Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

GJENERAL I USHTRISË SË VDEKUR, TI PO NA KUSHTON SHUMË!


Pjesa e pesëmbëdhjetë e ciklit

(Botuar në gazetën “Illyria” në 12 mars 2020)

Në 25 korrik 1979 kryetari i Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme Javer Malo pati takuar në Tiranë ambasadorin francez dhe kish ndërhyrë që ky i fundit, brenda mundësive, të gjente rrugë për të ndikuar në pezullimin e akuzës së kontrakruesve të parë për prodhimin e filmit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, Labrand dhe Kuperberg.
Diplomati i lartë i Parisit nuk premtoi, por pohoi se do të bënte gjithçka të mundur.
Jo vetëm prej kësaj shenje që jepte, por edhe nga prova të tjera, shteti francez në parim ishte qartësisht i vendosur që filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të prodhohej prej vendit të tyre. Arsyet përse ky film në themel duhej të qe francez do t’i shpjegojmë që në rastin më të parë të mundur.
Po këtë ditë të 25 korrikut 1979 nënministri i Punëve të Jashtme Reis Malile, i dërgoi ambasadorit Misto Treska në Paris një radiogram, në të cilin i thoshte: “Çështjen e padisë gjyqësore të ngritur kundër sh. Ismail Kadare ndiqeni me kujdes”.
Pastaj, si për të dëshmuar që edhe për shtetin shqiptar prodhimi i këtij filmi në Perëndim kishte përparësi speciale, absolute, saktësonte: “Me radiogram të mbyllur (sekret, shënimi ynë) na njoftoni ç’mendime keni juve për padinë, përse bëhet e pasojat, a caktuat avokat, a u paraqit në gjykatën që ju tha sh. Javer, ç’bëri në gjykatë, ç’duhet bërë për të ardhmen sipas mendimit të tij, etj”.
Fjalët e fundit: “Presim urgjent.”
Nga ky këmbim i tensionuar mesazhesh të ndërsjellta kuptohej se diçka e veçantë pati ndodhur, një alarm ishte dhënë prej ndonjë zyre të rëndësishme të Tiranës.
Kjo kishte ngjarë në 24 korrik. Këtë ditë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, i kishte mbërritur një informacion i firmosur prej Ismet Elezit, njërit prej juristëve më të njohur të vendit. Pasi kishte nisur të arsimohej për drejtësi në Universitetin e Fireneces dhe pastaj për shkak të luftës kthyer në atdhe dhe rreshtuar në rradhët e njësive partizane të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, vijimin e studimeve e pati përfunduar në motet 1946-1951 në Leningrad (Shën Petërburg). Në vitet 1957-1960 po në këtë qytet kreu, me rezultate të shkëlqyera, edhe shkollimin pasuniversitar. Karriera e tij profesionale të Shqipëri pati përfshirë detyrën e Prokurorit të Kasacionit pranë Gjykatës së Lartë, të Sekretarit Shkencor të lnstitutit të Shkencave, të Sekretar Shkencor të Universitetit të Tiranës si edhe të Kryetarit të Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave.
Ismet Elezi me gradën Profesor marrë në 1972, ishte njëkohësisht edhe në drejtim të Katedrën Penale në Fakultetin e Drejtësisë.
Ky autoritet juridik kombëtar në 24 korrik 1979 në informacionin e tij shkruante: “Në lidhje me porosinë e dhënë për të parë e diskutuar rreth kontratave që ka lidhur shoku Ismail Kadare me firmat franceze për xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u organizua konsulta në të cilën morën pjesë, përveç shokëve të Byrosë Juridike, edhe zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë Kleanth Koçi, juristët: Manol Konomi, Kristo Çevi e Piro Totozani, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme Petraq Pojani dhe vetë shoku Ismail Kadare”.
Nga kjo pjesëmarrje e juristëve më të mirë shqiptarë mund të kuptohet fare mirë se sa përparësi kishte për Tiranën zyrtare, Enver Hoxhën dhe njerëzit e tij, prodhimi i filmit dhe mospengimi dhe mosnjollosja e këtij procesi. Këtë prirje e dëshmonte edhe shpejtësia e rrufeshme e ngritjes së këtij grupi pune të sofistikuar, duke patur parasysh se për herë të parë në Tiranë, nga ambasada në Paris, akuza Labrand-Kuperberg kishte mbërritur në 21 korrik.
