Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Sherif Merdani, nje foto ne Durres, prill 2007
Foto: Sherif Merdani, nje foto ne Durres, prill 2007
Massimo Ranieri: Perdonami, Sherif Merdani!

Botuar në gazetën “Shqip”, 14 maj 2007

Ishte një surprizë. Sherif Merdanin e kishte marrë në telefon sekretarja shqiptare e ambasadorit italian në Tiranë dhe me pak fjalë i kishte thënë “Me rastin e ardhjes në Tiranë të mjeshtrit dhe kengëtarit të njohur Masimo Ranieri, i cili këto ditë është i pranishëm në Shqipëri për të vënë në skenë operën “Traviata”, ambasadori ynë dëshiron të bëjë një pritje në rezidencën e tij. Në listë më figuroni edhe ju”. Të nesërmen e kësaj telefonate ftesa mbërriti në Ministrinë e Punëve të Jashtme, atje ku aktualisht punon prej shumë vitesh kengëtari i njohur. Pritja do të bëhej në njëzetë e tridhjetë.
Në orën e caktuar Sherif Merdani u gjet para rezidencës së ambasadorit Attilio Massimo Januçi. Ajo në Tiranë ndodhet para Liceut Artistik. I burgosur nga diktatura për gjashtëmbëdhjetë vite kengëtarit të njohur nuk mund t’i bënte përveç përshtypje të mirë fakti që pikërisht në atë vend gjatë regjimit realkomunist ishte Muzeu i Lenin-Stalinit. Triumfi i selisë së lartë diplomatike të Italisë mbi ish-muzeun ideologjik të një kohe të dështuar për Sherif Merdanin përmbante të gjithë thelbin e jetës së tij të para viteve nentëdhjetë. Me kengën italiane kishte dashur ta refuzonte regjimin e mbyllur dhe për këtë shkak edhe e kishin pranguar. Pas rënies së tij ishte bërë diplomat. Prej shtatëmbëdhjetë vitesh ishte fitimtare logjika e Perëndimit. Ish-i burgosuri për kengën italiane ishte mik tek ambasadori italian, i cili banketin e shtronte për nder të një emri të famshëm që nga vitet kur në Shqipëri ekzistonte diktatura.
Kur hyri në seli, ndërsa kishte kujtuar se pritja do të ishte në rreth të gjërë e do të kishte patjetër politikanë e media, vuri re se gjithçka ishte intime, në rreth fare të ngushtë. Attilio Massimo Ianuci kishte ftuar të njohurin Zhani Ciko, zëvendësministren e kulturës Suzana Turku dhe Sherif Merdanin. Gjithë të tjerët ishin punonjës të Ambasadës dhe të Institutit Italian të Kulturës. I ftuari i nderit ishte Massimo Ranieri. Me të ishte edhe asistentja e tij, regjizore mjaft e talentuar dhe italiane e bukur.
Nisi prezantimi. Zhani Ciko i tha Massimo Ranierit: “Ky është kengëtari ynë për të cilin të kam folur”. Nga kaq pak fjalë Sherif Merdani kuptoi se muzikanti emërmirë Ciko i kishte thënë të famshmit Ranieri se për shkak të kengëve të tij, të cilat gjatë diktaturës i kishte të dashura në Shqipëri një rini e tërë, burri përballë me flokë tashmë duke u thinjur, e kishte paguar shtrenjtë: kishte qënë në burg plot gjashtëmbëdhjetë vite.
Massimo Ranieri i zgjati dorën i tronditur dhe i tha se i vinte shumë çudi se si për të kenduar muzikë të një populli tjetër një njeri në këtë botë mund të përfundojë në burg. E përsëriste këtë frazë dhe hapte krahët. “Por këtë fenomen që ka ndodhur në Shqipëri”, tha, “unë e kam dëgjuar që në vendin tim. Tek ne në Itali thuhet se shqiptarët janë një popull që na duan, se jetojnë e ndihen të afërt me ne”. Pas këtij çasti prezantimi u shtrua darka. Në të nuk mungoi humori dhe ndonjë befasi. Përshembëll Massimo Ranieri pranoi që gjatë gjithë jetës së tij nuk kishte votuar kurrë.
Për Shqipërinë nga italianët u fol mirë dhe një ndër fjalët më të përdorura ishte e gjithgjendura tek ne , ajo “konsensus”. Kjo gjymtyrë e fjalorit të politikës edhe në Itali përdoret, veç jo shpesh. Kjo ndodh sepse si në të gjithë Perëndimin e zhvilluar ajo më shumë zbatohet se flitet. Tek shqiptarët flitet shumë thjesht sepse zbatohet pak.
Hijeshisë së darkës nuk i munguan edhe afro një dyzinë me filipinas. Me sa atë mbrëmje Sherif Merdani kuptoi grupin e atyre njerëzve të sjellshëm e të përsosur në shërbim Attilio Massimo Ianuci e kishte sjellë që nga Filipinet, ku kishte punuar më parë si ambasador.
Në çastin e pasdarkës, kur dolën në holl, filluan të pinin dikush një kafe e ndonjë tjetër ndonjë tretës aromatik, ambasadori italian iu afrua Sherif Merdanit dhe e tërhoqi mënjanë. I propozoi nëse ishte dakort që Maestros Ranieri t’i bënin një surprizë. “Patjetër” pranoi kengëtari shqiptar, pa e marrë me mend se cila do të ishte ajo. “A mund të kendosh ndonjë fragment nga kengët e mikut tonë?” pyeti ambasadori. “Po, mund të kendoj “Erba di casa mia”. “Bari që ka mbirë në shtëpinë time” ka qënë një kengë fituese në Canzonissimo dhe Sherif Merdani e kishte një ndër më të pëlqyerat në kohën e diktaturës.
