Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

OPERACIONI I MADH PROPAGANDISTIK I ENVER HOXHËS “SHËNIME PËR KINËN”


Pjesa e tetë e ciklit

(Botuar në “Illyria” në 24 janar 2020)

Nëpërmjet shkrimit të javës së shkuar morëm informacion si në janar 1979 kreu hov përpjekja e ambasadave shqiptare në vendet e Evropës Perëndimore me objektiv ngulmues përkthimin dhe botimin në gjuhët e tyre të romanit historik të Ismail Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”, më shpesh në variantin e ripunuar pas disa kritikave të politizuara, titulluar për së dyti me “Dimri i madh”.
Kjo dëshmonte se ky botim më në fund jo vetëm ishte pranuar nga regjimi i Tiranës dhe Enver Hoxha, por qe edhe shumë i dëshiruar. Shërbente mjaft për kursin e tij të përhershëm ideologjik kundër Bashkimit Sovjetik.
Për rrjedhojë ky libër qe edhe në favor të Perëndimit. Në këtë hapësirë të globit kishte interesim ndaj tij, shkrimeve promovuesë apo analitikë, por edhe mundësisë për ta përkthyer e botuar.
Francezët, të cilët për arsye të ndryshme qenë në vijë të parë të kësaj prirjeje, e kishin publikuar librin në 1978. Ishte shtëpia botuese “Fayard”, duke i paraqitur lexuesit jo një grusht faqesh, por plot një vëllim të madh prej 515 të tilla.
Doemos që ky sukses në Francë, kjo mirëpritje atje, nuk kish përse të mos përfshinte edhe një aksion për përkthimin dhe botimin në vendin tjetër të madh të Perëndimit, Italinë. Vërtet që me francezët qeveria staliniste shqiptare i kishte prej shumë kohësh, menjëherë as çlirimit, marrëdhëniet shumë të mira, por edhe me Italinë herë pas here bëheshin përpjekje për t’u ngrohur.
Madje kur erdhi në Tiranë ministri i Tregtisë me Jashtë, Rinaldo Ossola, raportet me Italinë po ndryshonin pozitivisht, gati po bëheshin si marrëdhëniet Paris-Tiranë. Vetëm kështu shpjegohet edhe guximi i shoqërueseve shqiptarë të dërgatës së lartë qeveritare të Romës për të ndërhyrë mes të ardhurve, gazetarëve posaçërisht, që të mundësohej botimi i “Dimrit të madh”.
Ishte vërtet një rast që nuk duhej humbur. Në parim italianët, klasa politike e vendit, por edhe opinioni publik kishin nevojë të njihnin nga afër se si patën rrjedhur ngjarjet e ndarjes së prerë të Shqipërisë me kampin socialist të eurolindjes dhe veçanërisht me Traktatin (ushtarak) të Varshavës.
Prej guximit të Tiranës ata patën përfituar largimin e rrezikut sovjetik, i cili deri në vjeshtë të motit 1961 u vinte shumë kërcënueshëm prej brigjeve shqiptare, sidomos nga baza luftarake e nëndetëseve të Pasha Limanit në Gjirin e Vlorës si edhe prej një plani këmbëngulës së BRSS dhe vendeve socialiste për të ngritur në këtë territor edhe të bazave raketore si edhe atyre me avionë.
Duhet thënë se periudha kur Shqipëria shkonte mirë me Bashkimin Sovjetik qe ndërsjelltas tepër kanosëse për Italinë, kohë e zymtë për sigurinë e kufijve të saj. Ajo qe e detyruar të vendoste në pjesën jugore të vendit pothuaj dy të tretat e forcave të veta të armatosura.
Ndërkaq periudha tjetër, ajo e lidhjes së Tiranës me Republikën Popullore të Kinës nuk e kishte aspak këtë tension. Kinezët vërtet e forcuan ushtrinë e Shqipërisë, pranuan që ajo të armatosej deri në dhembë, por nuk vendosën asnjë bazë ushtarake dhe nuk e kërcënonin Perëndimin me asnjë diversion luftarak.
Të vetmen bazë, të cilën e ruanin si sytë e ballit dhe e fuqizonin për të realizuar shtrirje globale, qe një radiostacion i madh në afërsi të Elbasanit, në qytetin e Cërrikut.
Kinezët e patën përuruar atë në 1 tetor 1967.
Trasmentonte me valë të shkurtra në gjuhën kineze, por edhe shqipe, edhe në të folurën e shumicës së shteteve në Perëndim dhe Lindje. Pekini i bënte trysni dhe diversion Perëndimit vetëm me fjalë. Nxiste dhe mbante të gjallë tërë lëvizjen maoiste në Evropë, por edhe më tej kësaj hapësire.
