|
RADIOGRAMI 522 I AMBASADËS SHQIPTARE NË PARIS
Pjesa e trembëdhjetë e ciklit
(Botuar në “Illyria” në 28 shkurt 2020)
Siç e vumë në dukje javës së shkuar në 6 shkurt 1979 ambasada shqiptare në Paris i dërgoi nënministrit të Punëve të Jashtme Reis Malile shkresën me numur 34, e cila e njoftonte se “Bashkëngjitur po ju dërgojmë korrespodencën e edisionit “Albin Michel” lidhur me kontratën e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Në mbyllje ndodheshin fjalët: “Lutemi t’i dorëzohet shokut Ismail Kadare”.
Shënimet sipër kësaj shkrese, kryer nga marrësi katër ditë më pas, në datën 10, porositnin që ajo t’i jepej sa më shpejt Kadaresë.
Një shënim i dytë bënte të qartë se korrespodencën e edisionit “Albin Michel” lidhur me kontratën e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “E mori shoku Ismail”.
Në 20 shkurt 1979 një radiogram nga ambasadori Dhimitër Lamani për Ministrinë e Punëve të Jashtme i bënte të ditur kësaj të fundit: “Robert Eskarpiti na njoftoi se e kishte marrë librin “Imperializmi dhe revolucioni” të cilin po e lexon me interesim të madh. Më tha se ai kishte aderuar në Komitetin e Bordosë të shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri dhe priste që në fillim të prillit të vinte në Bordo Ismail Kadareja i ftuar për një program të gjerë kulturor”.
Më tej: “I shpreha mirënjohjen për ndjenjat e tij ndaj vendit tonë. I thashë se për ardhjen e Kadaresë në prill nuk di gjë por do të interesohem. Me sa di unë ai dëshirën për ardhjen e Kadaresë në Bordo e shprehu kur ishte Ismaili këtu, por nuk dimë se i është dhënë ndonjë përgjigje për këtë”.
Një ditë më pas, në 21 shkurt, një radiogram tjetër, por në drejtim të kundërt, nga Ministria e Punëve të Jashtme (nga Ksenofon Nushi) drejt ambasadës shqiptare në Paris, i komunikonte kësaj faktin se Kadare kishte marrë njëheras dy ftesa, një nga “Albin Michel” dhe tjetrën prej Robert Eskarpitit. Me këtë rast bëhej pyetja në se mundej që të dy këto veprimtari të kryheshin brenda një dhjetë ditëshi të qëndrimit të Ismail Kadaresë në Francë.
Ndërkohë në 6 mars ambasada i dërgonte MPJ-së në Tiranë shkresën me nr. 75, në të cilën thuhej se “Bashkëngjitur po ju dërgojmë letrën e përgjigjes që Jean Dryck, drejtor i përgjithshëm i SFP, i dërgon shokut Ismail Kadare lidhur me librin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Këtë herë firmën në fund të shkresës si drejtues i atyre çasteve i ambasadës në Paris e hidhte “I Ngarkuari me Punë Dilaver Pinderi”.
Poshtë tërë lëndës së shkruar me makinë daktilografimi në datën 10 mars qe vendosur ky shënim: “Me porosi të shokut Çeno (kështu thirrej shkurtimisht Ksenofon Nushi-sqarimi ynë) letrën e mori Ismail Kadare”.
Në 12 mars, me shkrim dore, ambasada MPJ do t’i niste Tiranës këtë mesazh: “Në ambasadë u paraqitën dy përfaqësues të shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri të qytetit Bordo. Ata duan të dinë në se do vijë në atë qytet Ismail Kadare, sipas ftesës që i ka bërë Eskarpit, sepse me këtë rast parashikohen të organizojnë një manifestim në datën 7 prill dhe dëshirojnë të asistojë edhe Kadareja”.
Vazhdonte më tej radiogrami i bërë gati për t’u koduar: “Për këtë çështje këto ditë ka shkruar edhe shtypi lokal i Bordosë. Ne nuk jemi në dijeni prandaj lutemi na bëni të ditur nëse parashikohet ose jo ardhja e Ismail Kadaresë në atë kohë, sepse të interesuarit presin përgjigje”.
Katër ditë më pas, në 16 mars 1979, Ksenofon Nushi i komunikoi ambasadës se ua kishin sjellë përgjigjen për pjesëmarje të Kadaresë në Bordo në veprimtarinë e 7 prillit dhe se “Nuk mund të mos nxjerrim konkluzionin se ka të meta në organizimin e punës dhe se metoda dhe stili juaj i punës nuk janë në lartësinë e kërkuar të kohës”.
Toni i fortë qortues i Ministrisë së Jashtme mbyllej me pothuaj urdhrin “Njoftoni Eskarpit në Bordo se Kadare do të jetë aty në 7 prill”.