E vijonte Ismet Elezi informacionin e vet të ngutshëm: “Pasi u njohëm me legjislacionin që dispononte shoku Ismail Kadare: kopjen e kontratës me firmën e tretë, aktpadinë dhe dokumente të tjera, rezulton se: kontrata fillimisht është lidhur
Në vitin 1971 me dy përfaqësues të një firme franceze, të ashtuquajtur miq të Shqipërisë”.
Fraza në vazhdim prej autoritetet që e ka lexuar, mundet Javer Malo, është nënvizuar me laps të kuq: “Në kontratën e parë nuk janë parashikuar afatet e mbarimit të filmit prandaj është zgjatur për disa vite me rradhë”.
Më tej informacioni i profesor Ismet Isufit vë në dukje se “Më vonë, në vitin 1978, me ndërhyrjen e dy të lartpërmendurve shoku Ismail thotë se është lidhur kontratë e re me firmën SFP. Teksti i kontratës me këtë firmë ndodhet në Ambasadën tonë në Paris dhe nuk e dimë përmbajtjen e saj.
Meqenëse nëndrejtori i SFP iu përgjigj shokut Ismail Kadare se kontrata quhet e paqenë dhe nuk mund të realizohet, shoku Ismail ka lidhur kontratë me një firmë të re, por pa e zgjidhur kontratën me të parët në mënyrë të rregullt ose me marrëveshje të përbashkët ose me rrugë gjyqësore.
Pikërisht duke u kapur pas kësaj pike, firma e parë ka bërë padi kundër shokut Ismail Kadare dhe kërkon 500.000 franga si kusht penal”.
Tre paragrafet e mëposhtëm janë shenjuar në brinjë me laps të kuq: “Në akt-padi thuhet se mosparaqitja e avokatit në gjyqin e lartë në datën 27.7.1979 shkakton zhvillimin e gjyqit në mungesë sipas provave të paditësit dhe rrezikun të vendoset pagimi i shumës së sipërme.
Prandaj, mendimi i juristëve është që, në mënyrë urgjente Ambasada jonë të caktojë një avokat, si përfaqësues i Ismail Kadaresë me të drejtë tani për tani që të kërkojë vetëm shtytjen e gjyqit.
Veç asaj, Ambasada duhet të na dërgojë menjëherë kopjen e kontratës me SFP-në. Pasi të kemi dokumentacionin e plotë do të mund të jepet një mendim i prerë për përmbajtjen e padisë dhe mënyrën e mbrojtjes në të ardhmen”.
Vazhdon me tej informacioni i Ismet Elezit: “Ambasada jonë nuk duhej të kishte marrë në dorëzim akt-padinë, por t’i thoshte firmës që t’ja adresonte direkt Ismail Kadaresë”.
Ja edhe fraza e fundit: “Fondet për të paguar avokatin mendojmë të përballohen nga ato që janë depozituar në Francë për llogari të Ismail Kadaresë”.
Dy ditë më vonë nga informacioni i profesorit të jurisprudencës Ismet Elezi dhe të grupit të lartë të punës pranë tij, në këtë gjendje të tensionuar, saktësisht në 26 korrik, ambasadori Misto Treska i dërgoi një letër të gjatë, të protokolluar me numrin 286, kryetarit të Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme, Javer Malo.
Fjalët e para të saj ishin: “Sipas porosisë tuaj telefonike, lidhur me padinë e ngritur kundër shokut Ismail Kadare, morëm kontakt dje, në orën 17.00, me zonjën Beatrix Blavier, në shtëpinë botuese “Albin Michel” dhe i shtruam çështjen shkurt e qartë”.
Duket qartë që analiza, të cilën e pati bërë Elezi me kolegët e vet në 24 korrik, e kishte vënë në regjim urgjence Komitetin Shqiptar dhe në datën 25 Javer Malo, me vënie në dijeni të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pati telefonuar Misto Treskën në Paris. Në rrethana të tilla të ndërlikuara patjetër gjendja e ngatërruar rreth fatit të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ishte përcjellë deri lart piramidës së pushtetit në Tiranë.
Thuhej më tej në radiogramin 286: “Siç ju njoftuam edhe me telefon sot në mëngjes, zonja Blavier u indinjua shumë për gjestin e palës paditëse dhe tha se edhe ajo ka një çështje gjyqësore po me këtë grup. I cilësoi me termat më poshtëronjëse dhe theksoi se grupi në fjalë e bëri këtë hap jo për të fituar gjyqin, por për të penguar realizimin e filmit nga ana e Piccolit me shokë duke bërë çmos që kontratoja që lidhi Kadareja me Piccolin të mbetet një “contrat litigeux”.
