Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

1977, RADIOTELEVIZIONI ITALIAN BOTON ANTOLOGJINË E POEZISË SHQIPE, POR NË PROMOVIM A DO TË VIJNË TË DËRGUAR NGA TIRANA?


Pjesa e tretë e ciklit për rolin e Ismail Kadaresë në çlirimin e Kosovës

(Botuar në “Illyria” në 14 nëntor 2019)

Në 22 nëntor 1975 Javer Malo, kryetar i Komitetit Shqiptar per Marrëdhënie Kulturore me Boten e Jashtme, përgatiti një informacion, të cilin e titulloi: “Mbi kërkesën e zonjës Orlando për të botuar një antologji të gjuhës shqipe”.
Malo shkruante më pas për eprorët e tij (mbase edhe për Komitetin Qendror të PPSH-së, sepse atëherë ishte rregull): “Ambasada jonë në Romë na infomon se e shoqja e ministrit italian të P.T.T., Xhulio Orlando, do të botojë në një shtëpi botuese që e drejton vetë një libër antologjik për letërsinë shqipe”.
Më tej: “Siç thonë shokët e ambasadës ajo mendon t’ja besojë zgjedhjen e materialit mikes së Shqipërisë Xhoisi Lussu por në telegram nuk thuhet se cila është shtëpia botuese dhe nëse kjo është marrë vesh me Lussunë, në se kanë biseduar me këtë dhe kjo është dakord për t’i hyrë kësaj pune”.
Në vijim fryma dyshuese e Javer Malos, diplomat shumë i zotë i kohës, ambasador në Paris, çuditërisht shtohet: “Me sa duket shokët e ambasadës nuk kanë biseduar konkretisht me zonjën Orlando, as me Lussunë. Ata duhet të jenë mjaftuar vetëm me një fjalë që mund t’u ketë thënë në pritjen e 29 nëntorit. Nuk është hera e parë që ambasadat tona, duke u kapur nga një fjalë, pa i sqaruar mirë punët dhe pa u siguruar, njoftojnë me telegram për çështje të tilla të rëndësishme, që pastaj nuk i realizojnë, duke mos mbajtur parasysh se pregatitja e një teksti të tillë kërkon të vihen në lëvizje shumë njerëz e institucione”.
Vazhdon Malo të mos e zbehë ndjesinë e pasigurisë prej informacionit që ka marrë nga ambasadori në Romë, Pirro Koçi, por gjithsesi përvoja e nxit që hë për hë të mos i heqë sipër ndonjë vijë të kuqe refuzimi: “Por ne mendojmë se Zonja Orlando për ato që tha mund të jetë shtyrë nga ndonjë propozim i Xhoisse Lussusë. Prandaj në qoftë se është kështu, duke pasur parasysh se Lussu është mike e vendit tonë dhe mjaft e aftë për të bërë një punë të tillë, mendojmë t’i kushtojmë kujdesin këtij propozimi”.
Menjëherë më tej: “Puna lehtësohet më tepër nga fakti se Lidhja e Shkrimtarëve është duke pregatitur një antologji për Francë e Suedi, tekstet e të cilës do të dërgoheshin edhe në Itali”.
Në vazhdim Javer Malo thekson: “Sigurisht përgatitja e një antologjie do të kërkojë kohë. Lidhja e Shkrimtarëve nuk ka bërë akoma zgjedhjen e autorëve. Përkthimi i cili në frëngjisht do të bëhet në një pjesë të madhe nga francezë, do të kërkojnë gjithashtu një afat jo të shkurtër. Prandaj me që ka kohë, ne duhet t’i kërkojmë ambasadës s’onë në Romë që ta sqarojë mirë çështjen dhe nëse këtë punë do ta bëjë Lussuja, asaj mund t’i dërgohej teksti në frëngjisht, gjuhë nga e cila e ka lehtë të përkthejë”.
Kërkimet e mëtejshme në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk dëshmojnë se libri antologjik i poezisë shqiptare me emrat e saj më të dëgjuar do të botohej ndonjëherë prej bashkëshortes së ministrit italian Xhulio Orlando. Ngjarjet e publikimit të tij do të kenë një rrjedhë tjetër, të cilën do ta rrëfejmë me pas, sepse kështu përputhur me tematikën e këtij cikli shkrimesh, ravijëzojmë më mirë historinë e raporteve letrare të Ismail Kadaresë me italianët dhe krijimin e një opinioni të caktuar të tyre për këtë shkrimtar.
Gjithsesi rastin Orlando nuk do ta anashkalojmë, sepse nëse nuk u arrit botimi, u mbërritën përmasa të tjera më të larta të miqësimit mes Romës dhe Tiranës.
