Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ÇFARË NDODHI NË 28 DHE 29 NËNTOR 1945


Pse 29 Nëntori mund të quhet edhe si ditëfestë personale e Enver Hoxhës

(Botuar në numrin special të gazetës “Illyria”).

Ai që shkruan histori duhet patjetër ta stërvitë veten për një aftësim: të mund të kthehet prapa në kohë, sado larg të jetë ajo periudhë, duke u përpjekur për t’ja rrëfyer publikut, t’i jetojë vitet kur zhvillohet ngjarja apo fati personal i një individi a i një bashkësie të tërë njerëzish.
Në fund të motit 2019, në mbyllje të muajit nëntor, shqiptarët bashkëkohës e kanë jo të lehtë të ndiejnë (por dhe të kuptojnë), se në 29 nëntor 1944 kjo datë nuk qe aspak siç u bë më vonë: pretenduese për të mbetur në historinë më kryesore të tyre. Ato çaste ishte një njëzetë e katër orësh relativisht i zakonshëm paslufte, në të cilin ndodhia më e spikatur qe dhënia e lajmit se trupat ushtarake nazigjermane, të mundur e në një tërheqje të planifikuar paraprakisht, më në fund e kishin braktisur qytetin e Shkodrës dhe kështu në parim i gjithë territori i Shqipërisë ishte çliruar nga pushtuesi.
Në këtë 29 nëntor 1944 qenë të bindur se vendi ishte çliruar dhe quhej si i tillë që një ditë më parë, në të shenjtën datë 28 nëntor, përvjetor i shpalljes së pavarësisë. Vetë çlirimtarët me në krye Enver Hoxhën e shokët e tij, të gjithë me yllin e kuq në ballë, vënë në mes prej përfaqësuesve të misioneve ushtarake britanike, amerikane, jugosllave dhe sovjetike, festën e hipjes në pushtet e patën kryer me një ceremoni të sofistikuar pikërisht në 28 nëntor. U pëlqente ta kishin atë si provë të patundur edhe të triumfit të tyre.
Të “zhytesh në kohë” do të thotë të pranosh rrethanën që shqiptarët jo vetëm në 29 nëntor 1944, por as në 30, as në 1 apo 30 dhjetor, as në janar apo shkurt 1945, as më pas, pothuaj tërë motin e parë të çlirimit, nuk kishin ndonjë ditë të shënuar nga historia me emrin Dita e Çlirimit apo më drejt për së drejti “29 Nëntor”.
Mbretëronte 28 Nëntori, i cili deri ato çaste qe festuar me shumë shpirt nga shqiptarët për 32 vite me rradhë, që nga më i vogli deri tek më i moshuari, ndërsa ndodheshin në trojet e veta apo në mërgim, kur vendi ishte republikë apo monarki, ndodhej në kanosje copëtimi prej të huajve apo kur u bë shtet i konsoliduar, kur qe i lirë apo i pushtuar nga Boshti Fashist.
Me pak fjalë, populli shqiptar, duke hyrë dhjetori 1944, i gjendur tashmë në rrethana të reja të fillimit të vendosjes së një sistemi shoqëror të paditur gjer atëherë, të quajtur “demokraci popullore” (dhe jo komunizëm, sepse me këtë formulim ky do të shpallej në fund të moteve dyzetë dhe fillimi i dekadës së pesëdhjetë), vijonte të kishte e të nderonte kryefestën e vet: Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin.
Por si u krijua 29 Nëntori dhe si ai prej regjimit bolshevik të PKSH-PPSH-së mori pak nga pak revansh gjersa gjatë një gjysmëshekulli diktaturë e zhvendosi si festë kombëtare në vendin e dytë 28 Nëntorin? Kjo është një temë jo për një shkrim, prandaj në këto rradhë që po shkruajmë për numrin jubilar të gazetës “Illyria”, do të përqëndrohemi në ndonjë episod nga momenti i vrapnisjes së kësaj loje politike, e cila për fat të keq rezultoi në një agresion të vërtetë, duke kompromentuar vetë aktin e lartë atdhetar të çlirimit të Shqipërisë prej pushtuesve fashistë.

