|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: PO TA GJENIN DAMARIN E FLORIRIT NE TOMORR....
(Fragmenti 10 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Në pikëpamjen disi romantike të autorit të këtyre rradhëve se fjala Tomorr vjen prej “Të Mira” paska qenë edhe një bashkëkombas, por edhe sadopak bashkëqytetas, emri i të cilit është i ndjerë.
Atë e mban një gjimnaz i Fierit: Perikli Ikonomi.
Këtë surprizë e zbuluam pasditen e djeshme, ndërsa ndërkohë e patëm shpërndarë në Face Book fragmentin e rradhës të këtij libri.
Doemos që na takonte të gëzoheshim.
Perikli Jorgoni mes të tjerash është edhe autor i librit “Dodona Pellazgjike dhe Tomor’ i zotit të Pellazgëve”.
I lindur në fshatin Vokopolë në vitin 1892, nxënës i Babë Dudë Karbunarës, me studime të kryera në të famshmen “Zosimea” të Janinës, Jorgoni e pati nisur punën si mësues në Berat në 1916.
Këtu mbërriti deri drejtor i Shkollës Qytetëse për t’u larguan më pas, në 1934, në Fier, ku jetoi deri sa ndërroi jetë. Në Fier ia bënë të gjitha nderet për veprën e tij kushtuar malit të Tomorrit.
Perikli Jorgoni ka shënuar treçerek shekulli më parë se “historishkruesit e vjetër shkruajnë se fathënësit e Dodonës (pellazgjike) quheshin Tomuri, fatthënat e tyre, Tomure dhe Tomuros, por kush nuk e di që të gjitha këto fjalë janë të gjuhës shqipe, që duan të thonë: Të mirat ose Të mirët. Prej këtyre fjalëve ka marë emrin dhe mali Tomor, që do të thotë mali i Të Mirëve ose i Të Mirave”.
Sigurisht, mendojmë ne, Të Mirat nuk janë vetëm ato materiale, po ashtu edhe të kënaqësisë shpirtërore, por mbi të gjitha ato hyjnore. E Mira, sipas profesor Kolec Topallit, çfarë e ka të shpjeguar në Fjalorin e tij Etimologjik, është shtojzovallja, është vetë zana.
Me pak fjalë Tomorr, që në rrënjën e vet, do të thotë vendi i hyjnive, një mënyrë kjo tjetër e drejtpërdrejtë përse prej banorëve vendas ai thirret dhe pranohet si Olimpi Shqiptar.
Madje këtij mali të shenjtë nuk i mungon as “firma”, prania e fjalës Orakull. Në shpatet e tij ndodhet fshati Mbrakull.
Tomorrit nuk i mungojnë edhe shumë të tjera magji, të cilat kanë për autorë qiellin, strehën e Perëndive.
Këtë çast po qendrojmë tek njera prej tyre, që mund tju duket e çuditshme, pse jo edhe fare e padëgjuar në librat e vëzhguesve të Tomorrit: ky mal ka pasur një damar me mineral floriri.
Përfytyrojeni një çast Beratin me rezerva nafte në veri dhe perëndim të tij (Kuçovë dhe Shpirag) dhe minierë floriri në lindje!
Kjo do të qe e Mira e Madhe, KRYEMIRA.
Në testamentin e tij të hartuar në 1510 në Napoli të Italisë, ku edhe i kërkuar për t’u vrarë nga turqit kishte emigruar, zoti i Beratit, Gjon Muzaka, ka shkruar se “në territorin e Tomoricës është një fshat i quajtur Horkova dhe është i banuar qoftë në afërsi të maleve e qoftë nga ana e lumit, dhe midis maleve dhe këtij fshati rrjedh një përrua dhe pranë këtij përroi në drejtim të malit është një damar floriri; u kam lajmëruar, është në territoret tona”.
