Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

NATËN E VRASJES SË MEHMET SHEHUT KADRI HAZBIU HYRI DY HERË NË BLLOK PSE NJËRI RAST U MBAJT I FSHEHUR


(Botuar në “Dita” në 9 mars 2020)

Dy ditë pas pushkatimit në mesnatë të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit dhe Llambi Peçinit, në 12 shtator 1983, u mbajt një mbledhje e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Do ta drejtonte Ramiz Alia. Kohën më të madhe të diskutimeve e përpiu ajo që pati ndodhur: gjyqi dhe dënimi i “bandës së komplotistëve, puçistëve dhe terroristëve të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu”.
Në një çast të shkëmbimit të mendimeve mbi këtë temë byroisti dhe njëkohësisht sekretari i parë i degës lokale të partisë për Elbasanin, Pali Miska, u kujtoi pjesëmarrësve se “Edhe takimi i Kadri Hazbiut me Mehmet Shehun natën e 17 dhjetorit 1981, para se ky i fundit të vriste veten, nuk është pa domethënie”.
Pas kësaj ndërhyrjeje mund të fliste edhe kushdo tjetër prej të pranishmëve, por është Ramiz Alia që shpejton t’i japë interpretimin e vet kësaj ngjarje me shumë enigma brenda saj. Njëra prej tyre mbetet: Kadri Hazbiu shkoi tek Mehmet Shehu natën e 17 dhjetorit apo atë të 18 dhjetorit? Apo edhe në shtatëmbëdhjetë e në tetëmbëdhjetë?
Çfarë pas Pali Miskës tha menjëherë Alia përbëhej nga këto rrokëzime të shkurtëra fjalësh, në pamje të parë si jo shumë të qarta: “Ai takim u bë fare komedi”. Por pastaj ai vijoi dhe në ato që shqiptoi çuditërisht nuk kishte asgjë për të qeshur: “Armikja Fiqret Shehu dhe armiku Ali Çeno deponuan hollësisht për rrethanat si u krye ai takim. Fiqret Shehu shpjegoi se, atë natë, para se poliagjenti Mehmet Shehu të vriste veten, erdhi në shtëpi Kadri Hazbiu, i cili i kishte thënë Mehmet Shehut se nga pyetjet dhe diskutimet që u bënë në mbledhjen e Byrosë Politike gjendja për ty është shumë e rëndë dhe se dyshonte se mos udhëheqja e Partisë kishte ndonjë sinjal kompromentues ndaj tij etj”.
Në fakt, saktësojmë ne, biseda e të dyve, takimi Shehu-Hazbiu u bë “kokë më kokë”, nuk pati asnjë dëshmitar. Ish-ministri i Brendshëm e kishte refuzuar sjellshëm këmbënguljen e Fiqretit, duke e bindur se çfarë të dy do të bisedonin, Mehmeti do t’ja thoshte edhe asaj. Rrjedha e provuar, nëpërmjet dëshmive të tjera, e asaj nate të 17-18 dhjetorit 1981, ngul këmbë se nuk ka pasur ndonjë vetërrëfim të kryeministrit tek e shoqja para se ai të ikte nga kjo jetë.
Është vetëm “Tabloja sinoptike” e Enver Hoxhës që ofroi variantin, sipas të cilit Mehmet Shehu e vuri në dijeni bashkëshorten se do të vetëvritej, se kjo ra dakord dhe që të dy zhdukën më parë të gjitha provat e planit të tyre për të helmuar Hoxhën si edhe direktivat për marrjen, pas këtij krimi, të pushtetit në duart e tyre.
Këtë interpretim bëri edhe Fiqret Shehu gjatë gjyqit, madje akuzat e saj kundër të shoqit (por edhe vetes e familjes) ishin më të rënda se të vetë Enver Hoxhës. Ndërkohë ra në sy se qenë po ato të “Tablosë sinoptike”.
Vëmë në dukje me këtë rast se te kjo “tablo” Hoxha nuk ka asnjë fjalë për prani të Kadri Hazbiut në banesën e Mehmet Shehut natën e 17 apo 18 dhjetorit 1981. Personi që sipas Enver Hoxhës shkoi në këtë vilë një natë më parë se të ndodhte vrasja, pra në 16 dhjetor, ishte ajo e ministrit të Brendshëm Feçor Shehu. Gjithnjë sipas Hoxhës ky i pati përcjellë Shehut urdhërin e Beogradit për ta vrarë atë me armë në mes të mbledhjes së Byrosë Politike.
