Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: SYTË E XHEVAIR SPAHIUT SHOHIN VETËM TOMOR.


(Fragmenti 14 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)


Xhevair Spahiu, njëri prej poetëve kombëtarë më të shquar, që në motin 1945 ka lindur në Malind të Skraparit, por më pas shkollimin e vet të mesëm e ka kryer në Berat. Dihet që në vijim SI jeta e tij plot krijimtari të pazakonshme, mbërritur deri në nivel Akademiku, hodhi shtat të lartë në Tiranë.
Xhevairi mund të jetë një ndër shqiptarët më të lidhur fort shpirtërisht me malin e Tomorit. Pothuaj është pjesë e tij. Në mos një binjak, një Tomor i vogël që ecën mbi këmbë njeriu.
Pak a shumë këtë cilësi, të qenit tomorak, e kanë masivisht banorët përreth tij, sidomos njerëzit e Skraparit. Nëse ngrejnë një shoqatë ata i vendosin emrin Tomor, po qe gazetë e re, po ashtu këtë emërtim. Mund t’ja vendosin këtë emër deri edhe një farmacie.
Por Xhevairi në këtë dhunti ua kalon të gjithëve, madje të marrë bashkë. Ai është i vetmi poet mes shqiptarëve që përdor vargun e titulluar “shkurtimë”.
Janë vargje të paktë, mjaft të shkurtër, shumë intens në figurim artistike, të beftë në mesazh.
Janë si vetëtimat.
Më tipiku i shkurtimave të Xhevair Spahiut është:
“Njeriu.
I ziu”.
Ose kjo poezi e tij me titullin “Tomori”:
“Mjegulla u var
mal s’duket më.
Fusha ka mbetur pa zot
e pa zë”.
Apo nga poezia “Mali i Tomorit”:
Mbi krye re dhe borë,
në gji njëqind burime,
rrufe dhe lule bashkë,
o mal i zemrës time!”
Strofat hyrëse dhe mbyllëse të një poezie tjetër të tij thonë:
“Tomor i fëminisë time,
një luan i shtrirë,
asnjëherë s’e kuptova unë
borë apo re kish mbi shpinë”.
Ose:
“Ëndra ime e madhe: Të ecja
mbi shpinë të luanit të shtrirë!
Sikur me ulërima të zgjohej,
unë nuk do t’i lypja mëshirë”.
Këtë lloj poezie të vetëtimtë, e cila ka energjinë vështrimmarrëse të një rrufeje të shpejtë (disa fotografë kanë provuar të fiksojnë shkarkimin e vetëtimave mbi malin e Tomorit dhe nuk ja kanë dalë dot) nuk mund ta shkojë nëpër mend si ide dhe realizim veç një personi që ka jetuar gju më gju me këtë mal. Të jetë gdhirë e ngrysur me kokën në pëqi të tij.
Në një nga mbrëmjet e viteve të fundit Xhevair Spahiu po shëtiste me disa shokë nëpër rrugët e qendrës së Tiranës. Qenë që të gjithë me origjinë nga shkrepat e viseve të tij. Sapo pati pushuar një shi i beftë, ardhur prej malit të Dajtit.
Ky ato çaste muzgu qe plot re mbi krye.
Mugëtimi ia mbajti një çast pezull vështrimin poetit dhe papritmas thirri me zë të lartë, si gjëmim: Shihni, Tomori!
Shokët nuk ndërhynë. E lanë ta kuptonte vetë se para tyre qe thjesht mali i Tiranës, Dajti me shtat dhe emër modest, pa asnjë famë historike, por Spahiu e përsëriti britmën e vet ngazëlluese: Tomori!
Më në fund i thanë: Xhevair, është...
Poeti u zbeh dhe nuk ktheu asnjë përgjigje. Ishte trishtimi në fytyrën e tij që e dha atë. Shokët e kuptuan se në Tiranë ai mal i mungonte shumë.
Sepse Xhevair Spahiu, që nuk është aspak njeri i ngeshëm dhe në kërkim të absurdeve letrare, e ka të kthyer në mënyrë jete të gjejë të dhëna sa prej së largu nëpër Shqipëri dallohet Tomori. Bëri festë kur i dërguan mesazh se malin famëmadh e kishin parë që prej një brinje kodre në Durrës. Kur ky pohim i mbërriti prej Ohrit bëri festë të madhe dhe lajmin nuk e linte nga goja.




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com