Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: Ç’JANË KËTA PËLLUMBA QË VIJNË E SHKOJNË



(Fragmenti 7 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Fakti që Berati është ngritur dhe prej shumë shekujsh banon më së shumti në shtatë kodra, do të përbënte të dhënën kryesore të një guide turistike vendase. Po ashtu në tekstet e fletëpalosjeve, në titrat e televideove apo dokumentarëve kinematografikë, në dyzinën e fjalëve të para që mund të shqiptonte një kryetar bashkie.
Pse jo duhej të ishte edhe kryefjala e çdo beratasi.
Por pothuajse mungon. Ka një zbrazëti të pakuptimtë.
Udhëtari dhe kronisti i shumë dëgjuar turk, Evlija Çelebi, i cili ka qenë edhe diplomat, kur rreth viteve 1672-1673 e pati vizituar dy herë Beratin, shkroi mes mjaft hollësive të tjera, në librin “Sejahatnames”, faqja 692, edhe këtë frazë të përkthyer mjeshtërisht nga profesor Vasfi Samim Visoka. Ndodhet në nënkapitullin “Mbi karakteristikat e Varoshit të Madh dhe të qytetit Beligrad shqiptar”.
Thotë: “Megjithëse është një varosh i madh, nuk është brenda mureve të kalasë. Ndodhet në anën jugore e lindore të kështjellës së sipërme, dhe është përhapur në një horizont të gjerë pranë lumit Osum. Kryesore është një rrugë e madhe e rrethuar me kopshte, vreshta dhe bostane të rrethuara me gardhe; banesat janë të mbuluara me tjegulla. Ka 5000 shtëpi të stolisura dhe të mbajtura mirë, mbuluar me tjegulla të stolisura, dhe shtëpitë janë dykatëshe; ato janë ndërtuar kryekëput prej qargjirit (gurit) e janë vendosur mbi një truall që shtrihet në shtatë kodra e përrenj. Janë shtëpi shumë të stolisura, të bukura e të mëdha”.
Në përkthimin e mëparshëm të librit të Çelebisë, kryer prej Sali Vuçiternit, togu i fjalëve është paraqitur në formën “trualli i këtij Varoshi është tokë pjellore, mbi shtatë kodrina dhe shtatë lugina”.
Ndërkaq në origjinal “shtatë kodra e përrenj”.
Diplomati dhe kronisti i famshëm osman Evlija Çelebi është mjaft i ndjeshëm për numrin e shenjtëruar 7 dhe në faqet ku rrëfen ditëqëndrimet e tij në Berat shkruan se edhe portat e Kalasë qenë shtatë.
Mirë periudha ateiste e pas Luftës së Dytë Botërore që u mbyll për shqiptarët bashkë me vitin 1990, i cili nuk e lejonte “paragjykimin fetar”, tërë koha tjetër, të paktën që prej dëshmisë dhe mprehtësisë së Çelebiut për ta spikatur ndërkombëtarisht, 350 mote të shkuara, nuk e ngacmuan dot sedrën e vendasve për të investuar vëmëndje në këtë rrethanë fantastike të qytetit?
Cilësia e të qenit qytet me shtatë kodra gjithkund në lindje dhe në perëndim, tek të krishterët apo myslimanët e budistët, ka përbërë e përbën tundim të madh për ta vizituar, ose të paktën për të mbledhur dhe përhapur të dhëna për të. Në të gjithë globin nuk numërohen qytetet që reklamohen si me shtatë kodra, madje në Hungari ka një të tillë shumë të dëgjuar, i cili në të vërtetë ka nëntë dhe nuk bëzan ta pohojë këtë gënjeshtër.
Në këtë vrull të madh vetëvlerësimi rrufjan, i cili duhet thënë se funksionon, nga specialistët sidoqoftë njihen në botë të ekzistojnë vetëm 17 qytete me banim historik e të vazhdueshëm në shtatë kodra.
Sepse në fund të fundit ka disa rregulla, në mos estetike të paktën gjeografike, për mënyrën se si janë vendosur dhe rreshtuar në reliev këto kodrina. Në Itali ka disa qytete shtatëkodrinësh, por italianët një njohin dhe e pranojnë për t’u mburrur: Romën. Për të tjerët mbledhin supet dhe ikin tutje. Në Greqi nuk është vetëm Athina në kushtet kodrave banuese me numrin shtatë, por përveç shtrirjes kaotike të tyre nëpër kufijtë e qyteti të stërmadh të shtrirë sa gjerë-gjatë në fushë, vetëm Akropolin e magjishëm kanë në sy si edhe Aeropagun.
Berati, sipas meje, vjen menjëherë pas Romës, me shtatë kodrinat historike pranë njëra tjetrës dhe në një harmoni estetike të këndshme. Ky qyteti i vetëm shqiptar shtatëkodrinash, përputhjen e tyre e ka si telat e një harpe, rregullisht të afruara dhe të distancuara, gati për të dhënë një melodi qiejsh.
Po t’i përfytyronim një çast si njerës këto shtatë kodrina do të kishim pamjen e shtatë vajzave dhe djemve të bukur të mbështetur tek njëri-tjetri, gati në prag të një përqafimi. Fotografimi magjik i ylberit që përbën ballinën e ardhshme të këtij libri është kryer nga lartësia e kodrës së shtatë të Beratit.
