Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

BUTKA DHE BUTKALLINJTË, NDER I NACIONALIZMIT SHQIPTAR


(Botuar në portalet “Zemra shqiptare”, “Dituria” si edhe gazetar “Bota sot” dhe “Fjala e lirë”

Nga Kadri Tarelli

Ylli Polovina në një liber te ri

Godet dhe tërheq titulli i librit “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”, të autorit Ylli Polovina, sepse është mjaft ngacmues, aq sa të lind përshtypja e çastit: “Si shumë lart e paska ngritur emrin e një fshati të vogël në rrëzë të malit Gramoz, siç është Butka në krahinën e Kolonjës”.Kjo ndjesi fillestare krijohet te të gjithë këndonjësit, që, ose nuk kanë fare dijeni mbi Butkën apo butkallinjtë, ose njohja është aq sipërfaqësore, duke mbetur në dy apo tre emra burrash, që kanë lënë gjurmë, jo vetëm në Kolonjë, por edhe në historinë e Shqipërisë. Emra të fisëm, disa të nderuar e të lakmuar për trimëri e mençuri, të tjerë të nëmur, të mallkuar, të baltosur e të damkosur keq nga politika. Madje edhe më keq akoma, kur për ta gjëmonte e shkrepte rrufe “Zeusi”, udhëheqësi i partisë Enver Hoxha. Ai edhe pas 20-vjetësh çlirim, në një vizitë në Kolonjë, në maj të vitit 1965, i rikthehet kësaj teme, kur thotë: “Një fjalë e urtë popullore thotë: “Trëndafili bën gjembin”. Familja e Butkës nxori trëndafila, nxori edhe gjemba. Njëri nga gjembat më të helmatisur të kësaj familjeje, ishte Safeti”, duke vazhduar më poshtë: “Qysh gjatë luftës Nacionalçlirimtare, u duk qartë, se këta tradhtarë, që mbanin emrin shqiptar ………”.Kam përshtypjen se të njëjtën taktikë, baltosja e kundërshtarëve politik të luftës, e përdori kudo që shkonte në krahinat e vendit. Si duket i bënin hije madhështisë së tij.
Nuk marr përsipër të komentoj këto fjalë të fitimtarit dhe fitimtarëve që “shkruajnë historinë”, sepse lexuesi e nxjerr vete përfundimin, duke gjykuar mbi pak reshta, për secilin nga burrat e familjes së madhe të butkallinjve.
Trëndafila ishin: Sali Butka, shumë i njohur për patriotizëm, për të cilin shkrimtari Sabri Godo ka shkruar një libër mjaft të bukur, “Plaku i Butkës”. Trëndafil ishte edhe i biri Ganiu, që u vra në Starovë të Pogradecit, në përpjekje kundër forcave të Haxhi Qamilit. Trëndafil u bë edhe Muharrem Butka, pjesëmarrës në demostratën e rinisë në Korçare, në nëntor 1941, ku u plagos rëndë, më pas dalë partizan familjarisht. Besoj rast i rrallë.

Ndërsa gjemba mbetën të tjerët:

