|
PRILL 1944, QEVERIA E REXHEP MITROVICËS KËRKON NGA NAZIGJERMANËT NJË FURNIZIM TË MADH USHTARAK PËR TË LUFTUAR LËVIZJEN NACIONAL-ÇLIRIMTARE
Duam 200 kamionë të rinj ushtarakë, 10.000 uniforma dhe po kaq pajisje armatimi...
(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 29 nëntor 2019)
Gjysmëshekulli i diktaturës së gjoja proletariatit kreu indoktrinimin e nënshtetasve të vet me idenë se midis qeverive shqiptare që ngritën fashistët italianë dhe atyre të cilat funksionuan gjatë pushtimit nazigjerman, krahasuar me Ballin Kombëtar dhe Legalitetin si organizata apo parti, qenë këta të fundit armiqtë më aktivë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Për pasojë të kësaj teze të ndikuarit nga ajo i konsideronin ballistët dhe mbretërorët persona që mbartnin një dozë më të madhe fryme antikomuniste se anëtarët, ndjekësit dhe simpatizantët e qeverisë.
Pas rënies së diktaturës hapja e arkivave dhe e gojëve të dëshmitarëve, shtuar me këtë rast edhe zelli zhurmëmadh i pluralizmit, shkaktuan përhapjen e një opinioni dhe situate disi tjetër. Ishte një këndvështrim pothuaj i modifikuar i periudhës së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, sipas të cilës vërtet Balli Kombëtar dhe Legaliteti qenë forca shumë antikomuniste, kundërshtare të paepura të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, porse qeveritë bashkëpunuese fare pak, në mos hiç, ishin të ngarkuara me ideologji kundërkomuniste. Ato qëndronin larg situatave të ndeshjes ideologjike, pak të mobilizuara me armiqësi politike konseguente ndaj LNÇ.
Me pak fjalë ndërsa gjatë diktaturës P(K)PSH-së i interesonte që ta djallëzonte sa më shumë rolin e Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, t’i barazonte të gjitha trupat ushtarake shqiptare që mbështetnin operacionet gjermane si të qenë vetëm të këtyre dy rivalëve të saj politikë, pas daljes nga regjimi komunist u tentua që ballistët dhe mbretërorët të paraqiteshin si demokratë të përfshirë në një luftë të drejtë dhe qeveritë po ashtu, modele pozitive të sjelljes nacionale.
Por gjithnjë edhe këtë herë me një dallim: sërish Balli dhe Legaliteti ishin në krye të luftës kundër komunistëve. Qeveria vinte më pas. Nuk është e rastit por rezultat i kësaj mendësie që mjaft prej anëtarëve të këtyre strukturave politike jo vetëm janë titulluar si martirë të demokracisë, por edhe “Nder i Kombit”.
Njëri prej të tillëve është edhe Bahri Omari, rreth të cilit do të tregojmë një episod, çka gjithsesi nuk e bën atë njollën më të zezë të historisë tonë gjatë Luftës së Dytë, madje nuk i errëson qëndrimin e tij atdhetar dhe elitar para se në vjeshtë të thellë të 1943 të merrte pjesë në një kabinet qeverisës pro nazigjerman.
Qëllimi i këtij shkrimi është jo të mbesim, por të dalim përtej një personi rreth të cilit secili ka të drejtë të ruajë opinionin e vet. Prandaj edhe po ngulmojmë në paraqitjen e një dukurie të nevojshme për t’u ndriçuar: qeveritë shqiptare gjatë pushtimit italian e sidomos atij hitlerian qenë në vijë të parë kundër trupave çlirimtare, duke e interpretuar këtë si një e drejtë ekskluzive që e kishin kundër bolshevizmit.
Dëshirojmë të vëmë në dukje se nuk qe Balli Kombëtar dhe Legaliteti më antikomunist se qeveritë bashkëpunuese. Mbase ishin edhe njëlloj, por është interesante një tipar: këto qeveri dhe dy forcat politike të sipërcituara, qenë më kundërkomuniste se vetë gjermanët.
Për këtë po ju paraqitim një dokument jo pak kurioz.
