|
HYSNI KAPO KUROHET NË PARIS, POR KA VËREJTJE PËR SOCREALIZMIN E KADARESË
Pjesa e dymbëdhjetë e ciklit
(Botuar në “llyria” në 21 shkurt 2020)
Në 1 dhjetor 1978 Ismail Kadare i dërgoi një relacion të daktilografuar Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai përmbante një shpjegim të hollësishëm për çfarë po ndodhte në Francë me librin e tij “Dimri i madh” si edhe projektfilmin me subjektin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Kadare shkruante që në fillim të raportimit të vet: “Qëndrimi në Francë me ftesën e Shtëpisë Botuese “Fayard” ishte shumë i frytshëm. Ashtu siç e kishte planifikuar, Shtëpia Botuese Franceze organizoi katër pritje me shkrimtarë, kritikë dhe gazetarë të shtypit e të Radios. Të gjitha këto pritje ndihmuan për një njohje më të mirë të veprës, për sqarime të çështjeve të ndryshme që lidheshin me përmbajtjen e saj si edhe për probleme të tjera, qoftë artistike, qoftë politike. Pritjet kaluan në një atmosferë shumë të mirë dhe në to nuk pati as incidentin më të vogël nga askush”.
Pas kësaj hyrjeje që përhapte siguri dhe qetësi të plotë shkrimtari vijonte: “Përveç pritjeve të organizuara nga “Fayard”, disa nga kritikët dhe gazetarët, gjithmonë me ndërmjetësinë e “Fayard”-it, kërkuan të takohen me mua në hotelin ku banoja. Edhe këto takime kaluan shumë mirë dhe në asnjë rast nuk pati asgjë provokuese ose negative”.
Duke e vazhduar këtë frymë për mbarëvajtje totale të vizitës së tij të fundit të punës në Paris, Ismail Kadare shton edhe një dëshmi tjetër: “Edhe në rastet e shpeshta kur ne kishim mendime të ndryshme për disa nga çështjet themelore të artit konfrontimi i mendimeve u bë në mënyrën më korrekte. Në këtë pa dyshim luajti rol fakti që shtëpia botuese franceze ishte përherë e interesuar që këto takime të shkonin sa më mirë”.
Ndalemi një çast këtu. Kadare tregon se ai nuk ka pasur gjithnjë me vendasit përputhje për parimet apo mënyrat e pasqyrimit të realitetit në një vepër artistike, duke u lënë të nënkuptojnë zyrtarëve të lartë të Tiranës se mbetej këmbëngulës tek metoda e realizmit socialist.
Shkruan ai më tej në relacionin e 1 dhjetorit 1978: “Kritikët dhe gazetarët e kishin lexuar me kujdesin më të madh librin dhe kërkonin sqarime nga më të hollësishmet, sidomos për çështjet e mprehta politike që ngrihen në të. Ata interesoheshin veçanërisht për pjesën e mbledhjes së Moskës dhe dëshironin të dinin pjesët historike dhe fiktive të veprës. Interesim të veçantë dhe pyetje të shumta bëheshin sidomos për pjesët ku përshkruhet shoku Enver. Ky interesim u pasqyrua gjerësisht edhe në intervistat”.
Pastaj: “Intervista kërkuan pothuajse pa përjashtim të gjitha organet kryesore të Francës, por unë, duke u konsultuar edhe me miqtë francezë, e quajta të arsyeshme që përveç dy intervistave në radio, dhe një interviste në “Le Monde”, të shmang intervistat e tjera, për të evituar përsëritjet. Megjithatë kjo nuk ndryshoi asgjë në takimet me gazetarët që ishin caktuar për të shkruar për romanin. Pas bisedave që bëmë bashkë artikujt e tyre u bënë më të qartë dhe më dashamirës, dhe kjo shihet menjëherë po të krahasohen artikujt e parë të shkruar pa qenë autori në Francë me të mëvonshmit”.
Duke përcjellë edhe njëherë tjetër dëshmitë e tij të vazhduara për mirësjelljen e shkëlqyer të palës franceze, çfarë përherë e më shumë duket sikur është një vijë e paramenduar, Ismail Kadare vë në dukje: “Libri po zgjon përherë e më shumë interesimin e lexonjësve francezë megjithë çmimin e tij jashtëzakonisht të shtrenjtë (69 FF). Siç na tha presidenti i “Fayard”, i cili gjithashtu shtroi një drekë për ne, “Dimri i madh” konsiderohet prej Shtëpisë së tij Botuese si romani kryesor i huaj i botuar prej saj në vitin 1978”.
