|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: BERATI DHE NJË KOLONEL FASHIST
(Fragmenti 4 i librit, vijon nga dje)
Libri i italianit Luixhi Emanuele Xhanturko (Luigi Emanuele Gianturco) me titullin “Gurë muri” dhe nëntitull “Tregime lufte nga Shqipëria”, botuar prej tij në vitin 1941 dhe ku paraqet edhe legjendën e krijimit të Beratit, ka në ballinë një bersalier me uniformë, helmetë, pendët karakteristike mbi të dhe armatim.
Ky shkruan në një sipërfaqe të bardhë fjalët: “Duçe, ti na sjell pranverën”.
Ky libër ka 299 faqe dhe për shkak të rrallësisë së tij, mos ribotimit të mjaftueshëm, ka arritur sot në tregun e vendit të vet deri edhe në çmimin e 75 eurove.
Nuk ja ka dhënë këtë favor tema e gojëdhënës së Beratit dhe as fakti që autori shkruan për Shqipërinë. Kërshëria e lexuesve italianë fshihet më shumë tek një rrethanë tjetër: Luixhi Emanuele Xhanturko ka qenë pasardhës i një familjeje të shumënjohur. Gjyshi i tij, prej të cilit pati ripërtërirë emrin, ka qenë në historinë e Italisë jurist shumë i zëshëm, si edhe disa herë ministër.
Ndërkohë Luixhi i ri qe një hierark i spikatur fashist, shumë i përkushtuar pas kësaj ideologjie. Për këtë zell politik, por edhe sepse ishte ushtarak, në fillim të janarit 1940, 46 vjeç, u emërua federal i qytetit të Milanos, çfarë donte të thoshte shef i Partisë Nacionale Fashiste.
Ky post ishte i ngjashëm me atë të sekretarit të parë të rrethit në periudhën e monizmit socialist shqiptar.
Në 22 dhjetor të të njëjtit vit, 1940, ai u lirua prej kësaj detyre dhe duke qenë se ishte kolonel, u dërgua në front. Në Shqipëri u gjend në periudhën e luftës italo-greke dhe doemos në Berat, qytet i cili u bë baza e prapavijës së tërë armatës musoliniane në agresion kundër Greqisë.
Kur filloi sulmi kundër Bashkimit Sovjetik, në komandë të regjimentit 3 të trupave të zgjedhura bersaliere, Luixhi Emanuele Xhanturko, këtë herë nëpër libra historie lokale i shumëcituar për vetmohim luftarak, shkoi në ndihmë të nazigjermanëve në frontin e ri të pushtimit.
Kjo periudhë i la gjurmë dhe për ta shumuar këtë efekt në prill 1943 publikoi librin “Rikthimi nga Rusia”.
Ndërkaq kohëqëndrimi në Shqipëri nuk i dha ndonjë frut të tillë shenjëmbetjeje, edhe pse ai e shkroi librin me emrin e saj në titull. Zbrazëtia e gjurmëve të tij në viset tona ndihet edhe sot, kur ia kërkon emrin mëkot nëpër raportet kryesore të informacionit që nga Tirana i dërgoheshin atëkohë Benito Musolinit dhe krahut të tij të djathtë, Kontit Çiano, i cili zotëronte monopolin e njohjes së të gjithë të dhënave për Shqipërinë.
Por ja që Luixhi Emanuele Xhanturko junior nuk qenka fare pa fat. Studiuesi beratas, por edhe një prej punonjësve më të vjetër të Bibliotekës Kombëtare, Dhimitër Myzeqari, e vendosi shkrimin e tij për gojëdhënën mitike të Beratit në librin e vet “Qyteti që magjepsi udhëtarët”.
Këtu po e rikapim fillin e rrëfimit edhe ne, sepse jemi në një përpjekje për të provuar se televizioni “Klan” nuk kishte njoftuar ndonjë pasaktësi kur në 17 janar 2016 pati përhapur lajmin se Berati vlerësohej si një ndër 10 vendet në botë me energjinë më të fortë spirituale dhe hyjnore. Kjo donte të thoshte se qe një qytet me energji të veçanta shëruese.
Ju rikujtojmë që të nesërmen shumë të përditshme e plotësonin këtë informacion duke shpjeguar se në glob ekzistonin disa vende, në të cilat ndjehej lidhja me hyjnoren, qielloren. Të tillë, ngulnin këmbë gazetat, qenë Rila në Bullgari, Machu Picchu në Peru, Socotra-arqipelag prej katër ishujsh në oqeanin Indian, pllaja Uluru në Australi, Ishulli Lindor ku ndodhen statujat e mëdha me pamje njerëzore, Belintashi i Shenjtë në Bullgari, Maja Kailash në Tibet...
Duke rrëfyer se paraberatasi antik jetonte i gjithë në shpinë të kodrës të thirrur sot Kala në kushtet e një njeriu mali, pra fizikisht afër qiellit dhe se prej kësaj lartësie objektet natyrore përreth, veçanërisht tre më sugjestionuesit, Tomorrin, Shpiragun dhe Osumin, i përfytyronte si qenie të gjalla, thirrëm në ndihmë vetë legjendën e krijimit të vendbanimit të lashtë, me jetë të nisur pothuaj katër mijë vjet më parë.