Kështu rrodhën ngjarjet për pothuaj 17 mote, në një lloj qetësie relative për sigurinë territoriale të Italisë. Kjo gjendje e favorizonte miqësimin mes Tiranës dhe Romës, por çuditërisht në mes mes hynin sulme të befta përkeqësimi.
Në vitin 1978 ndodhi e papritura: marrëdhëniet zyrtare të Shqipërisë me Pekinin hynë në krizë të thellë dhe përtej detit, në brigjet italiane, dalluan se me shpejtësi të madhe po përsëritej ajo që kishte ndodhur shumë vite më parë me Moskën.
Kjo gjendje e re fillimisht dukej se nuk do të zgjonte ndonjë interes të dukshëm për Romën, sepse në fund të fundit nuk ngjasonte fare me shpëtimin e dikurshëm nga rreziku ushtarak i Traktatit të Varshavës, por shumë shpejt u kuptua se nuk qe tamam kështu. Punonjësit e ambasadës shqiptare në Romë, prej takimeve me gazetarë vendas si edhe miq të tyre, ndonjëherë edhe me persona të panjohur, si edhe po ashtu nga leximi me vëmendje e shtypit të ditës, vunë re se prishja me Kinën kishte ngjallur tek italianët interesim të qartë në favor të mundësisë për t’u shtuar raportet e bashkëpunimit me Shqipërinë.
Këtë frymë e mendësi të re diplomatët shqiptarë e konstatonin edhe prej kontakteve me politikanët italianë, edhe me punonjës të administratës së vendit gjithashtu.
Ky ndryshim pak i pritur ra veçanërisht në sy tek sjellja e ambadadorit të ri të Republikës Italiane në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, Xhan Paolo Tocoli (Gian Paolo Tozzoli). Ky dukej se i gëzohej shumë prishjes Tiranë-Pekin për të gjallëruar raportet e Romës me vendin e mbyllur fqinj. Tocoli kish pikasur se me Tiranën zyrtare mund të bëheshin shkëmbime të mëdha tregtare, ndaj kësaj veprimtarie ekonomike komunistët shqiptarë dëshmonin më pak paragjykime ideologjike. Thjesht nuk dëshironin të merrnin nga Roma hua apo kredi të ndryshme, kurse rrjedhien e mallrave nuk e pengonin. Gjatë vitit 1977 vetëm eksportimi nga Shqipëria pati zënë shumën e 30 milion dollarëve. Po ashtu vëllimi i shkëmbimeve tregtare Romë-Tiranë për këtë mot ishte rritur me 75 për qind më shumë se 1976.
Ja pse ambasadori i porsardhur në fund të vitit 1978, Xhan Paolo Toci, i cili para nisjes për në Tiranë qe takuar në Romë me ambasadorin e ri shqiptar Kujtim Myzyri dhe prej tij pati marrë mesazhin e hapjes më të madhe, u habit iur vuri re se zyrtarët e lartë në kryeqytetin shqiptar nuk e dëshironin aq fort rritjen e kësaj prirjeje. Tocolit, i cili prej ministrit të vet Arnaldo Forlani kishte marrë nxitje, në tetor 1978 ia kish fikur entuziazmin e përmirësimit të hovshëm të marrëdhënieve vetë ministri i Jashtëm i Tiranës, Nesti Nase.
Ky pati komunikuar me të me vetëm sloganet politike të përhershme, të ngurta.
Por një muaj më vonë, në 8 nëntor, ndërsa pritej fare pak, në një fjalim kongresual, vetë Enver Hoxha e rreshtoi Italinë midis vendeve me të cilët dëshironin realizimin e marrëdhënieve miqësore si edhe me shkëmbime tregtare intensive.
Hoxha e vendosi Italinë pothuaj barabar me Francën. Ai theksoi se me këtë shtet kryhej tregti që zinte pozicionin e parë midis vendeve të Perëndimit.
Ky theksim nuk ishte pak, por ndërkaq kryekomunisti shqiptar në fjalimin e vet direktiv pati theksuar se ndaj Italisë, për shkak se mbetej ende një shtet prej ku mund t’u vinin rreziqe agresioni, duhej mbajtur përherë nën vigjilencë të lartë.
