|
EUROKOMUNISTI DHE ITALO-ARBËRESHI ANTONIO GRAMSHI
Pjesa e gjashtë e ciklit
(Botuar në “Illyria” në 10 janar 2020)
Pasi shkrimin e herës së kaluar ndër tre pjesëmarrësit e spikatur italianë të veprimtarisë së promovimit të librit antologjik “Poezia shqiptare” në fillim nëntor 1977 ishte më së pari vetë autorja Xhojs Lusu Salvadori (për të cilën partaqitëm të dhënat kryesore të jetë-veprës së saj dhe bëmë të ditur që kishte edhe një prejardhje arbëreshe), i dyti personalitet i zëshëm qe Arturo Foski (Arturo Foschi).
Siç ju thamë ai thirrej nga të gjithë shokët e tij, por edhe prej mjaft të tjerëve që nuk e njihnin nga afër, “Partizani i Shqipërisë”. Ndërkohë do ta shkruante vetë si e cilësonte Shqipërinë: “Atdhe-mëmë”.
Kjo e fundit duket disi e tepruar, sepse Foski qe një italian i përkushtuar për atdheun e vet, luftëtar për përparimin e tij. Mëmëdhe ai kishte Italinë, doemos, por përse deklaron një lidhje shumë të ngushtë, pothuaj gjaku, me vendin përtej detit?
Sipas mendimit të autorit të këtij cikli shkrimesh, kjo ka të bëjë me një të tretë që i lidh, me një zemërbashkues.
Ky është Antonio Gramshi.
Arturo Foski pati qenë militant historik i Partisë Komuniste Italiane si edhe figurë e spikatur e rezistencës antifashiste të vendit të vet. Vinte prej një familjeje të pasur me shumë toka dhe sidomos pemëtore ullinjsh, e cila jetonte në Sabina, qytezë dy hapa larg Romës.
Pra Foski nuk qe as i varfër dhe as proletar, me pak fjalë nuk ishte prej atyre që Marksi i konsideronte prej njerëzve të shtypur që duhej të ngriheshin në revolucion shoqëror dhe të përmbysnin rendin kapitalist tsepse nuk kishin çfarë të humbitnin përveç prangave.
Gjatë luftës qe dërguar si ushtar në Shqipëri dhe pas kapitullimit të Italisë në 8 shtator 1943 ishte njëri prej shumë bashkëkombësve të tij që u bashkua me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Ai u bë pjesëtar dhe më pas njëri prej drejtuesve të Batalionit “Antonio Gramshi”, njësi në përbërje të Brigadës, më pas Divizionit, të Parë.
Luftoi me gjermanët deri edhe trup me trup, duke rrezikuar jetën.
Arturo Foski qe larguar nga Shqipëria në maj 1945 i dekoruar nga qeveria komuniste dhe në vendin e vet jo vetëm e mbajti gjallë dashurinë për shqiptarët, por edhe u shndërrua në një veprimtar të madh për mbrojtjen e saj. Politikisht ishte simpatizant i Partisë së Punës dhe mik i Enver Hoxhës.
Ndërkohë në vendin e vet zhvillonte veprimtari publike në qeverisjen lokale. Që nga viti 1956 deri në 1975 ishte nënkryetar bashkie i qytetit të Liçencës, nga moti 1980 deri në 1983 kryetar i kësaj bashkie.
Foski, ky “Partizan i Shqipërisë”, do të jetonte gjatë: jeta e tij do të ndërronte ku qe 95 vjeç, në mars 2015.
Në promovimin e antologjisë së tetë poetëve shqiptarë, mes tyre Dritëro Agollit dhe Ismail Kadarese, nuk ishte aspak rastësore prania e këtij pjesëmarrësi dhe drejtuesi të batalionit antinazist Antonio Gramshi. Tani që ka nisur viti 2020 e kemi jo fort të lehtë përse prestigji i eurokomunistit të shumë njohur italo-arbëresh si frymëzues aktiv dhe me shumë autoritet i dashurisë së italianëve për letërsinë shqiptare shumë dekada më parë qe një realitet.
Këtë prani ne tashmë nuk e ndjejmë, duke na u vështirësuar kështu të kuptuarit e skenës emocionuese se si në fillim nëntor 1977 u mblodhën në një sallë të madhe të qytetit të Torinos edhe personalitete të vendit që kishin respekt të veçantë për veprën e arbëreshit Antonio Gramshi.
Kjo është një ndjenjë, të cilën mund ta quash tanimë edhe të fikur, sikur autorit të këtyre rradhëve të mos i ndodhte një ngjarje për ta kuptuar se e vërteta pati qenë ndryshe një gjysmë shekulli më parë.