Në motin 1941, në librin “Gurë muri, tregime lufte nga Shqipëria”, kjo gojëdhënë e lashtë ka këtë formë: “Para shumë kohësh tek malet shqiptare jetonin dy vëllezër të racës së gjigandëve: Tomorri dhe Shpiragu. Njëri kishte mësuar zanatin e luftës, ishte i veshur i tëri me çelik dhe qe i pamposhtur. Tjetri kishte jetuar gjithmonë në male dhe shpella dhe kishte zbuluar sekretin e zjarrit. Arrinte jo vetëm të ushqehej me zjarr, por edhe villte flakë si kuçedër. Dhe fuqia e zjarrit ishte aq e madhe sa asgjë s’mund t’i bënte ballë”.
Ky rrëfim i krijuar tepër lashtësisht, në kohën e zbulimit nga njerëzimi të zjarrit, vijon: “Dy gjigandët ishin zotër të malit cdhe të luginës. Por një ditë nga dashuria për një grua harruan se ishin vëllezër dhe me që gjaku nuk bëhet ujë ndëshkuan njëri-tjetrin.
Atë ditë pranë një burimi ata kishin takuar një vajzë të ftohtë dhe egoiste. Ajo i kishte përgjuar dy gjigandët dhe kishte shkuar tek burimi për të marrë dhuratat dhe nderimet. Ajo ju shfaq buzagaz me një bukuri magjepëse. Të zeza i kishte flokët, të zinj edhe sytë. Zakonisht nuk mbante vello dhe ecte si një sorkadhe. Dhe u buzëqeshi të dyve. Që atëherë ata e panë njëri-tjetrin si armiq. Njëri plaçkiste lart e poshtë me shpatë në dorë dhe i solli coha të vyera mëndafshi, filigrame, lëkurë të punuara dhe parfume që vinin nga larg, nga Arabia, Italia. Ndërsa tjetri i solli të korrat e para të arave, qengja të shijshëm dhe tufa të tëra bagëtish për stallat e saj, madje edhe lule i sillte dhe bënte kujdes që të mos i thante ato me zjarrin që villte. Në duart e tij të mëdha e me kokalla lulet ngjanin akoma edhe më të brishta. Por Shpiragu vuri re se dhurimi i luleve nuk e gëzonte gruan dhe atëherë me zjarr hapi tokën dhe nxori gurë të çmuar, të gjitha ato që gjente ia shpinte. I solli një rubin të madh sa një arrë dhe të kuq si flaka. Ndërsa e vërtiste nën dritën e diellit ngjante si një prush i ndezur natën. Dhe Berati veshi fustanet e bukura, u spërkat me parfume, i pranoi të korrat e para, u zbukurua me rubinin dhe gurët e tjerë të çmuar, i shumoi tufat dhe vazhdoi lojën e armiqësimit të vëllezërve”.
Më tej ky rrëfim homerik vendos fjalët: “Një natë të dy vëllezërit u përleshën nën dritën e hënës. Dhe Berati e ndiqte dyluftimin nga maja e një kodre. Ndonëse fytyra e saj dukej sikur zbehej, ajo nuk kishte mëshirë, por kënaqej tek shihte ato dy forca që vërsuleshin dhe shfaroseshin për bukurinë e saj. Nata u mbush me klithma dhe sokëllima. Tomori me shpatën e tij u vërsul i pari. Shpiragu u hodh në sulme duke nxjerrë nga goja gjuhë flakësh. Dhe pas shumë orësh fitorja s’i buzëqeshi askujt.
Edhe kafshët rrinin e vështronin. Zogjtë nuk këndonin, Era e tmerruar kishte marrë aratinë. Dukej sikur edhe gurët vështronin e dëgjonin ato goditje të tmerrshme dhe ato klithma tronditëse. Armatura e përflakur e çelikut i shkaktonte Tomorrit dhimbje të padurueshme. Por ai e përdorte shpatën me shumë shpejtësi, ndërsa flaka nuk arrinte ta shkrinte. Çeliku e mundi zjarrin dhe Shpiragu ra i vdekur. Por si njëri ashtu edhe tjetri kishin plagë të thella në trupat e tyre.
Zotat e tokës, të zemëruar, i ndëshkuan sepse derdhën gjakun vëllazëror për një grua. Prandaj i shndërruan në ato dy male që ngrihen njëri përballë tjetrit. Ndërsa Berati u shndërrua në gur dhe u vendos poshtë midis dy gjigandëve, ajo në shekuj qau për ashpërsinë e zemrës së saj (ujërat e Osumit). Shpellat e maleve janë plagët që vëllezërit i shkaktuan njëri-tjetrit, dhimbjet e të cilave i vuajnë në shekuj”.
Këtu rrëfimi i legjendës mbyllet.
A nuk e vini re se gjithçka është kozmike?
Se të paktën Tomorri dhe Shpiragu janë personazhe qiellorë, jo të jetës së përditshme tokësore?
Se beratasi i lashtë dhe qielli kanë qenë pjesë e njëri-tjetrit?
Si për të më dhënë kurajë në këtë sipërmarrje që po e ngre në këmbë vetëm me argumentim hamendësor, një bashkëmoshatare imja si edhe shoqe klase, Marjana Tesho, pasi kishte lexuar fragmentin e djeshëm, sot më dërgoi këtë mesazh: “Në këtë qytet shtëpitë natën marrin dritë nga yjet”.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|