|
PSE “DIMRI I VETMISË SË MADHE” I SHËRBENTE PERËNDIMIT
Pjesa e shtatë e ciklit
Botuar në “Illyria” në 17 janar 2020)
Siç vumë në dukje javën e shkuar në 9 janar 1979 kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme, ish-ambasadori mjaft i njohur për shkathtësi diplomatike Javer Malo, do të hartonte një raport informativ për eprorët e tij, ku në fjalët e para do të shkruhej saktësisht: “Ditën e hënë, më 8 janar, bashkë me Ismail Kadarenë dhe Qako Dangon, pritëm gazetarët italianë që shoqëruan në Shqipëri ministrin Osola (Rinaldo Ossola, ministri italian për Tregtinë me Jashtë-shënimi ynë). Këta ishin Viola, i gazetës “La Repubblica”, një i dërguar i “Corriere della Sera” dhe një tjetër i Ansës (Agjencisë Italiane të Lajmeve-shënimi ynë), ky i fundit mjaft i ri në moshë”.
Vijonte teksti: “Ata bënë një sërë pyetjesh (dy të parët, sepse i dërguari i Ansës nuk bëri asnjë pyetje), një pjesë nga të cilat m’u drejtuan mua, ato që kishin të bënin me letërsinë dhe artin iu drejtuan Ismail Kadaresë dhe dy pyetje mbi gjendjen në Hindokinë dhe bashkëpunimin kino-amerikan iu drejtuan Qako Dangos”.
Shënojmë se Qako Dango ishte gazetar në “Zëri i Popullit”.
Raporton më tej Javer Malo: “Pyetjet, pra, që na u drejtuan, ishin këto:
1. Në përgjithësi imazhi i Shqipërisë në botën e jashtme se ajo është një vend i izoluar. Ç’mendoni ju për këtë?
2. Ju keni kërkuar dikur mbrojtjen nën dy ombrella, së pari në atë të sovjetikëve dhe pastaj nën atë të kinezëve. Përse tani nuk do të doni ta lidhni pavarësinë tuaj me një rreshtim për shembull me atë të paangazhuarve?
3. A nuk mendoni, sidoqoftë, se Shqipëria do të ketë një hapje?
4. Politika e pavarur e Shqipërisë a ka arsye historike apo është e lidhur me analizat e situatave që ju bëni?
5. A nuk do t’i shpejtoni ju ritmet e ndërtimit të vendit tuaj duke marrë nga jashtë ndonjë lloj kredie?
6. Mosmarrja e kredive ka të bëjë me parimet që ju mbroni?”
Ky grup prej gjashtë pyetjesh, duke patur parasysh pjesën arkivore të Ministrisë së Jashtme Shqiptare të pas luftës së Dytë deri në rënien e sistemit shoqëror komunist, përbën rastin e sjelljes më të guximshme të kryer në Tiranë prej gazetarëve të huaj. Megjithatë raportimi i Javer Malos duket i paalarmuar, aspak nervoz dhe i revoltuar. Në fund të fundt të ardhurit duhej t’i duronin, sepse nuk i patën ftuar vetë dhe për rrjedhojë nuk mbanin ndonjë përgjegjësi. Në çdo rast tjetër asaj tresheje bizdisëse as që do t’u kishin dhënë vizë hyrëse në territorin e Shqipërisë.
Malo madje nuk ua di dhe me sa duket as që dëshiron tua dijë emrat dy prej tyre, madje edhe të dërguarit të “La Repubblica” nuk i mban mend mbiemrin.
Në të vërtetë ky qe një gazetar me plot autoritet në vendin e vet dhe quhej Alesandro Bonaventura Viola. Ishte i dërguari special kudo në botë i gazetës “La Repubblica”, tepër i përgatitur për misione të rrezikshme për jetën në vendet më të nxehta të globit, profesion i vështirë që e pati nisur që me të përditshmet “Il Mondo”, “La Stampa” dhe revistën informative “Espresso”.
Pastaj që prej vitit 1976, kur u themelua “La Repubblica”, kokëkrisjen e tij e vazhdoi këtu.
Alesandro më shpesh thirrej me emrin e shkurtuar të tij Sandro dhe artikujt e vet nga Lindja e Mesme e Moska, Kina dhe vendet e eurolindjes komuniste, nga Portugalia dhe Spanja, qenë të shumtë kur në janar 1979 erdhi për herë të parë në Shqipëri. Atë dhe dy kolegët e tij i pati zgjedhur jo ambasada shqiptare në Romë, por vetë ministri italian i Tregtisë me Jashtë Rinaldo Ossola.
Alesandro Viola, i cilësuar në shtypin e vendit të vet si ekspert i politikës së jashtme, nuk qe aspak admirues i komunizmit, përkundrazi, shprehej ashpër kundër tij. Pyetjet e mësipërme, të paktën shumicën e tyre, duhet t’i ketë bërë ai dhe jo i dërguari i “Corriere della Sera”, një nga arsyet që këtij të fundit Javer Malo t’ia mos ketë mbajtur mend emrin.
