Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SI AHMET ZOGU I BËRI ME FAMË POPULLORE KOMUNISTËT


(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 16 mars 2020)

Shqipëria po i afrohej vitit 1939, duke mos e ditur, siç ndodh më shpesh jo vetëm me fatet e njerëzve, por edhe të popujve, që ai për të do të ishte fatal. Në të vërtetë mund të qe fare lehtë si 1938-ta, me një tis festash të çuditshme nëpër Evropë, në Paris sidomos, edhe pse sapo qe përfunduar përgjakshëm Lufta e Spanjës.
1938-ta ishte ndjellabutë edhe në viset e shqiptarëve sepse kriza e madhe ekonomike botërore 1929-1932 po përpiqej ta ulte rrukullimën, por pa fikur dot, pas marrjes triumfale të Austrisë nga Hitleri në 12 mars 1938, të një tensioni veprimesh ushtarake për të zaptuar veç e veç popuj të tjerë. Nga Roma trupa pushtuese drejt Abisinisë qenë nisur me kohë. Flitej po ashtu për një luftë të pritshme globale, gjithsesi më së shumti si për një kuriozitet.
Në fund të vitit 1938 që Shqipërinë do ta sulmonin italianët e besonin fare pak, sidomos nëpër kontinent. Brenda kufirit të saj gjithsesi komunistët rrinin të pezullt. Ata e patën marrë nga Moska kursin për të qenë vigjilentë dhe për ta përballuar fashizmin duke krijuar kudo fronte të hapta popullore, kështu që edhe Ahmet Zogu nuk ishte kryearmiku i tyre i madh. Përballë Musolinit mund të shihej edhe si një aleat.
Ndërkaq monarku ishte gjithë sy e veshë, sepse ruante pushtetin e vet personal dhe nuk qe i parandjenjës se punët nëpër Evropë po shkonin drejt qetësisë. Apo se Shqipëria në vitet e ardhshëm do të jetonte në paqe. Nëpërmjet burimeve informative të fshehta, por edhe diplomatëve të tij, të cilat punonin mirë, jo vetëm në një rast edhe për përvojës vetiake, ai ishte shumë i bindur se Benito Musolini, dhendëri i tij Konti Çiano, si edhe disa të tjerë përtej detit, po bëheshin gati, pas disa përpjekjesh të mëparshme të dështuara, ta rrëzonin përfundimisht nga froni. Me kryengritje të armatosur qe provuar, me antentat po ashtu. Mbetej tashmë vetëm pushtimi.
Ahmet Zogu nuk shkroi kurrë një libër kujtimesh të tij, edhe pse gjer në 1961, kur ndërroi jetë në Paris nga një tumor prej pirjeduhanit të tepërt, kishte kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë, lënë të vërtetën e vet. Por për bëmën e tij botuan të tjerët. Këta vepruan njëlloj, heshtën, nuk kërkuan për raportet e tij me komunistët vendas. Gjithsesi në këtë drejtim ne do të bëjmë një përpjekje për të zbuluar sadopak arsyet e vërteta, të pathëna, të një dukurie të veçantë: rolin e Zogut në popullarizimin e tërthortë të komunizmit stalinist.