Në 2 shkurt 1944 Zyra Politike e Ministrisë së Punëve të Brendshme me firmë të vetë ministrit Xhafer Deva i dërgonte shkresën nr. 240 koleges së saj, Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në të thuhej “Për njoftim e me lutje qi të demarshohet ku duhet, po ju përshkruajmë raportimin e Drejtoris së Përgjithëshme të Policis:
Informohemi se shpesh herë, vajza malazeze, vinë në Shqipni pa dokumenta, tuej kalue kufinin me auto-kolona Gjermane.
Të sypërmëndunat paraqitin si pretekst të vinë për të gjetë punë, kurse në të vërtetën kan për qëllim të vetëm zhvillim propogande komuniste .
Mbi sa sypri për të muejtë me ndalue njiherë e mirë ardhjen e tyne këndej kufinit, lutemi të keni mirësinë me ndërmjetësue pranë Komandës Ushtarake Gjermane qi të mos marrin me vedi me auto-mjetet e tyne elemente të tilla”.
Tani kalojmë tek dokumenti kryesor që motivon temën e shkrimit tonë. Duket jo pak e habitshme se si një ministër i Jashtëm shqiptar përpilon një shkresë të gjatë në frëngjisht, gjuhën diplomatike ndërkombëtare të para Luftës së Dytë Botërore, por edhe për dy-tri dekada më pas, për të kërkuar dhe marrë sa më shpejt armatim nga Gjermania naziste.
Objekt i përdorimit të tyre: Komunistët, por në thelb dhe realitet Lëvizja Nacionalçlirimtare.
Kjo ka ndodhur me Bahri Omarin, dikasteri i të cilit ishte bërë rregull nga qeveria shqiptare që të ishte komunikuesi numër një me autoritetet nazigjermane.
Më 16 prill 1944
Letra konfidenciale që dëshmon këtë fakt, ka protokoll Ekstra dhe numrin identifikues 42, në krye paraqit shenjat zyrtare “Shteti Shqiptar, Ministrija e Punëvet të Jashtme”. Ajo daton “Tiranë më 16 prill 1944”.
Nis me këto fjalë: “Zoti Konsull i Përgjithshëm”.
Bëhet fjalë për Konsullin e Përgjithshëm të Gjermanisë naziste në Tiranë, Martin Schliep.
Ajo i është dërguar të nesërmen e një mbledhjeje të posaçme të qeverisë së Rexhep Mitrovicës. Që në fillim në të thuhet se ministri i Jashtëm i saj, Bahri Omari, kishte nderin që t’i bënte të ditur diplomatit gjerman se në 15 prill Këshilli i Ministrave qe mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme dhe pati marrë në shqyrtim gjendjen e përgjithshme të vendit dhe aktivitetin e brendshëm dhe të jashtëm. Pas këtij shqyrtimi pjesëtarët e kabinetit Mitrovica patën mbërritur në disa konkluzione, të cilat po i parashtronin më poshtë asaj letre. Bashkë me këtë po i paraqitnin zotit Schliep edhe drejtimet kryesore për ta çuar këtë veprimtari qeveritare në një përfundim të mirë.
Në vijim vihej në dukje se “Misioni i qeverisë pas ardhjes në pushtet në nëntorin e vitit të kaluar ka pasur si qëllim mëkëmbjen, më së pari për të siguruar rendin publik në vend, me synim që të ruhen paralelisht interesat e Shtetit shqiptar dhe ato të autoriteve gjermane”.
Këmbëngul më poshtë Omari: “Është kjo arsyeja që në emër të Qeverisë shqiptare, unë kam nderin t’Ju paraqis më poshtë çështjet me thelbësore që përbëjnë politikën tonë të sotme dhe prej të cilave dalin zgjidhjet më imediate dhe më të favorshme për të ruajtur interesat e përbashkëta të dy vendeve tona”.
Pasi ministri i Jashtëm shqiptar përsërit dhe përforcon thelbin e sipërmarrjes së tij, mbrojtjen e dyfishtë të interesave të qeverisë Mitrovica dhe ato të Gjermanisë hitleriane, duke rikonfirmuar kështu rolin bashkëpunues me pushtuesin dhe rënien ndesh me bllokun antifashist anglo-amerikan-sovjetik, thekson: “Dihet se qeveria shqiptare e nisi me optimizëm misionin e vet dhe me mbështetjen e autoriteteve gjermane në një periudhë të caktuar të vendoste rendin por pas gjashtë muajsh nga ardhja në fuqi e saj gjendja është përmirësuar pak (normalizuar) kurse në Shqipërinë e jugut pothuaj është rikthyer në pikën e fillimit. Batalionet që do të ngriheshin që në fillim nuk janë realizuar, madje edhe në çastin kur do të organzohen dhe të pajisen, ata nuk do t’i bëjnë dot ballë nevojave të momentit.
