|
INTRIGË NË PARIS: 500.000 FRANGA GJOBË ISMAIL KADARESË
Pjesa e katërmbëdhjetë e ciklit
(Botuar në “Illyria” në 4 mars 2020)
Filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ishte shumë i dëshiruar për udhëheqjen staliniste të Tiranës, sepse do të dëshmonte me mjete artistike mbi suksesin ngadhënjyes të rolit të Partisë Komuniste Shqiptare gjatë rezistencës antifashiste dhe përpjekjes çlirimtare në Luftën e Dytë Botërore. Duke qenë se kjo betejë me armë qe kryer më së pari ndaj italianëve dhe vetëm pas tyre kundër gjermanëve, doemos që mund të parashikohej ose hamendësohej një diversion i qarqeve të caktuara të këtyre dy vendeve për ta penguar bërjen e këtij filmi.
Duke qenë se romani homonim i Ismail Kadaresë rrëfente konkretisht dhe ekskluzivisht për pushtimin fashist italian të luftuar dhe të mundur prej shqiptarëve, doemos që mjedise politike, të paktën pasmusoliniane, të cilat në vendin e tyre qenë dhe forca politike parlamentare, do të bënin çmos ta rrënonin atë projekt xhirimi e shfaqjeje nëpër kinematë e vendeve të Perëndimit.
Në këtë dhe vetëm këtë kuptim në relacionin e tij të qershorit 1978 Kadare shkruante “Të bëhet një kontratë e tillë që të përjashtojë çdo mundësi tjetër zvarritje apo sabotimi. Të kërkohet në kontratën e re përjashtimi i italianëve prej filmit”.
Ja pse në fund të lëndës së tij informative të qershorit 1978 për institucionet e larta të shtetit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Komitetin për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme, shkrimtari tashmë me përhapje dhe pëlqim të dukshëm ndërkombëtar, kishte rreshtuar vendosmërisht fjalët e mëposhtëme: “E mira më e madhe do të ishte futja e S.F.P.-së në këtë punë. Me Labrand e Kyperberg ose me Michel Pikolinë për ne është njëlloj. Mjafton që filmi të bëhet dhe të bëhet sipas kërkesave tona. Mendoj se taktika e pritjes nuk sjell përfitim. E kemi provuar pa sukses shumë vite me radhë”.
Ismail Kadare duket i bindur se qeverisë shqiptare i duhet të mos bjerë në pasivitet apo në ndonjë lojë të detyruar diplomatike për të mos u acaruar me italianët dhe për rrjedhojë të bëjë kujdes në shprehjen e bashkëpunimit të ngushtë me francezët.
Gjithsesi ngjarjet rrodhën në logjikën e tyre të ndërvarur me njëra-tjetrën, për këtë shkak me ngadalësi, dhe që prej këtij çasti të qershorit 1978 gjithçka u zvarit për pothuaj një vit. Kontrata për fillimin e xhirimit të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u krye në Paris në 14 prill 1979.
Bashkëfirmuesit qenë francezi Mishel Pikoli dhe Ismail Kadare. I pari përfaqësonte shoqërinë kinematografike “Les Films 66”, me seli në Paris dhe i dyti, edhe pse kishte përkatësi në Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë, qe autoritet i plotë, i cili me statusin e të qenit autor dhe pronar ekskluziv i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” kishte gjithë të drejtën e autorizimit për ta përshtatur, riprodhuar dhe shfrytëzuar atë subjekt për qëllime kinematografike.
Në kontratën e 14 prillit 1979 nuk përmendej stafi artistik i filmit të ardhshëm, por tashmë në Tiranë dihej se bashkë me francezin Pikoli do të qe edhe aktori i famshëm italian Marçelo Mastrojani. Madje jo vetëm kaq: regjisori do të ishte sërish një italian: Luçiano Tovoli.
Ky do të ishte edhe skenaristi i filmit.
Pra qenë italianët ata që do t’i jepnin tonin filmit.