Situata përreth, në Ballkan, Evropë dhe Botë

Këndi prej të cilit do ta shohim këtë subjekt është i veçantë, i papërdorur deri tani: buletini i përditshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
Në nëntor 1945, siç e njofton adresën e saj, ajo ndodhej tek “Tirana e Re, në të djathtë Pallatit Kongresit Tel. A.T.SH. Nr. 237-238”.
Mes të tjerash në buletinin e datës 27 nëntor publikohej lajmi i Agjencicë Jugosllave Tanjug se “Presidenti i Sovjetit Suprem të Bshkimit Sovjetik, Kalinin, u dërgoi telegramin që vijon Regjentave Mbretërorë të Jugosllavisë me rastin e përgëzimeve që mori prej tyre për 28 vjetorin e Revolucjonit të Madh Socialist të Tetorit...” Po ashtu në këtë fashikull informativ, publikohej një lajm i gjatë rreth një artikulli të botuar në të përditshmen e Beogradit “Borba” me temë të drejtat e Jugosllavisë për dëmshpërblimet e luftës.
Për këtë çështje ato ditë në Paris po mbahej një konferencë dhe autoritetet e pushtetit të ri kërkonin t’u jepej një dëmshpërblim real dhe i madh, sepse “sakrificat dhe kontributi i Jugosllavisë në luftën kundër okupatorëve fashistë, janë më të mëdha nga ato të të gjithë vendeve të tjera, që marrin pjesë në konferencë”.
Sipas “Borba”, bëhej fjalë për 450.000 të vrarë prej agresorëve kurse vetë Ushtria Jugosllave pësoi 305.000 të vrarë e 100.000 të plagosur. “Veç kësaj, shkruhej në lajm, okupatorët fashistë vranë 1.401.000 civila në të gjithë Jugosllavivë”.
Ja edhe kërkesa: “Shuma e përgjithshme e dëmeve që iu shkaktuan Kombit arrin në pothuaj 47 miliard dollarë”.
Ndërkohë në Nuremberg ishte në fillimet e veta procesi i ndëshkimit të fajtorëve kriminalë nazistë dhe në 26 nëntor pati ndodhur një incident i çuditshëm. Sipas raportimit të korespodentit të Agjencisë Reuter, Charles Lynch, i akuzuari Rudolf Hess nuk pranoi të ulej në vendin e tij pa i bërë disa poza fotografët e shtypit dhe se përpjekjet e jerarkut tjetër gjerman, Gëringut, nuk mundën ta qetësonin deri sa u shkrepën disa blice aparatesh. Thuhej se Hess kishte turbullime mendore dhe se nuk mbante mend çfarë, për shembull, i pati ndodhur një ditë më parë.
Buletini i ATSH- së për 27 nëntorin 1945, njoftonte se duke ardhur prej Pragës kishte mbërritur në Noremberg një delegacion i madh sovjetik prej njëzetë vetësh me në krye nënministrin e Jashtëm Sovjetik Andrej Vishinski si edhe prokurori i përgjithshëm të BRSS, Goroshkin. Njoftohej se pati mbërritur edhe shkrimtari i njohur Ilia Erenburg.