Kryeagjenti fashist italian Xhovani Xhito

Musolini e firmosi planin e ministrit të Jashtëm dhe dhendërit të tij Gaetano Çano për pushtimin e Shqipërisë në 8 janar 1939. Vetëm gjashtë ditë më pas, më 14 janar, shtypi i Tiranës botoi dekretin e porsafirmosur mbretëror mbi emërimin nga Ahmet Zogu të trupit gjykues të Gjyqit të Posaçëm për Faje Politike. Ky qe ngritur për komunistët dhe askënd tjetër.
Arrestimet e veçuara dhe të fshehta ndaj tyre patën nisur që në gjysmën e dytë të dhjetorit 1938 dhe duke pasur në qendër grupin e Shkodrës prangosnin po ashtu edhe ndjekës të kësaj ideologjie në Tiranë, Elbasan, Durrës, madje edhe në Bilisht. Tek-tuk kishte edhe ndonjë anëtar të Grupit Komunist të Korçës.
Kjo fushatë i zuri në befasi të gjithë, sidomos opinionin publik. Në vend që drejt tij të vinin mesazhe alarmi për çfarë po përgatitej në Romë, vetëdijshëm Zogu e shvendosi rrezikun e sovranitetit të Shqipërisë nga fashistët tek komunistët. Ndërkohë ai e dinte mjaft mirë situatën, sepse
koloneli i shumëstërvitur nga anglezët, komandanti i xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatku, ia kishte bërë të ditur, që bolshevikët po orientoheshin nga Moska të qenë gati për të përballuar me çdo mundësi e duke bërë edhe sakrificën më sublime, dhënien e jetës, pushtuesit e ardhshëm fashistë.
Aq e vërtetë ishte kjo, pra që në rastin e sulmit fashist italian edhe komunistët do të rreshtoheshin krah Zogut, provohet me një fakt. Mes të arrestuarve të fushatës së arrestimit të komunistëve, nisur në funddhjetor 1938, ishte edhe Qemal Stafa. Kur pritej të dënohej, në një nga tre sallat ku në Burgun e Vjetër të Tiranës i kishin mbyllur të 73 të akuzuarit, një mëngjes, mes bisedës së zakonshme, nga dikush u bë pyetja: “Po sikur Italia fashiste të sulmojë Shqipërinë, ne çfarë qëndrimi do të mbajmë”. Një çast ishte bërë heshtje, por përgjigjen delikate e pati dhënë Qemali. Ai tha: “Ne duhet të rezistojmë, kështu të paktë siç jemi dhe në rast se Zogu do të rezistojë kundër fashistëve, ne do të bashkohemi me të”.
Atëherë përse mbreti shqiptar veproi ashtu, në të kundërt të logjikës së ngjarjeve dhe të nevojave të vendit? Që prej vitit 1936 administrata e tij nisi të kundërveprojë ndaj lëvizjes komuniste që po hidhte shtatin e saj të dobët, por në të gjitha rastet bëhej fjalë për ballafaqim në fushën e propagandës. Kontrolloheshin e ndaloheshin libra marksistë apo botime të Leninit, pastroheshin copra parullash të hedhura mbi faqet e ndonjë muri shkolle apo shkalle të drunjtë aeroporti, mbi fletë të ndonjë rradhoi nxënësi shkolle. Censurohej po ashtu ndonjë gazetë e mbahej nën kontroll ndonjë shoqatë punëtorësh. Më pas përshkallëzimi shkoi gjer në ndalimin e organizatave sindikale të profesioneve të ndryshme, u bënë edhe disa arrestime të akuzuarish pa ndonjë peshë, si edhe internime të tyre.
Gjithsesi në parim periudha 1937-1938 përmban një tendencë veprimi të ashpër të Ahmet Zogut kundër komunistëve, çfarë nuk vinte aq shumë prej shkallës së rezikshmërisë reale të tyre, se sa të një djallëzimi politik, çfarë u pëlqente edhe fashistëve italianë. Zogu kështu u zotohej atyre formalisht se po zbatonte në vend një politikë afrimi të madh ideologjik me Romën.
Por në të vërtetë nuk qe kështu. Në fund të vitit 1938 ishte plotësisht e qartë se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Romës ishin në teh. Buletini “Përpara” Nr. 2 i Grupit Komunist të Korçës, muaji tetor, një nga artikujt e tij e titullonte “Musolini s’është i kënaqur me Zogun”. Ndërkohë në ditarin e tij Konti Çiano pohonte se mbreti shqiptar ishte një pengesë reale për kolonizimin e Shqipërisë dhe se qe planifikuar edhe vrasja e tij. Po të mos ndodhte kjo, përdorimi i armës, pushteti do t’i merrej edhe me “rrugë paqësore”, nëpërmjet fashistizimit të jetës së vendit.
Që të realizonin fashistizimin e Shqipërisë që nga prilli 1937 vepronte në Tiranë një kryeagjent mjaft i specializuar: Xhovani Xhiro (Giovanni Giro). Objektivi i shpallur i tij qe për “formimin e organizatave totalitare të rinisë shqiptare me përmbajtje dhe synime ekskluzivisht filoitaliane dhe krejtësisht fashiste”. Qëllimi përfundimtar: “oksidentalizimin, italianizimin dhe shballkanizimin e popullit shqiptar”.