Në fundprill 1979 kështu po shkonin punët dhe hamendësohej një diversion i tyre, më e pakta një devijim i subjektit në një mënyrë të tillë që të mos dukej thelbi i vetë romanit të Ismail Kadaresë: mundja e rëndë ushtarake që u ish bërë prej tyre.
Në kujtesën e paqetë të Italisë pati rënduar shumë mposhtja dhe dëbimi i tyre gjatë “Luftës së Vlorës”, në 1920, të cilën shqiptarët e shprehnin përbuzshëm me tofjalëshin “i hodhëm në det”.
Kjo gjendje, prani e dukshme e italianëve në grupin e prodhimit të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në parim jo e favorshme, shkaktonte humor aspak të mirë në psikologjinë e qeveritarëve të Tiranës dhe të mjediseve administrative që po merreshin me këtë çështje. Gjithsesi falë këmbënguljes së ambasadës në Paris e veçanërisht të Ismail Kadaresë, deri atëherë një fitore qe arritur: të gjitha skenat me mjedise jashtë do të xhiroheshin në Shqipëri.
Kjo do ta theksonte karakterin shqiptar të subjektit të romanit, të luftës së tyre të rezistencës, sidomos të dëshmirë së qartë se ku konkretisht fashistët italianë patën humbur dhe për pasojë të asaj disfate tashmë shteti i vet po u mblidhte, pllajë më pllajë, eshtrat në tretje.
Që dy figurat kryesore të bërjes së filmit patën rënë dakord për këtë rrethanë, xhirimet në Shqipëri, Tiranën e njoftonte me radiogram vetë ambasadori Misto Treska. I nisur nga Parisi në 25 prill 1979 ai mesazh i koduar, pra sekret, bënte të ditur se për të kryer në të ardhmen këto filmime në terren do të vinin në Shqipëri paraprakisht Mishel Pikoli në muajin gusht dhe Luçiano Tovoli në fillim të qershorit.
Por në 18 maj përmbajtja e një radiogrami tjetër dërguar sërish prej Misto Treskës thoshte se “Mishel Pikoli njofton me letër se ai dhe Luçiano Tovoli dëshirojnë të vijnë në Shqipëri për filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në muajin gusht. Lutemi autorizimin për vizë me miqtë, presim konfirmim”.
Edhe pse në krye të modularit të këtij radiogrami tashmë të çkoduar do të viheshin me shkrim dore (bojë pene) emrat e marrësve të rëndësishëm të shtetit, Ramiz Alia dhe Manush Myftiu, përgjigja nga Tirana u vonua. Ajo u nis në 8 qershor 1979. Ishte e kryetarit të Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, Javer Malo.
Ky i komunikonte ambasadorit Treska: “Dakord që Pikoli dhe Tovoli të vijnë në Tiranë. I presim pjesën e dytë të gushtit, sepse gjer atëherë Kadareja do të mungojë nga Tirana”.
Në 21 korrik 1979, e shtunë, kur kishte disi me tepër se një muaj që Pikolisë dhe Tovolit i ishte dhënë e drejta e marrjes së vizës hyrëse në territorin e Shqipërisë, nga ambasada në Paris në Komitet mbërriti një radiogram që shkaktoi befasi dhe turbullim. Në të thuhej se Shoqëria e Whodunit pati ngritur një padi kundër shkrimtarit Ismail Kadare.
Çështja themelore e akuzës së saj ishte filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Befasia qe edhe më e madhe kur prej radiogramit u mësua se padia anti Kadare qe dorëzuar në ambasadë që në 12 korrik.
Ndërkohë ambasada sqaronte se “Sipas procedurës franceze, pala e thirrur në gjyq duhet të paraqitë emrin e një avokati mbrojtës brenda 15 ditësh. Në qoftë se kjo s’bëhet, gjyqi që do të zhvillohet më vonë, do të dëgjojë vetëm palën kundërshtare”.
