Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: SKËNDERBEU KA QENË NË MALIN E TOMORIT


(Fragmenti 17 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Në qytetin e vendlindjes së saj, Venecia, Luçia Nadin do të gjente një stemë të Kastriotëve si edhe në një lojë letrash të kohës me një imazh të heroit kombëtar shqiptar. Shekuj më parë lojërat me letra qenë Një ushtrim metodik për të mësuar gjëra të reja nga fusha e diturisë. Ndërkohë zbulimi më i bujshëm do të ndodhte më pas, kur Nadin interpretoi anijen e dozhëve, barkën më të madhe e më të famshme të të gjithë Mesdheut, në mos të të gjithë globit: Buçintoron.
Ajo anije kryeministrore (dozhi qe drejtuesi i Republikës) ndërtohej pothuaj një në tetëdhjetë vite deri në një shekull. E quajtura Buçintoro për herë të parë hyri në zakonet dhe jetën publike të Venecies në vitin 1177, duke u bërë më vonë simboli dhe vetë legjenda e saj. Ajo ishte kujtesa e asaj republike detare, shenja e forcimit dhe e ekspansionit të saj gjer në afërsi të brigjeve të Afrikës. Në një farë mënyre Buçintoro qe një teatër i politikës, një përcjellëse dhe shpërndarëse e mesazheve të saj.
Buçintoro ishte vetë shteti i fortë i Venecies edhe pse që kur u shfaq imazhi i saj mbi det, përballë pallatit qeveritar të San Markos, gojëdhënat flisnin se akti i krijimit nuk qe politik, por thjesht mitologjik, riti i martesës së qytetit mbi ujë me vetë detin, pra ishte dashuria e Venecies me ujërat e Adriatikut.
Ajo anije qe “bileta e vizitës” për në Republikë.
Të gjithë ambasadorët e huaj që paraqiteshin para dozhit vinin të hipur në këtë krijesë madhështore, po ashtu hipte në të çdo mbret a princ i famshëm që në Venecia vinte për vizitë.
Anija e dozhëve e shekullit të shtatëmbëdhjetë, hijerëndë dhe me kuvertë të mbuluar e të praruar, ka patur një gjë krejtësisht të veçantë, të cilën nuk e kishin patur as pararendëset dhe nuk qe e pranishme edhe tek pasardhëset. Për një shekull të tërë atje ndodhej edhe shtatorja e Gjergj Kastriotit.
Që të zbulohej dhe kuptohej kjo gjë nuk ishte gjë e lehtë. Këtu është edhe merita e Luçia Nadin.
Buçintoro në traditën e saj që prej krijimit kishte mbi kiç statujën e drejtësisë, çka konsiderohej përherë si simbol i Venecies. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë në anijen e re u shtua edhe një statujë tjetër, të cilin shumica e kronikave të kohës e interpretuan si një imazh të Marsit, perëndisë së luftës.
Ai jepej duke shtypur me këmbë një gjarpër. Gjarpri për Venecien simbolikisht ka qenë përfytyruar përherë si armik i saj, veçanërisht i krishtërimit.
Duke e ditur këtë karakteristikë për shekuj me radhë për republikën detare “gjarpëri” qe perandoria osmane dhe feja myslimane.
Me pamje mjaft imponuese, gjigand në shtat, me në dorë një sëpatë e një topuz shumë të veçantë (me majë të hekurt), ky Mars thirrej më shpesh edhe me emrin Mollosi. Porse mollosë dihet që janë thirrur epirotët, popullsi në trojet ku tani gjendet edhe Çamëria. Vetë Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Itali quhej Princi Epirot, çfarë është edhe e shkruar, duke u ruajtur deri sot mbi krye të portës së bujtinës ku në Romë, nga dhjetori 1466-shkurt 1467 kreu një vizitë pune tek Papa.
Po ashtu me titullin Princ Epirot ai emërtohet që në ballinë të librit biografik të Marin Barletit: ““Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis”.