Më pas: “E mori përsipër gjithë qejf këtë çështje dhe aty për aty kërkoi me telefon avokatin e shtëpisë botuese “Albin Michel”, i cili, sipas saj, është një avokat shumë i dëgjuar dhe i specializuar në çështje letrare dhe kinematografike. Meqënë se ai nuk ishte aty, u ngarkua bashkëpunëtorja e tij Martine Coines (edhe kjo avokate në studion e tij) që të vejë sot në gjyq dhe të deklarojë se është ngarkuar nga Kadareja të mbrojë çështjen e tij. “Megjithatë, tha ajo, gjykatat qysh nga 15 korriku gjer në fund të gushtit kanë pushimet verore dhe nuk punojnë”.
Shiheni! Afati fundor i akuzës së Labrand-Kuperberg ishte në 27 korrik, pra në një periudhë jo pune për gjykatat franceze. Paditësit kishin organizuar vetëdijshëm një blof. Akt-padia u duhej thjesht për presion pengimi të xhirimit të filmit dhe aspak për të vënë në vend një padrejtësi apo mosmarrëveshje kontraktuale.
Labrand-Kuperberg asgjë nuk i lidhte me ndonjë dëshirë për ta prodhuar në celuloid “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, por për ta mbajtur pezull atë, si peng. Kundër Shqipërisë apo ndaj ndonjë lobi politik në vendin e tyre?
Vazhdon, duke detajuar bisedën me Beatrix Blavier, letra e Misto Treskës për Javer Malon: “Na kërkoi me saktësi identitetin e Kadaresë, të cilën ia dhamë në bazë të të dhënave tuaja telefonike, sot. Ramë dakord që unë dhe zonja Blavier të vemi te avokatja për t’i paraqitur dosjen e plotë që ta studjojë dhe të përgatitet. Takimi u la për në 31 të vijuesit.
Zonja Blavier kërkoi një kopja të kontratës së re me Pikolin, të cilën sipas saj, ia kishte premtuar shoku Ismail dhe nuk ia paskish dërguar. Mirë është që të na dërgohet edhe neve një fotokopje e kontratës me qëllim që të plotësojmë dosierin e veçantë që kemi hapur për këtë çështje, për shkak se kur u largua shoku Ismail as neve nuk na la një kopje të pastër, por një kopje ku ishin bërë shënime dhe korrigjime të ndryshme.
Zonja Blavier na këshilloi që të mos e telefonojmë Pikolin lidhur me këtë padie, për shkak se ai mund të alarmohet, po ashtu mund të alarmohen personat që e financojnë filmin dhe ka rrezik që të heqin dorë nga kjo ndërmarrje. Është mirë, sugjeroi ajo, që Ismaili t’ja thotë vetë Pikolit këtë çështje dhe ky i fundit të vijë në Shqipëri në muajin gusht. Lidhur me mënyrën si mund t’ia shtrojë këtë çështje shoku Ismail Pikolit, zonja Blavier premtoi se do t’i shkruante vetë një letër Kadaresë në Shqipëri”.
Më tej: “Zonja Blavier na tha se këtë gjë e kishte parashikuar dhe ia kishte thënë edhe shokut Ismail kur ishte në Paris. Ajo sugjeroi gjithashtu edhe faktin që grupi paditës e ka bërë këtë përçapje ndofta për të fituar ndonjë shumë të hollash dhe për të hequr dorë pastaj në heshtje. Këtë gjë Blavieri ia kishte sugjeruar dikur edhe Pikolit. Ndofta, tha ajo, do të ishte me vend që shoku Ismail t’ia sugjerojë Pikolit me marifet çështjen e pagimit të ndonjë “dëmshpërblimi” nga ana e tij grupit paditës në mënyrë që ata të heqin dorë nga padia, sepse padia mund të vazhdojë me muaj e vite dhe ndofta kontrata e re Kadare-Pikoli të pezullohet. Sidoqoftë këto çështje do t’i sqarojmë më mirë me avokaten ditën e takimit, në 31 të vijuesit”.
Fraza përmbyllëse e letrës së Misto Treskës për Javer Malon përmbante këto fjalë: “Lutemi me mjetin më të parë na dërgoni dy fotokopje të kontratës Kadare-Pikoli. Ne nga ana jonë do ta ndjekim çështjen me kujdes dhe do t’ju njoftojmë për çdo gjë”.
Gushti qe muaji i ardhjes në Shqipëri të Mishel Pikoli dhe të Marçelo Mastrojanit, leja për vizat nga Tirana ishin dhenë tashmë, por situata me aktpadinë qe e paqetë.