Në këtë “Tablo sinoptike” madje nuk ka asnjë akuzë ndaj Kadri Hazbiut, sepse kur ajo u hartua ky i fundit qe ende në funksione të larta dhe aspak i goditur. Këtë rrethanë gjithsecili lexues mund ta shohë të dëshmuar në librin “Titistët” të Enver Hoxhës, i cili u botua në 1982.
Sipas Ramiz Alisë dhe asaj çfarë tha në mbledhjen e Sekretariatit të 12 shtatorit 1982, në mbrëmjen apo natën e 17-18 dhjetorit 1981 Hazbiu i pati thënë Shehut, për t’i nxitur aktin e vetëvrasjes, atë formulë trysnie psikologjike që cituam më sipër: “gjendja për ty është shumë e rëndë dhe dyshoj se mos udhëheqja e Partisë ka ndonjë sinjal kompromentues për ty”.
Ndërkaq në gjyq, siç dihet, por edhe Ramiz Alia e thekson dy ditë pas pushkatimit të Kadri Hazbiut, ky e mohoi gjer në fund praninë e tij në shtëpinë e Shehut pas mbledhjes së Byrosë Politike dhe para vrasjes me vetëvrasje. Refuzon ndonjë takim të kryer në 17 dhjetor, po ashtu edhe në çastet e para të datës tetëmbëdhjetë.
Ndërkohë në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë Alia mëshon se Hazbiu pati qenë në vilën e kryeministrit, duke lënë të nënkuptojë se kjo kishte ndodhur vetëm një herë, më shtatëmbëdhjetë. Ai e ironizon ish-kolegun e tij, tashmë prej dyzetë e tetë orësh mbuluar nga dheu, se gjatë gjyqit, për të krijuar alibinë e tij të mungesës tek shtëpia e Mehmet Shehut, kërkoi të pyeteshin si dëshmitarë shoferi i tij i parë si edhe një person, tek i cili atë natë Kadri Hazbiu i pati shkuar në banesë për t’i festuar përvjetorin e ditëlindjes.
Thotë më tej Ramiz Alia në mbledhjen e 12 shtatorit 1983: “Erdhi shoferi i tij si dëshmitar dhe e pyetën “Çfarë ke bërë atë natë, kur Mehmet Shehu vrau veten?” “Atë natë, tha ai, mbasi mbaroi mbledhja e Byrosë Politike e mora Kadri Hazbiun në makinë dhe e çova në zyrë. Sapo e çova në zyrë më dërgoi në shtëpi t’i merrnja një qese duhani. Vajta në shtëpi, i mora qesen e duhanit dhe ia çova në Ministri. Sa ia dhashë qesen me tha: më prit se do zbres poshtë. Dhe unë kështu bëra. Zbrita poshtë dhe po e prisja. Nuk vonoi shumë erdhi Kadri Hazbiu, hypi në makinë dhe më tha të ecnja nga bulevardi. Kur erdha te ura e Lanës ai më tha të kthehesha djathtas, dhe kështu shkova me makinë deri te shtëpia që hyn në bllok. Ku ka shkuar unë nuk di gjë. Aty ndenja nja rreth 20 minuta, me saktësi nuk e mbaj mend, por pas një kohe Kadriu u kthye. Prej andej e kam çuar në shtëpinë e një të quajturi Ismail”.
Këtë prani të Kadri Hazbiu te ditëlindje festuesi me emrin Ismet (dhe jo Ismail), e provuan në gjyq tre vetë. E para ishte sekretarja e Hazbiut me emrin Eli. Kjo dëshmoi se në pushimin e mbledhjes së Byrosë shefi e kishte marrë në telefon në zyrë dhe i pati thënë: “Ju ikni se unë do të vonohem”. Eli qe përgjigjur: “Mirë, por Ismeti ju pret se është përgatitur”. Kadri Hazbiu pati shtuar: “Unë do të vonohem, po nëse mbaroj shpejt, do të vij”. Në gjyq Eli kishte saktësuar se “Kadriu ka ardhur rreth orës 22.00”, “Për të qëndruar, kemi qëndruar mbi tre orë e ca. Se kur kam vajtur në shtëpi e kam parë orën, ishte një pa dhjetë. Atëherë më bëri përshtypje e thashë: Ua sa shumë paskemi qëndruar?!”