Xhulio Çezare Orlando pati lindur në 22 maj 1926 dhe me studime juridike të përfunduara mjaft cilësisht, pasi prej Bolonjës u vendos në Romë (në 1955), shumë shpejt filloi karrierën e një funksionari ministerial në fushën e studimeve si si edhe paralel me këtë edhe të një politikani. Një përvojë pune e specializuar në Kili u vlerësua lart nga ky shtet, ndërsa në atdheun e vet la gjurmë entuziaste detyra që kreu prej vitit 1963 si shef i zyrës s shtypit i Ministrisë së Brendshme. Në 1965 u caktua drejtues i sekretarisë politike të vetë kryetarit të Partisë Demokristiane, Mariano Rumor. Në 1968 u zgjodh senator i Republikës Italiane dhe bëri pjesë në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme. Xhulio Orlando do të ishte në këtë organ të rëndësishëm raportesh ndërshtetërore edhe për pesë legjislatura të tjera, sepse do të zgjidhej anëtar parlamenti deri në motin 1992.
Ky politikan, i cili vlerësohej si person me ndikim të fuqishëm, në 1970 u bë i njohur sepse u shfaq si njëri prej autorëve të njohjes diplomatike, edhe nga Italia, të Republikës Popullore të Kinës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Orlando udhëtoi në Kinë dhe njohu nga afër deri edhe Ten Siao Pinin.
Ndjenjat miqësore ndaj Shqipërisë ai i kishte jo sepse tek mendësia e tij pati ndikuar ndonjë ideologji, aq më pak ajo komuniste, apo sepse ambasada shqiptare në Romë mbante me të raporte të posaçme.
Madje këtu e paragjykonin, ca më shumë kjo ndodhte në Tiranë. Kinezët ishin shumë më elastikë me të.
Kur ambasadori Pirro Koçi informonte Javer Malon dhe ky i fundit eprorët e vet mjaft të rëndësishëm, kishte pothuaj tre mote që Orlando bënte pjesë në qeverinë e Xhulio Andreotit dhe më pas atë të Mariano Rumor.
Gjer në nëntor 1974 Xhulio Orlando punoi në Ministrinë e Tregtisë dhe ndikoi shumë në gjallërimin e ndërsjellë të shkëmbimit ekonomik jo vetëm me Kinën, Poloninë, Rusinë, dy Gjermanitë, Austrinë, Hungarinë, Bullgarinë, Portugalinë, Persinë, Sudanin e Venezuelën, por, siç theksohet në biografinë tij, mbi të gjitha me Shqipërinë. Prej fundit të vitit 1974 gjer në 1978 punoi si ministër i Poste-Telekomunikacionit.
Xhulio Orlando qe në një farë mënyre “ministri” i Tiranës në Romë dhe motet shtatëdhjetë ato të respektit të tij të palëkundur për popullin shqiptar.
Për kulturën e tij të madhe në njohjen dhe ngrohjen e raporteve me popujt e tjerë në 1984 udhëheqësi i Partisë Demokristiane Çiriako De Mita, e emëroi drejtues të Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Orlando do të ndërronte jetë pak vite më parë, ndërsa ne nuk kemi ditur në Tiranë ta regjistrojmë spikatshëm praninë e tij e ta ruajmë në kujtesën tonë kombëtare si vëzhgues i Bashkimit Evropian në zgjedhjet e para pluraliste që kryem pas rënies së diktaturës.
Çështja e botimit të antologjisë së poezisë shqiptare e ka fillesën e saj para 1969-tës, por këtë rrjedhë të saj do ta rrëfejmë shkrimin e ardhshëm. Do të vazhdojmë tani për tani dinamikën e ngjarjeve në mesin e dekadës shtatëdhjetë.
Në shkrimin e herës së shkuar mes të tjerash treguam se në 25 shtator 1976 ambasadori shqiptar në Romë, Pirro Koçi, i nisi Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë radiogramin e koduar, me numrin 1164, në të cilin thuhej: “Na njoftoni kur mund të na dërgohet teksti i plotë i përkthyer i romanit “Njeriu me top”. Mbrëmë ftova për film Rafaelo Uboldin dhe Franko Pino që ishin vjet aty dhe bisedova gjatë e gjerë për punën që mund të bëjnë. Uboldi ka njohje me Mondadorin dhe do t’i propozojë botimin e romanit. I dhashë pjesët e dërguara. Ka shpresë se mund të realizohet. A mund të na dërgoni një kopje frëngjisht të “Gjeneralit të Ushtrisë së vdekur”? E ka pëlqyer shumë atë dhe mendon se Mondadori mund ta botojë”.
