili binte vertikas mbi pjerrësinë e anës shkëmbore të kështjellës, dhe tashmë ndodhej duke raportuar para sulltanit, në kampin e armatës rrethuese të shqiptarëve u vu re humbje tërësore vigjilence.
Ky çast mund të ketë qenë si datë e përafërt 20 korriku i vitit 1455.
Këtë ditë ose të nesërmen, pasi la disa porosi dhe u tërhoqi vëmendjen komandantëve të njësive që ndodheshin lart, tek Porta e hyrjes së kështjellës (këtu qe artileria dhe pesëqind italianët), pesëmijë ushtarë arbër poshtë, përgjatë luginës së Osumit, të komanduar nga Muzakë Topia, Gjergj Kastrioti u largua në një drejtim që deri tani mbetet jo vetëm enigmatik, por edhe i devijuar e mbajtur qëllimisht i fshehur.
Ai mori me vete më shumë se gjysmën e luftëtarëve: sipas disa burimeve historiografike me autoritet plot 7 mijë vetë të armatosur mirë. Kalorës shumica.
Në orët e para të pasdites së 26 korrikut trupat luftarake shqiptaro-italiane të mbetura përreth mureve, ndërsa nëpër një vapë të madhe vërtiteshin apo dremitnin të shkujdesur, madje luanin edhe me zare, u sulmuan nga një armatë e madhe osmane e ardhur befasisht. Për të mbërritur deri atje këta kishin lëvizur me shpejtësi në një rrugë të parahur dhe prandaj nuk u diktuan.
Duke qenë se erdhën nëpër kurrizin e kodrave pranë kështjellës, pasi i dërmuan pesëqind italianët dhe u bashkuan me garnizonin osman në kala, iu vërsulën poshtë pesë mijëve shqiptarëve të shtriqur buzë lumit. Këta fillimisht u munduan të rezistonin, por qe e pamundur. U masakruan bashkë me komandantin e tyre, Topinë.
Sapo pa nga larg se çfarë po ndodhte në Berat, Skënderbeu dhe kalorësit e tij rendën revan, por kur e arritën fushën e luftës, gjithçka kishte përfunduar.
Lumi Osum qe mbushur me gjak.
Gjergj Kastrioti bëri gjithçka për ta çarë rrethimin dhe shpëtuar ata të paktë që kishin mbetur gjallë, madje një çast rrezikoi jetën fizikisht, por qe tepër vonë.
Kështu ndodhi në Berat humbja më e rëndë e tërë luftës 25-vjeçare të Skënderbeut.
Në fakt, duke rreshtuar në këtë bilanc edhe rastin e Pal Kukës, kjo qe disfata e tij e dytë në këtë qytet.
Vonesa e ndërhyrjes së shtatë mijëve kalorësve të shpejtë të Gjergj Kastriotit ndodhi sepse ai nuk ndodhej aty. Për pesë apo gjashtë ditë të plota ai gjendej diku.
Po ku?
Këtu nis paqartësia, të cilën mund ta sqaronte fare lehtë biografi i tij, Marin Barleti. Por ky në librin Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis, shkruan: ...me qëllim që tia përmirësonte kampin ushtrisë dhe që të merrnin frymë ushtarët nga kjo vapë e tërbuar që ishte atëherë, duke i veçuar pakëz shatoret, mori Hamzën bashkë me disa purpuratë dhe vetëm me 3000 kalorës dhe 1000 këmbësorë zuri malin fare afër qytetit, duke i vendosur të gjithë me kujdesin më të madh dhe duke mbajtur në gatishmëri disa përdredhore, me qëllim që të mos të bëhej kundër tyre ndonjë sulm nga qyteti.
Po ashtu: Muzaka, çadrat e të cilit u ndodhën më afër armikut që po vinte dhe kishin për ta përballuar të parat mundin dhe në fillim qëndroi në dyshim, pa marrë një vendim as për përleshje, as për ikje. Por pastaj, ngaqë dukej qartë, për arsye se armiku ishte afruar shumë, se edhe ikja do të sillte gjakderdhje shumë, nga që se kishte pandehur kurrë një mizëri të atillë dhe më në fund nga që nuk donte ta linte Skënderbeun, që ishte në mal...
Pra Gjergj Kastrioti, rikonfirmohet, ndodhej në një mal. Fare afër nuk mund të thuhet se ishte, sepse do ta kish kthyer fatin e luftës. Ai ka qenë relativisht afër, jo shumë e shumë larg. Mal në këtë përmasë distance, prej ku mund ta shohësh si në pëllëmbë të dorës Beratin dhe çfarë ndodh atje, është vetëm një: Tomori.
Nga historianë të ndryshëm herë thuhet se Skënderbeu iku në një pyll për të bërë dru për forcimin e rrethimit, herë se shkoi diku për të marrë një kështjellë. Ka që këmbëngulin, deri në tekste zyrtare historie, se ai kishte shkuar në jugperëndim për të penguar ndonjë sulm të mundshëm surprizë nga garnizoni osman në Vlorë.
Kjo e fundit nuk ka asnjë kuptim, nuk dëshmon asnjë nuhatje strategjike, të cilën Gjergj Kastrioti e kish me bollëk. Mali i Shpiragut, për ku edhe hamendësohet drejtimi, është përherë i xhveshur dhe pa pemë. Atëherë ku do ti gjente drurët për shkallët e hipjes në muret e kështjellës?
Mendojmë dhe këmbëngulim: Skënderbeu në ditët 21-26 korrik 1955 ka qenë në malin e Tomorit për të marrë nën kontroll kalanë me të njëjtin emër, në kushtet e atëhershme dhe përherë pika kyçe për çdo të papritur që mund të ndodhte në Berat.
Rikujtojmë se Tomoricën (Tomonishten), të dhënë prej Teodor Muzakës, ai e kishte territor të sundimit të vet.
Me pak fjalë: pronë.
Thjesht përfitoi nga armëpushimi dhe shkoi atje.
Ndoshta edhe për ta parë nga shumë afër Fronin e Perëndive, Olimpin Shqiptar. Në fund të fundit ishte tashmë pjesë e zotërimeve të tij.
Po pse, ju shkon në mendje se ai gjigand i veprimit të arbërve nuk ndjente adhurim për këtë mal të shenjtë? Nuk kishte nevojë të falej atje e të betohej, të merrte forcë e të krenohej?
Kolosët takohen, gjithnjë.
Kanë shumë nevojë për mitin e njëri-tjetrit.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|