Mollos ishte quajtur Pirrua i Epirit, njeriu i hekurt që u përlesh me superfuqinë e kohës, Perandorinë Romake.
Në pamjen e fytyrës Mollosi i anijes kryeministrore veneciane “Buçintoro” nuk ngjan fare me Skënderbeun, sepse për grupin e ikonografëve që punuan për ta krijuar atë statujë gjigande dhe më pas vendosur në vendin më të dukshëm të kuvertës së praruar, nuk kishte asnjë rëndësi një ngjashmëri e tillë fizike. Gjergj Kastrioti u stilizua në anijen më përfaqësuese të Republikës së Venecies dhe njëkohësisht më të njohurën e botës, për të përcjellë mesazhe të tjera.
Ndërkohë Luçia Nadin e ka gjetur dëshminë se mes venecianëve të kohës ajo statujë Marsi apo Mollosi nënkuptohej edhe si e Skënderbeut: në fund të viteve 1600 studiuesja e njohur ka gjetur një guidë të Venecies ku statuja e vizatuar ka në fytyrë mjekrën e Gjergj Kastriotit.
Nadin ka zbuluar edhe rrethanat që favorizuan vendosjen e mollosit (epirotit) Skënderbe në Buçintoro. Sipas saj, në raportet ndërkombëtare të kohës Papa (Klementi VIII) po përpiqej të riorganizonte Lidhjen e Shenjtë kundër turqve, në të cilën duhej të bashkoheshin të gjitha shtetet e krishtera të kontinentit. Mirëpo Venecia në këtë periudhë qe e interesuar për një politikë të fortë neutraliteti ndaj Portës së Lartë. Atëherë Papa, për ta detyruar të mos e vazhdonte këtë politikë, e paralajmëroi se do ta shpallte të çkrishtëruar. E gjendur në pozicion të vështirë Republika e Venecies me në krye dozhin Marino Primani, një mendje shumë e zhdëvjellët dhe plot me gjenialitet diplomatik, për të mos prishur marrëdhëniet me Papën kërkoi që në anijen kryeministrore të saj të vendosej statuja e Gjergj Kastriotit, arbërit autentik më të famshëm në luftë për mbrojtjen e krishtërimit. Nuk gjendej në të dy brigjet e Adriatikut antiosman më të madh se Skënderbeu dhe me këtë imazh zyrtar në vendin më të dukshëm të Buçintoros Papa Klemente VIII do të qetësohej e do t’i fashitej zemërimi. Kështu edhe u bë.
Vatikani e donte shumë princin shqiptar, kalorësin e vet dhe tensionet mes Selisë së Shenjtë dhe Venecies ranë.
Emërtimi Mollos i Skënderbeut përbën një provë jo vetëm të lidhjes së ngushtë që kishin historikisht ilirët paraarbër me fisin e Mollosëve, zotërues të trojeve afër Janinës ku sipas studjuesve grekë ka qenë ndodhur faltorja e Dodonës antike dhe atyre shqiptarë me këmbënguljen se ky vend i shenjtë duhet të ketë qenë në malin e Tomorit, disa dyzina kilometrash më në veri, por edhe për trajtimin si e shenjtë të pemës dhe frutit të mollës që ndodhet në këtë mal, tek shpella e quajtur e “Mollës çudibërëse”.
Në fund të fundit Gjergj Kastrioti nuk është një person që e ka parë nga larg, prej Krujës, malin e shenjtëruar të Tomorit. Se nuk e lidhte asgjë me të.
Skënderbeu ka qenë atje dhe jo vetëm disa orë apo një ditë.
Ishte fundkorrik 1455.
Madje po ju themi edhe një hollësi tjetër: pjesën e përkëtejme të fshatrave, atyre që shihnin nga Berati (Belgradi) dhe të vetë Tomorit përfshi edhe majën e faltores, ai i kishte pronë të vet.
Ju do të thoni se kjo është një çudi e madhe, e padëgjuar, por po nisim tua shpjegojmë, gjithsesi.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com