Ndërkohë disa muaj më parë, në 2 shkurt, ambasadori Koçi i pati dërguar Javer Malos, kryetarit të Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet Kulturore me Botën e Jashtme një telegram me numrin 179, në të cilin e vinte në dijeni: “Xhois Lusu më tha se shtëpia botuese Eri është gati të botojë vëllimin me poezi shqiptare. Ajo po fillon nga puna. Mendon që në të të përfshihen prodhime të 6 poetëve. Tre që janë në vëllimin e parë të saj plus Dritëro Agollin dhe një grua e një poet të ri. Poezinë e Dritërosë po e nxjerr nga botimi frëngjisht, por mund të shtohet diçka tjetër sidomos nga krijimtaria e tij e fundit. Aty të përgatitet materiali për dy të fundit”.
Më tej Pirro Koçi shton se Xhois Lusu do të vinte në Tiranë në gjysmën e dytë të muajit mars për vendosjen përfundimtare të lëndës poetike. Para botimit të kësaj antologjie, shtonte ambasadori, Lusu do të bënte një prezantim të poezisë shqiptare në RAI.
Kur erdhi dhjetori i atij viti, 1976, Pirro Koçi i nisi Javer Malos një radiogram tjetër, ku i vinte në dijeni: “Xhoi Lusu mori kontakt me një nga përgjegjësit e RAI-t për botimin e antologjisë shqiptare. Sipas tij, së shpejti do të transmentohet në radio një emision për poezinë tonë bazuar në veprat e përkthyera nga Lusu. Do na njoftojnë datën. Mbas kësaj thuhet se është e sigurt botimi i vëllimit nga Eri, shtëpia botuese RAI Presim të vijnë biografitë e shkrimtarëve të kërkuar. Ato duhet të kishin mbërritur”.
Në 18 janar 1977 nga Roma Javer Malos do t’i vinte radiogrami nr. 79, në të cilin thuhej: “Lutemi njoftoni kur do dërgohen biografitë e poetëve për antollogjinë e poezisë shqipe. Një zvarritje të tillë nuk mund ta justifikojmë. Né RAI i kanë thënë Lusut se së shpejti do organizohet transmentimi. Pa këto të dhëna ajo nuk mund të paraqitet. Presim.”
Në 7 shkurt ambasadori Pirro Koçi i niste Javer Malos një radiogram tjetër: “Lusu më informoi se libri i saj “Padre Padrone, Padreterno” botuar kohët e fundit nga Macota ka bërë jehonë të madhe. Mbi të janë shkruar shumë reçensione dhe të gjithë vënë theksin për atë që shkruhet në të mbi emancipimin e gruas në Shqipëri ku ky problem ka gjetur zgjidhjen më të drejtë”.
Në 26 shkurt 1977 sërish Pirro Koçi i niste kryetarit të Komitetit Shqiptar për Marëdhëniet Kulturore me Botën e Jashtme radiogramin e mëposhtëm: “U njoha dhe pata bisedë me Piero Gamacio, drejtorin e shtëpisë botuese Eri të RAI-TV, socialist. Para 3-4 vjetëve ka qenë me grupe turistike në Shqipëri. Ka kujtime dhe përshtypje të mira. Premtoi të bëjë një botim të librit të poezisë që po përgatit Lusu në 5 mijë kopje. Do na japë një sasi pa pagesë, ndërsa shoqatës me gjysëm çmimi. Vëllimi del para verës...”
Në 5 mars drejt Ministrisë së Jashtme në Tiranë mbërriti mesazhi i radhës: “Gamacio, drejtor i shtëpisë botues Eri që me rastin e botimit të librit poezisë shqiptare kërkoi të vijë në Romë një nga autorët për të asistuar në konferencën e paraqitjes. Me sa duket duan t’i japin publicitet. Do të organizojnë edhe një emision tjetër në radio ku mund të recitojë aktori i njohur Kuçola. Lutemi na njoftoni në se u përkthye “Njeriu me top”.
Në 23 mars 1977 ndodhi e papritura. Javer Malo në një informacion për nomenklaturën e lartë të PPSH-së, pasi u thotë se në Romë drejtori i botimeve të RAI-t, Radio Televizionit Italian, kërkon që në ceremoninë e prezantimit të vijë një poet nga Shqipëria, vë në dukje se për këtë çështje “Lidhja e Shkrimtarëve këtu, mendon se mund të dërgohet ndonjë prej autorëve”.
Ndërkaq më tej shpreh këtë mendim të tij: “Për dijeni, Antologjia e Gjuhës Shqipe (shënimi ynë: Javer Malo e ngatërron jo vetëm njëherë termin Antologji e Poezisë Shqipe me Antologji e Gjuhës Shqipe) në Itali u përgatit nga Xhois Lusu. Vendin kryesor në këtë libër e zënë poezitë e D.Agollit dhe I. Kadaresë dhe pastaj poezitë e Ll. Siliqit, A. Çaçit, F. Arapit, A. Varfi, F. Gjata, N. Gjetja.
Dërgimi i D. Agollit, për funksionin që ai ka do të qe shumë, por edhe dërgimi i I. Kadaresë për një ceremoni krejt të thjeshtë, përsëri nuk do të qe e udhës”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 13 nëntor 2019










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com