Duke pasur këtë parasysh qeveria shqiptare e gjykon se ishte urgjente lëvrimi i menjëhershëm i 10.000 kompleteve uniformash bashkë me të gjithë armatimin dhe pajisjet e nevojshme me qëllim që forcat e rekrutuara të përballojnë punën në zonat e prekura prej propogandës komuniste”.
Shkruan më tej Bahri Omari në letrën e tij në frëngjisht drejtuar konsullit të përgjithshëm gjerman Martin Schliep: “Në mjetet e transportit 100 kamionë të rinj, tashmë të premtuara, janë të pamjaftueshëm për forcat tona të armatosura dhe ky numër duhet të çohet deri në 200 kamionë të rinj, shtuar edhe një numër nga mjetet e transportit që i janë sekuestruar në vend popullatës prej autoriteve gjermane.
Përveç mjeteve të transportit, meritojnë vëmendje furnizimi me karburante, goma makine, në mënyrë që të mund të transportojnë ushtarakët dhe ushqimet prej Kosovës në drejtim të Shqipërisë së brendshme, pra duhet cilësi e mjaftueshme e këtyre për këtë punë.
Për vendosjen e rendit publik në vend duhet edhe zgjidhja sa më shpejt e shërbimit telefonik dhe telegrafik sepse duhet që Ministria e Brendshme të hyjë sa më shpejt në kontakt me prefektët, kjo po ashtu për të gjithë administratën”.
Në vijim ministri i Jashtëm Bahri Omari këmbëngul se sipas marrëveshje së 27 dhjetorit 1943 bërë me qeverinë gjermane kjo i detyrohet asaj të Tiranës për t’i rimbursuar 46,6 milion franga shqiptare dhe se në mungesë të kësaj shume kjo qeveri është vënë në vështirësi deri edhe për të mbajtur aktive marrëdhëniet ndërkombëtare. Me pak fjalë, thotë qartë ministri Omari, nuk ka para për të hapur legatat më të domosdoshme jashtë vendit.
Ndërkohë ai i vinte në dukje kryekonsullit Scliep se qeveria ku bënte pjesë dhe në emër të të cilës po i drejtohej për t’u pajisur me dhjetë mijë uniforma ushtarake si edhe po kaq armë dore e municione, po ashtu me dyqind kamionë lufte, qe përditë e angazhuar në luftën kundër komunistëve.
Duke e theksuar për të tretën herë në atë letër këtë mision të kabinetit qeveritar, ministri i Jashtëm shqiptar shprehte shpresën se kjo gjendje në shumë vështirësi që po kalonin duhej të zgjidhej para 25 prillit, prandaj nëpërmjet asaj letre drejtuar Martin Schlipit u bënte thirrje për ndihmë edhe “zotërinjve gjeneralë Fehn e Fitzthum, të gjithë personaliteteve gjermane kompetente”.
Pasi përveç kryediplomatit nazigjerman në Tiranë u bën thirrje për bashkëpunim të armatosur edhe tërë komandës ushtarake të trupave të pushtimit, sërish Bahri Omari shpall se “armatimi i ushtrisë (qeveritare) do ta lehtësonte komandën gjermane duke pakësuar në Shqipëri trupat e saj”.
Sigurisht ky mision i qeverisë Mitrovica do ta ndihmonte Hitlerin të mund t’i vendoste ato në frontin lindor përballë Ushtrisë së Kuqe dhe në atë perëndimor për të ndalur mësymjen e thellë të trupave anglo-amerikane.
Në fund të letrës ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë në 16 prill 1944, në emër të qeverisë ku bënte pjese i deklaronte konsullit të përgjithshëm gjerman në Tiranë dëshirën e saj të gjallë që të zgjidhej sa më të shpejt çështja e furnizimit ushtarake të forcave qeveritare për të luftuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare.
