|
NË RRUGËN KU ISHTE THEMELUAR PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE PLUMBA MBI MINISTRIN KOSOVAR AHMET KRASNIQI
Azem Hajdari, vrasja e gabuar, pjesa e dhjetë
(Botuar në Illyria në 18 tetor 2019)
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i dyzetë e një i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
Në 21 shtator 1998 eksplozivi i shpërthyer tek porta hyrëse e banesës së kryetarit të partisë afërgreke, Vasil Melo, në Shqipëri nuk u lidh aspak me zhvillimet në Kosovë, por nuk ndodhi kjo në median italiane. Kjo e fundit ishte këmbëngulëse se trazirat në “vendin e shqiponjave”, gjendeshin apo nuk nuk pikaseshin dot prova të qarta përkatësie, ndodhnin për shkak të luftimeve të UÇK-së me armatën serbe dhe të përpjekjeve të popullit shqiptar të Kosovës për shkëputje nga Jugosllavia e mbetur.
Në një pleksje me këtë punë, tërthorazi, futnin edhe grekët. Këtyre u jepnin prirjen e interesit për të mbrojtur qeverinë Nano, çfarë donte të thoshte se qenë kundër veprimeve opozitare të forcës të sipërmarrë nga ish-presidenti Sali Berisha.
Gjithsesi ngjarja Melo nuk ishte aq fort e kthjellët për t’u veshur me një mision roli në çfarë po ndodhte në Jugosllavi e sidomos Serbi, por besimi se hynte në të njëjtën strategji u bë tepër bindëse pas disa orësh, në të njëjtën ditë.
Në 21 shtator, kësaj here në mbrëmjen e vonë, në një atentat u vra komandanti i forcave ushtarake FARK, të cilat thuhej se qenë të udhëhequra nga partia Lidhja Demokratike e Kosovës, pra prej Ibrahim Rugovës.
I porsavrari nëpër errësirë quhej Ahmet Krasniqi dhe ishte me gradën kolonel.
Të nesëmen, në 22 shtator, agjencia italiane e lajmeve Adnkronos burimin e të dhënave për çfarë pati ngjarë nëpër natën e porsazbardhur nuk e mori prej ndonjë burimi në Tiranë apo në Prishtinë, por prej agjencisë gjermane të lajmeve DPA.
Përmbajtja e njoftimit ishte kjo: “Kosovë: U vra në Tiranë “Ministri i Mbrojtjes” kosovare. Tiranë, 22 shtator-Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i qeverisë së vetëshpallur të Kosovës, u vra mbrëmë në periferi të Tiranës prej një të panjohuri që kishte pistoletë. Krasniqi, 50 vjeç, i njohur edhe si komandant luftarak i ushtrisë për çlirimin e Kosovës (UÇK), po kthehej në shtëpi kur një njeri e qëlloi me tre plumba. Policia njofton se nuk ka të dhëna për identitetin e vrasësit”.
Siç e shihni lajmi i shpërndarë nga gjermanët dhe pas tyre edhe prej italianëve përmban një pasaktësi të rëndësishme, por që provon se si element të fortë të rezistencës antiserbe në Kosovë, pra si faktor, në Perëndim konsideronin UÇK dhe jo FARK.
(FARK donte të thoshte Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës).
Sipas gazetarit italian televiziv, por edhe jo rrallë i shtypit të shkruar, Sandro Provvisionato, në qershor 1998, pikërisht kur UÇK kontrollonte një pjesë të mirë të territorit të vendbanimit të vet historik, u shfaq FARK”.
Provvisionato vinte në dukje se këto forca “janë deklaruar pro Rugovës” dhe drejtohen e financohen “nga qeveria e përkohshme në mërgim e Bujar Bukoshit”. Gjithnjë sipas Sandro Provvisionatos, pasi pati intervistuar një luftëtar të FARK, ky i qe përgjigjur se ajo “nuk ishte krijesë e Ibrahim Rugovës, por pjesë e elementëve disidentë që kishin frikë nga lufta. Këta e përdornin luftën për qëllime personale”.