I dyti person i pyetur për të njëjtën ngjarje, oficeri i lartë i Ushtrisë Veli Llakaj, pohoi në gjyq se “E kemi pritur Kadri Hazbiun rreth orës 22.00 të mbrëmjes. Në orën 22.00 ka ardhur ai. Ka ardhur shumë i lodhur, i djersitur dhe shumë impulsiv. Sa ka ardhur ka kërkuar falje se kishte qenë në një mbledhje të Byrosë Politike e prandaj ishte vonuar. Kemi qëndruar atje deri rreth orës 24.30 ose deri në 01.00 të ditës së nesërme. Pas kësaj ore, jemi larguar në shtëpitë tona. Unë kam ikur së bashku me makinën e Kadri Hazbiut, së bashku me një shoqe tjetër, me atë Elin, deri tek shtëpia ime. Pastaj ai ka çuar atë shoqen tjetër më lart, se kështu i kishim rrugët. Dhe u ndamë…”
Njeriu i tretë i pyetur qe vetë personi i cili kishte ditëlindjen, Ismeti. Ky dëshmoi të njëjtin orar të ngjarjes, duke shtuar se “Kadriu erdhi i lodhur në darkë. Nuk kishte më karakterin e atij humori e muhabeti që ky e bënte, që kishte aftësi ta bënte. Por mbajti qëndrim disi zyrtar e filloi të pinte e këndonte…”
Nga sa më sipër duket qartë se Kadri Hazbiu prej orës dhjetë të mbrëmjes së 17 dhjetorit deri në 0.30 të së nesërmes, nuk ka qenë në shtëpinë e Mehmet Shehut. Me dëshmitar vetëm shoferin e tij ai ka hyrë në Bllok afërsisht në 21.30 të 17 dhjetorit, por pa provuar dot se këtu shkoi tek vila e kryeministrit dhe jo në ndonjë portë tjetër. Shoferi qe i bindur (ose i instruktuar nga të tjerë) se në brendësi të Bllokut Kadri Hazbiu ndenji rreth njëzetë minuta.
Sipas Ramiz Alisë dhe interpretimit të tij në mbledhjen e Sekretariatit, ky rast ka qenë ai dhe jo ndonjë tjetër, kur Hazbiu hyri në Bllok saktësisht në vilën e Mehmet Shehut dhe i bëri grackën me lojën se Enver Hoxha të nesërmen do të urdhëronte arrestimin e tij.
Jo vetëm këtë çast por edhe më pas Alia, si edhe Enver Hoxha, kanë ngulur këmbë për vetëm një prani të Kadri Hazbiut tek Mehmet Shehu, në më të shumtën e herës pa dhënë hollësi të orës kur kjo ka ndodhur. Ky variant, pavetëdijshëm dhe për rutinë, ka vijuar deri tani, gjatë tërë tri dekadave të pas rënies së diktaturës.
Mirëpo autori i këtyre rradhëve mendon se këtu është ngritur një grackë. Natën e 17-18 dhjetorit 1981 Kadri Hazbiu ka bërë dy hyrje në Bllok, të cilat jo me domosdo që të dyja kanë qenë në një pikë: banesa e Mehmet Shehut.

Klithma në çitofon
Kjo ngjarje e ndërlikuar dhe e mbushur gjer në fyt me mistere ka pasur edhe një dëshmitar, i cili vazhdon të mbahet larg vëmendjes. Ai quhet Asim Beja. Qe oficer, topograf. Pas disa viteve punë në një institut profesional të Ushtrisë, në rrethana që nuk qenë kërkuar prej tij, u caktua roje i specializuar në Bllok (këta rrinin të veshur civilë, me pallto cilësore gub dhe automatik në krahë). Për një rastësi ose që ngjan si e tillë, pikërisht në natën e 17-18 dhjetorit 1981 ai filloi punën e re tek hyrja e banesës së Mehmet Shehut. Përgjegjësi i truprojeve të kryeministrit, Ali Çeno, i komunikoi: “Ti e ke ndërresën në dy të natës, por me që është dita e parë dhe duhet të mësosh disa rregulla të shërbimit, po munde sakrifiko pak dhe eja në orën tetë, kur shërbimin e fillon kolegu. Duke e parë atë, sidomos si e përdor çitofoninë, nuk do të krijohet ndonjë problem në turnin tënd”.