Anglo-komunistët po forcohen
Por ndërkohë çfarë gjykohet këtë kohë në zyrën e kryekonsullit gjerman Martin Scliep?
Sipas librit “Përmbledhje dokumentesh nga Fondi i Komandës Gjermane 1940-1944”, i publikuar në vitin 2017 prej Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në 17 prill (1944) Schliep i dërgoi një telegram të shifruar me numrin 230 Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin si edhe paralelisht në Beograd të Plotfuqishmit të Posaçëm për Juglindjen, Herman Neubacher.
“Sekret
1.Situata në lidhje me bandat. Gjersa në Shqipërinë e veriut dhe të mesme deri në rrugën Elbasan-Strugë, në përgjithësi ka qetësi, që këtej e në jug shtrihen krahina të gjera, të cilat janë nën influencën angleze dhe ndodhen në duart e bandave komuniste, presioni i të cilave në krahinën Vlorë-Berat dhe Korçë akoma vazhdon. Duhet llogaritur zhvillim më i madh i forcave komuniste, të cilat i favorizon stina e vitit.
Numri dhe aktiviteti i agjentëve anglezë, si edhe furnizimi në rrugë ajrore, janë rritur mjaft”.
Në pikën e dytë të telegramit të tij të koduar për eprorët më të lartë që ka, të nesërmen e nisjes së letrës së Bahri Omarit, e cila sipas rregullit duhet të ketë mbërritur në Konsullatën e Përgjithshme Gjermane e ndoshta edhe lexuar prej Martin Scliep (sepse korespodenca shumë e rëndësishme dhe tepër sekrete brenda Tiranës dërgohej menjëherë me korrier special me motorçikletë), thuhet:
“Situata e brendshme, ndodhet nën ndikimin e lajmeve nga fronti i lindjes. Me gjithë bindjen e përhapur se shpëtimi i Shqipërisë është i lidhur me Gjermaninë, prapë se prapë mbizotëron dyshimi në përfundimin e favorshëm të luftës. Shfaqja e shpeshtë e aviacionit të aleatëve mbi territorin shqiptar, fluturime të veçanta të skuadriljeve të forta bombarduese dhe sulmet në transportin rrugor, demonstrojnë superioritet ajror të armikut dhe shtojnë tensionin nervor të popullsisë. Këtu duhet shtuar edhe propoganda e fshehtë mbi zbarkimin e shpejtë të anglo-amerikanëve, mbi të cilin vazhdimisht përhapen zëra. Kështu për 7 prillin (përvjetori i okupimit italian) është parashikuar ardhja e mbretit Zog, nga Bari, lidhur me sulmin në bregdet dhe të një desanti të madh ajror në prapavijë.
Përpjekje gjithnjë e më të mëdha për të siguruar prapavijën kanë sjellë, përveç të tjerave, edhe shtimin e madh të përkrahësve të grupit zogist, udhëheqësi i të cilëve, Abaz Kupi, mban qëndrimin e pritjes. Ai vazhdimisht mban lidhje me anglezët dhe mbledh forcat, por i shmanget çdo ndeshje me trupat gjermane”.
Menjëherë më pas Schliep shënon: “Grupi nacional-demokrat i ballistëve ka humbur ndikimin e tij nga mungesa e organizimit dhe të unitetit që reflektohet negativisht në prestigjin e qeverisë në të cilin marrin pjesë tre ministra, të cilët janë pro Ballit”.
Po ashtu Konsulli i Përgjithshëm gjerman vëren se “Përpjekjet e qeverisë për t’i bërë për vete zogistët dhe elementët e tjerë antikomunistë për qetësimin e Shqipërisë së mesme dhe të veriut, kanë patur vetëm suksese lokale”.
Ky konkluzion i Schliep do të thotë se qeveria bashkëpunuese me pushtuesit nazistë nuk qe identike me strukturat politike dhe partiake si Balli Kombëtar apo Legaliteti. Mes tyre kishte afri, por edhe distanca, rënie dakord por edhe mospërputhje taktike. Martin Schliep, por edhe administrata e lartë gjermane në Berlin, në shumë dokumente të tjera, i konsiderojnë më pranë njëra-tjetrës interesat e tyre më të ngutshme gjeostrategjike me qeveritë e Tiranës sesa me udhëheqjet e forcave politike nacionaliste dhe ato mbretërore.