Përherë duke iu referuar gazetarit italian Provvisionato, ky formacion ushtarak “flitet se financohej me para saudite dhe ka mbështetjen logjistike të Turqisë”. Sipas tij, FARK “ishte e stërvitur dhe e armatosur më mirë prej ish-oficerësh plot përvojë të spikatur të ushtrisë jugosllave”.
Sandro Provvisionato mendonte se qe bërë një përpjekje për të futur UÇK-në nën hegjemoninë e FARK, të paktën nën udhëheqjen e grupit politik të saj, por pasi kjo përpjekje dështoi, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nisi t’i kundëvihej Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.
Veç ky interpretim dhe shpjegim i shkaktuar prej ngjarjes tronditëse të vrasjes së Ahmet Krasniqit, do të bëhej disa ditë më pas, madje jo të fundshtatorit por në të parat e muajit nëntor. Ndërsa në 22 shtator të dy grupet e mëdha televizive RAI dhe Mediaset nuk transmentuan fare lajme me figurë për Shqipërinë, duke krijuar një gropë informative. Reagoi vetëm teleteksti i RAI-t me një lajm të shkruar për sulmin më të ri serb kundër rajonit kosovar të Drenicës si edhe për vrasjen e Ahmet Krasniqit. Gjysma e fundit e këtij lajmi paraqiste vetëm opinionin e ish-presidentit Sali Berisha, ku akuzonte si autore të krimit shërbimet e fshehta shqiptare bashkë me ato jugosllave. Po kështu në teletekst theksohej se Berisha e akuzonte kryeministrin Fatos Nano për vazhdim të terrorit shtetëror
Në mëngjesin e 23 shtatorit shtypi italian, pas vrasjes së ministrit Krasniqi, e kishte rigjallëruar menjëherë interesimin për Shqipërinë dhe ciklin e saj të trazirave problematike.
Këtë çast u formulua për herë të parë termi “vrasjet e çuditshme të Tiranës”. Konsideroheshin të tilla sepse nuk kishin dot një shpjegim të qartë, por ishin tërë hije dhe konfuzion.
“Corriere della Sera\" botonte në fund të faqes 11 shkrimin \"Një mister në Tiranë, është vrarë shefi kosovar\". Mbititulli qe \"Drama ballkanike: dyshime mbi serbët\". Autor i shkrimit ishte Renco Çanfaneli.
Artikullin e tij ky e niste me fjalët \"Një vrasje e dytë misterioze, pas asaj të zevëndëssekretarit të Partisë Demokratike Azem Hajdari, rrezikon të destabilizojë sërish ekujlibrin e tronditur të Shqipërisë\". Më pas, pasi tregonte detajet e vrasjes, gazetari e cilësonte Ahmet Krasniqin si komandant të UÇK-së. Duke vijuar thoshte se kjo vrasje e thellonte edhe më krizën e Kosovës. Në fund të shkrimit citohej deklarata e zëdhënësit të kryeministrit shqiptar, Ben Blushit, sipas të cilit \"Ekzekutivi ndërsa shqyrton situatën, rithekson dënimin e vet për çdo akt terrorist\".
Shkrimi i “Corriere della Sera” përfundonte edhe me një deklarim të Sali Berishës: “Hipoteza më e mundshme është se kemi të bëjmë me një bashkëpunim mes shërbimeve të fshehta të Beogradit dhe Tiranës\").
Gazetari Renco Çanfaneli mendonte se \"Berisha lë të kuptojë se me këtë vrasje kemi të bëjmë me një operacion \"kirurgjik\" për të këputur lidhjet e solidaritetit mes Berishës dhe partisë së armatosur në Kosovë. Por ish-presidenti i përjashtoi demonstrimet e solidaritetit\".