Kolegu roje i turnit të orës njëzetë quhej Baki Okrama. I ardhur në të njëjtën orë me të, pra në orën njëzetë, në më pak se gjashtëdhjetë minuta Asimi mësoi përdorimin e çitofonit, sidomos cilave mjedise të banesës kryeministrore u korespondonin numrat e tasteve të tij. Mehmet Shehu kishte butonin e vet, Fiqretja të sajin. Numri pesë ishin gratë e shërbimit, me të cilat oficerët roje tek dera e vilës kishin më shumë punë dhe të drejtë të komunikonin.
Atë ditë të 17 dhjetorit 1981 Asim Beja mori vesh që Byroja Politike kishte qenë në një mbledhje të saj vetëm kur pa të vinin në këmbë drejt vilës Mehmet Shehu i shoqëruar prej grupit të tij gjashtë vetësh të sigurisë. Aty ndodhej edhe mjeku personal Milto Kostaqi si edhe infermieri Llesh Roku. Në një çast Shehut papritur iu prenë gjunjët dhe gati ra përdhe. E kapën rrufeshëm truprojësit.
Kur Mehmet Shehu hyri në oborr dhe po bëhej gati të ngjiste shkallët për në vilë, nën dritën e plotë të llambës së portës kryesore Asimi dalloi që ai e kishte fytyrën dyll të verdhë.
Edhe pse dhoma e vet dhe e bashkëshortes qenë në katin e dytë të vilës, shoqëruesit e hipën kryeministrin në ashensor. Kur Ali Çeno me doktorin dhe infermierin zbritën poshtë porosia për Baki Okramën dhe Besim Bejan ishte “Bëni kujdes!” Këta të tre nuk u larguan, por ndenjën aty, në një mjedis të përshtatur për ta në garazh. Ndërkaq Bakiu, i cili duhej ta linte shërbimin në orën dy të natës, sipas marrëveshjes së parabërë, sërish nëpërmjet një mirëkuptimi, iku që në orën njëzetë e tre. Ishte dymbëdhjetë e një çerek apo e njëzetë e natës kur Asim Beja ndjeu që u hap dera e vilës dhe tek kanata e çelur u shfaq Mehmet Shehu. Ishte me pizhama. Kryeministri dhe ai qenë larg njëri-tjetrit vetëm tre kërcime shkalle.
“Oficer!”, thirri Mehmet Shehu. “Urdhëro!” “Çfarë po bën?” “Po kryej detyrén”.
Asim Bejas zëri i kryeministrit iu duk i fortë. Ky i fundit pa rreth e rrotull, pastaj i hodhi sytë tek ora e dorës. U përpoq të vështronte po ashtu nga qielli, i cili qe plot re dhe herë pas here shkarkonte shi me erë. Mehmet Shehu ndenji një moment si në mëdyshje dhe me po atë shpejtësi që u shfaq, e mbylli derën dhe u fut brënda.
Patën kaluar afro pesëmbëdhjetë minuta kur u hap porta kryesore dhe hyri brenda “Gaz 69” e grupit të mjeteve të kryeministrit. Nga ajo makinë zbriti Jonuz Lutaj, punonjës i shërbimit pranë Mehmet Shehut. Dyzetë e ca vjeçari hynte ndër më të besuarit e kryeministrit, shpesh ishte vetëm ai që e shoqëronte Fiqreten në shërbimet e saj jashtë Tiranës.
Hyrja e “Gaz 69” dhe dalja nga dera e vetëm shoferit iu duk Asimit një pamje rutinë: mbyllje në garazh e makinës. Por befas u hap dera e prapme e “Gaz 69” dhe prej tij zbriti Kadri Hazbiu. Ky me shumë shpejtësi hapi llamarinën e portës së strehimit nëntokësor që ndodhej pranë garazhit, dhe humbi nëpër të.
Kjo nëntokësore qe një vendstrehim atomik. Ishin disa dhoma të mirëpajisura dhe të shtruara me moket. Nuk mungonte në të as dhoma e dushit dhe as krevati dopio.