Tito uron Enver Hoxhën, fjala e gjeneralit Velimir Stojniç, lajme të tjera

Është buletini i datës 29 nëntor që njofton ngjarje të 28 nëntorit. Ndër të parët lajme është ai me titullin “Mareshali Tito uron Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhën me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar”. Teksti i plotë është ky: “Beograd, 28.-Me rastin e ditës s’Indipendencës së Shqipërisë Mareshali Tito i dërgoi telegramin që vijon Kryeministrit të Shqipërisë, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha:
“Lejomëni t’u dërgoj, juve dhe me anën t’uaj popullit shqiptar, n’emër të popullit, të Qeverisë Demokratike Federative dhe t’imit personal, përshëndetje shumë të përzemërta dhe urime të nxehta me rastin e festës Kombëtare të Shqipërisë, 28 nëntor, dita e pamvarësisë së Shqipërisë, dita e Flamurit Kombëtar”.
Në 28 nëntor, siç shënon Buletini i ATSH-së, kishte përvjetorin e parë të çlirimit të vendit prej nazifashistëve gjermanë Estonia dhe me këtë rast në kryeqytetin Talin qe organizuar një mbledhje solemne. Mbetet mjaft interesante jo vetëm fakti që në fund të ceremonisë i qe dërguar një telegram falënderimi Stalinit, por në fjalën kryesore të mbajtur prej një gjenerali, ishte vënë në dukje me gëzim se më në fund Estonia “bëri çmos për të prurë në fuqi në një kohë të shkurtër, shtetin kombëtar sovjetik. Organet e pushtetit sovjetik janë vendosur kudo”.
Ndërkohë duke e përmendur këtë rrethanë nuk mund të anashkalojmë një fakt: Estonia nuk ka mëdyshuar dhe pritur për të përcaktuar, zyrtarizuar e shpallur, madje festuar Ditën e saj të Çlirimit nga nazigjermanët e Hitlerit. Shqipëria deri këto çaste nuk e pati kryer këtë gjest. Çfarë priste Enver Hoxha, përse ngurronte? Apo bënte taktikë fitimi kohe për t’ja bashkëngjitur këtë 28 Nëntorit?
Në buletinin, të cilit po i referohemi, pasqyrohet edhe një lajm i titulluar “Kremtimi i festës së 28 nëntorit në Beograd”. Ai vë në dijeni se një ditë më parë, pra në 27 nëntor, “N’Universitetin Popullor të kryeqytetit u mbajt një akademi solemne me rastin e festës së 28 Nëntorit, dita e pamvarësisë së Shqiprisë dhe ajo e hyrjes së Qeverisë së Kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë”.
Shiheni: në Beograd është formuluar termi se 28 Nëntori qe njëherësh dita e pavarësimit dhe e hyrjes së qeverisë së Enver Hoxhës në Tiranë, çfarë mund të lexohet dhe nënkuptohet fare qartë si ditëçlirim. Në kryeqytetin jugosllav autoritetet e pushtetit të ri komunist nuk e shkojnë nëpër mend t’ja lënë këtë festë të nesërmes, 29 nëntorit, dhe përsenë e kësaj do t’ua shpjegojmë pak më poshtë.
Vijon lajmi i buletinit të ATSH-së: “Ndodheshin pranë Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Përkohshme Ivan Ribar, Kryetari i Misjonit sovjetik, gjenerali Kiseljev, Ministri Fuqi-Plotë i Shqipërisë në Beograd Hysni Kapo, Ministri Fuqi-Plotë i Bullgarisë Perov, Ministri Fuqi-Plotë i Turqisë Kopler dhe antarët e trupit diplomatik, anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe shumë personalitete të qarqeve shkencore dhe kulturore”.
Më tej: “Koloneli Velimir Stojniç, ish-Ministër i Jugosllavisë në Tiranë, mbajti një bisedë, mbi kuptimin e 28 Nëntorit e pikërisht:...”
Ato që interpreton dhe “zbërthen” Stojniç duken si një direktivë për pushtetin e Enver Hoxhës në Tiranë. Sipas tij, dita e 28 Nëntorit nuk do të thoshte se ajo përcillte e gjitha ekskluzivisht pavarësimin e Shqipërisë. Në ditët e pushtimit, sipas Stojniç, ajo qe edhe “dita e mobilizimit të gjitha forcave antifashiste”, se përditë e më shumë ai 28 Nëntor “paraqiste një shkallë më tepër në zhvillimin e Shqipërisë së re, në përforcimin e rezistencës kundra pushtuesit dhe tradhëtarëve të vendit”.
Gjithnjë sipas Velimir Stojniçit LNÇl shqiptare qe lëvizje rilindase dhe ndryshe prej periudhave të tjera, ku shumë udhëheqës nuk ia kishin dalë ta bashkonin gjithë popullin për çlirimin e vendit, këtë e bëri më në fund vetëm Lëvizja Nacional Çlirimtare.
Konkretisht më poshtë lajmi citon prej gjeneralit jugosllav: “Ajo që e frymzon demokracinë në Shqipëri është fryma demokratike e popullit shqiptar. Populli shqiptar, jo vetëm që i çmon lart dhe popujt të cilët dhanë kontributin e tyre me gjak dhe përpjekje në luftën kundra fashizmit, por ay i çmon gjith’ashtu në shkallë të lartë të gjitha vendet që e ndihmuanë dhe po e ndihmojnë gjithnjë në përpjekjet për rindërtimin e vendit dhe për konsolidimin e fitoreve demokratike. Kjo gjë rrjedh natyrisht dhe pikërisht nga dashurija e gjallë e popullit shqiptar kundrejt Ushtrisë së Kuqe, Stalinit të madh dhe Shtetit Sovjetik, pjesëmarrja e të cilit në luftë i dha guxim popullit shqipëtar që të përballojë të gjitha vështirësirat dhe ta çojë deri në fund.
