Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

“QYTETI PRANĖ QIELLIT”: SI NDODHI QĖ AKAKI HORAVA ERDHI PĖR HERĖ TĖ DYTĖ NĖ SHQIPĖRI, SAKTĖSISHT NĖ KUĒOVĖ
“QYTETI PRANĖ QIELLIT”: AKTORĖT SOVJETIKE PĖRPIQEN TĖ SHPĖTOJNĖ NGA VDEKJA NJĖ FĖMIJĖ BERATAS...
“QYTETI PRANĖ QIELLIT”: XHIRIMET E FILMIT “SKĖNDERBEU” NĖ BERAT, SI U MBAJT SEKRET VDEKJA NGA DJEGIA ME ZIFT E DY USHTARĖVE FIGURANTĖ
“QYTETI PRANĖ QIELLIT”: DASMA E SKĖNDERBEUT, FANTAZI NĖ MYZEQE DHE FILM NE BERAT
“QYTETI PRANĖ QIELLIT”: LINDJA E NJĖ ZANE NĖ FAMILJEN HAXHISTASA
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: KA QENË NJË KOHË KUR MAL TOMORRI NUK KISHTE.


(Fragmenti 8 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Kur e mendon se mund të ndodhte që relievi në lindje të Beratit dhe në krye të të gjithë hapësisës prej kreshtave të Skraparit deri në ultësirën e Myzeqesë të mos e kishte malin e Tomorrit, mbetesh i pafrymë.
Sepse afro 45 milionë vite më parë kjo masë e madhe shkëmbore u fundos në nëntokë dhe u zhyt përfundimisht nën ujrat që gjithandej mbulonin globin.
U deshën disa milionë mote që një ditë në botën ende pa njerës dhe kafshë të gjalla të shfaqeshin metrat e para të shtatit të tij gjigand. Pastaj edhe jo pak milionë vite të tjerë që Tomorri i emërtuar kështu kur “homo sapiens” filloi jetën dhe historinë e vet mbi glob, falë tronditjeve të mëdha tektonike të brendësisë dhe cipës së tokës, të ngrihej pak nga pak.
Si në një ëndërr biblike, në mos kllapi.
Që prej këtij çasti, katër mijë mote të shkuara, fati i Beratit dhe i dhjetra vendbanimeve në territorin pranë dhe përreth malit, u lidhën përfundimisht me të, edhe pse jo përjetshëm.
Tomorri që milimetrisht ka të ngjarë të ngrihet mund të rinisë po aq ngadalshëm edhe uljen e vet.
Ai masiv ka ndjesinë që i përket tërë botës, se është pjesë e historisë së saj dhe kjo ne duhet të na ngrohë zemrën, të na japë forcë e ta themi kudo, me krenari të besueshme.
Botërorja UNESCO, siç e dini, ka regjistruar në anëtarësinë e saj vetëm qytetin, por, siç jo përherë e pikasni, ka harruar Tomorrin.
Nuk e ka përfillur si element të parë, por thjesht shtojcë në sfond të pejsazhit?
Thjesht nuk i ka shkuar ndërmend. Sepse nëpër mend nuk e kanë kaluar as të dërguarit shkencorë të Shqipërisë.
Sipas një legjende të paraqitur në një prej antologjive të studiuesit Çlirim Mukli, në fshatin Shëmri në Tomorr, tek “Vendi i mirë” ndodhet kodra e Kryebardhit. Jo larg saj gjendet një shpellë që e quajnë “kërthiza e botës”.
Në të shumë njerëz janë përpjekur të zbresin dhe hyrë në brendësi të saj por nuk kanë mundur dot sepse litari shkonte deri në një farë vendi dhe pastaj këputej dhe kështu njerëzit ngeleshin në thellësi të shpellës”.
Sipas Sami Frashërit, në 1889 në “Kamus ul-Alam” të tij thuhet: “Në lindje të qytetit ka një mal të veçuar, të lartë, me një formë të çuditshme, që quhet me emrin Tomor. Herë pas here dëgjohet një zë që del nga gjiri i tij, si një nga mrekullitë e natyrës. Këtë popullsia vendase e vështron si një shenjë që paralajmëron se do të ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme”.
Sipas studiuesit Perikli Ikonomi dhe librit të tij “Historia e Tomorrit Dodona Pellazgjike”, botim i vitit 1935, mali “kohë më kohë e rrallë gjëmonte me një krismë të tmershme topi që përsëritet shumë herë. Ky gjëmim ndihet edhe në të kthjellë”.
Sipas një legjende, Tomorri ka lidhje nën dhe me Vezuvin. Thuhet se mali e zbraz topin pikërisht kur vepron vullkani i Vezuvit në Napoli të Italisë.
Kështu mendon dhe është shprehur për këtë “shokëri” të çuditshme kryemalesh edhe italiani i ditur Antonio Baldaçi.
Falë Tomorrit rritet ndjeshëm jashtë vendit, por edhe në territorin shqiptar, prania e hamendësuar e Beratit. Sepse funksionon arsyetimi i thjeshtë se atje ku ndodhet ky mal gjendet edhe qyteti i lashtë i kombit.
Beratin udhëtarët do ta gjenin me siguri po të orientoheshin në drejtimin e siluetës së malit.
Tomorri mbetet shigjeta e busullës.
Me këtë prani të lartë të qytetit falë dukshmërisë së malit të Tomorrit duhet të mësohen jo vetëm ne beratasit, por të tërë ata që banojnë në vende prej ku Tomorri dallohet me sy. Ky perimetër pranie ditënatë nuk është i vogël, piktori anglez Eduard Lear e ka vizatuar malin duke e kundruar që nga shpina në ulje e Qafë Kërrabës, e cila prej kryeqytetit zbret drejt Elbasanit.
Provë inteligjente verifikimi të kësaj ka bërë pak muaj më parë, nëpërmjet një vizatimi të tij plot dritë, piktori Agron Polovina.
Me pak fjalë, po të mos qe kjo qafë malore e Kërrabës malin e Tomorrit do ta shihnim lehtësisht prej kateve të larta të pallateve të Tiranës.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com