|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: KA DY MALE TOMORI, NJËRI NË BERAT, TJETRI NË JANINË
(Fragmenti 12 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Sipas një përfytyrimi të Safet Kuqit, bir i krahinës buzë Tomorit, autor librash, krahina gjeografike ku banojnë tomorakët përbëhet nga tre “kate”.
Në të parin “janë radhitur sup më sup: Roshniku, Kostreni i vogël, Vojniku, Memijasi, Qatollarët, Bogdani Nr. 1, Karkanjozi dhe Rabiaku. Ky kat shëmbëllen me një oaz të bekuar nga vet Zoti, ku mbillen, dhe prodhojnë të gjitha llojet e drithërave, të perimeve, të frutikulturës, të ullishtave, të vreshtave”.
Po ashtu Kuqi shkruan: “Nga ky kat i ka rrënjët edhe dinastia me famë botërore e Qyprillinjve, 8 prej pinjojve të kësaj familjeje të madhe sunduan si kryeministra e zadërzemë për disa dekada në perandorinë osmane”.
Kati i dytë, sipas Safetit, janë brezi i fshatrave më sipër.
Kati i tretë është vetë mali i Tomorit.
Këtij përfytyrimi që i ngjan shumë mënyrës se si disa udhëtarë të huaj e kanë përshkruar Mangalemin e Beratit (lagje me kate), do të dëshironim t’i bënim një plotësim: gjer në Tomor e bashkë me Tomorin janë katër “kate” dhe jo tre “kate”.
I pari është qyteti, tre të tjerët siç i përshkruan Safet Kuqi. I katërti ngrihet sipër deri sa takon retë dhe gërvish qiellin.
Me pak fjalë Berat-Tomor është një i tërë “qiellgërvishës”.
Që ne shqiptarët modernë këtij mali i kemi hyrë në hak dhe e kemi mpakur rëndësinë dhe përmasën e tij historike përtej çdo skaji, e dëshmon mbi të gjitha mungesa e një rruge automobilistike që prej Beratit do të ngjitej drejtpërdrejtë tek shtati i tij, duke e gjallëruar të gjithë jetën e fshatrave përreth.
Duke ua hijeshuar jetën edhe vetë qytetarëve beratas, por edhe shumë të tjerëve që do të vinin me dëshirë prej të paktën fushë Kuçovës apo nga viset e Shpiragut.
Janë vetëm 20 km udhë e asfaltuar me dy korsi dhe aspak ndonjë autostradë. Ajo do ta “përmbyste” për mirë gjithçka, do ta afronte Tomorin me namin e Olimpit Shqiptar jo vetëm tek UNESCO dhe gjithë turizmi botëror, por në tërë historinë e njerëzimit.
Dhe disa bashkëkombës që janë të bindur se pikërisht në Tomorin e shqiptarëve dhe jo në atë të grekëve, ndodhet tempulli i Dodonës, streha e fronit të Zeusit, do ta kenë më të lehtë ta përhapin tezën e tyre.
Lexuesi tani do të thojë: autor i dashur na fole njëherë, në një fragment të mëparshëm, për urgjencën e ngritjes së kësaj rruge, çfarë arsye tjetër ke që e përsërit?
Përgjigja ime: dua pak vëmendje për një fakt, të cilin shumë nuk e dinë. Këtu më parë ka pasur një rrugë.
Tomori ynë dy mijë vjet të shkuara, e kishte rrugën e tij, madje ajo nuk qe as lokale, as rajonale, as vetëm pjesë të gadishullit, por tërësisht kontinentale, ndërkombëtare.
Ishte momenti historik kur në këto vise jetonin ilirët dhe ata u bënin qëndrese maqedonasve helenikë apo Perandorisë Romake.
Autori i këtij libri ka ecur vetë mbi çfarë ka mbetur prej kësaj udhe, nëpër fragmente të saj ende ka pjesë të kalldrëmta. Ecja nëpër të dhe ndihesha shpirtërisht si zotëri nga Evropa.
Atë udhë njëzetë shekuj të shkuar e rrihnin dhe e mbanin në gjallërim jo vetëm karvanet e tregtarëve, por edhe kuajt e këmbët e ushtarëve të panumërt që shkonin apo ktheheshin nga lufta dhe plaçkitja.
Mbi atë rrugë ecnin edhe karrocat, shpesh këto mbartnin funksionarë të lartë.
Mjaftueshëm e gjerë, me shenjat e miljeve në buzë udhë, me pikat e ndërmjetme të pushimeve të shkurtëra, madje edhe me vendet ku kishte bujtina e mund të gdhije natën, ky korridor komunikimi rrugor simotër të vet nuk ka përreth, madje edhe po të hysh në trojet veriore të grekëve.
Në Shqipëri ka të ngjashme vetëm rrugën Egnatia, e cila që prej Durrësit kalon nëpër Elbasan dhe me qarkullim më të madh se ajo e malit të Tomorit, hynte në tokat që i afroheshin detit Egje.
Kanë dy mijë vite nga kjo periudhë epokale dhe në buzë të malit, pranë fshatit me emrin Tomor, ndodhen ende mbetjet e dukshme të një kështjelle antike. Brenda mureve të saj një garnizon i vogël vigjilonte dhe ruante këtë superudhë me rëndësi gjeostrategjike për dy kontinente.
Qenë kohë kur Roma ishte më afër Beratit se tani, dhe Evropë-Azia aspak larg.
Atëherë patjetër, por edhe pak shekuj më vonë, në mënyrë të vazhdueshme, vetëdija se ky ishte territor i shenjtë, pra i Zotit, është ngulitur prej dyndjeve sllave dhe pushtimit bullgar që më tej se dhjetë shekuj të shkuara.
Bogovë, për të cilën folëm në fragmentin e mëparshëm, vjen nga fjala sllave Zot (Bog) dhe Bogove do të thotë “i Zotit”.
Pranë Tomorit ndodhen dy fshatra me emrin Bogdan, i Poshtmi dhe i Sipërmi. Bogdan do të thotë “dhuratë e Zotit” apo “i bekuar prej Zotit”.
Që të tre këta fshatra, të cilëve po t’u xhvishej cipa sllave dhe të shqipëroheshin do të kishin emrat e mësipërmë me brenda fjalën Zot, ne do t’i kishim mundësi për të fituar argumente më shumë se në Berat dhe në malin e Tomorit jo vetëm prania e zotave, e hyjnive, por edhe e vetë Zotit, është tepër e vjetër dhe e ngulitur. Thua ai këtu ka qenë si në shtëpinë e tij.
E këmbëngulim këtë jo sepse është një argument me peshë të madhe, por sepse në afërsi të Janinës ndodhet edhe një Tomor tjetër, në të cilën jo vetëm historiografia greke, por edhe ajo botërore, paraqesin prova të forta se ka qenë selia e Zeusit, padyshim ajo e orakullit Dodona.
Për këtë Tomor të dytë do të flasim paragrafin tjetër. Këtë herë po mjaftohemi t’ju paraqitim disa foto prej këtij mali hyjnor, fron perëndish, mbajtës i tempullit pagan më të lashtë të Evropës.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|