Pikërisht në 21 korrik, ditëmbërritjen e radiogramit të papritur, Javer Malo vuri në dijeni Kadarenë, i cili nuk dinte gjë për këtë kthesë problematike të ngjarjeve. Atij iu kërkua një relacion dhe ai e përpiloi. Pastaj e dorëzoi në Komitetin Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme.
Në 23 korrik kryetari i këtij Komiteti, Javer Malo, i dërgoi një informacion në organet eprore shtetërore dhe partiake. Aty shprehej se “Mendimi ynë është se duhet vepruar shpejt për të caktuar një avokat në Paris ose që ajo të lajmërojë gjyqin se nuk e ka gjetur dot Ismail Kadarenë”.
Patjetër është e nevojshme që për t’u mirëkuptuar prej lexuesit t’i drejtohemi një lënde shpjeguese të Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme, e pasuruar kjo nëpërmjet të dhënave të relacionit të Kadaresë. Kjo është e nevojshme për të pikasur sa më qartë çfarë po ndodhte realisht dhe në se e tërë kjo qe një diversion politik apo presion prej qarqeve, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin mundur prej popujve të pushtuar, mes tyre edhe nga beteja me shqiptarët.
Shkruhet në materialin sqarues për padinë e ngritur në Paris kundër projekt xhirimit të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe autorit Ismail Kadare: “Dy sipërmarës francezë Labrand e Kuperberg, të cilët për 9 vjet rresht me makinacione të ndryshme kanë bllokuar realizimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” tani që filmi po fillon të realizohet nga një shoqëri serioze franceze “Films 66”, me aktorë të njohur botërorë, kanë hapur një proces gjyqësor kundër autorit Ismail Kadare, me qëllim që përsëri të ndalojnë realizimin e filmit. Akuzën e mbështetin në pretendimet pa baza se janë ata që kanë të drejtën t’a bëjnë ose mos t’a bëjnë këtë film. Në të vërtetë afati i kontratës së tyre ka mbaruar më 31 mars 1979, por ata përpiqen të shfrytëzojnë klauzola të ndryshme të legjislacionit francez për të penguar filmin”.
Menjëherë më poshtë: “Kontrata e re e bërë në 20 prill 1979 (ajo u firmos në 14 prill-shënimi ynë) me personalitetin e njohur të kinematografisë franceze Mishel Pikoli, është e rregullt nga çdo pikëpamje. Nga ana tjetër Mishel Pikoli sikurse dhe shtëpia botonjëse franceze “Albin Michel”, inisiatore për kontratën e re, kanë qenë në dijeni të kontratës së vjetër me Labrand Kuperberg. Kjo vërteton se ata nuk parashikonin se mund të dilte ndonjë pengesë prej këtyre dy të fundit, ndryshe nuk do të rrezikonin”.
Vazhdon më pas lënda shpjeguese: “Mirëpo megjithatë Labrand e Kuperberg, të njohur tashmë për rolin e tyre jo të pastër për ndalimin me çdo kusht të këtij filmi, kanë ngritur padijen për të penguar punën përsëri. Padija e tyre kërkon që atyre t’u kthehet e drejta e filmit, domethënë që filmi të mos bëhet. Ata kërkojnë ndalimin e filmit që po bëhet gati të xhirojë Mishel Pikoli. Kërkojnë gjithashtu dënimin e autorit me një shumë gjigande 500.000 franga, për gjoja dëmet që paskan pësuar këtë muaj nga prishja e kontratës së tyre.
Siç shihet këta janë dy keqbërës që përpiqen të mbrohen prapa maqinës së legjislacionit”.
Në lëndën hollësisht shpjeguese për atë të papritur që pati ngjarë, theksohej se Labrand dhe Kuperberg po vepronin me një pabesi të dukshme, sepse që prej çastit që gjykata pati dorëzuar aktpadinë në ambasadë, 12 korrik, kishin vënë kusht në të që pala e paditur brenda 15 ditësh të caktonte një jurist dhe që vetëm prej këtij çasti të ndodhte ballafaqimi i të dy palëve.