Ndërkaq \"La Stampa\" publikonte në krye të faqes 8 shkrimin \"Lufta e Kosovës në Tiranë\". Mititulli ishte: \"Pritë natën për të përgjegjësin e Mbrojtjes (dhe i luftëtarëve kundërserbë\"). Nëntitulli qe: \"Është vrarë një ministër-hije\". Autor i tij ishte i dërguari i gazetës në Tiranë, Vinçenso Tesandori. Sipas tij, “ende vdes në Tiranë, ku jeta ka vlerën e një fisheku. Një breshëri Kallashnikovi në gjoks, ndërsa kthehesh për në shtëpi e përreth ka errësirë, rrugët janë të zbrazëta dhe qentë i lehin hënës, ti ke iluzionin se lufta që po zhvillohet në kufi luhet vetëm atje, të paktën është larg teje këtë natë. Ahmet Krasniqi ishte dyzetë vjeç, pati lindur në Kosovë dhe qe kolonel në ushtrinë jugosllave, pastaj kishte luftuar në Kroaci dhe në Bosnjë. Ishte ministër i Mbrojtjes i qeverisë hije të Kosovës. Po e pritnin në atë rrugë ku në 8 nëntor 1941 ishte themeluar partia komuniste shqiptare, në lagjen e Medresesë, ajo ku shkollohen muhaxhedinët. Jetonte aty që prej tre javësh. Kohë e shumtë për të qënë i sigurt se nuk kërcënohej prej ndonjë rreziku. E megjithatë makina e ruajtjes së tij e la në fillim të rrugicës dhe vrasësit qenë aty, duke e pritur. Breshëria e përplasi në tokë dhe pastaj i dhanë tre plumba “lamtumire”, dy në kokë dhe një në qafë. Terri i mbrojti vrasësit, ndërkohë që nëpër qytet, diku, shpërthenin bomba. Ato më shumë bënin zhurrmë se dëme. Por përtej në Kosovë gjendja ishte rikthyer në përflakje mes UÇK-së, ushtrisë irredentiste, dhe serbëve, të cilët patën lëshuar blindet në perëndim të Pejës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte arrestuar nëntë politikanë dhe dy gazetarë, me sa duket sepse i konsideronin kolaboracionistë.
Sigurisht atentati u lexua dhe për sa ishte e mundur, u shfrytëzua nga e majta dhe e djathta. Sali Berisha, ish-president i akuzuar se i përzjeu ndjekësit e vet në një përpjekje për grusht shteti, deklaroi se “është e mundur që kjo vrasje të jetë aksion i kombinuar midis shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe atyre të Jugosllavisë, po ato që në të kaluarën kanë pasur raporte të mira bashkëpunimi sidomos netëve, kur nisnin të punonin për të përballuar imperializmin amerikan dhe atë evropian”. Më pas Berisha bëhet më i qartë: “Askush nuk dyshon se qeveria po organizon akte të terrorizmit shtetëror”. Atij i duket bindëse të lidhë pritën e Krasniqit me atë ku u vra Azem Hajdari, besniku i tij, prandaj edhe për sot lëshon një thirrje tërë shqiptarëve: “Të takohemi në orën 17.00 në sheshin Skënderbej”. Por armiqtë e tij, socialistët, qenë po aq të shpejtë sa ai për të qarë mbi trupin e njeriut të ardhur nga Kosova. Sabit Brokaj është këshilltar ushtarak i presidentit Rexhep Mejdani, por ka qenë edhe mjeku kardiolog i Enver Hoxhës, person i konsideruar i paepshëm, përfaqësues i vijës së ashpër të partisë: “Qëllimi strategjik i kësaj vrasjeje është destabilizimi i Shqipërisë dhe që në këtë mënyrë të godasin frymën vëllazërore mes shqiptarëve. Pra bëhet fjalë për vrasjen më antikombëtare të gjithë historisë së vendit tonë”.
Mjekëve të Spitalit numër një, tek Klinika Universitare, Iliaz Ramajli, ambasador i Kosovës, sapo kishte thënë, me sytë të përlotur: “Na goditën sërish”. Fliste sikur t’i njihte vrasësit.