Nata e 24 janarit 1939

Pasi u vu nën përgjim, arrestimi i Qemal Stafës u krye natën e 24 janarit 1939, atje ku jetonte, në Tiranë. Fillimisht e çuan në zyrat e Xhandarmërisë, të cilat ndodheshin në rrugën e Dibrës. Këtu e futën në një dhomë të vogël, ndërsa bënte shumë ftohtë. Dimri i atij viti qe shumë i egër. Ngjitur me kthinën, ku e përplasën, gjendej dhoma e torturave. Sipas njërit prej biografëve të tij, shkrimtarit dhe studiuesit Nasho Jorgaqi, këtë prani të qëllimshme Qemali e kuptoi kur nisi të zbardhte dhe filluan të dëgjoheshin goditjet e rrahësve si edhe ndonjë rënkim. Pas këtij presioni psikologjik në mëngjes qe radha e tij për të hyrë në atë dhomë, ku një rreshter profesionist dhe tre xhandarë, duke e mbajtur të lidhur me pranga, nisën ta rrahin sapo hyri. E vijuan masakrimin e tij fizik edhe ku ra përdhe. Pasi njëri nga xhandarët i hodhi një kovë me ujë, i nisën torturat mbi shpullat e këmbëve. Ia shpuan me bajonetë, majat e thonjve të gishtave të tyre po ashtu ia goditën me kondak pushke. Qemal Stafës fytyra iu enjt që atë ditë. U sollën kështu me të për një javë rresht. “Më kujtohet akoma rënkimi i një të sëmuri që mezi merrte frymë”, kujton një dëshmitar. Pastaj vijon: “Pyetëm rojen që rrinte pas nesh, dhe ai na u përgjigj: “Nji derr komunist si ju. E rrahën sa e vdiqën dhe nuk hapi gojë fare. Tre shkopinj janë thyer në kokën dhe shpinën e tij, po nuk bzanë, nxihet në fytyrë e shtrëngon dhambët. E quajnë Qemal, prandaj në rast se s’doni ta pësoni si ai, të rriheni si kafshë, tregoni menjëherë”. Ne i shtimë një vështrim rojes dhe nuk i folëm. ....Qemalin, pasi e patën rrahur gjithë natën, e kishin ngjitur lart në terracë, në një si birucë, për të mos ardhur në kontakt me të arrestuarit e tjerë. Nga të rrahurit i kishte rënë tri herë të fikët...Herën e tretë u trembën, se Qemali nuk jepte shenja jete dhe prandaj e lanë të qetë, por pa ndjenja. Të nesërmen Qemali, dikur i kuq e i shëndoshë, ishte zverdhur, nxirë e ajtur. U thirr doktori, i cili, pasi e vizitoi, e ndaloi rrahjen”. Ishte dita e tetë e arrestimit të tij. Që prej këtij çasti e çuan në Burgun e Vjetër dhe e mori një kapiten për të filluar procesin e hetimit. Në tri salla këtu qenë grumbulluar, ngjeshur me njëri-tjetrin, të gjithë komunistët e prangosur në zbatim të dekretit mbretëror të 14 janarit. Qenë 73 të akuzuar.
Gjyqi i tyre publik, në fakt një spektakël politik, do të niste në mëngjesin e 4 shkurtit. Datënisjen po e bëjmë të ditur për të shfaqur të dukshme lojën e Ahmet Zogut në sajimin e një rreziku, i cili ato çaste as ekzistonte dhe as qe për t’u spikatur, ca më shumë propaganduar aq fort në shtypin zyrtar, ku formulohej fraza bombastike “Shqipëria nuk e pranon propagandën komuniste shkatërrimtare”.
Ndërsa në 4 shkurt fillon me bujë gjyqi special politik kundër 73 komunistëve dhe Qemal Stafa do të nisë të bëhet një emër i famshëm me deklaratën e tij publike “Jam komunist i bindun dhe deklaroj se vetëm komunizmi do ta shpëtojë masën e punëtorisë që sot ndodhet e shtypun; jam i sigurt se çfarëdo që të ndodhë, ne komunistët do ta shpëtojmë Shqipërinë”,
Gjyqi u mbyll pasditen e 11 shkurtit, kur u dhanë vendimet e dënimeve. Më i spikaturi qe ai për Qemal Stafën. Studenti në drejtësi dhe që kishte ndjekur universitetin në Firence, i vetmi i cili kishte deklaruar se qe komunist i bindur dhe sipas dokumenteve gjyqësore “e pranon gjith akuzën që i bëhet”, u propozua nga prokurori të dënohej me 15 vite. Gjykata i dha gjashtë, por duke qenë se nuk kishte mbushur as tetëmbëdhjetë vjeç iu zbrit në vetëm 3. Nga 73 të arrestuarit të dënuar qenë 56. Menjëherë pas shpalljes së viteve të burgimit komunistët nisën të këndonin internacionalen në mes të sallës së bashkisë. Ngjarja bëri jehonë që atë ditë. Kështu shqiptarët u kujtuan për ideologjinë dhe modelin e organizimit të shoqërisë dhe të shtetit, që vinte nga Moska.

