|
QYTETI PRANË QIELLIT
Pjesa hyrëse
Në 17 janar 2016 televizioni Klan njoftoi se Berati vlerësohej si një ndër 10 vendet në botë me energjinë më të fortë spirituale dhe hyjnore.
Duke u përpjekur ta sqaronte këtë koncept të fundit, i cili për shikuesit e vet të shumtë mund të gjykohej si i hartuar nga ndonjë shtytje pasioni fetar, televizioni i mësipërm shtoi edhe këtë cilësim: Berati ishte qytet me energji shëruese.
Këtë lajm të bujshëm të nesërmen nuk e lanë të ikte i shpërfillur shumë nga gazetat kryesore. Ato shpjeguan se në glob ekzistonin disa vende, në të cilat ndjehej lidhja me hyjnoren, qielloren. Në këto kënde të botës së madhe dëshmohej prani e një fushe energjie shumë të fortë, e cila tek njerëzit e ndjeshëm shkaktonte përjetimin gjatë gjumit të natës të ëndrrave mjaft të çuditshme.
Sipas të përditshmeve shqiptare, që tashmë kishin vënë në qendër të vëmendjes këtë zbulim të paditur më parë për vlerat e Beratit, këmbëngulnin se energjia e rrezatuar fizikisht ndikonte tek banorët, duke ua rritur atyre edhe energjinë e brendshme, atë shpirtërore.
Pastaj ato nisnin të përmendnin njëra pas tjetrës nëntë territoret e tjera të bekuara prej kësaj cilësie ripërtëritëse, edhe pse me dhunti paranormale: Rila në Bullgari, Machu Picchu në Peru, Socotra-arqipelag prej katër ishujsh në oqeanin Indian, pllaja Uluru në Australi, Ishulli Lindor ku ndodhen statujat e mëdha me pamje njerëzore, Belintashi i Shenjtë në Bullgari, Maja Kailash në Tibet...
Por a mund të jetë e vërtetë sadopak kjo që treguan në 17-18 janar 2016 mediat shqiptare? Për të dhënë një përgjigje, ja pse po e shkruajmë këtë libër.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|