Sipas raportit informativ të këtij të fundit për organin epror të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, pjesa e dytë e pyetjeve, qe formuluar në tre të tilla.
Ato ishin: “Në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” ju përshkruani prishjen me sovjetikët. Ç’ndryshim ka midis dy prishjeve?”, “Në ekspozitën e pikturës që pamë vumë re se ajo është e ngjashme me ekspozitat që bëhen në Bashkimin Sovjetik, Bullgari e vende të tjera. Cili është raporti i artit tuaj me ideologjinë?” dhe “A ka disidentë në Shqipëri, si ç’ka në vende të tjera?”
Edhe këto tre pyetje, duket qartas, që janë sfiduese për mendësinë e regjimit të Tiranës, në mos hapët kundërshtuese. Duket jo pak e habitshme se si dy të dërguarit i gazetave më të dëgjuara italiane, “Corriere della Sera” dhe “La Repubblica”, të dyja sëbashku me tirazh më shumë se një milion kopje ditore, nuk bëjnë kujdes të mos shkaktojnë irritim në kryeqytetin shqiptar.
Ministri Osola, siç do ta shpjegojmë më pas, kishte kryer një vizitë për miqësim të domosdoshmëm me qeverinë komuniste të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut dhe nuk ia kish ngenë që njerës rreth tij të acaronin marrëdhëniet.
Pjesa e tretë e pyetjeve, siç raportonte për eprorët Javer Malo, kishte këto formulime: “Ç’mendoni për gjendjen në Indokinë?”, “Ç’mendoni për bashkëpunimin kino-amerikan dhe ç’pasoja mendoni se do të ketë kjo në politikën botërore?”, “Si e konsideroni në përgjithësi situatën në botë?”
Edhe ky grup i gjithsej nëntë pyetjeve që iu bënë Javer Malos, Ismail Kadaresë dhe Qako Dangos, ishte “me zarar”.
Gjithsesi kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme nuk dëshmon mërzi, ndihet relativisht i qetë. Ai shpjegon në informacion se “Pak a shumë këto dhe rreth këtyre çështjeve u bënë pyetjet”.
Pastaj: “Përshtypja jonë është se përgjigjet ishin të mira, konçize, të sakta”.
Kjo do të thotë se që të tre përfaqësuesit e palës shqiptare kishin mbajtur qëndrimin e Partisë së Punës dhe të doktrinës politike të Enver Hoxhës. Pyetjes drejtuar Ismail Kadaresë për ekzistencën apo jo të ndonjë disidence në Shqipëri ky i fundit do t’i jetë përgjigjur në mënyrë kategorikisht mohuese.
Aq të përputhura me vijën zyrtare me sa duket qenë shpjegimet e eksponentëve shqiptarë të fushës politike dhe kulturore sa që Javer Malo, edhe pse nuk i raporton thelbet e përgjigjeve, nuk paraqit asnjë nëntekst dyshues për to.
E përsëritim si e formulon ai këtë gjykim: “Përshtypja jonë është se përgjigjet ishin të mira, konçize, të sakta”.
Në vazhdim Malo sqaron: “Biseda me pyetje-përgjigjet dhe përkthimin e përgjigjeve zgjati një orë”.
Duket sikur pikërisht këtu raporti duhej të mbyllej, por krejt papritur hapet një çështje tjetër, aspak e dorës së dytë. Në pjesën përfundimtare të tij thuhet: “Gazetarët nuk bënë fjalë për përkthimin e romanit të Kadaresë “Dimëri i vetmisë së madhe”. Por në fund të bisedës, shoqëruesi i tyre, Likurg Roshi, tha se Viola ka marrë përsipër ta përkthejë romanin. Ky u përgjegj se nuk e ka marrë përsipër këtë, por shoku i tij i “Corriere della sera” do të interesohet për këtë”.
Shpjegon Javer Malo: “Mesa duket kjo ka qenë një bisedë midis Likurg Roshit dhe gazetarëve, por me sa duket e paqartësuar”.
Më pas: “Shënojmë këtu, për dijeni, se Nikola Karaço (mbiemri është Karaçolo-shënimi ynë), i televizionit italian, kur ishte këtu tha se do të interesohej pranë shtëpive botuese me të cilat kishte njohje, për përkthimin e romanit”.
Kështu mbyllet informacioni i kryetarit të Komitetit për Marrëdhëniet Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme dhe nuk duhet shumë mund për të kuptuar se vizita në Tiranë e ministrit italian për Marrëdhëniet Tregtare me Jashtë po përdorej nga Tirana edhe për të mundësuar botimin në vendin e tij të librit të Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”, ato çaste rivështruar prej autorit dhe me titull të përmirësuar “Dimri i madh”.
Kjo nuk bëhej, doemos, për të përhapur famën e shkrimtarit, por më së pari atë të personazhit kryesor politik të librit të tij: Enver Hoxhës.
Në të vërtetë fushata diplomatike për këtë botim kishte kohë që pati nisur dhe po jepte rezultat, madje të shpejtë. Autoritetet politike në Tiranë e kishin kuptuar fare mirë se tema e prishjes së marrëdhënieve mes Hoxhës dhe Hrushovit, Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, vazhdonte të ishte mjaft e pëlqyer për Perëndimin.