Një mik imi, dikur kolonel i marinë s luftarake të Italisë, me përvojë pune deri edhe në shërbimet e fshehta zbuluese ushtarake të vendit të vet, por edhe komandant i një prej porteve më të mëdhenj të transportit detar (Kaljari, Sardenjë”), arbëreshi Agostino Kiafitela (shqipërisht Agostino Chiafitella do të thotë Agustin Çiftelia), dhuratat e tij simbolike për mua sa herë vinte në Tiranë, papritur i ndryshoi. Dy herë rresht ato qenë libra të porsabotuar, njëri me jetën dhe veprën Antonio Gramshit dhe tjetri një përmbledhje shkrimesh të tij për Sardenjën.
Duke mos e pikasur dot mesazhin e tyre të drejtpërdrejtë, përveç faktit se ato dhurata më bëheshin posaçërisht sepse Gramshi qe një arbëresh, herën e tretë Agostino Kiafitela më dërgoi me postë elektronike nga Sardenja, ku jeton familjarisht, një faqe speciale nga rubrika e kulturës e gazetës vendase të ishullit, “La nuova Sardegna” (“Sardenja e re”), e datës 19 nëntor 2019.
Me në krye një foto të madhe mjaft shprehëse të Antonio Gramshit, shoqëruar në brinjë të faqes edhe me dy të tjera, ku ndodhej edhe e shoqja Xhulia Shukt (Giulia Schucht) me bijtë e tyre Delio (Dellio) e Xhuliano (Giuliano), njoftohej se atë javë, duke filluar nga e premtja, në të gjitha pikat ku shitej gazeta lexuesit do të gjenin vëllimin e gjashtë të ciklit të “Historisë së Sardenjës”, i cili i kushtohej Antonio Gramshit.
Në tërësinë e asaj faqeje speciale ishin vendosur të gjitha momentet më domethënës të jetës së politikanit të njohur eurokomunist italian, pa harruar përkatësinë e origjinës së tij shqiptare.
Kjo këmbëngulje e kolonelit Kiafitela për të përcjellë tek unë këtë rikujtesë të fortë të veprës së Gramshit nuk shpjegohej aspak me ndonjë nostalgji ideologjike të tij ndaj komunizmit, sepse Agostino është një antikomunist i pakompromis, madje shumë i rreptë.
Ai e kishte braktisur një çast këtë prirje të vet të paepur, sepse tek Antonio Gramshi pati parë vetëm njerën anë: të qenit të këtij si arbëresh.
Doemos këtë cilësi të tij kishin dalluar në fillim nëntor 1977 të tre personalitetet kryesore që udhëhoqën pozitivisht debatin promovues të vëllimit antologjik për poezinë shqiptare: Xhojs Lussu, Arturo Foski dhe Xhuliano Manakorda.
Për këtë të fundit do të flasim pas pak, duke u hapur një çast vend një rinformimi rreth jetë-veprës së Antonio Gramshit, lidhja e të cilit me Shqipërinë, dikur ka qenë mjaft ndihmëtare dhe nuk është në të mirë të vendit tonë që, nën trysninë e një antikomunizmi korrent vrulltë që fryn e çfryn që prej tre dekadash, ta lëmë mënjanë e harrojmë.
Në rast se do të kërkonim dhe gjenim një moment kulmor të prestigjit ndikues proshqiptar të Gramshit kjo fillon me ditët e para të paskapitullimit të Italisë fashiste në 8 shtator 1943, kur në vijim të vjeshtës u krijua batalioni “Antonio Gramshi”. Kjo njësi lindi si dëshirë e disa këmbësorëve dhe artilierëve italianë, të cilët i përkitnin regjimentit 127-128 të divizionit “Firence”. Kjo trupë ishte e vetmja prej forcave pushtuese italiane që pothuaj e tëra jo vetëm nuk u bashkua me gjermanët, por i luftoi ata.
Për rrjedhojë u rreshtua me Lëvizjen Nacionalçlirimtare Shqiptare.
Ditëthemelimi i batalionit “Antonio Gramshi” u bë në 10 tetor 1943, duke u përfshirë në rreshtat e Brigadës së Parë, të porsathemeluar 40 ditë më parë. Duket në pamje të parë sikur ushtarët italianë të bashkuar me partizanët shqiptarë emrin e repartit të tyre luftarak e patën zgjedhur sepse ai qe një komunist.
