Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pse nuk na ndihmon dot as Skenderbeu?

Korrieri, 12 janar 2007

Në fillim të kësaj jave dy nga televizionet më të ndjekur nga shikuesit shqiptarë brenda vendit dhe në diasporën e tij të madhe jashtë kufijve në emisionet e tyre të debateve javore trajtuan dy tema mjaft të veçanta. Top Channel interpretoi figurën e Gjergj Kastriot Skenderbeut dhe Televizioni Klan atë të Ismail Kadaresë. Nisur nga rregullat më të thjeshta të konkurencës mediatike e ca më tepër garës së njohur mes dy televizioneve të mësipërme pak e vështirë të besohet se këto dy tema ose më saktë kjo ngjarje mediatike ishte frut i një bashkëpunimi mes drejtuesve të emisioneve përkatëse Rudina Xhunga dhe Andi Bushati. Ca më pak mund të hamendësohet kjo harmoni si marrëveshje e koordinuar brenda gjithë medias elektronike. Me siguri ishte thjesht një rastësi e lumtur. Ose mbase një rastësi që shumë shpejt nuk do të jetë më e tillë. Duke larguar që në fillim të javës së dytë të vitit 2007 debatet e lodhshme dhe rutinë me politikanë të dy gazetarët e njohur veç e veç njeri-tjetrit dëshmuan se Shqipëria ka urgjente njohjen e vlerave të saj të mëdha, qofshin këta personalitete të zëshme apo ngjarje të spikatura historike. Me vetëdijën e tyre të ngritur profesionale, por edhe me intuitën, e cila është fat të të shoqërojë gjer në fund të karrierës, Bushati dhe Xhunga lanë gjurmën e parë të fortë të ndërgjegjësimit shoqëror të shqiptarëve se politika është një temë qendrore në shkembimin e mendimeve, por jo patjetër e përherë me në ekran silhuetat e portretet e pesë apo dhjetë politikanëve. Një popull që nuk merret me politikë, pra që nuk realizon kushtin themelor të të drejtës së tij demokratike për pjesëmarrje në ushtrimin e kontrollin e qeverisjes, është i destinuar të bjerë nën një regjim dhe për pasojë të mos gëzojë kurrë një ditë të bardhë. Po qendroi vetë duarlidhur ai patjetër do të sundohet. Pa asnjë mëdyshje pushtetushtruesit do ta lidhin duar e kembë. Një popull që i heq apo i ngushton vetvetes të drejtën për të paraqitur vlerat e tij të gjithanshme, duke ia lënë këtë mundësi vetëm klasës së tij politike, do të mbesë i cunguar mendërisht dhe shpirtërisht. Ai do të përfundojë përherë i varfëruar. Politikanët tanë janë gjithsesi një pasuri kombëtare dhe një vlerë, jo thjesht sepse janë intelektualë, por sepse i nevojiten si vetë ajri një shoqërie të hapur. Veç sa kohë mund të zgjasë kjo hegjemoni e tyre dërmuese në mjetet e komunikimit masiv? Kush synon të bëhet fuqi totalitare në media e përmban këtë kanosje edhe në shoqëri. Me më pak fjalë: edhe pse i pakoordinuar e pjesë e ndonjë vendimi plotësisht të vetëdijshëm të klasës sonë publiçistike ajo që në fillim të javës kryen Rudina Xhunga dhe Andi Bushati përbën një ngjarje të madhe. Të presim nëse ajo paralajmëron jo vetëm vetëdijën e dy gazetarëve të ditur, por edhe dëshirën e vendimin sëbrendshmi të elitës sonë mediatike. Pra të presim mos ajo shenoi kthesën e pritur prej shumë kohësh.
Përveç cilësisë së lartë të dy emisioneve për Gjergj Kastriotin dhe Ismail Kadarenë (ku në të parin rrezatoi kulturë të thellë historike dhe harmoni kuvendimi ajo mes skenderologut më të madh shqiptar Kristo Frashëri dhe historianit të thellë të mesjetës (dhe për fat edhe politikanit) Pëllumb Xhufi, kurse në tjetrin larmia fine e mendimeve të mospërputhura për shkrimtarin e madh dhe një analizë largvështruese e kritikut letrar Virgjil Muçi), ngjarja e re mediatike e çeli një lule. Në fund të emisionit për Skenderbeun sa mit dhe sa realitet Rudina Xhunga përcolli në ekran tre të rinj elegantë, të cilit u paraqitën si anëtarë të një Forumi të Lirë. Me sa na kujtohet ata ishin anëtarë apo mbështetës të tre partive LSI, PS dhe PD. Ndryshe nga Forumet Rinore të gjithsecilës parti këta Të Lirë deklaruan se më 17 janar, ditën e përvjetorit të 539-të të vdekjes së heroit tonë kombëtar, do të manifestonin në qendër të Tiranës e do t’i bënin thirrje klasës aktive politike për të qënë më e bashkuar për çështjet më të mëdha kombëtare. Me një fjalë të rinjtë që dolën në ekran, edhe pse individualisht kishin bindje të ndryshme e madje të kundërta partiake, e shihnin Gjergj Kastriotin dhe ditëvdekjen e tij si një rast oportun për t’i dhënë fund paaftësisë tashmë kronike të mjaft politikanëve të karrierës që për të mbrojtur interesat dhe programet e bashkësive të tyre partiake nuk zbatonin një frymë dhe dëshirë më kembëngulëse për ta gjetur sa më shpejt kompromisin. E kuptuar jo thjesht si gjest fisnik tre të rinjtë e Forumit të Lirë në tërheqjen e tyre të vëmendjes ishin në kohën e duhur. Asnjë mosmarrëveshje e klasës sonë të re politike, e asaj që lindi bashkë me rënien e diktaturës, nuk ka zgjatur kaq shumë sa kjo e tanishmja. Kishte rrethana dhe arsye të tjera superkriza e vitit 1997, por si volum kohe dhe si energji e harrxhuar kjo e lidhur me zgjedhjet lokale ia kalon të parës. Ky shterpëzim i ka dhënë patjetër pasojat frenuese apo ngadalësuese në ritmin e zhvillimit ekonomik të vendit, sepse efektet politike ndërkombëtare tashmë i ka vulosur. Vetëm një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo e nentë viteve më parë, një regjistër tjetër raportesh mes vendeve të fuqishme me ndikim kontinental dhe ballkanik, po ashtu edhe një maturim i dukshëm i klasës sonë politike të paktën në mënyrën e përdorimit të mjeteve të luftës ndërpartiake, solli këtë realitet që kemi: moskompromis i tejzgjatur dhe tejet i padurueshëm nga mbarë opinioni publik, por gjithsesi edhe një gjendje qendrueshmërie relative në vend.