Tashmë është I Ngarkuari Dilaver Pinderi, i cili në 20 mars dërgon drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë këtë tekst: “Ne nuk kemi patur dijeni për njoftimin tuaj të parë. Këtë problem e ka trajtuar vetë shoku Dhimitër Lamani dhe kur u largua nuk na la ndonjë akt të tillë. Sipas porosisë tuaj njoftuam Eskarpitin, i cili tha se e pret Ismail Kadarenë në 6 prill në Bordo”.
Kadare erdhi në Francë dhe në qytetin e Bordosë u gjend në afatin e caktuar. Por nuk qe vetëm kjo veprimtari, të cilën duhej ta përballonte në atë pranverë 1979. Mbi të gjitha mbetej një çështje shumë e ndërlikuar ajo e fillimit të punës për xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Ndërkaq në 20 prill ambasadori i ri shqiptar në Paris, përkthyesi shumë i njohur i letërsisë franceze, Misto Treska, i nisi MPJ-së radiogramin nr. 522, ku thoshte: “Dje unë dhe Kadareja, patëm për drekë skenaristin Tovola dhe aktorin e sipërmarrësin për filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Pikoli.
Me këtë rast u diskutua dhe u nënshkrua edhe kontrata. Francezët pranuan të gjitha vrejtjet dhe kërkesat tona si edhe çështjet e xhirimit të skenave të jashtme në Shqipëri”.
Fraza e fundit e radiogramit të Misto Treskës për Ministrinë e Punëve të Jashtme thoshte se “Kadareja niset nesër për Athinë dhe arrin të martën aty. Ka me vete edhe kopje të kontratës”.
Në arkivin e MPJ-së kjo kontratë ruhet e plotë.
Firmosja e saj prej prodhuesve të pritshëm të filmit dhe autorit, Kadaresë, daton 19 prill 1979, pra një ditë më parë nga çasti kur Treska i nisi njoftimin Ministrisë në Tiranë.
Bie në sy një gjë jo e zakonshme. Në krye të formatit letër të radiogramit të çkoduar dhe shkruar me makinë daktilografimi, me shkrim dore është bërë shënimi që ai tekst t’u bëhej i ditur Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.
Kjo dëshmonte se problemi i realizimit të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” qe përparësi e madhe shtetërore, ngjarje ekstra. Në një farë mënyre për të qe luftuar fort dhe me objektiv të qartë: të fitonin.
Ja pse radiogrami 522 i ambasadës shqiptare në Paris për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë ishte superlajmi shumë i pritur, qe kumti i madh kombëtar. Për PPSH ishte SIHARIQI, që i duhej dhënë popullit.
Ky sukses i mahnitshëm, prodhimi nga Perëndimi “kapitalist”, nga vetë “imperializmi”, pra prej armikut, të një filmi në favor të dukshëm jo thjesht të imazhit të Shqipërisë, por mbi të gjitha në mbështetje të Luftës Nacional-Çlirimtare, ishte një kryevepër e triumfit të doktrinës politike të Enver Hoxhës.
Ia rriste atij famën ndërkombëtare.
Ndërkohë pesë ditë më pas prej radiogramit 522, në 25 prill, ambasadori Misto Treska i dërgoi dikasterit të tij në Tiranë një mesazh tjetër, në të cilin thoshte se “Sot mora letër nga Mishel Pikoli i ndërmarrjes për filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur me anën e së cilës konfirmon se skenat e jashtme do të xhirohen në Shqipëri. Për ta bërë punën më mirë, ai dhe skenaristi Tovoli duan të vijnë në Shqipëri. Gojarisht na thanë se i pari do vijë nga gushti dhe i dyti nga fillimi i qershorit. Lutemi autorizoni me kohë për vizat se ata kanë edhe angazhime të tjera. Mendojmë që viza t’u jepet”.
Këtë herë në krye të radiogramit me tekst të daktilografuar, me shkrim dore, qe bërë shënimi se ajo lëndë e ardhur prej ambadadës shqiptare në Paris, i duhej bërë e njohur shokëve Ramiz Alia dhe Manush Myftiu.
Këta qenë eksponentët politikë më të lartë të Tiranës zyrtare për kulturën.
Vazhdonte përhapja e sihariqit.
Ngjarjet për prodhimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” po shkonin drejt kulmit dhe arsyeja më normale njerëzore në këtë rast pret “happy end”-in, fundin e lumtur: filmi do të xhirohej menjëherë dhe do të shfaqej nëpër botë, duke shkaktuar jehonë globale. Por hë për hë do të ndodhte disi ndryshe, do të hynin në mes zvarritje e moskuptime palësh, intriga politike të huaja, por edhe disa marrëzi të bujshme të burokracisë puniste të Tiranës.