Nuk kaluan dot as dy javë të plota kur në 20 nëntor 1978 nënministri i Jashtëm i Tiranës, Ksenofon Nushi, u takua me ambasadorin italian Xhan Paolo Tocoli. Ky iu lut të sqarohej përse Enver Hoxha pati theksuar se ndaj Italisë duhej mbajtur një qëndrim i përhershëm vigjilent. Nushi i shpjegoi se fjala ishte për NATO-n, të cilin në Tiranë e konsideronin një pakt ushtarak agresiv.
Në këto rrethana nisi fill vizita në Tiranë e ministrit italian të Tregtisë me Jashtë, Rinaldo Osola.
Ishte 7 janar 1979 kur delegacioni me të në krye zbriti në aeroportin e Rinasit, dhe 9 janari dita kur u largua. Bisedimet për firmosjen e një dokumenti shkëmbimesh tregtare mes dy vendeve nga pala shqiptare kishin partner kolegun e tij të njëjtë, ministrin e Tregtisë me Jashtë, Nedin Hoxha.
Osola në ditët e qëndrinit në Tiranë vizitoi edhe disa fabrika shqiptare, si edhe u prit prej nënkryeministrit Adil Çarçani.
Italianët këtë herë nuk qenë vetëm për bumin e shkëmbimeve tregtare, vajtje-ardhjen e mallrave të konsumit, por edhe për furnizimin me makineri industriale, madje edhe me fabrika të tëra. Këtu nuk përjashtohej edhe ndihma për metalurgjinë.
Osola njëkohësisht ofroi edhe rivendosjen e linjës detare të trageteve Bari-Durrës. Po ashtu edhe ato ajrore Bari-Tiranë.
Ishte kjo atmosferë që nxiti përpjekjen e palës shqiptare për të mundësuar në Itali publikimin si në Francë të librit të Ismail Kadaresë “Dimri i madh”, dëshmisë së tërthortë por të sigurt se si Shqipëria e pati shpëtuar Italinë prej një sulmi nga forcat e Traktatit të Varshavës. Mendohej se qe Roma ajo, e cila duhej të nxitonte, t’ja kalonte madje edhe Francës e çdo shteti tjetër europerëndimor, në botimin dhe shpërndarjen e këtij vëllimi plot dëshmi befasuese.
Por, të detyruar për ta konsumuar këto çaste, ngjau një fakt pak i kuptimtë: ky botim nuk ndodhi kurrë.
Psenë do të përpiqemi ta hamendësojmë në shkrimet e ardhshme, sepse për t’i dhënë një interpretim të sigurt e kemi pothuaj të pamundur: në arkivin e Ministrisë së Jashtme në Tiranë nuk gjen dokumentacion për këtë zhvillim të joracional dhe fort të habitshëm.
Përkthimet dhe publikimet e librave të Ismail Kadaresë në Itali morën një rrjedhë tjetër. Si ishte kjo deri sa ra regjimi enverist në Tiranë, çfarë dinamike titujsh pati gjer në çastin kur erdhi në Romë në fillim maj 1999, subjekt qendror i këtij cikli shkrimesh?
Kadare nisi të bëhej në Itali sadopak i njohur në vitin 1968, me përmbledhjen me antologjinë “Poema dhe poezi të zgjedhura”.
Pastaj u desh pothuaj një dekadë deri sa të rishfaqej në 1977 me poemën “Përse mendohen këto male” si edhe një antologji të dytë me tetë poetë shqiptarë.
Katër mote më vonë, në 1981, nën përkthimin nga frengjishtja të Augusto Donaudy, u publikua “Daullet e shiut”. Pas një viti u botua “Muzgu i perëndive të stepës” (“Il crepuscolo degli dei della steppa”). Përkthyes qe Mario Varka (Mario Varca). “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (“Il generale dell’armata morta”) gjeti dritë publikimi në 1982 dhe tek lexuesi italian e dërgoi njëra nga shtëpitë botuese më të madhe të vendit: Longanesi.
Ky ishte çasti kur Kadare bëri një hop cilësor të kontaktit të tij me popullin latin, me të cilin shqiptarët kishin një histori mbi dymijë vjeçare pranie shumë të afërt, mendësie kulturore po ashtu.
Shtatë mote kaluar, në 1989, lexuesit italian iu dha romani “Kush e solli Doruntinën” (“Chi ha riportato Doruntina?”)
Në vitin 1991, kur Shqipëria ndodhej në zëvëndësimin e sistemit shoqëror të mbyllur me atë të hapët, u botua “Pallati i ëndërrave” (“Il palazzo dei sogni: romanzo”). Sërish hyri në veprim e autoritetshmja Longanesi.