Xhaferr Devës i dhemb shumë stomaku
Shkruan Martin Schliep në telegramin e tij drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin si edhe në Beograd të Plotfuqishmit të Posaçëm për Juglindjen, Herman Neubacher: “Sot qeveria ndodhet në një krizë serioze, përfundimi i të cilës është i pasigurtë, mbasi leva e Qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme Deva, për arsye të sëmundjes së stomakut, punës së tepërt dhe halleve të punës, është tepër i lodhur. Ai më ka thënë se me gjithë angazhimin gjashtëmujor, i cili premtonte suksese, nuk u arrit të vendosej rregull e sigurim dhe se gjendja e transportit dhe furnizimi, sidomos duke marrë parasysh mungesat në Shqipërinë e jugut, jep shkak për shqetësime serioze”.
Menjëherë më tej: “Një tjetër anëtar qeverie jashtëzakonisht i afërt me ne, më ka vënë në dukje si problem esencial, përkrahjen e pamjaftueshme nga ana e Gjermanisë për furnizimin me sende ushqimore dhe pajisje ushtarake, prandaj në popull është krijuar përshtypja se Gjermania nuk tregon interesim për gjendjen e furnizimit. Përpjekjet e qeverisë shqiptare, të cilat kanë kaluar kufijtë e mundësive, me keqardhje duhet të konsiderohen si të dështuara në rast se menjëherë nuk do ta pasojë ndihma e vërtetë dhe e vazhdueshme nga ana e Gjermanisë.
Konsullata e Përgjithshme dhe autoritetet gjermane kanë hyrë me ministrat përkatës në bisedime për kapërcimin e krizës qeveritare, për të verifikuar dhe sipas mundësive me ndihmën gjermane të mënjanojmë vështirësitë e tanishme, gjë që në fushën e transportit dhe të furnizimit është e domosdoshme që të mënjanohen pasojat katastrofale.
Bisedimet vazhdojnë. Kur situata do të ashpërsohet akoma do të kërkohet edhe angazhimi i të Plotfuqishmit të Posaçëm për Juglindjen”.
Këtu telegrami i koduar i Konsullit të Përgjithshëm Gjerman përfundon, por në 20 prill ai i dërgoi të njëjtëve autoritete eprore, Ministrisë së Jashtme në Berlin dhe në Beograd Herman Neubacherit, një telegram tjetër, atë me numër 241. Që në fjalët e para të tij thotë: “Vështirësitë për çështjen e transportit dhe të furnizimit të përshkruara disa herë kanë arritur kulmin. Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë së mesme janë pa bukë. Misri dhe rezerva të tjera ushqimore janë harxhuar në të gjithë territorin e Shqipërisë së vjetër. Në Shqipërinë e jugut uria ka marrë përpjestime të mëdha, përveç kësaj pa ushqime janë edhe krahina të çliruara me anën e operacioneve ushtarake, kështu që të ikurit kryesorë shkojnë në qytete të Shqipërisë së mesme, ku edhe atje është e njëjta situatë dhe nuk do të ndihmohen dot. Mbas bisedimit me gjeneralin në Beograd, i cili është ngarkuar për transportin, është arritur marrëveshje që nga Prishtina çdo javë të dërgohen 100 ton drithë për Manastir. Për dërgesat e tjera në vendet e konsumit tani për tani ka vetëm 10 kamionë civilë, me kapacitet rreth 90 ton në javë. Tek trupat gjermane në Shqipëri ndjehet mungesa e madhe në mjete të transportit dhe kjo sepse nuk ka në sasinë e mjaftueshme goma, kështu që ndihma është e mundur vetëm në raste të veçanta dhe në sipërfaqe të kufizuar...”
