Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: NJË HISTORI KRAHASUESE E “TOMORIT” GREK...


(Fragmenti 13 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Ka disa bashkëkombës, por edhe ndonjë të huaj, të cilët nuk janë mes më të diturve në fushën e historisë, që këmbëngulin se orakulli i Dodonës nuk ndodhet pranë malit Tomaros në afërsi të Janinës, por në Tomorin e Beratit.
Po t’i ndjekësh me vëmendje qëllimet e tyre, të cilat janë fisnike dhe në vlerësim të lashtësisë së popullit tonë, dallon pa ndonjë mundim se kjo tezë më së pari u duhet për të pranuar ndërkombëtarisht se shqiptarët janë me origjinë pellazge.
Kjo, në thelb, do të thotë jo ilire.
Autori i këtyre rradhëve ka pikëpamjen tjetër, më të mbështetur te nivelet e larta shkencore, europiane dhe më tej, se shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje përkatësie me pellazgët, të ardhur nga lindja, të cilët, shumë të lashtë vërtet dhe tepër qytetërimformues, as janë popull indoeuropian.
Indoeuropianë janë ilirët dhe kjo do të thotë se, sipas diturisë botërore, ata përfaqësojnë një ndër popujt më të vjetër të kontinentit tonë. Nuk janë në fund të listës së elitës gjuhëfolëse më të lashtë, por në krye të saj.
Në fund të fundit përse duhet ta humbim këtë status, i cili provon lidhjen e thellë tonë me kontinentin amë?
Duke qenë se që në rininë time i kam ndjekur studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë Shqipe në fakultetin përkatës të Universitetit të Tiranës dhe për katër vjet bashkë me shokë të mi jam leksionuar nga pedagogë të shquar të kohës, po ashtu më pas punët që kam kryer shtetërisht, por edhe pasionet intelektuale, më kanë dhënë mundësi të shfletoj shumë në këtë drejtim, përkatësia jonë ilire është një kapital shumë i madh imazhi europian nga që na jep një spikatje dhe autoritet gadishullor, kontinental dhe global më shumë nga teza se jemi pasardhës të pellazgëve.
Nuk e di përse pellazgëdashësit nuk bëjnë një kompromis për të mos humbur origjinën tonë prej familjes indoeuropian dhe me këtë rast rëndësinë e Tomorit shqiptar e shkëputin sadopak prej origjinës së orakullit Dodona.
Gjithsesi ata janë në të drejtën e tyre dhe me pikëpamjen që shfaqin nuk provokojnë shtete të tjerë, ca më pak personalitete shkencore të tyre. Pellazgëdashësit gjithçka e bëjnë për mirë dhe deri tani kanë mbështetje prej jo pak bashkëkombësve, një pjesë e të cilëve të duartrokitin me furi po t’u thuash se populli ynë është kërthiza e tërë botës.
Duke shprehur që në fillim, për korektesë transparence, pikëpamjen time për këtë çështje, që prej këtij çasti e deri në fund të këtij kapitulli për malin Tomaros të Greqisë dhe krahasimet e hollësive historike të tij me Tomorin e Beratit, vetëm do të rrëfej dhe jo lëndën njohëse ta parashtroj si debat.
Vendndodhja e Dodonës së lashtë, në të cilën grekët kanë ngritur një strukturë të tërë arkeologjike, gjendet 22 kilometra në jug të Janinës. Ajo nuk ndodhet në majëmal të Tomaros, por në një luginë të ngushtë midis tij dhe malit Manoliasa.
Pra si mbajtës i tempullit të saj janë dy male pothuaj ngjitur, aspak vetëm “Tomori” grek.
Zbulimet e para arkeologjike në kërkim të këtij tempulli u kryen prej Nikolla Karapanos në vitet 1873-75. U gjetën menjëherë shumë shenja dëshmuese. Kjo përpjekje gërmimesh rinisi katër dekada më pas, në 1913, këtë herë prej një institucioni: Shoqërisë Arkeologjike.
Puna e ndërprerë në 1921, rifilloi që prej 1929-tës deri në 1932, më vonë u përsërit në vitet \'50. Prej motit 1981 e deri tani gërmimet arkeologjike vazhdojnë me mbështetjen financiare të Universitetit të Janinës.
Rezultati: u zbulua Shtëpia e Shenjtë (Tempulli i Zeusit), i ngritur në shekullin IV para Erës së Re. I kujtojmë lexuesit se në këtë periudhë Berati prej afro njëmijë vjeçari vendbanim katund, u shndërrua në qytet të madh i rrethuar me mure të lartë e të fortë si pak kështjella në siujdhesën tonë.
Në luginën e ngushtë midis dy maleve Tomaros dhe Manoliasa prej gërmimeve arkeologjike këmbëngulëse të grekëve, përherë në kërkim të Dodonës së tyre, u zbulua edhe një teatër, shumë i vizitueshëm sot prej turistëve, midis të cilëve jo njëherë, organizuar nga qeveria e Athinës, janë ambasadorë të huaj të akredituar në Greqi. Ky teatër është një ndër më të mëdhenjtë në vend, ka plot 18 mijë vende për shikuesit.
Ka qenë ndërtuar një shekull më pas nga ngritja e tempullit të Zeusit. Mbret dhe nxitës për këtë vepër të madhe atë kohë qe Pirro i Epirit. Në vitin 290 para Erës së Re ai e shpalli Dodonën kryeqytet fetar të territorit që sundonte dhe e plotësoi me shumë ndërtime, mes të cilëve ngriti edhe Tempullin e Zeusit. Pirro i Epirit nuk mungoi që në Dodonë të organizonte edhe një festival lojrash atletike, po ashtu gara muzikore dhe teatrore.