Pas kësaj Attilio Massimo Ianuci e kapi fort për krahu kengëtarin shqiptar dhe u tha të pranishmëve me humor: “Tani do të kemi një surprizë për Mjeshtrin Ranieri. Siç e shihni po e mbaj fort zotin Merdani që të mos e arrestojë kush, sepse tani do të kendojë një kengë”. Pas këtij çasti me zërin e tij të kembueshëm Sherif Merdani nisi të kendojë një nga strofat e “Erba di casa mia”. Massimo Ranierin e kishte përballë. Ky u përlot menjëherë. Pastaj e përqafoi fort dhe tha që ta dëgjonin të gjithë: “Zoti Merdani, të kërkoj falje!”
“Jam unë që të falenderoj”, u përgjegj kengëtari i njohur, “Sot më ke realizuar një ëndërr rinore”. Më pas u bënë disa fotografi dhe më në fund bashkë me të shoqen Sherif Merdani la rezidencën e ambasadorit të Republikës Italiane.
Nuk e pati vuajtur asnjëherë sa atë mbrëmje, edhe pse brengë e kishte. Shtatëmbëdhjetë vite që Shqipëria ishte çliruar nga e keqja e një diktature, ku ai la peng gjashtëmbëdhjetë vite të jetës së tij, dhe nuk i ishte afruar asnjë nga dëshmitarët, hetuesit apo ish-ministrat e regjimit. Kishte dhënë me dhjetra intervista, marrë pjesë vazhdimisht në koncerte e festivale dhe asnjëherë, pasi kishte zbritur nga skena apo dalë nga studio e ndonjë televizioni, përveç fansave, nuk i ishte afruar ndonjë prej tyre që e kishim dënuar sepse pëlqente më shumë letërsinë perëndimore, mbështeste Festivalin e Njëmbëdhjetë apo kendonte e fliste mirë për kengën italiane. Pas asaj “Perdonami!” të Massimo Ranierit brenga, duke mos iu kthyer ende në një mundim, iu bë trishtim. Kërkonte të gjente arsyet e kësaj anomalie dhe nuk dinte sa kishte në të pahumanizëm e defiçit kulture njerzillëku, sa mungesë morali dhe ca më keq, sa mospranim të brendshëm të fajit. Sherif Merdani, po të ndodhte që, ashtu thjesht e sinqerisht, pa pozë e hipokrizi, një nga dëshmitarët apo hetuesit t’i kërkonte ndjesë, ai jo vetëm do ta falte, por edhe do ta përqafonte. Do t’i hidhte krahët në qafë jo se i ishte fashitur një brengë, porse fitonte më shumë Shqipëria.
Sepse për Sherif Merdani ata që e prangosën dhe i plagosën jetën nuk do t’i fajësonte si shkakun kryesor të dramës së tij. Për të shkaku kryesor ishte një njeri tjetër dhe një sistem që u ngrit.
Një “Perdonami, Sherif Merdani!” është edhe lehtësim i madh jo vetëm për ata që personalisht i dolën në gjyq dhe i bënë proçesin hetimor për ta futur në burg. Eshtë për të gjithë ne që nuk e patëm atë fat (madje shumë edhe e besuam në mënyrë utopike), për të kuptuar se regjimi realkomunist ishte absurd, i verbër, injorant dhe gënjeshtar. Një nga akuzat që një dëshmitar dha kundër Sherif Merdanit ishte se ai ironizonte muzikën tonë popullore, atë me çifteli. Para se të hidhja rreshtat e para të këtij shkrimi e pyeta kengëtarin e njohur se cilat ishin vlerat më të spikatura të kengës së Frederik Ndocit, e cila këto ditë në skenën Hartwall në Helsinki konkuroi në Festivalin Evropian të Këngës. Sherif Merdani njihet publikisht ai anëtar i jurisë përzgjedhëse që në skaj të luftës për të nxjerrë kengën përfaqësuese ndikoi të ishte ajo \\\"Hear my plea\\\" e Frederik Ndocit. Përgjigja e kengëtarit të njohur ishte “Përveç strukturës kompozicionale të përsosur ajo melodi ka brenda saj çiftelinë e veriut, jaret shkodrane dhe ritmin e jugut”.
Vetëm disa ditë para se t’i dërgonte ftesën ambasadori Attilio Massimo Januçi, Sherif Merdanin e kishte telefonuar shkrimtari Ismail Kadare. E përgëzoi për qendrimin që kishte mbajtur në një emision televiziv kundër muzikës vulgare plot orientalizma, greqizma apo sllavizma. Dhe a e dini çfarë kengëtari i tha në një çast të telefonatës shkrimtarit të madh? Kur Kadare i kujtoi se ishin takuar njëherë Sherif Merdani ia pohoi. Ishin takuar bashkë në Romë, kur punonte në ambasadën tonë dhe e shoqëroi shkrimtarin e madh në një takim me studjuesë e gazetarë. Për arsye shumë të arsyeshme shkrimtari ynë i shumënjohur foli në frengjisht. Sherif Merdani, i cili e dinte se, me që Kadare nuk e fliste italishten, vetëm në frengjisht ishte më e lehtë të kuptohej nga salla e zgjedhur, gjithsesi i shprehu dëshirën “Sa mirë do të ishte të kishit folur në shqip!”


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com