Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

NË TIRANË NUK BIE QETËSI: NË 21 SHTATOR 1998 DINAMIT NË BANESËN E POLITIKANIT MINORITAR GREK VASIL MELO


Azem Hajdari, vrasja e gabuar, pjesa e nëntë dhe e parafundit

(Botuar në “Illyria”, 11 tetor 20199

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i dyzetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Në një mbledhje të Senatit italian të mbajtur në 15 shtator 1998 ministri i Jashtëm italian Lamberto Dini përsëriti tezën e tij se ngjarjet e rënda të ndodhura në Tiranë nuk kishin asnjë lidhje me çështjen e Kosovës. Ai po ashtu rideklaroi se gjithçka qe pasojë e luftës së brendshme politike në Shqipëri. Njëkohësisht vuri në dukje se “uronte që kjo gjendje të mos ushqente situatën e konfliktit në zhvillim në provincën jugore të Serbisë”.
“Corriere della Sera” e 16 shtatorit botonte mes të tjerëve edhe shkrimin \"Shqipëria, shi kritikash...\". Pasi përshkruante diskutimet në komisionin e Jashtëm të Dhomës dhe të Senatit, në të thuhej: \"Por ishte senatori Xhulio Andreoti që e kritikoi më saktë shefin e Farnesinës, duke ftuar drejt për drejt shërbimet e fshehta të hetojnë \"trafikun e armëve midis Kosovës dhe Shqipërisë\" për të verifikuar lidhjet e mundëshme me vrasjen e Hajdarit. \"Nuk e di sa vlejnë sot shërbimet tona sekrete\", kishte shtuar ndërkohë Andreoti. E menjëhershme pati qenë përgjigja e Lamberto Dinit për të përgënjeshtruar çdo hipotezë lidhjeje midis krizës shqiptare dhe luftës në Kosovë: \"As Berisha dhe as Fatos Nano nuk kanë interes për të nxitur përleshjet në Kosovë\".
Por Andreoti, “ujku i vjetër” i demokristianëve, pati folur për trafik armësh si arsyeja më afër të vërtetës për vrasjen në Tiranë të politikanit Azem Hajdari. Me përgjigjen e vet Dini thjesht pati dredhuar.
Ndërkohë sipas një interviste të gazetarit Marko Berti me kryetarin e komisionit të politikës së Jashtme të Senatit, Xhan Xhakomo Migone, ky ngulte këmbë se \"ka një koinçidencë mes nxehjes së krizës në Kosovë dhe shpërthimit të rrëmujës në Shqipëri. Ndoshta është një emulacion i forcave më ekstremiste në Kosovë dhe në Tiranë\".
Në vijim të pikëpamjes se ngjarjet turbulluese në Tiranë kishin domosdoshmërisht një lidhje me Kosovën dhe ndeshjen mes ushtrisë serbe dhe UÇK-së atje, në 17 shtator (1998), referuar gjithnjë medias italiane, kishte ndodhur një prononcim publik tjetër, kryer nga gazeta e Prishtinës “Koha Ditore”. Njëkohësisht edhe prej radios së Beogradit B92.
Bëhej fjalë për një plan amerikan paqetimi të gjendjes në Kosovës.
Sipas kësaj platforme, plani parashikonte ngritjen e institucionit të një parlamenti, emërimin e një presidenti, një lloj “përfaqësuesi”, të cilit do t’i besohej drejtimi i provincës. Kësaj të fundit do t’i lejoheshin gjykatoret si edhe policia e vet. Qe parashikuar në fakt edhe krijimi i një force policore kosovare, e organizuar nëpër qarqe me detyrën për të respektuar ligjin dhe rendin publik, të drejtat njerëzore patjetër. Policia federale jugosllave dhe ajo serbe duhej të garantonin ruajtjen e kufirit. Agjentët operativë të policisë vendase duhej të rekrutoheshin në provincë në përputhje me përmasën etnike që zinin në popullsinë e Kosovës.
Me t’u marrë këto masa, parashikonte projekti amerikan i paqetimit, policia serbe dhe ushtarët e Beogradit do të futeshin nëpër gazerma.
Ky plan i Uashingtonit parashikonte pas ca kohe edhe zgjedhjet si edhe regjistrimin objektiv të popullsisë. Për parlamentin e Jugosllavisë do të zgjidheshin dhjetë deputetë kosovarë, ndërkohë që kjo provincë duhej të kishte përfaqësuesit e vet edhe në qeverinë serbe. Pas tre vitesh të vënies në jetë të këtij programi qetësues palët sipërmarrëse si edhe ato protagoniste do të mblidheshin dhe analizonin progresin dhe do të vendosnin për ndryshimet e nevojshme.
Shqiptarja “Koha Ditore” dhe serbja, Radio B92, e mbyllnin lajmin e tyre me saktësimin se e tëra kjo platformë i qe besuar ambasadorit amerikan në Shkup, Kristofer Hill. Ky pati takuar me këtë rast Ibrahim Rugovën.