Gjithçka u shkatërrua nga pushtimet në 219 para Erës së Re, më pas u restaurua dhe një gjysmë shekulli më vonë, në motin 167, teatri u rishkatërrua prej gjeneralit romak Luçio Emilio Paolo. Në shekullin e parë të Erës së Re u shndërrua në arenë.
Nga gërmimet në luginën midis maleve Tomaros dhe Manoliasa nga gërmimet sistematike arkeologjike është zbuluar pjesërisht edhe një stadium si edhe dy faltore.
Është Akropoli ai që ndodhet më lart, por aspak në majat e njërit apo tjetrit mal. Gjendet mbi një sipërfaqe kodrinore, është i rrethuar me mur, ka brenda disa ndërtesa si edhe një çisternë nëntokësore për të grumbulluar ujë.
Sipas dijetarëve grekë fjala Tomaros vjen prej kuptimit mal i bashkimit të banorëve vendas të rajonit apo do të thotë “lugina e Tempullit”. Sipas tyre, tumuroi thirreshin priftërinjtë e orakullit Dodona.
Gjithnjë sipas dijetarëve grekë, fjala Tomor e malit që ndodhet në qytetin e Beratit në Shqipëri vjen prej fjalë ilire Temus që do të thotë “errësirë”, pak a shumë mos parje mirë ose pothuaj verbëri.
Të habit ky lapsus! Nuk ngjan me shkencë, por me propagandë filoetnike.
Ndërkaq duhet të dimë se maja më e lartë Tomaros është 1.974 m, çfarë do të thotë pesëqind më pak se Tomori i Beratit.
Saktësojmë gjithashtu: mes maleve më të afërt të çiftit malor Tomaros-Manoliasa janë ata të krahinës së Sulit, të njohura në historinë e gadishullit ballkanik si territore ku kanë jetuar në vazhdimësi edhe shqiptarët.
Një nga fshatrat më të afërt, në veri, të këtyre dy maleve ndodhet fshati Dodoni.
Dodona sipas historiografisë helene ka qenë deri në vitin 650 të para Erës së Re, qendër orakulli për të gjitha fiset veriore të grekëve, vetëm më pas nisi të ndikojë e të bëhet e rëndësishme për popullsinë jugore të tyre.
Pra Dodona konsiderohet orakulli më antik, me moshë deri dy mijë vite para Erës së Re, i të gjithë territorit të Greqisë veriperëndimore dhe e ka cituar dy herë Omeri në poemën “Iliada” si orakull i Zeusit. Po ashtu edhe Aristoteli si pjesë të Ellas (Greqisë). Ky këtë territor e konsideronte si vendorigjinë të grekëve, në një farë mënyre “kërthizë” të tyre.
Sipas tij, kontrollin mbi orakullin Dodona e kishte fisi i Thesprotëve, pastaj ai ra në duart e Mollosëve. Mbeti emër dhe faltore e dëgjuar deri sa nëpërmjet pushtimeve romake në ato territore hyri krishtërimi.
Gjithnjë referuar historinëve helenë, priftëreshat dhe priftërinjtë e tempullit të Dodonës të vendosur në luginën e ngushtë midis maleve Tomaros dhe Manoliasa, ritet e tyre të shenjta i interpretonin duke u shushuritur gjetheve të pemës së qershisë. Qershia konsiderohej dru i shenjtë.
Tani ja një e dhënë interesante që vjen prej vetë burimeve greke: “Provat e veprimtarisë së Dodonës (në luginën e Tomaros-shënimi ynë) janë shumë të rralla, por ka dëshmi të kontakteve midis Dodonës dhe qyteteve të Greqisë së jugut gjatë shekullit VII të para Erës së Re. Arkeologët kanë gjetur përkushtime dhe objekte ilire dhënë orakullit përgjatë shekullit VII të para Erës së Re”.
Tanimë ja edhe mbyllja e këtij kapitulli vetëm rrëfyes mbi një temë që nuk ua mbush mendjen njëlloj tërë shqiptarëve. Po ju paraqesim tre hollësi nga Tomori ynë.
Në fshatrat përreth këtij mali të shenjtë qershia rritet masivisht. Në fshatrat para dhe pas tij bollëku i saj nuk ndodhet vetëm në fshatin Vërzhezhë, por edhe në Trebël, Roshnik, Lybeshë dhe Kapinovë. Në Vojnik ka një qafë e cila quhet e Qershisë, edhe pse nga brezat që janë gjallë nuk mbahet mend të jetë mbjellë apo rritur aty ndonjë pemë e tillë. Sigurisht është emërtim shumë i lashtë.
Sidomos në krahinën e Skraparit ka pyje të tërë me qershi të egër, të cilën e thërresin muzhdrava.
Ndërkaq me mbiemrin Molla, pra Mollos, autori i këtij libri ka një ndër botuesit e tij. Një tjetër mik i ngushtë Molla bashkë me familjen e vet ndodhet në Nju Jork. Të tjerë shqiptarë Mollosë ndesh kudo.
Ndërkohë studiuesi Zylyftar Hoxha më ka thënë se në ritin e skraparllinjve, por edhe të banorëve të tjerë që jetojnë afër Tomorit, riti i betimit para tij bëhet kështu: merret një para letër, drejtohet nga mali, pastaj kthehet nga ana e buzës dhe atje i fryhet.
Nuk shqipohet asnjë fjalë.
A nuk ngjan kjo me gjestin e shenjtëruar tek tempulli Dodona të priftëreshave greke që u frynin gjetheve të qershisë?




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com