Kjo në të vërtetë nuk kërkonte aspak praninë e Ismail Kadaresë, sepse do të mjaftonte një avokat i tij, por gjithsesi në afatin e ngushtë qe fshehur tërë dinakëria e mundshme e dy sabotuesve të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Labrand e Kuperberg prej përvojës së tyre të mëparshme me ambasadën shqiptare në Paris kishin kuptuar se kjo, hapësira e pesëmbëdhjetë ditëve, qe një periudhë e ngushtë dhe këta të fundit do të kishin mjaft vështirësi ta realizonin.
Për pasojë Labrand e Kuperberg do ta fitonin çështjen që me goditjen e parë.
Në lëndën shpjeguese të Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme me këtë rast, pra intrigës së paditësve për ta parafituar çështjen me lojën e afatit të shkurtër, nënvizohej se “Fitimi i gjyqit nga ana e tyre do t’ishte një gjë shumë e keqe. Përveç se do të varroste çështjen e filmit, do të sillte humbjen e 500.000 frangave, të cilat do të mbaheshin prej honorareve të autorit nga shtëpitë botuese franceze. Një gjë e tillë do të sillte gjithashtu një dëm reputacionit të shkrimtarit tonë në Francë”.
Prandaj në kundërveprim propozonin dy variante: “Ose Ambasada jonë të japë qoftë edhe formalisht emrin e një avokati francez, që më vonë mund të zëvendësohet (natyrisht me dijeninë e tij), p.sh. ndonjë mik të vendit tonë. Kjo duhet të bëhet brënda datës 27 korrik.
Ose: Ambasada jonë të lajmërojë gjyqin se nuk ka mundur t’i a dorëzojë lajmërimin Ismail Kadaresë, meqënëse nuk e ka gjetur dot, prandaj të mos veprojë çështja e afatit.
Pasi të bëhet kjo mund të veprohet më me qetësi”.
Në 26 korrik 1979, sipas një informacioni të Javer Malos, mësojmë se “Dje thirra ambasadorin francez për çështjen e padijes që është ngritur kundër Kadaresë. I spjegova si kanë rrjedhur punët, se si ai ka pasur oferta kineastësh nga shumë vende, por duke preferuar që filmi të bëhej nga një ekip francez, ai bëri kontratë me dy francezë, të cilët i zgjatën punët për vite të tëra, aq sa autori u detyrua të zgjidhte kontratën dhe të bënte kontratë me një ekip tjetër. I vura në dukje se e dija që në proçese të tilla, e me konflikte interesash midis individëve, qeveritë janë të pafuqishme, por iu luta që të ndërhynte në Paris për të gjetur mundësitë që paditësit të mos çqetësojnë as Kadarenë, as kineastët, të cilëve u ka dhënë pëlqimin për film, sepse kjo mund t’i largonte ata nga kjo ndërmarrje.
Ambasadori mbajti shënim dhe më tha, se megjithëse mundësitë janë të pakta, ai do të përpiqet për të gjetur mënyra që paditësit të heqin dorë dhe do të më mbajë në korrent. Theksoi edhe një herë se do të bëjë përpjekje, por nuk është i sigurt se mund të arrijë ndonjë përfundim”.
Fjalia e fundit e këtij informacioni të kryetarit të Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme ishte: “I dhashë një kopje të padijes”.
Ndërkaq po këtë datë të 26 korrikut 1979 ishte ambasadori Misto Treska që nga Parisi i shkruante Javer Malos se çfarë pati bërë pas një telefonate porosish të veçanta të këtij të fundit nga Tirana.
Po punonin në ethe si ta zgjidhnin këtë lëmsh?
I prisnin duart intrigante të vinin prej disa qarqeve italiane, por ato po trazonin që brenda Francës.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 4 mars 2020
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|