Këtë vit, 1991, u shfaq në libraritë italiane “Qyteti i gurtë” (“La città di pietra”). Ndërkohë del në pah edhe përkthyesi vendas, profesionisti Françesko Bruno. Ky që prej këtij çasti do të jetë pothuaj sipërmarrësi kryesor i përcjelljes së letërsisë së Ismail Kadaresë tek populli italian.
“Prilli i thyer” (“Aprile spezzato”, përkthim nga Flavia Çeloto), ndodhi në 1993, kurse në motin 1996 shtëpia botuese “Besa”, në qytetin e Leçes, përhapi në tregun librar “La commissione delle feste” (“Komisioni i festës”).
Viti 1997 ishte rradha e romanit “Piramida”. Qe Françesco Bruno përkthyes. Në 1999 Bruno u përfshi me shpejtësi dhe vullnet të hekurt në përkthimin, më pas botimin, e “Tre canti funebri per il Kossovo” (“Tre kengë zie për Kosovën”. Shtëpia botuese Longanesi.
Tashmë Kadare qe autor i hyrë në elitën e më të mirëve të pëlqyer prej italianëve. Zëri i tij gjithashtu dëgjohej, vëmendshëm madje.
Por ndryshe nga Franca, në Itali librat e tij me sfond apo subjekt të drejtpërdrejtë përleshjet e mëdha të Tiranës zyrtare dhe të Enver Hoxhës me kundërshtarët e dëgjuar politkë (revizionistët!?) siç qenë jugosllavët, sovjetikët dhe në 1978 edhe kinezët, nuk po gjenin dot konsensus për publikim të menjëhershëm dhe masiv.
1979-ta ishte moti kulmor i përpjekjes së ambasadave shqiptare për të gjetur mundësinë e publikimit të “Dimrit të madh”. Në 26 prill 1979 përfaqësia diplomatike shqiptare në Athinë i niste Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme radiogramin 672, në të cilin i thoshte se “Komisari Memo është në tipografi dhe del në qarkullim brenda majit. Kemi gjetur shtëpi botuese tjetër për romanin “Dimri i madh” me kusht tua japim në gjuhën greke. Po qetë dakord na njoftoni!”
Pra në Greqinë, fqinjë jugore, kishte më shumë gatishmëri për të bashkëpunuar për “Dimrin e madh”, prishjen me Moskën, ndërkohë që Italia, siç thamë pak më sipër, dukej treg i mëdyshtë, thua qe i ftohtë për subjektin e ndarjes shqiptaro-sovjetike në 1961.
Apo edhe druhej prej ndonjë ndërlikimi diplomatik?
Në Itali vepronte jo vetëm një masë e madhe komunistësh që e ndjenin ende të afërt Moskën, por edhe demokristianë të shumtë, të cilët pëlqenin baletin politik.
Kjo gjendje siç duket nuk pranohej nga Enver Hoxha, i cili qe “heroi” i bëmave të shkëputjes së trefishtë dhe për këtë qëllim kërkonte famë botërore. Ai pati shkruar enkas edhe libra të posaçëm, të tjerë kishte në dorë.
Midis tyre në fund të vitit 1979 qe edhe dy vëllimëshi “Shënime për Kinën”.
Përveç se shqip i përkthyer në Tiranë edhe në disa gjuhë të huaja, mes tyre edhe italisht, Hoxha nuk ndenji duarkryq. U hodh në sulm. Nisi, kundrejt shpenzimeve shumë të mëdha nga arka e shtetit, vala e madhe e dërgimit të mijra kopjeve të këtij libri jashtë vendit, në lindje e sidomos perëndim të Evropës.
Për këtë përdoreshin jo vetëm mjete të huaja civile të transportit ajror, por në det edhe barka e anije gjithfarësh, korrierë të posaçëm, rrjete simpatizantësh pako postale.
Ky ishte operacioni propogandistik special “Shënime për Kinën”.
Ne 2 nëntor 1979 ambasada shqiptare në Romë i përcillte Ministrisë në Tiranë një radiogram (me numrin 1840), ku shkruhej: “Gjatë shpërndarjes së vëllimit të dytë, kolegu ynë, Naimi, mori takim me zv.drejtorin e agjencisë ANSA, Akonero, me gazetarë të agjencisë Monteçitore, gazetës Mesaxhero, Avanti dhe Tempo. Të gjothë këta e pritën mirë librin dhe u zotuan se do të bëjnë njoftimin në organet e tyre për vëllimin e dytë të “Shënime për Kinën”, gjatë këtyre ditëve.”

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 22 janar 2020


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com