Tanimë që rruga për në Tropojë dhe Barjam Curri është mbushur me ardhës që kanë ikur nga Kosova, lumi i tyre synon të mbërrijë Shkodrën. Në pyjet përreth Gjakovës, sapo kalon kufirin, janë pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë mijë që presin, ndërsa të tjerë, mbase tetëmbëdhjetë apo njëzetë mijë janë shpërndarë gjithkund nëpër Shqipëri. Këta nuk konsiderohen vetëm një problem, por edhe bisnes. “80 përqind e tyre paguan qera për shtëpitë që banojnë, nga tridhjetë deri në treqind marka në muaj”, vëren Alesandra Moreli, përgjegjëse E Komisariatit të Lartë të OKB-së. “Të gjithë shprehin një dëshirë e një mendim: “Varfëria më e madhe e refugjatit është të humbasë dheun e tij”.
Në Shkodër ndodhen katër mijë, gjashtë mijë të tjerë gjenden në Durrës, buzë detit, me synimin të arrijnë Amerikën. Më tepër se Italinë ata pëlqejnë të shkojnë në Gjermani dhe në Zvicër. “Andej kanë familjarët e tyre. Ndokush flet edhe gjermanisht. Vërtet duan të rikthehen në tokat e tyre, por edhe kanë dëshirë të jetojnë më mirë, thotë Silvio Tesali, drejtuese e Caritas. Tek Arra e Madhe, kisha françeskane, katërqind persona presin dhe kujtojnë çfarë po kalojnë vuajtshëm. Ali Gajri thotë se serbët u erdhën në shtëpi, i plaçkitën dhe u vunë zjarrin, pastaj “me megafonë na urdhëruan të iknim”. Kështu Aliu bashkë me të shoqen ikën menjëherë, duke e mbajtur në gjoks fëmijën e tyre me të vogël. Tërë natën ecën, pastaj edhe gjithë ditën e natën tjetër, përherë me zemrën që dukej sikur u shkulej nga krahërori, sepse pas shpatullave dëgjoheshin blindet dhe pylli qe i mbushur me mina kundër njeriut. Kur ata të Partisë Demokratike bënë manifestimin e tyre në shesh, në 2 prill, në Shkodër, himnizonin me brohorima Berishën, ndërkohë që ishte një ditë me diell të nxehtë dhe ajo që po demonstrohej dukej si një festë. Por në mbrëmje u mësua se prej kufirit me Malin e Zi qenë afruar pesëqind fantazma, pesëqind refugjatë të Kosovës”.
Në 23 shtator 1998 për çfarë pati ndodhur rishtaz në Tiranë prononcohej edhe gazeta \"La Repubblica\". Ajo botonte në krye të faqes 16 artikullin \"Krim politik në Tiranë, është vrarë një udhëheqës i Kosovës\". Mbititulli qe: \"Ishte me një mision sekret. Berisha akuzon: \"Është terrorizëm i shtetit, regjia nga Nano\". Nëntitulli: \"Këshilli i Sigurimit i OKB-së përgatit një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm midis serbëve dhe shqiptarëve\".
Në këtë shkrim me autor Renato Kaprilen ngriheshin versione të mundshme rreth autorëve të vrasjes së Krasniqit. Autori i bën këtë rreshtim: Ishte i moderuar, mund ta kenë vrarë krahu i ashpër i guerriljes. Çfarë lidhje ka midis kësaj vrasjeje dhe arrestimit nga UÇK të nëntë politikanëve dhe dy gazetarëve kosovarë, nga ata që skifterët e Ushtrisë Çlirimtare nuk i kanë qejf? Apo vrasësit janë dërguar nga ndonjë njeri i fuqishëm në Tiranë, i cili punon për interesa të errta?
Pastaj në artikull paraqitej deklarata e Berishës dhe e Brokaj, por ky i fundit paraqitet prej gazetarit si \"socialist nga më të fuqishmit, ish-ministër i Mbrojtjes dhe armik i betuar i Nanos\". Në fund thuhej se ish-presidenti shqiptar ka lënë mitingun e Shkodrës për të udhëhequr sot atë të Tiranës. Ndërkohë prokuroria, nënvizon gazetari, deklaron se \"mandat arrestet për grushtin e dështuar të shtetit janë më të shumta nga ai numër që mund të pranojë Nano...\".
