|
ALARM NË TIRANË, NË FRANCË PO SABOTOHET XHIRIMI I FILMIT “GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR”
Pjesa e dhjetë e ciklit
(Botuar në “Illyria” në 7 shkurt 2020)
Në 12 mars (1978) Komiteti për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme hartoi një informacion, i cili niste me fjalët: “Në 1978 dolli në Francë romani i I. Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili siç dihet pati jehonë të gjerë në shtyp. Në këtë mënyrë vepra tërhoqi vëmendjen edhe të njerëzve të kinemasë. Ambasadës tonë në Paris iu drejtuan së pari drejtori i Shtëpisë Botuese “Albin Michel” me një ekip skenaristësh, sidomos me dy prej tyre, Lëbrand dhe Kuperberg, njëri prej të cilëve punonte vetë në shtëpinë botuese. Ata kërkuan që t’u jepej e drejta të bënin një film në bazë të romanit dhe siguruan se për këtë do të merrnin artistë nga më të përmendurit, midis të cilëve italianin Mastrojani.
Mbas këtyre ambasadës iu drejtua një prodhonjës filmash që kishte mundësitë financiare dhe kërkoi që t’i jepej e drejta për të ekranizuar romanin.
Më në fund, me anë të një miku të Shqipërisë, ambasadës iu drejtua edhe një regjisor i njohur filmash, që edhe ky kërkoi të ekranizonte romanin”.
Vijon teksti: “Këto tre oferta i përcollëm në Tiranë dhe u pranua oferta e të parëve. Ambasada u udhëzua që të njoftonte Lebrandin e Kuperbergun të vinin në Tiranë për të bërë kontratën. Ata erdhën, e firmuan kontratën, një kontratë ku nuk shënohej ndonjë afat, paguan edhe një kapar prej 2000 dollarësh, bënë edhe skenarin, të cilin e dërguan në Tiranë”.
Saktëson informacioni i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme: “Që nga koha kur nënshkruan kontratën në Tiranë ata çdo gjë e kanë trajtuar direkt me autorin”.
Pra, me Ismail Kadarenë.
Më tej në raportin informativ thuhet: “Kaluan kohë e vite, por ata nuk kanë bërë gjë. Në dy raste që Ismaili kishte qenë në Paris kishte marrë kontakt me Lebrandin dhe Kuperbergun. Këta si gjithmonë premtonin, por nuk bënin gjë. Dukej qartë se ata nuk kishin gjetur kush t’u financonte filmin. Ndërkohë ata i kishin prerë marrëdhëniet me shtëpinë botuese “Albin Michel”.
Në vazhdim të informacionit theksohet kjo rrethanë: “Nga fundi i vitit të kaluar Lebrandi e njoftoi Kadarenë për çështjen e filmit”.
Pastaj: “Në fillim të këtij viti kur Ismaili shkoi në Paris për çështjen e romanit “Dimri i madh” sipas udhëzimeve që iu dhanë mori kontakt me Lebrandin dhe Kuperbergun dhe iu bëri presion për filmin. Ata pranuan të bënin një kontratë të re. Kadareja kërkoi prej tyre garanci maksimale dhe nguli këmbë që në kontratën e re të vihen afate preçize për realizimin e filmit. Kështu u vunë këto afate:
1) Që filmi të realizohej midis shtatorit 1978-marsit 1979.
2) Që ata të paguanin çdo muaj (shkurt, prill etj) nga 1000 dollarë, si paradhënie për të drejtën e autorit. Kjo konditë e dytë ishte shumë e rëndësishme, sepse ajo do të vërtetonte se sa seriozisht ishte marrë këtë herë puna e filmit.
Kontrata u firmua në janar 1978 në Paris. Me të sqarohej gjendja dhe nxirrej nga pika e vdekur. Pas kthimit nga Parisi Kadareja paraqiti një relacion për këtë, relacion i cili ne nuk na është dhënë, shënojmë gjithashtu se çështjen e filmit Ismaili nuk e ka trajtuar me Komitetin dhe këto të dhëna që japim këtu i kemi marrë prej tij.
Siç na tha Kadareja, fill pas nënshkrimit të kontratës shtëpia botuese “Albin Michel” e njoftoi atë se i kishin ardhur disa propozime për ekranizimin e romanit. Kadareja iu përgjigj se ai e ka bërë një kontratë, por që nuk beson shumë...”.
Raporti informativ i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme në dy paragrafë të tij shpjegon se kontrata për filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pasi mbush 15 ditë prej afatit të skadimit të saj, e lë krejtësisht të lirë prej çdo detyrimi ndaj saj.