Safet Butka, i diplomuar në Austri, profesor e drejtor në disa shkolla të mesme në Shqipëri, kundërshtar i pushtuesit italian, i internuar për disa vjet (1940–1943), në Ventotene Itali. Pas kthimit në vendlindje, krijon çetën e Kolonjës. I vetëvrarë, sepse nuk pranonte vëllavrasjen mes shqiptarëve, ballistë e komunistë. Uran Butka ka shkruar një libër monografi për të.
Qemal Butka, inxhinier-arkitekt i diplomuar në Austri, kryetar i Bashkisë së Tiranës, deri në Prill 1939, kundërshtar i thekur i pushtimit italian, të citët e kërkuan për ta arrestuar. Shpëton duke u arratisu fillimisht në Turqi, më pas në Palestinë, Misir dhe përfundon në SHBA, ku e kaloi jetën.
Xhafer Butka, i arratisur që në ditët e para të çlirimit. Vdiq në Gjermani. Familja e internuar.
Fetah Butka, anëtar i Grupit Komunist “Zjarri”. Pjesëmarrës në Konferencën e Pezës, në shtator 1942 (I harruar qëllimisht). I kërkuar për t’u arrestuar nga forcat ushtarake italiane. Komandant i një çete të madhe nacionalistësh. Pajtohet me komunistët për të luftuar së bashku, të cilët e prishën marrëveshjen, ndryshuan strategji dhe taktikë, duke u kthyer pushkët çetave balliste. Fetahu, në një çast tronditjeje nga besë-prerja, thotë: -Pse kështu vritet shqiptari nga shqiptari?Ai, i ndodhur në vorbullën e përplasjes, s’besoj se u çudit nga fjalët profetike të komunistit Anastas Lulo, bashkëkryetar i “Grupit komunist të të rinjve”:“Mos u bashko me ta, sepse janë me jugosllavët. Edhe unë komunist jam, por jo komunizëm me jugosllavët”.Fetahu arrestohet në ditët e para të çlirimit, një fije floku e shpëtoi nga pushkatimi. Dënohet me burg, familja u internua.
Duam apo nuk duam, fshati Butka mbetet në kujtesën e kombit, si qendër e nacionalizmit shqiptar.Ndaj duket sikur autori Ylli Polovina, enkas e ka zgjedhur këtë fshat e këtë familje, për t’u shprehur:“Jam i çmendur, një i sëmurë patologjik, kur bëhet fjalë për kombin dhe shqiptarinë”.
Që në ballinë të librit, bie në sy përplasja paralajmëruese, artistikisht e bukur e ideatorit, i cili ka vendosur pranë e pranë kapelen me yll të kuq, simbol i komunistëve, ardhur nga sllavët dhe përkarshi qeleshen, (në Kosovë i thonë “plis”), pra qeleshen e bardhë me shqiponjën e zezë, simbole “bio” të nacionalizmit shqiptar. Pamja është një kumt tragjik dhe përgjithësim lakonik i përmbajtjes së librit, ku ashtu pran e pran e përballë, siç u vendosën shqiptarët në kohën e luftës, ndeshen dy qëndrime dhe dy ideologji brenda të njëjtës familje. Çudi dhe fatkeqësi: një atdhe, një popull, një pushtues, dy qëndrime, dy ideologji, dy ushtri shqiptare, që u ndeshën me njëra-tjetrën, duke vrarë shqiptari-shqiptarin?! Një dukuri, që nuk mbeti vetëm në familjen e madhe të butkallinjve, por molepsi tërë shoqërinë shqiptare të asaj kohe.
Më lart përmenda fjalët: “Kumt tragjik”, për të mos thënë “ogurzi”, jo thjesht për vazhdimësinë e kësaj familje të madhe patriote me rrënjë e degë, që u përndoq si nga italianët pushtues dhe ca më keq nga sundimtarët komunist, por te ndarja, apo përçarja që e ndoqi shoqërinë shqiptare pas lufte, për 45-vjet me radhë. Është trashëgimia më tragjike për kombin, që na la sundimi gati 50-vjeçar i diktaturës. Fatkeqësisht, por jo çuditërisht, zjarri përçarjes ushqehet vazhdimisht nga politika, si një sëmundje shkatërruese ndaj pajtimit të shqiptarëve dhe bashkimit të kombit.
