|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: “CYLINA E QUMËSHTIT”
(Fragmenti 15 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
“Që sipër, aty ku ndodhen stanet e kullotat e gjer poshtë në Qaf-Dardhë zbret, shkruan Safet Kuqi, një tubacion qeramike me ngjyrë të errët, ndërtuar kushedi se nga kush dhe në cilët shekuj, përmes të cilit thuhet se është transportuar qumështi i bagëtive!”
Nga populli ky tubacion quhet “Cylina e qumështit”.
Duhej të qe prodhim i madh i tij, pra edhe i tufave me bagëti në lartësitë e Tomorit, që të mund të vihej në përdorim një tubacion, tamam si ai i autoboteve modernë.
Dhe sigurisht shumë i lashtë, me ekzistencë mjaft thellë shekujve, përderisa është i krijuar me lëndën antike të enëve të përdorimit njerëzor: qeramikën.
Sipas Hëna Spahiut dhe arkeologëve të tjerë, banorët e vjetër të Beratit paraqytet, pra kur ishte katund, madje në kohë parailire, e kanë përdorur mjeshtërisht këtë lëndë jo vetëm për enët e kuzhinës, por edhe për ato të transportit.
Por kjo qeramikë tubacioni përse të mos jetë prodhuar aty, në qytezat pranë buzëmalit të Tomorit?
Përse po ashtu të mos jetë eksportuar nga jashtë, prej Italisë. Rruga që e lidhte këtë territor me Gadishullin Apenin kalonte pikërisht aty ku përfundonin grykat e poshtme të cylinave.
Kjo sasi e madhe prodhimi qumështi dhe “mekanizimi” i transportit të saj dëshmon jo aq fort si dëshmi për të plotësuar nevojat e kërkesës së banorëve të Kalasë së dikurshme apo të ndonjë vendbanimi tjetër në afërsi të saj, por për ata që jetonin në Tomor, në shpatullat e gjëra të tij.
Qenë kalimtarë që ecnin aty, në këtë autostradë.
Kjo është një provë e tërthortë se nëpër trupin e këtij mali gjigand, tek pjesa fundore e tij, lëvizte përditë një lum i madh njerëzor.
“Cylina e qumështit” në Tomor ndoshta është një ndër dëshmitë më të sigurta se gjithë ai territor, ku përfshiheshin banorët e malit dhe të luginës së lumit Osum, ishte hapësirë e bollëkut ushqimor, karakteristikë që i mbeti për shekuj të tërë.
Me përjashtim të viteve tetëdhjetë të njëqindvjeçarit të shkuar, kur doktrina ekonomike e Enver Hoxhës do t’i riçonte shqiptarët në një triskëtim të ri. Jo për qumësht, por edhe për një pikë dhalli të thahej buza.
Dy apo tre mijë vite të shkuara qumështi rridhte prej malit të Tomorit me tubacione qeramike, në prag të vitit dymijë të kohëve moderne, për vetëm një litër qumësht duhet të zije radhë që në mesnatë.
Dhe kishte gjasë të mos ia dilje dot ta siguroje.
Kjo çudi shumë pak e përfytyrueshme për brezat e ardhshëm ishte një kohë kur bashkë me kishat e xhamitë, gjithë faltoret fetare, do të goditej edhe Tomori, mali-fron i perëndive, do të shfarroseshin të gjithë hyjtë e trashëguar nga periudha pagane, ajo e krishterë apo myslimane.
Por për Enver Hoxhën Zeus dhe “Olimpin” e tij në Berat, në Shpirag dhe Tomor do të flasim më gjerësisht në kapitujt e mëvonshëm të këtij libri.
Sepse edhe po të duam nuk e kapërcejmë dot. Hoxha bëri histori dhe për këtë arsye na duhet ta rrëfejmë e mbajmë gjallë atè. Sigurisht për të mos e harruar.
Ndryshe rikthehet dhe na mbetet vetëm njè kujtim i largët, si dikur, “cylina e qumështit”.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|