Dy të moshuar kanë rrëfyer se në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur gjermanët kaluan në atë zonë, afër malit të Koshnicës, një oficer që mbante në supe një çantë të veçantë, u ngjit në krye të fshatit dhe pasi hapi hartën iu afrua një shkëmbi të madh që ka një ngjyrë të veçantë, si të murrme, krejt ndryshe nga formacionet e tjera të relievit përreth. Ai pati nxjerrë nga çanta një kuti dhe një furçë dhe mbi faqen e shkrepit kishte bërë disa shënime. Ato nuk ngjanin me shkronja”.
Ndërkohë një ekspeditë gjeologjike shqiptare në fund të viteve shtatëdhjetë të shekullit të shkuar eksploroi në territorin e cituar nga princi Muzaka, por doli pa asnjë rezultat konkret.
Në fillim të motit 1983 nga Ramiz Alia, President i Republikës, iu ngarkua sekretisht një funksionari politik të krahinës së Skraparit misioni i gjetjes së damarit të floririt.
Por edhe kërkimi këmbëngulës i skraparlliut njohës shumë i mirë i krahinës së vet, përfundoi pa asnjë shenjë mbi ekzistencën e këtij floriri nëntokësor.
Gjithsesi deri tani një e dhënë mbetet mjaft interesante. Sipas saj, mbështetur nga të thënat brez pas brezi të të moshuarve, në vendin e quajtur Qytezë, e cila tashmë mbi sipërfaqe nuk ka asnjë shenjë banese apo gurë të mbetur prej tyre, në nëndhe janë gjetur të ruajtura qeramika të ndryshme.
Gjithnjë sipas kësaj të dhëne, e cila duhet të jetë më tepër se disa shekullore, një ditë nga mali u shkëput një masiv i madh shkëmbi dhe i mbuloi të gjitha banesat. Nga ky shkak vendasit u larguan prej këtij trualli.
Pra ka ndodhur në themelet e Tomorit një lëvizje e vrullshme tektonike e tokës, e cila nuk ka mbuluar me dhe vetëm shtëpitë, por me siguri ka trazuar e zhvendosur, në mos këputur. Fundosur e humbur, vetë damarin e floririt.
Apo kjo hata ngjau më afër kohës tonë, në 17 tetor 1851, kur prej një tërmeti shumë shkatërrimtar në qytetin e Beratit pati mbi 400 të vdekur, shumica ushtarakë të garnizonit turk në Kala? Atëherë u shëmbën mjaft ndërtesa dhe pati rrëshqitje toke, po ashtu prej nëntokës shpërtheu edhe gaz squfuror.
Mjeku Dervish Hoxha, prej katër vitesh me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i mbërritur në Berat deri edhe drejtues i lartë i shërbimit shëndetësor, na bëri të ditur se “Për fshatrat e Tomorrit që shohin nga qyteti, mund të themi se ajo është një zonë e virgjër në aspektin shëndetësor dhe turistik, mjaft mikpritëse, shëndetmirë. Atje sëmundshmëria pulmonare dhe infektive është e papërfillshme. Një zonë me një mrekulli natyrore në gjithçka, por në pamundësi për ta shijuar, jetuar dhe zhvilluar konform kërkesave të kohës”.
Pastaj mëshon që, nga vendi shumë i zhvilluar, ku ndodhet, ta dëgjojmë të gjithë: “Rruga...një ëndërr?”
E ka shumë saktë doktori Dervish Hoxha. Të kesh pranë malin më të dëgjuar të Shqipërisë, atë që të bën vetëm mirë e të përtërin, të jep edhe fatin të citohesh në botë si një ndër 10 qytetet me energjinë më të fortë spirituale dhe hyjnore dhe në të njëjtën kohë të mos kesh, shtet i pavarur mbi njëqind vjeçar, asnjë rrugë që të çon atje, është vërtetë vetëmallkim.
Ndërkaq po të ishte rishfaqur damari i floririt ajo do të bëhej me një frymë.
Këta administratorë të shtetit që kemi mund ta kuptojnë kokëposhtë një të vërtetë të madhe dhe kjo është e drejta e tyre, por floriri ynë është sheshit në mbitokë: mali i Tomorrit.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|