E megjithatë ky qytet nuk gjendet as i rreshtuar dhe as i cituar në listat botërore të qyteteve shtatëkodrinësh!? Dhe është i shpallur në mbrojtje nga UNESCO.
I druhemi shëjtnimit? Nuk e besojmë se midis qyteteve shqiptarë ai është më i hyjnishmi, më i afërti me qiellin dhe perënditë e imagjinuara në të? Se për pasojë është edhe më ndikuesi në përtëritjen shpirtërore të banuesve të vet, më kuruesi dhe rigjeneruesi fizikisht?
Në 15 të këtij muaji, maj 2020, një mik bashkëkombës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, autor librash, Sajmir Lojla, më dërgoi këtë mesazh: “Lexova se lart në malin e Tomorrit është një majë që quhet Maja e Pelengut. Me Google nuk dallohet. Nëse e njihni ku ndodhet me përafërsi?”
Unë nuk e kisha dëgjuar, kështu që ndërhyra të më ndihmonin frekuentues të shpeshtë të malit. Më në fund përgjigja nuk vijoi, por vetëm kur i bëra një korigjim emrit: ishte Pelje, jo Peleng.
E mora këtë të dhënë saktësuese prej njërës nga dy antologjitë afro dymijëfaqëshe, me temë Beratin dhe Tomorrin, të hartuara prej njeriut të kulturës, bashkëqytetësit të ditur Çlirim Mukli.
Kjo legjendë thotë: “Në kohë shumë të lashtë nga Teba e Egjiptit u nisën fluturim dy pëllumba të zinj, të cilët nuk ishin gjë tjetër veçse dy virgjëresha të papërlyera, të pastra, të paprekura, shërbëtore të Zotit dhe i thërrisnin edhe me emrin Përhenuse. Njëri nga pëllumbat qëndroi në Libi, ndërsa tjetri u ndal në malin e Tomorrit, në Dodonë. Pëllumbi filloi t’u fliste njerëzve në gjuhën e tyre duke u thënë se aty duhej të ndërtonin një vend të shenjtë. Banorët e Dodonës e kuptuan se ai ishte një mesazh hyjnor dhe ndërtuan tempullin e Dodonës. Madje, një nga majat e malit të Tomorit quhet edhe sot Maja e Peljes, emër i cili të çon tek një emërtim i vjetër i pëllumbit me fjalën “pelje”.
Duhet shtuar se këtë legjendë e përmend edhe “babai” i historisë botërore, Herodoti, dijetari grek që jetoi në periudhën e viteve 484-425 para Erës së Re. Qe i pari që në librat e tij përmend ekzistencën e ilirëve.
Duket qartë se kjo gojëdhënë e dy pëllumbave është e krijuar më herët nga çasti kur Berati do të bëhej qytet, detyrimisht në periudhën kur qe katund i pahyrë në historinë e madhe. Me pak fjalë i kohës kur në atë reliev të gjerë mes horizontit të lindjes së diellit dhe atij të perëndimit, i pari i të parëve në autoritet e rëndësi nuk ishte vendbanimi mbi shpinë të kodrës kala, por mali i Tomorrit.
Studiuesi Sajmir Lojla ndërkohë më pati shpjeguar arsyet që e shtynë në zbulimin e këtij sekreti emri: “Studioj e shikoj malet e ndërtimet me gurë në Shqipëri dhe i krahasoj me ata në botë. Për malin e Tomorrit shkruhet shumë si vend i shenjtë. Shqipëria e tanishme dhe trojet shqiptare kanë trashëgimira lashtësie me vlera tepër të mëdha. Shumë të tilla janë rrafshuar apo vjedhur nga pushtuesit bizantinë e osmanë, e sidomos këta 30 vjet”.
Realizuesi i çsekretimit të emrit Pele (apo dikur Pelje), mësuesi i sporteve dhe njohësi pëllëmbë për pëllëmbë i të gjithë relievit përreth Beratit, alpinisti Gazmend Shehu, më shkroi se kjo nuk ishte majë, por qafëmali: “Është pika më e ulët e kreshtës së Tomorrit. Ndodhet në 1/3 jugore të kreshtës. Unë kam qenë 3 herë atje, dy herë kam kaluar tranzit nga maja jugore (nga Teqeja) për në majën veriore, ndërsa një natë kam fjetur me çadra me tre shokë dhe një udhërrëfyes nga Lybesha se andej u ngjitëm. Në krahun e pasmë të saj ndodhet Trebla, një fshat i vogël i krahinës së Skraparit. Në afërsi të kësaj qafe, e cila ndodhet në kuotën e 2000 m lartësi mbidetare, në lartësinë 1850 m ndodhet një burim uji, i cili nuk shterron as në verë, një gjë shumë interesante kjo”.
Dhe ja më në fund një fluturim hyjnor pëllumbash të kohëve shumë pagane na nxorri tek tema më befesuese e librit tonë “Qyteti pranë qiellit”: mali i Tomorrit.
Ose Froni i Perëndive.
Ose Olimpi Shqiptar.
Atje densiteti i ndjesisë së shenjtnimit njerëzor është shumë herë më i madh se në territorin e banimit deri në afro 190 metra i beratasve.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com