|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: PSE TOMORR DO TË THOTË “TË MIRA”.
(Fragmenti 9 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Nuk mund ta anashkalosh me ngut këtë fakt që e nxorrëm në pah në fragmentin e ditës së djeshme: në fshatin Shëmri të Tomorrit, pikërisht tek “Vendi i mirë”, ndodhet kodra e Kryebardhit. Jo larg saj gjendet një shpellë që e quajnë “kërthiza e botës”.
Kështu, “qendra e botës”, e kanë thirrur vendin e tyre edhe kinezët, si edhe romakët kryqytetin perandorak, “caput mundin”, Romën. Nuk numërohen nëpër botë raste të ngjashme.
Në një vetëvlerësim të tillë ranë edhe udhëheqësit tanë politikë të periudhës “socialiste”, kur Enver Hoxha shpalli se Shqipëria qe fanari i vetëm në glob i modelit të vendit të lirë, të drejtë e të përparuar.
Në malin e Tomorrit shpella me emrin “Kërthiza e botës” nuk e ka fjalën për qendrën e globit, sepse në fund të fundit në çdo pikë të tij, nga që është i rrumbullt, ndodhet mesi i tij gjeografik.
“Kërthiza” nënkupton një rrugëkalim të nëndheshëm i cili të çon ne zemër të hemisferit.
Madje legjenda sqaron se të gjithë ata që e marrin përsipër këtë marshim të gjatë e të vështirë nëpër viset e brendshme të tokës nuk do t’ja arrijnë dëshirës apo qëllimit të tyre në rast se nuk janë njerëz të mirë. Një i keq, një mashtrues, një hajdut, një vrasës, një delenxhi, paralajmëron gojëdhëna, më mirë të mos hyjë në atë shpellë, sepse do të ngecë brenda e s’do të shohë më dritë dielli me sy.
Për të qenë më bindës në këtë kusht thelbësor, dragonian, dhe secili pretendues të heqë çdo iluzion se mund t’ja hedhë rregullit të Tomorrit, legjenda këmbëngul se ky udhëtar drejt thellësisë së nëntokës duhet të jetë jo vetëm zemërmirë, babaxhan, i patëkeq, por edhe njeri i drejtë. Pra duhet të jetë një qenie aktive që e transformon pozitivisht familjen e vendin e tij, çdo pjesë të globit ku i duhet të punojë.
Për ta çimentuar këtë veti të njeriut të mirë të Tomorrit si faktor aktiv në një fshat, qytezë apo territor të gjerë, gojëdhëna shton: njeriu i mirë dhe i drejtë i këtij mali duhet të jetë edhe patjetër i ndershëm.
Mirësi, drejtësi dhe ndershmëri janë tre parimet e kodit moral të malit të Tomorrit.
Me pak fjalë Tomorri në trupin e tij mbi cipën e tokës dhe poshtë saj nuk ka burgje, nuk ka as ferr dhe as purgator: ka vetëm parajsë. Vende pastrimi moral me detyrim apo dënimi fizik nuk i duhen. Të mirët le të vijnë tek ai, të tjerët le të thyejnë qafën, të shkojnë po të duan edhe mbrapa diellit.
Legjenda për “Kërthizën e botës” tek “Vendi i mirë” pranë fshatit Shënmri, e thotë prerë: vetëm këtë tip njeriu pranon vendi.
Unë do të thosha: e krijon vendi.
Edukimi i këtij morali, i këtij njeriu, i cili mund të thirret tomorrak apo tomoricar, skraparlli apo beratas, myzeqar ose mallakastriot e shpiragas, nuk mund të ketë sukses pa e patur një kumtim nismëtar që në fjalën Tomorr.
Prandaj më lejoni të kryej një amatorizëm, por të cilin në mos e besoj, e dëshiroj tërësisht: nuk ka përse të mos jetë edhe një e vërtetë diturore fakti që Tomorr do të thotë “Të Mirë”. Gjuhësisht, në fjalëformim më së pari, pastaj edhe në kumt, në mesazh.
E di që do të thoni se ky është një arsyetim i sinqertë, por naiv dhe se në “Berati enciklopedi” me autorë kryesorë shumë njerëz të ditur, shkencëtarë si Hysen Kordha apo të shumëditur si Zylyftar Hoxha, organizatorë të shkathët botimesh si Zylyftar Plaku, nismëtar i kësaj vepre, shkruhet se “emri i malit Tomor buron prej “tomureve”, “tomarëve”, “themistëve”, “Thamirit”, “Themit”, bijë e Geas dhe Uranit, hyjni zanafillore, prej “thomurëve” të Zeusit, vullneti i të cilit shprehej majë lisit. Sipas autorëve të lashtë, “tomurë” kumton e nënkupton: “të thënat”, “mendimet”, “parashikimet”, “urdhrat”, “vendimet”, “ligjet”, “profecitë”, “këshillat”.
Emrin këtij kryemali, këmbëngulim ne, nuk ja kanë vënë perënditë, por njerëzit, banorët e lashtë të këtyre viseve. Ata kanë dalluar që në ag të njerëzimit se ai nuk e ashpërsonte mjedisin përreth, nuk e bënte të mundimshëm e vuajtës, por të shëndetshëm, human e shplodhës.
Se Tomorri i qetësonte dhe nuk e alarmonte kurrë.
U jepte besim dhe asnjëherë nuk u bënte pabesi natyrore. Nuk u vërsulte asnjë stuhi, asnjë shtrëngatë, asnjë flokë bore nga kreshta e tij e mbuluar përherë me to.
Prej Tomorrit qytetit dhe rrethinave, krejt fushës së Myzeqesë, deri sa ajo del në det, i vijn bollëk. Jo më kot pothuaj katër shekuj më parë Evlia Çelebiu shkruante se “Në këtë mal ka lloj-lloj bimësh, barërash mjekësore dhe drurë për qëllime kimike dhe industriale”. Po ashtu: “Edhe kafshët dhe insektet e këtij mali janë të shumëllojshme”.
Tomorri është simbol begatie. Po të ishte shenjë varfërimi nuk do të ja kishin varur as perënditë. Do ta braktisnin dhe jo të ngrinin tempuj në majat e tij.
Duke qenë se Tomorri mund të quhet pa gabuar shkencërisht edhe “Mali i të Mirave”, banorët e lashtë vendas, që e emërtuan ashtu vetë kanë qenë vetë njerëz me vlerësim dhe mirënjohje për të mirën, për të drejtën, për të ndershmen.
Po të qenë njerëz të mbrapsht, tallës apo ironikë, vetëmburrës apo të pasjellë, nuk do t’ja kursenin çdo emër tjetër, përfshi edhe atë të Djallit.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|