Ajo që kish ndodhur në 1961 e pati lehtësuar luftën e demokracive kundër jo vetëm regjimit totalitar bolshevik, por edhe kundër BRSS-së, kështjellës ideologjike realkomuniste që nxiste destabilizimin e shoqërive të lira kapitaliste, rrëzimin e tyre.
Për Parisin, Londrën apo Nju Jorkun “Dimri i vetmisë së madhe”, edhe pse në qendër kishte trimërimin e një komunisti radikal si Enver Hoxha, mbrojtës i rreptë i stalinizmit, qe një artileri e rëndë kundër kampit socialist dhe përpjekjeve të këtij të fundit për t’u përhapur dhe zgjeruar nëpër botë.
“Dimri i vetmisë së madhe” (“Dimri i madh”) edhe këto çaste në fund motit 1979 vijonte të qe trakt kushtrues kundër Moskës sovjetike.
Në 14 shkurt 1978, në radiogramin 3654 të nisur drejt Parisit prej Tiranës, i tërhiqet vëmendja ambasadës: “Lidhur me romanin “Dimri i madh” në Francë nuk e kuptojmë pse jepni një njoftim të thatë në vend që të trasmentoni shpejt të përkthyer artikujt e botuar në organet qëndrore dhe provinciale”.
Ndërkaq dy javë më parë, në 28 janar, ambasadori Dhimitër Lamani që nga Parisi i niste ministrit të Punëve të Jashtme Nesti Nase në Shqipëri radiogramin me numër 93, në të cilin thuhej: “Me Ismail Kadarenë, në bazë të udhëzimeve aprovuar nga Komiteti, shoku Javer, kemi organizuar takimin me përfaqësuesen e Hashetit (Hatchet, shtëpi e madhe botuese në Francë-shënimi ynë), zonjën For për botimin e romanit “Dimri i madh”. Kjo e mbajti romanin për ta parë dhe na e ktheu të hënën mbasi është i gjatë.
Paraprakisht e priti mirë dhe rekomandoi që romani për karakterin e tij t’i jepet për botim shtëpisë botuese “Fayard” që është filiale e Hashetit. Në 30 janar do të merret do të merret takim me drejtorin e Fayardit dhe ju njoftojmë”.
Në 27 janar 1979, pra njëzetë e katër orë pas radiogramit të Dhimitër Lamanit, ambasada shqiptare në Stokolm të Suedisë i dërgonte Ministrisë së Jashtme dhe Komitetit të Kulturës mesazhin: “Bëmë vizitë në shoqërinë e njohur suedese të botimeve “Bonier”. Na priti vetë Karl Otto Bonier dhe i biri. Shkëmbyem mendime dhe ata folën e bënë vlerësime shumë të mira për arritjet e letërsisë tonë. Me shkrimtarë të tillë si Kadareja, thanë ata, letërsia shqipe është e madhe dhe ka personalitet. Ne, tha i biri, kemi shkëmbyer edhe herë tjetër mendime për letërsinë tuaj, por t’u them të drejtën vrapova në Frankfurt për të bërë kontraktimin e librit “Dimri i madh” dhe jemi të parët pas francezëve. Na duhet kohë për ta përkthyer, por mendojmë ta nxjerrim nga botimi nga vjeshta 1980.
Pastaj Karl Otto Bonier tha se në këtë rast ne do të dëshironim të vinte vetë autori Kadare dhe të organizojmë edhe takime me rrethe të ndryshme të letërsisë, artit dhe kulturës suedese”.
Në vijim radiogrami i ambasadës shqiptare në Suedi atë 27 janar 1979 shkruan: “Shkëmbyem mendime dhe u rekomanduam edhe autorë të tjerë, Dritëro Agollin, Jakov Xoxen, etj. Na thanë se interesimi për letërsinë shqipe po rritet dhe se mund të shikojnë për të ardhmen, por Karl Otto shtoi se mendimi ynë është që duke u përqendruar mirë në botimet e ndryshme nga Kadareja, do të rritet më shumë lexuesi dhe to të dalin më shumë kërkesa për autorë të tjerë në të ardhmen”.
Në çështjen e tretë për të cilën ambasada shqiptare në Stokolm i raporton Tiranës në tekstin e radiogramit thuhet: “Shkëmbyem mendme për letërsinë ideollogjike dhe politike. U fola për veprën e shokut Enver “Imperializmi dhe revolucioni”, më dëgjuan me vëmendje. Karl Otto Bonier tha se ne nuk botojmë asnjëherë letërsi ideollogjike. Kjo vepër duhet të përbëjë interes dhe seriozitet. Kam parë që shkruhet e flitet në disa rrethe e vlerësohet mendimi filozofik i zotit Hoxha. Unë nuk kam lexuar gjë vetë nga veprat e tij, por kam lexuar komente gazetash për mendimin e pavarur që keni e analizat që bëni.
Shtoi se jeni një popull e vend i pavaruar e trim e keni zgjuar interesim e admirim të ligjshëm”.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 15 janar 2020
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|