Tentativë për të helmuar ushqimin e Ahmet Zogut

Mirëpo pikërisht një ditë më pas, në 12 shkurt 1939, kishte ndodhur një ngjarje tjetër: qe bërë përpjekja për të vrarë Ahmet Zogun, Sipas bashkëshortes së tij, Geraldinë Aponyi, në 12 shkurt, në orën 16.00, gjatë shëtitjes në kopshtin e Pallatit, Ahmet Zogu dalloi midis shkurreve grykën e një arme të drejtuar kundër tyre. Çifti u kthye me të shpejtë në pallat dhe aty ai i pohoi të shoqes: “Sapo shpëtuam nga një atentat”. Qe dita, kur me porosi të tij të drejtpërdrejtë shtypi zyrtar shpërtheu një fushatë antikomuniste, duke ngulur këmbë se ajo ideologji nuk pajtohej me konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve si edhe dhe “me shpirtin arbëror”.
Dëshminë tjetër për atentat në kujtimet e saj Geraldina e vendos dy ditë më pas: në 14 shkurt. Jak Koçi, i cili vetëshpallej si besniku i Zogut dhe besohej si “njeri i shtëpisë”, u thirr posaçërisht prej mbretit për drekë. Ky e dinte që Koçi kishte hyrë në shërbim të Kontit Çiano dhe pati marrë përsipër për ta vrarë me shpërblimin e 10 milion liretave. E dinte po ashtu se vepra do të kryhej në bashkëpunim me Xhovani Xhiron. Ky me planin për përmbysjen nga brenda të Ahmet Zogut, pati hyrë në Shqipëri ende pa dalë muaji janar. Xhiro qe specialist i lëvizjes rinore fashiste. Mbreti shqiptar kishte të dhëna të mjaftueshme sa për ta pranuar formalisht, por edhe që t’i jepte të kuptonte se nuk do ta mbështeste. Por Xhiros aq i bënte. Ai qe një arrogant dhe nuk ia falte Zogut të gjitha pengesat që krijonte për të mos u strukturuar ndonjëherë në Shqipëri ndonjë lëvizje fashiste e fuqishme. Xhiro kishte vendosur ta rrëzonte me çdo kusht dhe për këtë nuk pati vetëm nxitjen dhe mbështetjen e hierarkëve më të lartë partiakë e qeveritarë të Romës, por edhe shuma më mëdha parash. Për këtë qëllim ai jo vetëm mobilizoi “grupet e sulmit”, njësi profashistësh shqiptarë që do të merrnin pjesë drejt për së drejti në kryengritjen e armatosur, por takoi vazhdimisht krerë lokalë, në veri të vendit si edhe në jug. Ethet e përkushtimit të tij për realizimin e grushtit të shtetit kundër Ahmet Zogut shtoheshin vazhdimisht edhe me një fushatë intensive për organizimin e rinisë shqiptare sipas modelit të vendit të tij, duke përfshirë edhe llojet e formacioneve më ekstremiste të saj, famëkeqet grupe fashiste “Ujqit e Romës”. Por ditët kalonin dhe fashizmi nuk po i zgjeronte dot radhët në Shqipëri, strukturat e tij nuk po bëheshin masive dhe popullore. Ndërkohë dinakërisht edhe vetë Zogu iu kundërvu këtij procesi. Për ta rivalizuar dhe penguar ai ngriti Organizatën e Rinisë “Zogu I”. Konkurrenca mes dy palëve jo rrallë u pasua nga ndeshje fizike dhe rrahje kolektive. Xhandarmëria zogiste, kur ndërhynte për t’i ndarë njerëzit e Xhovani Xhiros dhe simpatizantët e mbretit, nuk kujdesej fare të qe e paanshme, por dilte në mbështetje të të rinjve monarkistë.
Pikërisht midis skuadristit të pafre Xhiro dhe mikut të afërt të familjes së Ahmet Zogut, Jak Koçit, i cili e kishte pranuar misionin e tij vrasës në një takim të fshehtë në Romë me kontin Çiano, në dhjetor të vitit 1938, u ndanë punët. I pari do të nxiste trazirat në vend, kurse i dyti do të kryente vrasjen.
Sipas Geraldina Apponyi në atë drekë-kurth të Ahmet Zogut u zbulua se Koçi qe përpjekur të komprometonte të dy kuzhinierët, njërin shqiptar dhe tjetrin hungarez, “për të helmuar gjellët e çiftit mbretëror”. Pasi ia tha në sy të vërtetën Zogu “e dëboi mysafirin, e zuri për veshi dhe e hodhi me një shkelm në fund të shkallëve”.
Të nesërmen, më 15 shkurt, Ahmet Zogu u ankua tek shefi i legatës italiane në Tiranë, Françesko Jakomoni, për një komplot që po i organizohej kundër dhe se subversioni kishte nxitjen e vetë Romës. Ai e vuri në dijeni se do të urdhëronte arrestimin e disa elementëve diversionistë, shumica e të cilëve katolikë. I bëri të ditur Jakomonit gjithashtu se Xhovani Xhiro dhe Jak Koçi do të dëboheshin nga Shqipëria për në Itali.
Pas këtij veprimi ai e informoi Legatën Britanike për çfarë po përgatisnin italianët kundër tij dhe menjëherë një raport i përfaqësisë diplomatike angleze në Tiranë u nis drejt Foreign Office-it në Londër. Në të njoftohej se Zogu qe mjaft i sigurt se Musolini po bëhej gati të jepte urdhrin për pushtimin e Shqipërisë dhe se para kësaj do të provokohej një trazirë e çfarëdoshme, mbi bazën e të cilës do të justifikohej mbërritja e ushtrisë dhe gjoja rivendosja e rendit publik. Ky turbullim publik parashikonte edhe “një komplot për të rrëzuar qeverinë dhe për të vrarë mbretin”.
Këtë plan e pohon në ditarin e tij edhe vetë Çiano kur shkruan se “Veprimi është i qartë, të vritet mbreti, shqiptarët do të bënin thirrje për ndërhyrjen e Italisë, kurora do t’i kalonte Viktor Emanuelit III dhe në një fazë të dytë – aneksim i thjeshtë”.
Xhovani Xhiro u arrestua dhe menjëherë, në 22 shkurt, me një avion special, u dëbua nga Tirana për në Itali. Një ditë më parë qenë arrestuar për veprimtari diversioniste edhe katër fashistë e italofilë, por për të cilët më pas Françesko Jakomoni, me porosi të Musolinit, do t’i kërkonte qeverisë së Tiranës të liroheshin.
Ndërsa filofashistët e burgosur dolën nga qelitë, në 5 mars nga Tirana Jakomoni i nisi Romës njoftimin se në Shqipëri rendi i mëparshëm i gjërave qe rivendosur dhe “se mbreti, pasi kishte provuar frikën më të madhe të jetës së tij, shkon në ekstrem duke demonstruar miqësinë e tij për ne. Ai më dërgoi përshëndetjen e tij “vëllazërore”. Fakti është se asnjë nga aktorët nuk ka folur dhe se loja vetëm po shtyhet”.