Tuneli i bollshëm fillimisht e merrte drejtimin në brendësi të Bllokut, andej ku ndodhej edhe banesa e Enver Hoxhës, por shumë shpejt ai bënte një hark të butë dhe shkonte atje ku në vilën e Mehmet Shehut ndodhej kuzhina.
Pas ikjes së Kadri Hazbiut në nëntokësore vijoi një pritje e gjatë. Ky doli pas një ore. Akrepat e orës së dorës të Asim Bejas shënonin dy pa një çerek. Hazbiu hipi rrufeshëm në “Gaz 69” dhe makina nxitoi nëpër natën me erë dhe herë pas here me shkulme shiu.
Kur “Gaz 69” u kthye Jonuz Lutaj nuk e futi makinën brenda, por e la jashtë. Pastaj nxitoi për në apartamentin e tij në katin e parë të një ndërtesë afër, ku jetonin katër familje, mes tyre edhe djali i Hysni Kapos, Pëllumbi, apo i biri i sekretarit personal të Enver Hoxhës, Haxhi Kroit, Maksi.
Sipas shënimeve të urdhrit të ditës, në orën pesë të mëngjesit Asimi duhej t’i binte atij butoni të çitofonit që komunikonte me punonjësen e kuzhinës, e cila qe edhe një lloj infermiereje. Në këtë orë çdo ditë ajo shkonte në dhomën e madhe të kryeministrit dhe ngrinte grilat.
Mehmeti dhe e shoqja flinin veç e veç, i pari e kishte pamjen që shihte nga bulevardi “Deshmorët e Kombit”, kurse Fiqreti nga brendësia e Bllokut.
Kur ora vajti pesë, i ra tastit përkatës të çitofonit dhe e kujtoi punonjësen të ishte gati për të shkuar në dhomën e gjumit të kryeministrit për të ngritur grilat, por ajo tha se ishte me kohë e bërë gati, qe veshur dhe krehur, veç se Mehmet Shehu ende nuk i kishte rënë ziles.
Biseda e mbyll këtu gjer në pesë e gjysmë. Asim Beja e shtypi butonin sërish. Përsëri zëri i punonjëses iu përgjegj po njëlloj. Një çerek ore më vonë mbërritën tek porta e vilës tufa e shtypit të ditës dhe paketa informative, Buletini Special, nga ATSH.
Në këtë kohë u hap dera e shtëpisë dhe tek pragu i saj u duk një nga djemtë e kryeministrit, Vladimiri. .
Bashkë me bashkëshorten, Bardhën, bijë e gjeneralit Tanush Shyti, Vladimiri ndodhej në shtëpinë prindërore thjesht sepse i kishte marrë malli. E shoqja qe shtatzanë në muajin e nëntë. Në pritje të fëmijës ata banonin përkohshëm në një vilë qeveritare.
“Mirëmëngjes!”, e përshendeti Vladimir Shehu. “Mirëmëngjes!”, “Ju jeni ai oficeri i ri qe keni ardhur?”, “Po”, “Nga je?”
Asim Beja i tha emrin e fshatit dhe tjetri ngazëlleu: “U ndake vetëm nga një mal me vjehrin tim!” Pas kësaj Ladi rihyri në shtëpi dhe vila kryeministrore u rimbështoll nga heshtja. Një gjysmë ore më pas çitofoni filloi të këlthiste pa pushim. “Oficeri i shërbimit!”, thirri pothuaj duke ulëritur një zë gruaje. “Urdhëro, u përgjegj Asimi, oficeri i shërbimit po ju dëgjon!” “Jam Fiqretja. Shpejt doktori të vijë lart!”
Asimi vrapoi tek Ali Çeno dhe tek mjeku. Këta, ndërsa dremisnin veshur, brofën dhe u ngjitën me një frymë në katin e dytë. Infermieri dhe Asimi i ndoqën nga pas.
Koha po i shtynte akrepat e orës përtej gjashtë e një çerek.