Më tej teksti zyrtar thotë: “Në 30 prill Kadareja u dërgoi Lebrandit dhe Kuperbergerit një letër paralajmëruese. Në këtë mënyrë kontrata mund të quhet edhe e prishur pa patur nevojë për asnjë veprim tjetër që të ligjërohet një gjë e tillë, por edhe mundet të vazhdohet me të.
Ndërkaq Kadareja i ka kërkuar shtëpisë botuese “Albin Michel” informacion për ofertat e filmit dhe i ka kërkuar gjithashtu një mendim se cila prej ofertave është më serioze dhe jep më shumë garanci për filmin, “Albin Michel” iu përgjegj se për mendimin e saj e tillë është oferta e produktorit dhe aktorit të njohur francez Michel Pikoli.
Pra, puna ka mbetur në këtë pikë:
1)Kontrata me Lebrandin dhe Kuperberg është e prishur gjersa i është bërë paralajmërimi. Megjithatë shtegu për të vazhduar me këtë kontratë mbetet gjithmonë i hapur.
2)Michel Pikoli ka shfaqur dëshirën për të bërë kontratë.
3)”Albin Michel” mendon se Michel Pikoli është njeri serioz dhe ka garanci për filmin, sido që duhet thënë se ishte po ai “Albin Michel” që dha garancira serioziteti edhe për dy të parët.
4)Ka kërkesa të tjera”.
Duke vijuar rrjedhën e tekstit vëmendja e lexuesit të saj përqendrohet edhe në këto rradhë: “Kadareja vetë është i predispozuar, bile i vendosur, ta prishë kontratën me dy të parët dhe të bëjë kontratë të re me Michel Pikolin, duke menduar se “Albin Michel”, që e rekomandon këtë, ka çdo interes që filmi të bëhet. Nga ana tjetër zgjatja për shumë kohë e filmit nga dy të parët dhe mos pagimi i kësteve fill sapo u nënshkrua kontrata e re, e bën Kadarenë të mendojë-dhe kjo jo pa arsye-se ata nuk kanë gjetur kush t’i financojë.
Megjithatë jemi të mendimit se edhe një kontratë me Mishel Pikolin nuk do të thotë se realizimi i filmit është i sigurt. Prodhimi i një filmi është gjë e vështirë, sepse kërkon të investohen fonde shumë të mëdha. Ne dijmë që Pikoli është një artist i njohur e që merret edhe me prodhimin e filmave, por nuk dijmë cilat janë mundësitë e tij financiare dhe nëse ka aq shumë kapitale sa ta lejojnë edhe të rrezikojë”.
Tashmë raporti informativ mbi çështjen e ndërlikuar të prodhimit të filmit mbi subjektin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” po i afrohet fundit, çastit kur kërkohen rrugëzgjidhjet. Teksti vë në dukje se “Rruga më e mirë ndofta do të ishte të shohim ç’mund të bëjnë Lebrand dhe Kuperbergu, pasi morrën paralajmërimin. Të udhëzohet ambasada jonë në Paris të bisedojë me ta, duke u thënë qartë se autori nuk lejon më asnjë zgjatje. Nga ana tjetër ambasada në të njëjtën kohë të marrë kontakt me Mishel Pikolin dhe të shohë predispozitat e tij. Pasi të bëhen këto demarshe atëherë të vendoset përfundimisht. Por gjithë kjo punë duhet bërë shpejt se në korrik fillojnë vakancat dhe njerëzit e kinemasë nuk i gjen dot në Paris para shtatorit”.
Këtu informacioni i 12 marsit 1978 mbyllet.
Në 6 maj një radiogram ende me shkrim dore, pra pak çaste para shifrimit, me adresë mbërritjeje Ambasadën Shqiptare në Paris, i firmosur nga Javer Malo, komunikon me alarm: “Kam dyshim se mos vallë realizimi i filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” sipas kontratës që përfundoi Kadareja, po sabotohet”.
Më tej: “Në fakt kontrata nuk po zbatohet. Prandaj merrni personalisht takim me Beatrix Blavier të “Editions ALBIN MICHEL” (telefon 326-13-50) dhe i thoni se Kadareja ka të drejtë të prishë kontratën me “Labrande et Kuperberg”, sepse ata nuk i kanë respektuar pikat e kontratës. I thoni asaj se Ismail Kadare kërkon të dijë në se me ndihmën tuaj Mishel Pikoli mund të pranojë të ndërmarrë realizimin e filmit. Përpiquni të mësoni në se Beatrix Blavier se ka ose jo garanci realizimi i një kontrate të përfunduar me Pikolin.
Na njoftoni mendimin e saj dhe tuajin”.
Në 18 maj 1978, një radiogram origjinal, me shkrim dore të vetë Javer Malos, e qorton Ambasadën në Paris dhe i kërkon të konfirmojë dyshimet që kanë lindur në Tiranë mbi arsyet e vërteta të mosbërjes së filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”: “Përgjigjuni urgjent telegramit dt. 6 maj që bën fjalë për dyshimet tona për sabotimin e kontratës së I. Kadaresë për filmin”.