Kjo nuk është fare e vërtetë, sepse ato kohë Partia Komuniste Shqiptare, edhe pse qe nxitësja kryesore e veprimtarisë së këtyre njësive të armatosura, emrin, rolin, strukturat dhe personat i mbante të fshehur. Emri i Antonio Gramshit për batalionin e ushtarakëve italianë të bashkuar me LNÇ, kishte funksionuar bindshëm për dy vlera të dukshme të tij mes shqiptarëve: që ishte një antifashist i madh dhe po ashtu arbëresh.
Të qenit komunist luante një rol të tretë, pas dy të parëve.
Mbas lufte në rrethanat e reja të krijuara në Shqipërinë tashmë të rënë në duart e PKSH, tradita pozitive e emrit të batalionit simbol të Antonio Gramshit shkoi më tej me krijimin, në shkurt 1945, të brigadës me të njëjtin emër. Në këtë njësi të re u bashkuan të tërë italianët që ishin rreshtuar me Ushtrinë Nacionalçlirimtare.
Në ditët e javët e mëtejshme ky formacion i armatosur me emrin e Gramshit iu përshtat rrethanave të reja të nevojës së miqësimit mes dy vendeve dhe popujve duke ngritur në këmbë rrethin (shoqatën) “Garibaldi”. Kjo hallkë e re kishte për mision lidhjen bashkërenduese me qeverinë italiane për të riatdhesuar civilët dhe ushtarakët bashkëkombës, të cilët ndodheshin në Shqipëri.
Në mes të marsit 1945 në krye të një delegacioni italian që pati marrë përsipër ngrohjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve mbërriti në Tiranë nënministri i Luftës Mario Palermo. Emri i Antonio Gramshit në ballë të prestigjit të civilëve dhe ushtarakëve italianë në Shqipëri shërbeu dukshëm për të çelur një proces entuziast mirëkuptimi mes Tiranës dhe Romës, edhe pse, duhet thënë, qeveria e Enver Hoxhës ndërkohë u kishte kërkuar italianëve të shlyenin një shifër të madhe dëmshpërblimi lufte.
Aq i madh qe në 1945 emri i mirë i batalionit “Antonio Gramshi” sa që në ceremoninë e përcjelljes së tyre në muajin maj në portin e Durrësit në respekt të tyre prej autoriteteve të larta shqiptare u krye gjesti ceremonial “Me nder armë!”.
Kështu kjo sjellje u shndërrua në rastin e vetëm të tillë në kontinent për një ushtri që pati ardhur si pushtuese.
Por kur zbarkuan në atdheun e tyre, në Itali, ndërsa përreth po binte me shpejtësi klima e Luftës së Ftohtë, nderimi i veçantë që iu krye antoniogramshistëve përtej detit u hodh prapa shpine dhe të porsaardhurit luftëtarë kundër nazigjermanëve, u trajtuan me statusin e të shumtëve ushtarë të tyre të paskapitullimit: si të qenë robër lufte.
Gjithsesi, duke u shndërruar Partia Komuniste Italiane në më të madhen forcë politike e këtij kahu ideologjik në të gjithë Perëndimin, edhe autoriteti i Antonio Gramshit u rrit dhe vazhdonte të përbënte një mundësi më shumë për të mirën e bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë.
As nga Roma dhe as nga Tirana ai asnjëherë nuk u përdor për acarim marrëdhëniesh. Qe i pacënueshëm.
Sepse ishte i tillë në fillim nëntor 1977, tek u promovua antologjia e poezisë shqiptare, Antonio Gramshi i shërbeu sërish të njëjtës çështje mirëkuptimi.
Pohimin e vet se ishte një arbëresh Gramshi do ta bënte të ditur në 12 tetor 1931 kur prej burgut fashist në qytetin Turi, në një letër që do t’i niste kunatës së vet Tanja, do të shkruante: “Unë vetë nuk i përkas asnjë race; babai im është me origjinë shqiptare, familja iku nga Epiri gjatë luftës së motit 1821, por u italianizua shumë shpejt. Gjithsesi kultura ime është italiane, tërësisht dhe me themel kjo është bota ime...Të qenit me origjinë shqiptare asnjëherë në familjen tonë nuk u vu në diskutim, sepse edhe Krispi (Françesko Krispi, kryeministër i Italisë duke filluar, me ndërrerje, prej vitit 1877-shënimi ynë) ishte shqiptar, i edukuar në një kolegj shqiptar”.
Vetë Antonio lindi në Sardenjë, në qytezën e vogël Ales, në 22 janar 1891 dhe të jatin ia quanin Françesko, nënën Xhuzepina. Françesko qe transferuar aty dhjetë vite para se të lindte i biri. Ai ishte nëpunës zyre regjistrimi.