Pak me tej: “Qeveria shqiptare nuk e sheh të mundur të zotëroj situatën, prandaj ka ndërmend që të tërhiqet. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është shqyrtuar situata në përgjithësi e transportit dhe është vendosur që sot, Qeveria Shqiptare, e diktuar nga nevoja, në bashkëpunim me ne, të zbatoj organizimin dhe administrimin e rreptë mbi mjetet civile të transportit të mallrave dhe mbi gomat, mbi pjesët e këmbimit dhe karburantin. Në bazë të kësaj informate, në mbledhjen e përmendur të Qeverisë Shqiptare është njoftuar se përgatitet porosia për 100 kamionë të rinj dhe se deri më 25 prill në lidhje me këtë do të jepet njoftim. Studimi me kujdes dhe me themel i situatës në përgjithësi kërkon me qëllim të ndalimit të shpartallimit ekonomik, përdorimin urgjent të makinave të reja. Prandaj, lutem, të na njoftoni deri më datë 25 prill, që nga pikëpamje ekonomike dhe politike të mund të sigurohet përmirësimi i situatës”.
Në 25 prill, afati i dhënies në 200 kamionëve dhe 10.000 uniformave e armëve të dorës për ushtrinë qeveritare, nuk u respektua dhe realizua fare. Në 12 maj Schliep i dërgoi një telegram Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin, ku mes të tjerash i thoshte se “Në lidhje me aksionin e planifikuar kundër bandave në Shqipërinë e jugut, komandanti i brigadës, Fictum, në bazë të asaj që ka parë, nxjerr përfundimin se, të katër batalionet ushtarake shqiptare nuk janë në gjendje të hyjnë në luftë. Dy batalione tashmë janë çarmatosur. Shpartallimi edhe i dy të tjerëve është i pashmangshëm...Sipas eksperiencës së deritanishme është e dyshimtë edhe gatishmëria për luftë e njësive të xhandarmërisë shqiptare...”
Disa rreshta më pas telegrami i Schliep ngul këmbë: “Shpartallimi i bandave komuniste në Shqipërinë e jugut, duke marrë parasysh dështimin e forcave shqiptare në këtë fushë të luftës të dorës së dytë, mund të bëhet vetëm duke futur në luftë bandat nacionale, të cilat kanë dëshirë të luftojnë”.
Në 20 maj telegrami 321 i Martin Schliep hap vend edhe për këtë konkluzion të tij: “Nga ana e Këshillit të Regjencës janë duke u bërë përpjekje që të bëjë për vete të gjitha grupet nacionale të Shqipërisë se mesme dhe të veriut në luftë kundër komunistëve. Grupi zogist me majorin e njohur Abaz Kupi, tani për tani përfaqëson faktorin më të fortë të forcave, kurse proçesi i shpartallimit të grupit nacional-demokrat vazhdon”.
Shënim mbyllës
Datuar nga 13 prilli deri në 19 prill 1944 prej ministrit britanik në Kajro Lord Moyne, nisur në drejtim të eprorëve të tij në Londër ka qenë edhe një analizë për situatën në Shqipëri dhe forcat politike e ushtarake në të.
Aty që në fillim komunikohet gjykimi se “LNÇ vazhdon të jetë qendra e vetme aktive e rezistencës kundër gjermanëve. Nga ana tjetër ajo është gjithnjë e më e pa pëlqyeshme për pjesën tjetër të Shqipërisë duke qenë komuniste dhe duke u identifikuar kështu me Rusinë dhe ndikimin sllav”.
Disi më tej: “Ne nuk do të kemi asnjë lloj marrëveshjeje me ndonjë kolaboracionist të njohur. Kjo është më pak e thjeshtë se sa duket, pasi, ndërkohë që mund të jemi në gjendje të refuzojmë marrëdhëniet me persona që janë 100 për qind kolaboracionistë, të tillë si Xhaferr Deva, me siguri do të duhet të merremi me shqiptarët me influencë në pushtet të cilët kanë qenë në kontakt me gjermanët dhe nuk i kanë kundërshtuar ata në mënyrë aktive”.
Ndërkaq në 16 qershor, me rënien e kabinetit qeveritar të Rexhep Mitrovicës, Bahri Omari nuk ishte më ministër i Jashtëm. As kamionët dhe as armët e dorës me të dhjetë mijë uniformat nuk erdhën. Prej qeverisë bashkëpunuese pasardhëse nuk u bë drejt Martin Schliep ndonjë letër e ngjashme me atë të Omarit. Ishte Historia dhe dialektika e saj që po i mundëte nazistët dhe ata që nuk i luftuan këta të fundit.
Ylli Polovina
Tiranë, më 10 nëntor 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|