Shkrimtari e përforcon këtë ide, pra që “Dimri i madh” qe kryelibri i “Fayard” për tërë atë vit, çfarë nënkupton një sukses të bujshëm të krijimtarisë së vet, por edhe të Shqipërisë e gjesteve politike të spikatura të Enver Hoxhës, me këtë paragraf: “Gjithmonë pas fjalëve të tij në panairin ndërkombëtar të Frankfurtit, tetor 1978, ky ishte një nga librat kryesorë jo vetëm të “Fayard”it, por të gjithë pavijonit francez. Pas blerjes së librit nga Suedia, pritet shitja e tij në shumë shtete të tjera të cilat e kanë në shqyrtim (option)”.
Ismail Kadare mëshon: “Si përfundim, sipas fjalëve të presidentit, “Dimri i madh” konsiderohej si një sukses i jashtëzakonshëm i “Fayard”-it, një libër “që në “Fayard” jemi krenarë që e kemi botuar”.
Menjëherë më pas: “Në një letër që presidenti më dërgoi ditët e fundit më shkruan se dëshiron të dijë se ç’libër tjetër mund të botojë prej meje, sepse, sipas tij çdo libër tjetër i botuar më pas, e rrit akoma më shumë njohjen e “Dimrit të madh” në Francë”.
Në vijim Kadare thekson: “Përveç këtyre takimeve u bënë takime me miqtë e vjetër të vendit tonë si p.sh. Robert Eskarpit, i cili si përherë ruan ndjenjat më të mira për vendin tonë. Eskarpit më njoftoi se, nëqoftëse unë do të pranoja ftesën e tij për të shkuar në Bordo (është e treta herë që ai e bën këtë ftesë), ai do të organizonte me këtë rast atje, me profesorë dhe studentë, një konferencë dhe takime të ndryshme për letërsinë shqipe”.
Kur përfundon ky paragraf nis një tjetër, i gjatë dhe përmbyllës për relacionin. Karakteristikë me këtë rast është se anash tërë gjatësisë së tij është hequr një vijë e fortë me laps të kuq.
Thuhet në këtë tekst të shënuar për të qenë në vëmendje: “Për çështjen e filmit gjithëshka ka mbetur në një pikë të vdekur dhe kjo për arësye se SFP, e cila do të realizojë filmin, pas një krize të rëndë ndodhet aktualisht krejt e bllokuar. Kjo gjendje do të vazhdojë gjer në vit të ri. Aktorët kryesorë Mishel Pikoli dhe Mastrojani, me të cilët unë dhe ambasadori morëm takime direkte dhe me telefon, janë përherë të gatshëm dhe me shumë pasion për të marrë pjesë në film. Pas 1 janarit gjithëshka do të sqarohet përfundimisht”.
Ja edhe fundi i raportimit të 1 dhjetorit 1978, edhe kjo pjesë me brinjas vijën e trashë me laps të kuq: “Në fund dëshiroj të theksoj se për të gjithë punët e kryera në Paris kam patur përherë ndihmën tepër të kujdesshme të ambasadorit tonë shokut Dhimitër Lamani”.
Dy javët e para të muajit dhjetor Ismail Kadare do t’i kalonte në Tiranë dhe pikërisht në 15 të atij muaji gazeta e shumënjohur franceze “Le Monde” do të botonte një shkrim-bisedë me të. Rreth këtij publikimi ai pati informuar në relacionin e 1 dhjetorit.
Sigurisht nuk do ta dinte dot për disa dekada rresht një rrethanë: për idetë e tij të shprehura në atë të përditshme nuk qe fort dakord figura dy e Shqipërisë, Hysni Kapo. Ky pati ardhur në Paris në fund të muajit nëntor për t’u kuruar dhe të dy nuk ishin as takuar dhe as parë me njëri-tjetrin. Kadare këtë kohë pati marrë rrugën e kthimit për në Tiranë.
Pikërisht në ditën e botimit, 15 dhjetor 1978, Kapo do të hidhte në ditarin e tij këtë shënim: “Erdhën mjekët. Bënë procedurat e ditës. Lexova gazetën “Le Monde”, ku ishte botuar një shkrim i Ismail Kadaresë. E lexova, nuk më duket i menduar mirë. Ka disa mendime të gabuara dhe sidomos nënvleftëson shkrimtarët dhe poetët tanë të rinj”.
Ky nuk qe një qortim i vogël, i anashkalueshëm pa të lënë pas ndonjë brengë shpirtërore e në mos lëndim në kartën e besimit politik të regjimit.
Për të mos nënvleftësuar apo fryrë këtë episod, sepse, siç do ta shohim në shkrimet e tjera, për shkak të këtij artikulli dhe gjykimi personal të Hysni Kapos Ismail Kadare nuk pati asnjë pasojë, po e informojmë lexuesin për çfarë shkrimtari qe shprehur.
Më së pari, shkrimi kishte për autor mikun e madh të Shqipërisë dhe të vetë Kadaresë, Alen Boske (Alain Bosquet).