Populli shqiptar është i bashkuar në lidhje jashtëzakonisht miqësore me Jugosllavinë e re të Mareshallit Tito, ndihma dhe përkrahja e të cilit po vazhdojnë si dje gjatë luftës ashtu dhe sot, kur lufta mori fund...Kurrë ndonjëherë populli shqiptar nuk e përkrah idenë e afrimit dhe të solidarësisë së popujve ballkanikë...”
Fraza e fundit: “Populli shqiptar po e kremton ditën e 28 Nëntorit, si një simbol i paraqitjes së të gjitha forcave dhe përpjekjeve për rindërtimin e një t’ardhme më të mirë, dhe të realizimit të plotë të luftës shekullore të popullit shqiptar për lirinë dhe pamvarësinë kombëtare”.
Sipas lajmit, në fund pati folur edhe Hysni Kapo. Ai kishte përshendetur jo vetëm organizatorët por edhe kursin politik të shqiptarëve dhe jugosllavëve për t’u vëllarizuar. Ishte në lajm edhe shënimi se të dyja ceremonitë e festimit të 28 nëntorit, në Beograd dhe në Tiranë, qenë trasmentuar nga radiostacionet shtetërore të secilit vend.
Në të gjithë paketën e lajmeve të 29 nëntorit të ATSH-së nuk ka asnjë rrokje dhe fjalë citimi rreth ndonjë veprimtarie që i referohet ditës së 29 nëntorit. Mendimi i parë që të shkon ndër mend është se për të gjetur ndonjë gjurmë të kësaj do të na duhet të shfletojmë buletinin e 30 nëntorit
Ky përmban këto njoftime: Londër, debat në Dhomën e Komuneve; Uashington, Rezolucjoni që Delacy i propozoi Kongresit mbi politikën emerikane në Kinë; Paris, nga shtypi francez.
Dhe, dalloni, një pjesë të arsyes për gojëkyçjen e Enver Hoxhës në Tiranë rreth 29 nëntorit si ditëçlirim kombëtar! Lajmi i katërt i buletinit të 30 nëntorit ka këto fjalë: “Asambleja Kushtetonjëse Jugosllave shpall Jugosllavinë Republikë Federative. Beograd,-30. Ja përmbajtja e deklaratës mbi shpalljen e Republikës Jugosllave Federative Kombëtare që u botua dje gjatë seancës së përbashkët të të dyja Dhomave, Asamblesë Federale dhe Asamblesë së Kombësive, seancë që u mblodh dje mbas dreke në ndërtesën e Parlamentit në Belgrad:...” (më poshtë vijon i plotë teksti i deklaratës).
Lajmi i pestë i buletinit të ATSH-së së 30 nëntorit 1945 titullohet “Papa pret delegatë të Kongresit të çifutëve refugjatë”, i gjashti: “Londër, ministri i jashtëm Bevin për shkencën”, i shtati: °Lubjanë, arrestime në Karinthi”, i teti: “Fiume, përfundimet e zgjedhjeve n’Istria”, i nënti: “Londër, nga kongresi përgatitor i Kombeve të Bashkuara”, i dhjeti: “Nuremberg, procesi i Nurembergut”, i njëmbëdhjeti: “Paris, Festa kombëtare jugosllave kremtohet në Paris”. Qenë bërë festime të mëdha në ambasadën jugosllave në kryeqytetin francez.
Këtu thuhet (dhe me këtë rast zbulohet një arsye e dytë rreth mosveprimit të Enver Hoxhës për të datuar ngjarjen e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi afro pesëvjeçar italian dhe gjerman. 29 nëntori 1945 sapo u ishte bërë dita e themelimit të Jugosllavisë Federative Demokratike. Në një farë mënyre konsiderohet si ditëfesta e çlirimit të saj nga pushtimi fashist.
Lajmi i dymbëdhjetë i buletinit të ATSH-së së 30 nëntorit: “Nga Londra”, .... Lajmi i katërmbëdhjetë, informon hollësisht mbi festimet e festës së re jugosllave të 29 nëntorit.
Lajmi i katërmbëdhjetë titullohet: “Radio Sofja për festën kombëtare shqiptare”. Pasi jepet informacion mbi këtë veprimtari në lajm vihet theksi tek fakti se për këtë ngjarje të shënuar të shqiptarëve kishin shkruar të gjitha gazetat bullgare.
Lajmi i pesëmbëdhjetë i buletinit: “Frankfurt, Politika amerikane në Gjermani”, i pesëmbëdhjeti, “Londër, fundosen nëndetëse gjermane”, i gjashtëmbëdhjeti, “Uashington, Fabrikat e Shteteve të Bashkuara drejt prodhimit të paqes”, i shtatëmbëdhjeti, “Londër, zhvillimi i raketave fluturonjëse”, i tetëmbëdhjeti, “Paris, Partia Komuniste Franceze për një dhomë të vetme të parlamentit”, i nëntëmbëdhjeti: “Nga Bombay, Hindi”, i njëzeti, nga Nju jork....i njëzetë e treti: Mareshali Tito ka marë një telegram urimi për ditëfestën e Republikës Federative “nga themelonjësi i Frontit të Atdheut i Bullgarisë Dimitrov...”
Në buletinin e ATSH-së të 30 nëntorit 1945 nuk pipëtin asnjë germë, rrokje, fjalë apo frazë për ndonjë ditëçlirim shqiptar të 29 Nëntorit.