Ndërkaq \"Il Manifesto\" publikonte në fillim të faqes 8 shkrimin \"Rrezikoni luftën\", me autor RO.LAN. Nëntitulli qe: \"Ministri i Jashtëm rus Ivanov: me ndërhyrjen e NATO-s Evropa drejt një \"lufte të madhe\". Është vrarë në Tiranë shefi i Forcave të Armatosura të Kosovës, armiku i UÇK-së dhe i Rugovës\"..
Në këtë shkrim, pasi përmendej \"paralajmërimi i fortë i ministrit të jashtëm rus\" dhe jepej një informacion i shpejtë për situatën më të fundit në Kosovë, kalohej në ngjarjen e ndodhur në Tiranë e shpjegohej se Krasniqi ka qënë aty me rol të dyfishtë (ministër i Mbrojtjes i të vetshpallurës qeveri kosovare dhe komandant i FARK, Forcave të Armatosura të Kosovës). Më pas artikullshkruesi mendonte se FARK ishte nën komandën e Bujar Bukoshit dhe që në kundërshtim me Rugovën, ky është për rrugën e ashpër kundër serbëve. \"Ndërkohë në Prishtinë Rugova, i cili e konsideron luftën e UÇK-së një \"tragjedi të vërtetë\" për shqiptarët-vijon gazetari-ka rifilluar dje bisedimet me Beogradin. Ndërmjetësit e tij kanë hartuar një plan me 16 pika....\".
Gazeta \"Il Sole 24 Ore\" publikonte në mes të faqes 7 shkrimin \"Kosovë, shtrëngohet dara jugosllave\". Mbititulli: \"Sulm i ri i Beogradit ndërkohë që vritet një nga udhëheqësit e luftës për pavarësi\".
Autorja Elena Raguzin që në fillim të linte të mendoje se kishte lidhje mes vrasjes së Ahmet Krasniqit dhe valës së re të sulmit ushtarak serb kundër fshatrave të Kosovës. Asaj i dukej më e besueshme hipoteza se vrasja të qe kryer nga agjentë serbë. Gazetarja e cilësonte këtë situatë si rendim të krizës. Për Krasniqin shkruante se ai \"jetonte prej disa kohe në kryeqytetin shqiptar dhe që prej andej koordinonte stërvitjen e kosovarëve në bazat e veriut të Shqipërisë dhe si edhe armatosjen e tyre\". Ajo thoshte se deri dy ditë më parë pothuaj askush nuk e përmendete emrin e tij, por \"është e sigurtë se nëpër duart e tij kalonin shuma të mëdha parash...që ushqenin lëvizjen e luftës për pavarësi...\". Më vonë Elena Raguzin ngulte këmbë se \"problemi mbetet që ka disa muaj që është krijuar një ndarje e madhe mes luftëtarëve të UÇK-së, rreth 20 mijë njerëzve të shpërndarë nëpër territor më shumë sipas logjikës së fisit se sa të një komande të unifikuar, dhe Forcave të Armatosura të Kosovës (FARK), të cilat i binden kryeministrit të vetshpallur e që pështë në mërgim Bujar Bukoshi, thesarmbajtësi i diasporës shqiptare\". Në fund të artikullit autorja thoshte se në mjediset diplomatike kosovare në Tiranë akuzojnë për vrasjen e Krasniqit shërbimet e fshehta serbe. Por ndërkohë shtonte se mund të ishte edhe larje hesapesh e luftë mes ushtrive kosovare që luftojnë për pavarësi.
Ndërkohë \"Il Messaggero\" botonte në fund të faqes 17 lajmin \"Kosovë, sulmi serb kundër atyre që luftojnë për pavarësi\". Ishte një lajm i shkurtër për ç\'ka po ndodhte në Kosovë.
Por çuditërisht nuk përmendej vrasja e Ahmet Krasniqit.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 16 tetor 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|