Ndërkohë, edhe pse në kujtesën e Antonio Gramshit pothuaj nuk ka hollësi të dhënash të largëta për biografinë e familjes, studiuesit kanë gjetur prova dokumentare se në vitet 1700 një paraardhës i saj ka ekzistuar në vendbanimin arbëresh në fshatin Plataçi në Kalabri. Quhej Xhenaro Gramshi.
Duke vijuar temën kryesore të këtij shkrimi shënojmë se i treti personalitet pjesëmarrës në diskutimin pozitiv rreth antologjisë së tetë poetëve shqiptarë ishte Xhuliano Manakorda (Giuliano Manacorda).
Ai, i lindur në Romë në 16 nëntor 1919, qe një kritik letrar mjaft i njohur. Ishte i profilit marksist. Punonte si pedagog i Letërsisë Italiane Moderne e Bashkëkohëse në universitetin e madh publik roman “La Sapienza”.
Manakorda që nga viti 1967 ishte autor i një serie të plotë librash studimorë për letërsinë italiane, të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe të atij të njëzetë.
Xhuliano Manakorda mbetet autori redaktues i shumënjohur edhe i librit të Antonio Gramshit “Marksizmi dhe letërsia”, botim që përherë tërheq vëmendjen e tërë analistëve se si eurokomunisti i njohur është mjaft i distancuar prej modelit stalinist të metodës së realizmit socialist.
Në kulturën italiane Gramshi nuk cilësohet vetëm politikan, por edhe shkrimtar. Madje me një tematikë liberale, antikonformiste.
Botimi i parathënies së librit “Marksizmi dhe letërsia” të Antonio Gramshit profesori Xhuliano Manakorda e pati publikuar vetëm një vit më parë nga prania e tij në mbledhjen promovuese të vëllimit poetik të tetë krijuesve shqiptarë.
Në një farë mënyre kur në mbledhjen e organizuar nga RAI, Radiotelevizioni Italian, foli ngrohtësisht për poetët shqiptarë, ai ishte në një prej kulmeve të autoritetit shkencor për letërsinë.
Manakorda gjithashtu, mes të tjerash, në mes të viteve shtatëdhjetë, kishte publikuar “Letërsia dhe kultura në periudhën fashiste” (1974) dhe “Historia e letërsisë bashkëkohore italiane (1940-1975), botuar në 1977 (Në 1980 Xhuliano Manakorda botoi “Historia e letërsisë italiane midis dy luftrave 1919-1943, kurse në 1981 “Momente të letërsisë italiane të viteve tridhjetë”).
I konsideruar përveç se profesor, edhe historian e kritik marksist, Xhuliano qe vëlla i historianit Gastone si edhe i profesorit Mario. Këta të tre në ato vite përbënin një familje të shquar intelektualësh eurokomunistë.
Monakorda si edhe Arturo Foski qenë anëtarësuar në Partinë Komuniste Italiane. Ishte një parti që rrinte e distancuar jo pk nga modeli i Partisë Komuniste Sovjetike.
Ndërkaq ngjarjet në Shqipëri ecin nëpër udhën e tyre të ngushtuar shumë prej ndjekjes së rrugës staliniste të pazhvillimit, në thelb të regresit. Mendësia është shumë mbetur prapa edhe mes komunizmit rajonal, kontinental dhe botëror. Enver Hoxha është në fund, edhe pse ndihet se është në krye, “fanar”.
Në 9 janar 1979 kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme, ish-ambasadori i njohur sidomos prej shërbimeve të tij diplomatike në Paris, Javer Malo, do të hartonte një raport informativ për eprorët e tij, të cilët ndodheshin në Komitetin Qendror të Partisë së Punës.
Fjalët e tij të para do të qenë: “Ditën e hënë, më 8 janar, bashkë me Ismail Kadarenë dhe Qako Dangon, pritëm gazetarët italianë që shoqëruan në Shqipëri ministrin Osola (Rinaldo Ossola, ministri italian për Tregtinë me Jashtë-shënimi ynë). Këta ishin Viola, i gazetës “La Repubblica”, një i dërguar i “Corriere della Sera” dhe një tjetër i Ansës (Agjencisë Italiane të Lajmeve-shënimi ynë), ky i fundit mjaft i ri në moshë.
Ata bënë një sërë pyetjesh (dy të parët, sepse i dërguari i Ansës nuk bëri asnjë pyetje), një pjesë nga të cilat m’u drejtuan mua, ato që kishin të bënin me letërsinë dhe artin iu drejtuan Ismail Kadaresë dhe dy pyetje mbi gjendjen në Hindokinë dhe bashkëpunimin kino-amerikan iu drejtuan Qako Dangos.
Pyetjet, pra, që na u drejtuan, ishin këto:
……
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|