Dera e dhomës së Mehmet Shehut ishte e hapur dhe Fiqretja qëndronte tek dera. Shihte vetëm nga i shoqi. Qe e shpërfytyruar. Mbi shtratin e tij, mbështetur shpatullat tek disa jastekë, qëndronte i shtrirë dhe i pajetë kryeministri. Dorën e djathtë e kishte lëshuar anash, ndërsa një pistoletë i pati shkarë pak nga pëllëmba e dorës. Tek sisa e majtë, atje ku është pulsi i zemrës, i dukej një plagë arme. Nga shenja rrethore që kishte lënë mbi mish, dallohej qartë që ishte goditur me puthitje. E kishte mëshuar shumë fort grykën e revolverit “Makarov”, duke bërë të humbiste një e treta e zhurrmës së zakonshme të krismës.
Në një kanape afër shtratit dallohej një zarf i bardhë.
U lajmërua menjëherë zëvendësministri i Brendshëm, pastaj Ali Çeno i bërtiti Asimit: “Shko shpejt tek dera, se ata po vijnë!” Ky vrapoi poshtë në vendrojë.
Të parët erdhën Xhule Çiraku dhe shefi i hetuesisë Elham Gjika. Zarfin e mori nënministri. Pastaj erdhi Ramiz Alia, i cili bisedoi pak me Ali Çenon, që vazhdonte të ishte shumë i tronditur. Më vonë u rishfaq bashkë me Simon Stefanin. Bënin tutje e tëhu nëpër hapësirën e ngushtë para derës së vilës dhe nuk u ngjitën lart. Kadri Hazbiu erdhi dy herë, në orën tetë dhe më pas. Po ashtu edhe Hekuran Isai, atë kohë ministër i Punëve të Brendshme.

Marrëveshje e prishur

Ngjarjet e tjera vijuese janë të shumëditura, mënyra e interpretimit zyrtar po ashtu. Mes të hetuarve të shumtë qe edhe Asim Beja, madje ky u dyshua se, duke mos e raportuar, e pati fshehur dëgjimin e krismës së armës. Shpëtoi nga një rrezik i madh (zhdukje në Malin me Gropa), vetëm kur u provua se për shkak të erës së asaj nate dhe zhurrmës së pikave të shiut, nuk pati ndjerë asgjë.
Vrasja me vetëvrasje e Mehmet Shehut ka ndodhur në herën e dytë të hyrjes në Bllok të Kadri Hazbiut, pra në dy orët e para të ditës së 18 dhjetorit 1981. Asim Beja (bashkë me Bali Okramën) qenë në vendin e rojes në hyrje të vilës që prej orës njëzetë të 17 dhjetorit dhe nuk kanë diktuar ndonjë person, përfshi edhe Kadri Hazbiun, të hyjë në banesën kryeministrore. Ndërkohë fakti që kjo hyrje e dytë u mbajt jashtë variantit zyrtar dëshmon edhe më fort se pikërisht këtu “fshihej lepuri”.
Nëse ka ndodhur kështu, pra hera e parë e hyrjes në Bllok e Kadri Hazbiut nuk është shpikur për të larguar nga vëmendja hyrjen reale të pasmesnatës, atëherë ku shkoi sekretisht ai në njëzetë minutat e orës 21.30? Nexhmije Hoxha ka hedhur poshtë vazhdimisht një akuzë, sipas të cilës ish-ministri i Brendshëm natën e thellë të 17 dhjetorit ka takuar të shoqin e saj. Enver Hoxha ndërkohë, siç dëshmoi më pas rrjedha e ngjarjeve, u gjet i befasuar prej vetëvrasjes së Mehmet Shehut.
Apo Kadri Hazbiu atë natë ka takuar Ramiz Alinë, i cili qe në brendësi të plotë dhe ishte mjaft aktiv në lojën që po bëhej në rezervim për të të postit të pasardhësit të Enver Hoxhës?
Mendojmë se Hazbiu atë natë nuk ka vepruar me kokën e tij (Jago e quan Mehmet Shehu në letrën-testament), por i ngarkuar nga eprorë në krye të PPSH-së. Që të vepronte ai patjetër është garantuar se nuk do t’i ndodhte gjë e ligë në të ardhmen, në mos do të merrte një post shumë të lartë, pse jo edhe atë kryeministror.
Episodet që shoqëruan procesin e hetimit, dënimin dhe deri momentet e fundit para pushkatimit dëshmojnë se Kadri Hazbiu priste të funksiononte marrëveshja paraprake, të paktën t’i falej jeta. Mallkoi kur ndjeu grykën e pistoletës në qafë.

Ylli Polovina

Tiranë, më 8 mars 2020







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com