Lexuesi, që pas faqeve të para, e merr vesh, se libri shkruhet për Fetah Butkën, pra është një monografi e gërshetuar me të gjitha ngjarjet e kohës, si gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu lehtë mund të nxirret përfundimi, se historia e kësaj familjeje, mund të quhet një pasqyrë e të gjithë asaj periudhe, ku parakalojnë të gjitha problemet: ato politike, ideologjike, ushtarake, ekonomike, përfshirë grindjet dhe marrëveshjet, zhgënjimet, besa dhe besë-prerja. Pas fitores, një strategji e endur hollë dhe menduar ligësisht: Asgjësimi dhe ndëshkimi i kundërshtarëve, madje i shtrirë edhe te pasardhësit, në disa breza.
Heronjtë që e mbushin librin janë të gjithë Butkallinjtë e rritur, mes tyre edhe Fetahu, personazh sa interesant aq edhe fatkeq. Ai, ashtu si e gjithë familja “Butka”, mbart në vetvete kalvarin e të gjithë nacionalistëve shqiptar që i shpëtuan vdekjes, por jo goditjes vrastare komuniste, sepse të gjithë u cilësuan “Armiq” e “Tradhëtarë”. Askush nuk çuditet, që sistemi dhe diktatura nuk i harronte “Armiqtë” e tij, duke ushqyer e fryrë zjarrit të urrejtjes në popull. Kështu ndodhi edhe me Fetahun, aq sa emri i tij do të kujtohej e lakohej edhe nëpër veprat e Enver Hoxhës: “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” dhe “Kur lindi Partia”. Vetiu lind pyetja: Pse? Përgjigja është e thjeshtë: Menduan keq për të bërë keq dhe bënë keq.
Pa dashje, politika nuk e çbëri dot Fetahun si faktor historik. Pikërisht këtë të vërtetë na thotë autori i librit, i cili me guxim e durim, heq pluhurin dhe baltën e kohës, duke na dhënë leksion, se “E vërteta vonon, por nuk harron” dhe historia nuk të fal. “Heroi” ishte dhe mbeti një atdhetar luftëtar dhe veprimtar aktiv, që bëri histori dhe kështu mbeti në histori. Mbase ka të drejtë Sharl De Gol, ish presidenti i Francës, që thotë: “Lavdia shkon te ai, që nuk e kërkon vetë”.
Nuk di sa vlerësohet analiza që po bëj, por logjika më shtyn tëmendoj e të pyes: Cili nga heronjtë e luftës për liri, gjatë viteve 1939-1944, meriton më shumë vlerësim dhe nderim? Ata që e filluan luftën vetë dhe organizuan çeta luftarake, duke u nisur nga bindjet e tyre atdhetare, apo ata, të cilët e nisën dhe e bitisën luftën, me orientimin e partisë, madje pas krijimit të saj në nëntor 1941?
Një meritë e studiuesit Polovina, është, se në ngjarjet e mëdha të kohës, nuk ka lënë mënjanë gratë e butkallinjve, të cilat janë ndodhur e qëndruan përkrah burrave edhe në ditë të vështira. Ato ishin, sa të bukura e trime, aq edhe të fisme e të duruara, për të përballuar vështirësitë e luftës dhe të pas luftës, duke mbetur “zonja” deri në fund. Kush i ka njohur, ka shprehur nderim e adhurim, për fisnikërinë e tyre.
Kur mbaron edhe faqen e fundit, lexuesi kupton, se libri është një porosi, për të njohur dhe mos harruar të kaluarën. Secili do të ndjejë kënaqësi në artin e fjalës, po aq edhe nga ndodhitë e shumta të rrëfyera aq thjesht e bukur, me toponimet e krahinës dhe të zonave ndërluftuese, me një fjalor shpesh origjinal në të folurën e Kolonjës. Por do të ndjejë edhe trishtim e dhimbje shpirti, duke pyetur veten: Pse ndodhi kështu me historinë dhe jetën e shqiptarëve. Pyetje që i shkojë përshtat edhe këto fjalë të thëna nga nobelisti Aleksandër Sollzhenicin, i cili shprehet: “Nëse mban sytë nga e kaluara, t’u qorroftë njëri sy. Nëse harron të kaluarën t’u qorrofshin të dy”.
Urime autorit për vepra të tjera me vlera kombëtare e atdhetare!

Kadri Tarelli

Durrës më: 22, vjeshta e dytë, 2019.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com