29 Nëntori edhe si ditëfestë personale e Enver Hoxhës

Tamam në 29 nëntor 1945 “Presidiumi i Asamblesë Kombëtare Provizore të Jugosllavisë demo-federative mori vendim ta dekoronte Mareshallin e Jugollavisë Josif Broz Tito me urdhrin “Për merita kombëtare”.
Sigurisht që 29 nëntori që prej çastit që u shpall ditëfestë e Jugosllavisë së re, asaj të komunistëve, nuk do të ishte gjë tjetër veç dita e festës së Titos. E tillë mbijetoi deri sa ajo federatë e sforcuar u shpërbë.
Enver Hoxha mendonte njëlloj. 28 Nëntori qe i Ismail Qemalit, madje edhe i Gjergj Kastriotit. Në të njëjtën ditë ishte çliruar Kruja nga pushtuesit osmanë dhe shekuj më vonë ngritur flamuri kombëtar në Vlorë.
Hoxha nuk mund t’u ngjitej nga pas as Skënderbeut dhe as Ismail Qemalit. Le të rrinin në ditën e tyre. Pushteti i tij absolutist lypte më tepër vend. Atij i duhej miti i dite krejt të lirë nga konkurentë të tjerë, askush të mos i bënte hije. E ku kishte më të mirë për këtë neps të tij se sa 29 nëntori, i tëri për të, njëzetë e katër orësh që i përmbushte lakminë, servilizimin ndaj Titos dhe Jugosllavisë komuniste, si edhe kriteret historike: qe vërtet dita reale e largimit përfundimtar të nazigjermanëve nga trojet e Shqipërisë.
Prandaj Enver Hoxha veproi me shpejtësi të rrufeshme. Me një vendim vetiak të fortë e të papritur, pa asnjë shpjegim apo interpretim, kryetitulli i faqes së parë të gazetës kryesore të pushtetit të ri, “Bashkimi”, “Organ Central i Frontit Demokratik”, kishte fjalët germëmëdha “28 e 29 Nëntor, dy datat më të mbëdha të historisë t’onë kombëtare. Mesazh i Kryeministrit popullit të Shqipërisë”.
Ndërsa në skajin e djathtë të asaj faqeje të parë, në vetëm një kolonë të ngushtë, me autor Lame Kodrën (Sejfulla Malëshovën), botohej shkrimi “Indipendenca e Shqipërisë një realitet i madh historik”, bash në qendër të asaj faqeje, në tre kolona shumë të zgjeruara, shtrihej sa gjerë-gjatë ajo që pati dhënë si mesazh Enver Hoxha.
Në këtë mesazh ku citohet vetëm 28 nëntori dhe asnjëherë dita e 29 nëntorit, Hoxha ka edhe këto fjalë: “...28 Nëntori përveç kuptimit të madh që ka për popullin tonë është i lidhur ngushtë me tërë historinë e trishtuar të vendit tonë gjatë këtyre tridhjetë e tre vjetve. Sa ditë, sa vjet mjerimi kanë kaluar mbi popullin shqiptar: tradhëtira, vuajtje, uri, tortura, regjime tiranike, okupacioni i huaj, kanë rënduar mbi supet e popullit tonë të vogël”.
Kjo donte të thoshte se prej motit 1944 deri në 1912 në Shqipëri qenë kryer luftra për mbrojtje dhe zhvillim të vendit shumë më pak se nga sa po bëhej nga 1941 dhe sidomos pas çlirimit nga qeveria e tij. Me pak fjalë fati i mbarë i shqiptarëve niste me të, qe ai, Enver Hoxha.
Shumë i eturi për pushtet personal, më i miri i të gjithëve (?!), ishte tani në krye të Shqipërisë. Në faqet e “Bashkimit” të 28 nëntorit 1945, në trupin e mesazhit ishte vendosur foto e Skënderbeut, pastaj e Ismail Qemalit dhe e treta qe e tij.
Pas rënies së regjimit hoxhist, një diktaturë shumë e rëndë, 29 Nëntori u tkurr dhe tashmë është mirë të rrijë në vendin e vet historik, të respektuar e megjithatë relativisht modest. Sepse përçau.
Ndërkaq shqiptarët e kanë një ditëfestë të tyre të madhe gjithëbashkuese: 28 NËNTORIN.

Ylli Polovina

Tiranë, më 17 nëntor 2019




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com