Në 23 maj radiogrami me numrin 652, i dërguar nga Parisi, nga ambasadori Dhimitër Lamani, për nënministrin e Jashtëm Reis Malile në Tiranë, raporton: “Mora kontakt me zonjën Blavie për çështjen e filmit. Më tregoi korespodencën me Kadarenë të cilit këto ditë do t’i dërgojë edhe një letër tjetër. Tha sa vijon: “1) Është gati që të ndihmojë që filmin ta realizojë Mishel Pikoli, i cili është serioz dhe po të përfundohet kontrata, ka garanci që të realizohet. Sigurisht Pikoli do ta bëjë filmin me ndonjë nga kompanitë e njohura. 2) Para së gjithash duhej që Kadareja të bëjë një letër Lebrandit për anullimin e kontratës. Ajo vetë ka simpathi për këta të dy, por tha se nuk kanë forca materiale për një film të tillë. 3) Edhe me Pikolin filmi nuk do të mbarohet në një kohë të shkurtër, siç shkruan Ismaili, sepse është një film i madh me karakter politik dhe filma të tillë mezi bëhen se hasin pengesë. Më solli shembull filmin e Pikolit “Letat Sauvage” që dolli 14 vjet pas romanit. 4) Nëqoftëse anullohet kontrata e parë atëherë do të dalë problemi që të takohemi me Pikolin. Do t’i ftoj me ndonjë drekë dhe po të jenë dakord për kontratën...”
Një muaj më vonë, në 25 qershor 1978, një radiogram i Dhimitër Lamanit për “shokun Reis Malile”, bën fjalë për domosdoshmërinë e kthimit në Paris, nëpërmjet punonjësish të ambasadës që shkojnë e kthehen prej Tiranës, të bocave të librit të Ismail Kadaresë “Dimri i madh”.
Në 1 korrik 1978 radiogrami radhës i Ministrisë së Punëve të Jashtme për ambasadorin në Paris e njofton këtë të fundit se “Shoku I. Kadareja niset ditën e martë për Paris. Për takimin me nëndrejtorin e shoqërisë së prodhimit të filmave mos e bëni tani. Kur të vijë Kadareja e bisedoni të dy”.
Tanimë, siç e shihni, bie në sy që fjala “sabotim” është hequr nga gjuha e radiogrameve të nisura prej Tiranës. Alarmi i ngritur gjatë majit duket i fashitur. Cili ka pasur ndikim në këtë dukuri zbutjeje? Apo mirësqarimi?
Ambasadori Dhimitër Lamani apo edhe vetë Ismail Kadare?
Korriku 1978 do të jetë një muaj vendimtar për të gjetur arsyen e vërtetë përse po zgjatej ai xhirim filmi. Kishte droje mos prapa zvarritjes apo situatës aspak të qartë fshiheshin italianët, të paktën lobet e tyre në Paris. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ishte jo vetëm një akuzë për pushtimin brutal të Shqipërisë prej fashistëve të vendit të tyre, por edhe një sarkazëm artistike mjeshtërore, rrënonjëse për imazhin.
Për ta kuptuar sadopak këtë periudhë të gjatë mosrealizimi të filmit, e informojmë lexuesin se ajo përpjekje pati nisur fillimisht me shoqatën “Novafilm” të Luis Balkur. Për këtë arsye në 31 tetor 1972 ambasada shqiptare në Paris ftoi për drekë Robert Kuperberg, botues por edhe autor librash. Në takim qe i pranishëm edhe Ismail Kadare.
Në qershor 1972 qenë bënë disa takime edhe me Zhan-Pjer Labrandë (Jean-Pierre Labrande), kritik, analiast dhe prodhues filmash. Sërish në to pati marë pjesë Kadare.
Në një rast qe edhe Mishel Pikoli.
Pra kur po ndodhin ngjarjet e këtij shkrimi (1978) historia e zvarritjes së prodhimit të filmit mbushte gjashtë mote.
Në gusht 1978 në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë ndodhet edhe në letër, me shkrim dore, për Nesti Nasen. Thotë: “Shoku ministër, po ju dërgoj një informacion për çështjet për të cilat shkova me shërbim në Francë.
Nëqoftëse do të dëshironi jam i gatshëm t’ju jap shpjegime më të hollësishme,
Me respekt
Ismail Kadare”.
Në shkrimin e ardhshëm do t’ju njohim me këtë informacion dhe në këtë mënyrë do të na bëhet më e qartë si u zbeh psikoza e sabotimit.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 5 shkurt 2020
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|