|
Foto: | MERAK I MADH PËR DITËFESTËN E REPUBLIKËS
(Publikuar në FB në 12 janar 2020)
Me sa duket kalimi i rrjedhës së kohës pranë 11 janarit 2020 shkaktoi rindezjen për debat apo sherr politik të çështjes përse kjo datë historike nuk festohet më zyrtarisht si para nëntëdhjetës së shekullit të shkuar.
Ata njerës (të ditur gjithsesi) që po e flakërijnë me stil të shkathët polemik këtë temë drejtpërdëdrejti apo në mënyrë të tërthortë janë të pikëpamjes së vendosur që 11 janari 1946 duhet rikthyer në statusin e festës zyrtare të Ditës së Republikës.
Rrjedha e kohës vite të shkuara ka kapërcyer me nxitim edhe pranë 21 janarit, ditë kur në 1925 u shpall Republika Shqiptare dhe më pas Ahmet Zogu kryetar i saj, President. Këtë mot kjo ngjarje historike përmbush jubile dhe është normale të kemi kërshëri nëse autorë të tjerë apo edhe forca politike alternative me të majtën e kohës së shkuar do ta nxjerrin këtë temë në faqet e para të gazetave. Deri tani, në fakt, për ta nismuar ringjalljen e saj politike kanë heshtur për plot tridhjetë vjet.
Në të vërtetë kur Ahmet Zogolli ndërmori dhe realizoi Republikën Shqiptare nuk e kish shumë hallin për ti dhënë një status zyrtar të përparuar asaj, por për të lehtësuar rrethanat e ambicies së tij të pohuar që në motet kur i ri jetonte e përgatitej për karrierë në Vjenë: të bëhej mbret. Nuk u vonua asnjë grimë: pas tri vitesh nga kolltuku presidencial kërceu në fronin e monarkut. Ajo ishte një mbretëri e panatyrshme dhe e papërputhshme me mendësinë dhe traditën e deri atëhershme të shqiptarëve. Jo rrallë bashkë me seriozen kjo periudhë mbretërore nxirrte në pah edhe edhe komiken e saj.
Kur në 11 janar Enver Hoxha, ky individ me buzëqeshje magjike në fytyrë dhe traditë të vijuar qytetare, por që rezultoi bashkëkombës shumë i dhunshëm, në krah me ndjekësit e tij stalinistë shpallën për Shqipërinë e pasluftës statusin e Republikës, e saktësuan e çfarë tipi qe.
Ajo ishte Republikë Popullore. Për ta dëshmuar këtë bashkëngjitur me këtë shkrim i kam sjellë lexuesit edhe faqen e parë të gazetës Bashkimi të datës 11 janar 1946.
Republika Popullore ishte një model ideologjik i të gjithë vendeve eurolindore që ndodheshin nën udhëheqjen dhe diktatin e Bashkimit Sovjetik komunist. Republika Popullore qe as më shumë dhe as më pak republika e diktaturës së proletariatit. Ajo që zbatoi me ligje dhe fare pa to politikën brutale të luftës së klasave dhe të mbylljes e izolimit, çfarë përfundoi në shtypje dhe rivarfërim.
Kështu janë hileqare dhe dështake si Republika Shqiptare (e para) dhe Republika Popullore (e dyta). Mbi të gjitha ato nuk janë shqiptarbashkuese. Çjanë këto festa me vetëm gjysmën e popullit!?
Ne jemi republikë e palëkundur, e sprovuar dhe e bindur për të mos zgjedhur monarkinë. Ky status është shndërruar në themel e traditë jo vetëm dy shekuj më parë që në projektin rilindas të shtetit të ardhshëm shqiptar, të mëvetësuar më pas, me në krye republikanin e madh Ismail Qemali, në 28 nëntor 1912.
Dita e Flamurit, kjo kryefestë, nuk është gjë tjetër, por njëherësh simbolikisht edhe dita e republikës tonë.
Pse kërkojmë atë që e kemi aq denjësisht?
Ylli Polovina
Tiranë, 12 janar 2020
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|