Që të jemi më të përgatitur për ta kuptuar sa më mirë rrjedhën e rrëmbyer dhe përmbytëse të ngjarjeve, do të qëndrojmë edhe për pak kohë në një proces të domosdoshëm: rikujtimin e plotë të dinamikës së përpjekjeve për prodhimin e filmit, kryer mbi subjektin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Sjellim në kujtesë se në gusht 1978 Ismail Kadare i bëri një letër shpjeguese ministrit të Jashtëm Nesti Nase, ku mes të tjerash, referuar vizitës së tij në Paris gjatë muajit korrik, e informonte: “Për çështjen e filmit puna qëndron kështu: filmin ka marrë angazhim ta financojë shoqëria më e madhe kinematografike e Francës SFP (Societte de Productions Francaise). Projekti i kontratës është bërë, por kontrata prej tyre akoma nuk është nënshkruar, sepse, sipas SFP, presidenti ishte me pushime. Pritet dërgimi i kontratës në Shqipëri për nënshkrim nga autori”.
Kaq kishte në letrën e gushtit, çfarë është shumë pak për t’u qartësuar rreth rrokullisjes së fatit të filmit, prandaj lexuesit po i bëjmë të ditur një letër tjetër shpjeguese të Kadaresë, kjo e kryer pak më parë, në qershor 1978. E gjithë ajo, katër faqe të daktilografuara, mban në qendër filmin dhe peripecitë e tij.
Letra shpjeguese sipër saj është emërtuar prej autorit me fjalën “Relacion” dhe titullin në vijim e ka “në lidhje me filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” prej të huajve”.
Shkruan Ismail Kadare: “Menjëherë posa u nënshkrua prej meje në Paris kontrata për filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me sipërmarrësit francezë Labrande e Kyperberg, ndodhi diçka e habitshme: pas një heshtje dhe mosinteresimi të gjatë prej disa vjetësh, befas u paraqitën pesë oferta të ndryshme për këtë film nga firma franceze dhe italiane. Dy prej ofertave i janë drejtuar Shtëpisë Botuese Franceze “Albin Michel”, njëra Komitetit për Marrëdhënieve Kulturore me Botën e Jashtme, dy-mua direkt me telegram dhe telefon.
Duket sikur një forcë që e mbante të bllokuar çështjen e filmit, e ja papritur e la atë të lirë. Për më tepër është i çuditshëm fakti që ndërsa Labrand dhe Kyperberg pretendojnë ta bëjnë filmin me Mastrojanin dhe Michel Pikolinë, këta të dy kanë bërë kërkesë nga drejtime të tjera (Shtëpia Botuese “Albin Michel” njofton se Michel Pikoli, që është tani një prej 2-3 aktorëve më të mëdhenj të Francës, në mos më i madhi, është interesuar kohët e fundit disa herë drejt për drejt në telefon për të marrë të drejtën e filmit). Po kështu në njërën nga kërkesat e tjera është Mastrojani.
Natyrisht që është vështirë që ne të marrim vesh kombinacionet e ndërlikuara të botës së kinemasë. Është një fakt se Labrand dhe Kyperberg, për një kohë të gjatë e kanë zvarrisur çështjen e filmit, dhe ne e bëmë kontratën e re me ta, duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë. Mirëpo ne nuk kishim asnjë kërkesë tjetër, përkundrazi kishim refuzime dhe kështu që u dhamë edhe një herë të drejtën. Aq më tepër na shpejtoi fakti që thuhej se amerikanët përgatiten të bëjnë një film komik me këtë subjekt”.
Ndoshta kjo rrethanë e fundit përbën një nga arsyet përse autoriteti i lartë qeverisës i Tiranës të gjithë faqen e parë të relacionit, duke përfshirë edhe frazën për amerikanët, e ka shenjuar në anë me laps të kuq.
Kadare, pasi njofton rrethanën me projektin e habitshëm, por edhe shqetësues të amerikanëve, çfarë kishte gjasë që mund t’ia hiqte filmit forcën e triumfit të partizanëve shqiptarë, i mëshon optimizmit: “Në kondidat e reja të këtyre 5 ofertave, disa prej të cilave janë këmbëngulëse, kontrata me Labrand dhe Kyperberg është një pengesë për të bërë një zgjedhje më të mirë.
Mirëpo ne kemi këtu një favor: duke u patur parasysh zvarritja e Labrand dhe Kyperberg, në kontratën e re janë vënë saksione preçize për afatet. Një nga këto është fillimi i xhirimit të filmit në shtator dhe mbarimi në mars. Por sanksioni tjetër më i rëndësishëm është pagesa që ata duhet të bëjnë për të drejtën e filmit. Kësti i parë i saj prej 2000 FF duhej të bëhej në muajin shkurt. Deri tani nuk ka asnjë shenjë pagese”.