Përtej idealizmit të tre të rinjve nga tre partitë që më shumë se të tjerat kanë rolin e tyre në këtë ngjarje të padëgjuar moskompromisi, thirrja në skenë e Skenderbeut si një autoritet apo të paktën shembëll e frymëzim bashkimi, ka edhe naivitet. Kur përdorim këtë fjalë për t’i dhënë një përcaktim ngjarjes nuk kemi parasysh t’i bëjmë të rinjtë e Forumit të Lirë si shqiptarë naivë. Aspak. Ata nuk ishin të tillë, ishin djem të kultivuar dhe realistë. Thjeshtësia me të cilën paraqitën aksionin e tyre të 17 janarit dëshmonte se në protagonizmin e tyre politik e shoqëror kishte po ashtu vetëpërmbajtje e modesti. Naiviteti i gjestit që bënë nuk qendron tek cilësitë e tyre intelektuale, por tjetërkund. Ai në një farë mënyre ishte një naivitet i detyruar, një naivitet që dëshmon se ku jemi katandisur ne nga sëmundshmëria kronike e mosgjetjes në kohën e duhur të një kompromisi partiak për një çështje të rendësisë kombëtare ekstra. Kur bëhet fjala për të realizuar zgjedhjet më të mira të deritanishme dhe të cilat bashkësia ndërkombëtare i ka përcaktuar si hapi e dëshmia e parë serioze në proçesin e gjatë të përmbushjes së standarteve për t’u anëtarësuar në NATO dhe më pas në Bashkimin Evropian, dreqi e mori, edhe dy-tre javë mund t’ja shtosh kohës për të rënë dakort. Por jo kaq shumë sa realisht ndodhi. Kemi qënë deri tani të bashkuar për çështjen e çlirimit të Kosovës dhe viti 1999 ishte një kurorë e merituar edhe për klasën tonë politike. Po ashtu një unitet i lavdërueshëm e ka përfshirë këtë elitë kur bëhet fjalë për përcaktimin dhe ekzekutimin e drejtimeve më themelore të politikës së jashtme. Një përputhje mjaft e dukshme mes partive rivale ka rënë në sy për vetë proçesin e eurointegrimit. Kështu në një farë mënyre politikanët tanë provojnë se e njohin vlerën e rënies dakord në kohën e duhur. E megjithatë kësaj rradhe atyre iu desh t’u kujtohej Gjergj Kastrioti dhe gjesti i tij historik i bashkimit të të gjithë prijësve shqiptarë në Kuvendin e Lezhës.
Kjo ndodhi sepse në vitin 2007 ne nuk kemi akoma një pikë individuale referimi për të përftuar prej saj autoritetin e forcën e bashkimit. Kur bie fjala për individë të veçantë demokracitë moderne kanë përcaktuar e ngulitur në kushtetutë rolin e Presidentit. Mirëpo megjithë përmirësimet e bëra këtu nga individë kryetari aktual i shtetit, i mbështetur nga protagonistë të rendësishëm të jetës publike shqiptare, akoma qortohet për njëanshmëri nga koalicioni partiak që zotëron votat e gjysmës së votuesve shqiptarë. Individë të tjerë bashkëkombas, qofshin akademikë apo shkrimtarë, nuk e kanë mbërritur dot statusin e referimit si autoritet kombëtar uniteti. Atëhere në kërkim të frymëzuesit të bashkimit shtrengohemi të kthehemi disa shekuj më pas. Kjo është e trishtueshme. I kërkojmë Gjergj Kastriotit të na bashkojë?!
Në rast se deri tani ndër të gjallët ky individ-simbol na mungon kjo nuk do të thotë se nuk e kemi atë në një formë tjetër. Madje frymëzuesin e bashkimit e kemi ende me bojë të patharë firme: Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit për në BE. Si të thuash vetë Bashkimi Evropian është një kulturë e objektiv bashkimi. Kjo Marrëveshje është Kuvendi ynë i Lezhës. Kjo mbase do të na shtynte të mos i drejtoheshim simbolikisht aq shumë 17 janarit 1468 e ca më pak një përvjetori jojubilar të heroit tonë kombëtar, por përshembëll t’i referohemi 28 nentorit 2008. Këtë çast shteti ynë mbush 95 vjetorin e pavarësisë. Por në rast se edhe këtë ditëfestë nuk e quajmë të vlefshëm si objektiv realizimi i një klase politike të bashkuar për eurointegrim, atëhere çfarë do të na duhet të bëjmë më 28 nentor 2012, kur do të mbushim njëqind vitet si shtet? Atëhere, kur do të kemi një qeverisje shqiptare njëshekullore, nuk do të gjendet kush të na falë marrëzitë e tanishme të moskompromisit në kohën e duhur.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com