Nëntitulli i artikullit të “Le Monde” ishte i drejtpërdrejtë: “Ismail Kadare shpjegohet për realizmin socialist”. Më pas në të thuhej se Kadare qe shkrimtari i parë i Shqipërisë që kishte lexues ndërkombëtar. Duke përfituar prej qëndrimit të tij në Paris “Le Monde” po i bënte disa pyetje rreth romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, libër që e gjykonin si një krijesë artistike për të komunikuar me botën. Po ashtu gazeta e pyeste nëse Kadare, i cili kishte qenë në Bashkimin Sovjetik, Kinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Francë po ashtu, a përjetonte në ndërgjegjen e tij dëshirën për të krijuar një vepër universale?
Ismail Kadare përgjigjej në thelb se \"E kam shumë të vështirë të ndihem universal, pa u vetëndjerë më së pari nacional”.
Duke e argumentuar këtë gjykim të tij ai sqaronte se edhe “Komedia Hyjnore” më parë se të shprehte të qënit e saj universale ishte e brymosur me gjurmë italiane.
Pastaj Kadare shpallte: “Unë nuk mund të jem partizan i universales thjesht për universalen”.
Dhe këmbëngulte: “E pranoj dhe duhet të shtoj se letërsia shqiptare në mënyrë të natyrshme është orientuar drejt horizonteve të tjera. Në poezinë tonë popullore ka dy shekuj ku gjen emrat e Londrës, Berlinit, Moskës e sidomos të Parisit, madje kaq shpesh sa edhe të Tiranës. Shqiptari, megjithë dramat e tij historike, mbetet i përqendruar edhe në problemet e tërë njerëzimit”.
Në vazhdim, ndërsa Boske e pyeste nëse me veprën e tij Ismail Kadare po bëhej një propagandist i atdheut të vet, veçanërisht me librin “Dimri i madh”, dhe kështu mund të humbiste objektivitetin, “Le Monde” i botonte këtë përgjigje.
Në thelb Kadare i shpjegon lexuesit francez se ai po përpiqet të kërkojë drejtësi për vendin e vet dhe këtë nuk e ka thjesht një tërheqje të pavetëdijshme, por një aksion të ndërgjegjshëm. Se ai po bënte gjithçka që atdheu i tij të njihej me vlerat e veta të vërteta, se “Shqipëria është një ndër vendet me qytetërim më të vjetër në botë dhe se për këtë ajo është një trashëgimtare e civilizimit grek; vetëm rrethanat historike i kanë prerë rrugën vendit tim. Ndërkohë të fitosh apo humbësh objektivitetin është një e drejtë e të gjithë shkrimtarëve”.
Më pas: “Për sa më përket mua unë jam i bindur se tek “Dimri i madh” kam thënë të vërtetën për konfliktin ruso-shqiptar. Në rast se Shqipëria fiton simpati për shkak të romanit tim, kjo mbi të gjitha është meritë e vetë ngjarjeve. Është e dukshme, për shembull, që nuk ishte Shqipëria ajo që i bëri bllokadë Bashkimit Sovjetik, por ky i fundit I cili e kërcënoi atë…Për kuriozitet, unë jam përpjekur për të lexuar librat me të njëjtën tematikë tek rusët apo në shtetet e tjera socialiste, por nuk kam gjetur të tillë. Ky subjekt është shndërruar në tabu”.
Pothuaj në përfundim të intervistës së tij në “Le Monde” të 15 dhjetorit 1978 Ismail Kadare kthjellon: “Tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka një venë satirike, tërheqëse për lexuesin tuaj”, “kurse tek Dimri i madh” një të shkruar më afër realizmit socialist”.
Atëherë, pasi njihesh me këtë shkrim-bisedë ku e pati “shkelur” Kadare kodin e parimeve të socrealizmit dhe ku përbuz shkrimtarët e rinj?
Hysni Kapo rezulton se gjatë qëndrimit të tij kurues në Paris, e shfletonte përditë “Le Monde”. Ia sillnin nga ambasada. Humorin e prishur për Ismail Kadarenë nuk e ka marrë nga diplomatët, por duket e ka pjesë të të kuptuarit të realizmit socialist si dogmë të ngrirë tej për tej.
Ndërkohë le t’i ndjekim ngjarjet me fillimin e vitit pasues, 1979.
Në 6 shkurt të këtij moti ambasada i dërgoi Ministrisë së Punëve të Jashtme, Reis Maliles, shkresën nr. 34, e cila e njoftonte: “Bashkëngjitur po ju dërgojmë korrespodencën e edisionit “Albin Michel” lidhur me kontratën e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Lutemi t’i dorëzohet shokut Ismail Kadare”.
Shënimet sipër nga marrësi, në datën 10, porositnin që ajo t’i jepej sa më shpejt Kadarese dhe brenda kësaj date shënimi i dytë bënte të qartë se “E mori shoku Ismail”.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 19 shkurt 2020
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|