Në 2 gusht 1979, në orën 12.30, nënministri i Jashtëm Reis Malile i niste ambasadës në Paris radiogramin 3616, në të cilin thuhej që në fillim “Me rastin më të parë na dërgoni origjinalin e kontratës ose fotokopjen e saj, si edhe fotokopje të çdo dokumenti tjetër që ka lënë Ismail Kadare atje e që kanë të bëjnë me filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Në dy rradhët e fundit të radiogramit Malile porosiste që gjithçka të bëhej gati sa më parë, sepse në 7 gusht, në ardhje prej Nju Jorkut, do të kalonte tranzit në Paris diplomati Abdi Baleta dhe ishte ai që do ta sillte në Tiranë.
Po këtë ditë të 2 gushtit Misto Treska i dërgonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë radiogramin me numër 1197, ku ndodheshin të vendosura këto fjalë: “Dje pas dreke, titullari, Ramizi dhe zonja Blavier takuan avokatin dhe i dorëzuan dosjen komplet pa kontratën e re të përfunduar me Pikolin, të cilën e presim sa më parë. Në shqyrtimin e parë dhe në bazë të shpjegimeve me gojë të zonjës Blavier avokati na tha se paditësit e kanë çështjen të humbur, por këtë do ta konfirmojë pasi të ketë studjuar thellë dokumentet. Ajo premtoi se do të përpiqet ta përfundojë gjyqin brenda dhjetorit të ardhshëm në mënyrë që të mos pengohet realizimi i filmit, përsa i përket kohës. Ramë dakord që kur të kthehet avokati Kezhnjan ta informojë edhe Pikolin në mënyrë që ky të mos shqetësohet. Zonja Blavier do t’i shkruajë letër Kadaresë këto ditë. Do mbajmë kontakte të shpeshta me Blavierën dhe do t’ju mbajmë në korent”.
Fraza e fundit është: “Lutemi se kush do të paguajë shpenzimet për këtë çështje dhe të na dërgohet fondi përkatës”.
Në krye të këtij radiogrami me penë stilografi është shkruar se ai u është bërë i ditur Reis Maliles dhe Javer Malos.
Në 4 gusht ka një radiogram të ambasadorit Treska drejtuar ministrit të Jashtëm Nesti Nase, ku i raporton një për një për zbatimin e të gjitha urdhërave e porosive të dhëna nga Tirana.
Po këtë ditë, 4 gusht 1979, një shkresë e Ambasadës Shqiptare në Paris (Misto Treskës), drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, thotë që në fillim: “Në bazë të porosisë tuaj, po ju dërgojmë bashkëngjitur komplet dosjen e korespodencës që disponojmë për filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e zhvilluar midis Ismail Kadaresë dhe Kuperberg-ut”.
Më pas cilësohen një për një me tituj këto gjashtë dokumente.
Në 9 gusht Rais Malile këtë paketë, me një shkresë shoqëruese, ia dërgon Jorgo Melicës, kryetarirt të ri të komanduar të Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme.
Në 4 shtator Jorgo Melica i dërgon Reis Maliles një shkresë ku që në fillim nënvizon se “Me porosi të shokut Manush, po ju dërgoj 19 copë dokumente që flasin për marrëdhëniet e Ismail Kadaresë me shoqëritë kinematografike të Francës.
Këto dokumente duhet t’i dërgohen ambasadës tonë në Paris me qëllim që të njihen nga avokati që ka marrë përsipër mbrojtjen, po qe se është e nevojshme”.
Në 7 shtator nënministri i Jashtëm Ksenofon Nushi i shkruan Kryeministrisë: “Bashkëngjitur po ju dërgojmë të përkthyer letrën e avokatit Georges Kisjman, drejtuar ambasadorit tonë në Paris, në të cilën bëhet fjalë për ndjekjen e procesit gjyqësor të hapur kundër Ismail Kadaresë për filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Pastaj më poshtë: “Lutemi të njoftohemi gjithashtu për kërkesën e avokatit për 10.000 franga për shpenzimet dhe honoraret e zyrës së tij, pasi duhet të njoftojmë ambasadën tonë në Paris se kush do t’i paguajë këto shpenzime”.
Ndërkaq në 4 shtator patën ardhur në Shqipëri Mishel Pikoli dhe Luçiano Tovoli.
Kur zhvillohej kjo korespodencë e dendur mes zyrave të larta të qeverisë shqiptare dhe ambasadës në Paris, ata dy ende gjendeshin në vendin tonë.
Çfarë panë dhe thanë do të jetë subjekti i shkrimit të ardhshëm.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 11 mars 2020


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com