|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: “MOLLA MAGJIKE E TOMORIT, NJË GOJËDHËNE ÇUDI”
(Fragmenti 16 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Studiuesi dhe arkeologu britanik Artur Bernard Cook në librin e tij “A Study in Ancient Religion” (“Një studim për fetë e lashta”), të botuar në Londër në vitin 1940, shkruan se çfarë ka dëgjuar nga një dervish i ri për të quajturën “Mollë çudibërëse” të Tomorit.
Kulti i Mollës është i lashtë po aq sa njerëzimi. Në Bibël kur Zoti krijoi gjallësinë, dy banuesit e shumuesit e parë të qenies tonë, Adamin dhe Evën, zemrat e tyre i bashkoi me një kokër mollë.
Sipas profesor Kolec Topallit fjala “mollë” është e mbarë gjuhës shqipe, e përdorur në latinishten e vjetër dhe e huazuar prej greqishtes së lashtë. Ne, me fakte të dëshmuara që pesë shekuj më parë, nuk i jemi drejtuar helenëve, por e kemi marrë prej italianëve.
Kjo fjalë është aq e fuqishme dhe e ngulitur në vetëdijën e shqiptarëve sa që përdoret edhe në toponimi. Ka fshat Mollaj në Fier dhe në Korçë. Ekzistojnë edhe Mali i Mollës në Kolonjë dhe në Kukës. Ka fshat Mollëz në Mirditë.
Po ashtu edhe në Elbasan dhe Skrapar dy katunde të tjerë janë me emrin Mollas.
Venerimi shqiptar për mollën duket mjaft më i madh dhe i veçantë se popujt fqinjë në veri të Ballkanit dhe përtej detit Adriatik. Kjo duhet të ketë arsyet e veta, njëra prej të cilave ka të bëjë me afërinë e ilirëve të jugut, pse jo edhe përkatësinë, me Mollosët, zotëruesit, sipas shumë studiuesve, të territorit të shenjtë të tempullit të Dodonës në malin Tomaros afër Janinës, dhe sipas një pakice të diturish me Tomorin e Beratit.
Rikthehemi tani tek ajo çfarë në 1940 pati shkruar arkeologu britanik Artur Bernard Cook.
Sipas tij, ky dervish i ri dhe i shkolluar, pra aspak një gdhë prej atyre që mobilizohen për shërbesa fetare, i pati thënë se “Ju duhet ta dini që në këtë mal nuk është vetëm ky vend i shenjtë”.
E kishte fjalën për Teqenë e Baba Aliut, udhëheqësit të besimit të tij.
Tomori kishte një të dytë faltore po kaq të rëndësishme?
Dervishi i shkolluar e pati informuar studiuesin e huaj të ardhur nga Londra se “Diku në anën veriore të malit thonë që është një shpellë e futur në një pllajë brenda së cilës rritet një dru molle”.
Më pas kishte shtuar: “Unë asnjëherë nuk kam qenë atje dhe vetëm flas për atë që kam dëgjuar, por të gjithë e dinë atë vend”.
Më tej: “Frutat e kësaj molle janë më të mëdha se mollët e zakonshme, por është e vështirë të futesh atje sepse shpella ku rritet molla është shumë e thellë dhe deri më sot askush nuk ka hyrë dot për të këputur qoftë edhe një mollë të vetme”.
I pati shpjeguar dervishi i arsimuar po ashtu: “Në vjeshtë kur fryn era” (fiksojeni këtë hollësi, çast vjeshte por kur fryn erë-shënimi ynë) banorët e zonës që jetojnë atje shikojnë rreth e rrotull me shpresë se mos gjejnë ndonjë kokërr molle të rrëzuar nga era”.
Shihni, tek ky vend i shenjtë po aq sa faltorja e Teqesë, në një pelegrinazh të vogël dhe jo aq të madh sa përvitshëm në fundgusht kryhet tek kjo e fundit, njerëzit e ardhur posaçërisht shkonin sepse “ato kokrrat e mollës, thonë, që kanë fuqinë të shërojnë çdo lloj sëmundjeje, madje edhe ata që janë duke vdekur, kam dëgjuar se mundet të vijnë përsëri në jetë nëse hanë nga ky fryt”.
Historia e kësaj molle supermagjike, sipas një varianti tjetër të kësaj gojëdhëne, bën edhe një mrekulli tjetër: në rast se një grua nuk binte shtatzanë, mjaftonte të hante një kokër të tillë dhe menjëherë një bebe do të krijohej në barkun e saj, për t’u lindur më pas dhe pranuar nga jeta si njeri me shumë fat.
Duket sikur ky episod për vendshpellën e shenjtë me në brendësi një pemë molle mjaft kokërmadhe, një gojëdhënë e vërtetë dhe e pakonfirmuar si ekzistencë reale prej kërkimeve profesionale, mund të harrohej, pse jo edhe zbehur.
Por jo. Në vitin 1949 këtë temë e rikthen në vëmendje studiuesi shqiptar i etnologjisë, madje vetë themeluesi i Muzeut Kombëtar Etnologjik, shkodrani Rrok Zojzi. Ai këmbëngul se kjo shpellë e thellë me në brendësi një pemë molle të shenjtë ndodhet vërtet: është midis katundeve Bargullas dhe Kapinovë.
Pyetja e natyrshme me këtë rast është kjo: ndërsa në Tomor, në këtë mal të mbushur me shenja hyjnizimi, ka plot qershi, pemë e frut i shpallur i shenjtë prej grekëve të malit Tomaros, përse ilirët njoftojnë se kanë të tillë mollën?
Po ashtu të saktësojnë se një mollë të tillë të shenjtë mund ta këpusin vetëm njerëzit me zemër të pastër dhe karakter të ndershëm. Pra që këtu të zbatohet ky rregull numër një, i cili qe detyrim edhe për ata që duhej të hynin në Tomor në vendin e quajtur Shpella e “Kërthizës së botës”, për të cilën kemi shkruar më herët në faqet e këtij libri.
Përveç se me një kod moral sjelljeje në shoqëri, kemi të bëjmë në të dy rastet me praninë e një autoriteti të lartë dhe parimet e tij doktrinare.
Mali i Tomorit përbën një udhëheqës shpirtëror, një guru.
Dhe këtu do të dalim tek Skënderbeu, një prijës yni, i cili nëpër dekada dhe shekuj ka marrë të drejtën e shenjtnimit si njeri i mirë dhe i drejtë, mbrojtës i paepur i identitetit shqiptar.
Do t’ju tregojmë një histori krejt e vërtetë, që lidhet me studiuesen e shquar veneciane, bashkëkohëse, të cilën kam pasur fat ta njoh nga afër e të shkruaj për të në shtypin e përditshëm dhe një nga librat e mi.
Quhet Luçia Nadin.
Me profesore Nadin kam qenë i pranishëm në disa konferenca të saj shkencore në Shqipëri dhe në Itali.
Ajo ka zbuluar në arkivat e Venecies një çudi: Gjergj Kastrioti njihej dhe pranohej si Mollos.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|