Pas fjalëve të mësipërme ato që vijnë pas janë theksuar për tërheqje vëmendjeje dyfish me vija lapsi të kuq, poshtë rreshtave dhe në brinjë.
Ky tekst në relacionin e Ismail Kadaresë, i cili duhej vigjëluar, qe: “Labrand dhe Kyperberg, të mësuar me durimin tonë, mund ta zvarrisin pagesën dhe ne atëherë do të jemi automatikisht të lirë prej kontratës, natyrisht po të na interesojë një gjë e tillë”.
Disa paragrafë të mëpasshëm të relacionit ecin nëpër rrjedhën e zakonshme të mosrënies posaçërisht në vëmendje të majës së lapsit të kuq të personit të lartë të qeverisë së Tiranës, të cilin nuk mund ta kuptojmë dot se kush qe.
Më poshtë Kadare shkruan: “Unë kam këtë mendim: Nga të gjitha ofertat, më serioze është ajo që i drejtohet direkt Shtëpisë Botuese franceze “Albin Michel” të Michel Pikolisë. Kjo për dy arsye:
1. Sepse Shtëpia Botuese franceze është interesuar direkt për bërjen e filmit, për të shitur një tirazh të ri. Këtë herë kolosal të librit.
2. Sepse Michel Pikoli, përveç që është artist i madh është edhe vetë producer filmash.
Prandaj unë i kam shkruar letër Shtëpisë Botuese “Albin Michel”, ku sipas kërkesës së tyre e njoftoj si është puna me kontratën e filmit (afatet etj.) dhe duke kërkuar prej të më dërgojnë gjithë informacionin dhe kërkesat që kanë për të, dhe një mendim prej tyre, se ç’ofertë është më serioze dhe e sigurt në rast prishjeje të kontratës me Labrad Kyperberg.
Unë institoj në mendimin se gjëja më e mirë në këtë rast është mbështetja në Shtëpinë Botuese franceze, e cila jo vetëm është e interesuar për suksesin e filmit, por është e interesuar (edhe për atë të librit)”.
Këtu, në paragrafin pasues, fillon të lëvizë maja e lapsit të kuq të qeveritarit të lartë të Tiranës: “Kontrata me Labrand e Kyperberg mund të konsideriohet prej nesh e prishur ose e paprishur, sipas interesit tonë”.
Majëlapsi i kuq nuk vijon në frazat: “Po të duam ta konsiderojmë të prishur bazohemi tek letra e 30 prillit e autorit. Po të duam ta quajmë të paprishur s’bëjmë asnjë veprim”.
Në vazhdim sërish shfaqet lapsi i kuq: “Michel Pikoli s’jep asnjë garanci të plotë për filmin, Pra, prishja e kontratës me Labrande e Kyperberg është e parakohshme”.
Paragrafet e mëposhtme janë të çliruara prej mbërthimit të ngjysës së kuqe: “Element kyç në këtë punë është firma e madhe franceze S.F.P., tek e cila i kanë shpresat dy të palët (Labrand e Kyperberg dhe Michel Pikoli) për të bërë financimin kryesor të filmit.
Drejtori i kësaj firme është drejtuar me një telegram direkt autorit, duke i kërkuar një akord për lidhje marrëveshje me Labrand e Kyperberg. Autori kërkoi sqarime të mëtejshme me letër që akoma s’kanë mbërritur.
Shtëpia Botuese “Albin Michel” tregohet e gatshme për të ndihmuar që filmi të bëhet”.
Rifillon maja e lapsit të kuq: “Duke përfituar nga drejtimi direkt i S.F.P.-së autorit, një kontakt direkt me këtë firmë mund të ishte deçiziv për të shtyrë çështjen përpara. Ky kontakt mund të bëhet pas një kontakti me “Albin Michel”.
Situata jonë është e favorshme nga çdo pikëpamje. E mira më e paktë që mund të nxirret prej saj është ribërja e kontratës me Labrand e Kyperberg me klauzolën akoma më të favorshme për ne. Të bëhet një kontratë e tillë që të përjashtojë çdo mundësi tjetër zvarritje apo sabotimi. Të kërkohet në kontratën e re përjashtimi i italianëve prej filmit”.
Fjala “sabotim” a ka gjasë që të jetë motivuesja e të gjithë vigjilencës së qeveritarit të lartë?
Ismail Kadare nuk e ka të zakonshme, në korrepodencën për botimin e krijimtarisë së tij në Francë, përdorimin e kësaj terminologjie ndërluftimi palësh, shumë e përhapur edhe si mendësi në atdheun e tij të drejtuar prej një partie gjuhë staliniste. Ndërkohë këtë fjalë minuese ai e vendos në funksion të një pikëpamjeje të tij mjaft ngacmuese: kërkon që nga projekti i filmit të përjashtohen italianët.
Përse? Cilat mund të jenë dyshimet e tij?
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 26 shkurt 2020
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|