Zogistët dhe fashistët u japin krahë komunistëve

Tashmë, në fillim të muajit mars 1939, mund të thuhet se më në fund qe bërë e kuptueshme loja politike, të cilën, që prej gjysmës së dytë të dhjetorit 1938 deri në fund të shkurtit 1939, e pati kryer Ahmet Zogu: kishte bërë reprezalje kundër komunistëve që nuk kishin forcë dhe qëllim shumë të afërt rrëzimin e tij, për të justifikuar goditjen që detyrohej t’u jepte fashistëve, të cilët e rrezikonin seriozisht.
Kjo manovër megjithatë nuk do të ndryshonte asgjë në fatin e tij. Qe me rezultat fiasko dhe efekt bumerang. Sapo zbarkoi ushtria italiane u tërhoq drejt jugut të vendit dhe më në fund kapërceu kufirin dhe iku.
Gjer në çastin kur komunistët e arrestuar rrinin në tre sallat e izoluara të Burgut të Vjetër punët i shkonin disi mirë pushtetdashjes mbretërore, por kur të akuzuarit dolën në sallën e madhe të godinës së bashkisë së kryeqytetit dhe sidomos kur Qemal Stafa shqiptoi të padëgjuarën deri atëherë “Jam komunist i bindun dhe deklaroj se vetëm komunizmi do ta shpëtojë masën e punëtorisë së sot ndodhet e shtypun; jam i sigurt se çfarëdo që të ndodhë, ne komunistët do ta shpëtojmë Shqipninë...”, idetë e tyre u bënë shumë popullore. Në vetëm pak ditë të shkurtit 1939 komunizmi bolshevik kishte fituar terren politik sa për dekada të tëra pune ilegale.
Kështu Ahmet Zogu, duke bërë të kundërtën e saj që në të vërtetë dëshironte, për paradoks, u bë personi më i parë që e ndihmoi mjaft përhapjen e kësaj ideologjie të formatuar në Moskë. Për pjesën tjetër të bumerangut politik në fatin e Shqipërisë, realkomunizmin e pasluftës, do të ndikonin dukshëm, për një paradoks tjetër, fashistët italianë.
Pushtimi i 7 prillit u dha komunistëve të tipit stalinist energji për rol të parë.

Ylli Polovina

Tiranë, më 14 mars 2020




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com