Një javë më parë, duke u kthyer nga “Dita e Shqipërisë” që u zhvillua në Ekspozitën Ndërkombëtare të Lisbonës, pak a shumë një platformë të tillë si e amerikanëve e pati deklaruar edhe Fatos Nano, por ndeshi në akuzat e opozitës. Kjo e fundit e sulmoi përse mendonte kështu dhe jo pavarësimin e menjëhershëm të Kosovës.
Ndërkaq që “Koha Ditore” dhe B92, në Itali edhe disa agjenci lajmesh dhe të përditshme përhapnin bocetin e zgjidhjes politike të SHBA, në Kosovë ishte në dinamikë e sipër një mësymje e madhe e ushtrisë serbe, e cila kishte shkaktuar rimarrjen prej saj të disa territoreve të çliruara nga UÇK. Luftimet zhvilloheshin në territorin midis Mitrovicës dhe Podujevës. Kishte të vrarë e të plagosur nga të dy palët, po ashtu edhe mjaft dëme në rrënimin e banesave.
Në Itali shtypi i këtyre ditëve krahas situatës në Tiranë e cekte temën e Kosovës më dukshëm. Që në 16 shtator “Corriere della Sera” mes disa shkrimeve nxirrte në pah Adam Ulan, historian polak që jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hebre në origjinën e tij etnike. Këtij i qe bërë një intervistë, të cilën gazeta e titullonte “Kujdes, është një grackë...\"
Ulan në të shprehej se Italia duhej të qëndronte disi larg nga çfarë po ndodhte në Shqipëri, sepse po të kishte zell të ndërhynte atje e të dërgonte trupa ushtarake, do të binte në një grackë. Sipas tij, në Tiranë po ngjanin përleshje të brendshme politike. “Corriere della Sera” me këtë rast shpjegonte se “Ulan është dekan i historianëve të Lindjes evropiane dhe për gjysëm shekulli edhe studjues i komunizmit. Gjithashtu edhe autor i shumë librave për Ballkanin. Punon në Harvard”.
Gjithsesi Adam Ulan shprehej se sugjeronte që trupat duhet të futen e të vendosen në kufirin me Kosovën. Po kështu thoshte se kishte frikë “mos gjendja në Shqipëri preçipitonte, madje edhe në rajon e do të gjendemi përballë një konflikti më të përgjakshëm se ai në Bosnjë”. Ulam propozonte që Evropa dhe Uashingtoni të bënin më shumë presion mbi OKB-në për të stabilizuar situatën në Shqipëri dhe Italia për këtë stabilizim të merrte rol kryesor.
Por pikërisht në këtë edicion të “Corriere della Sera” botohej edhe një intervistë me Sali Berishën. Shkurtimisht përgjigjet e tij qenë: \"Ai që dëshiron të bëjë grusht shteti, që fizikisht eliminon opozitën dhe terrorizon kush nuk është dakort me të, është Fatos Nano\"; “Atentatin e organizoi Ministria e Brendshme që përgjigjet para Nanos”; “Zgjidhja që ne kërkojmë është politike. Nano është i diskretituar dhe duhet të ikë”; “Zgjidhje politike konsideroj një qeveri teknike, pa Nanon dhe Tetën”; \"Jam shumë i bindur se shumë shpejt italianët do të kërkojnë: është më mirë një Shqipëri e Berishës që në Itali dëshiron të shesë këpucë apo Shqipëria e Nanos që shet drogë\".
Ndërkaq në një intervistë me Gramoz Ruçin, gazetari Vinçenso Tesadori i bën atij dhjetë pyetje. Dy nga përgjigjet e Ruçit ishin: “Sali Berisha e ka udhëhequr grushtin e shtetit dhe kjo gjë nuk ka dyshim”, “Nuk e arrestojmë, sepse është deputet dhe udhëheqës i opozitës”.
Në 18 shtator “Corriere della Sera” botonte një intervistë me Adem Demaçin. Titullohej \"Në shërbim të Kosovës dhe jo të ish-presidentit\".
Nga gazetarja kroate Ingrid Badurina Demaçi, të cilit i bënte gjashtë pyetje, paraqitej si kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës, eksponent i një vije politike më radikale se ajo e Ibrahim Rugovës. Kjo parti drejtonte krahun politik të UÇK-së. Sipas Badurinës, Demaçi kishte bërë 28 vjet burg nga regjimi sërb dhe cilësohej \"Mandela shqiptar\". Pyetjes “Beogradi ka akuzuar UÇK se është përzjerë në \"tentativën për grusht shteti\" në Tiranë, duke e cilësuar \"ushtria personale\" e Berishës”, Adem Demaçi i përgjigjej: “UÇK ka detyrë tjetër, të çlirojë Kosovën nga regjimi sërb dhe të krijojë një gjendje të re për një zgjidhje të drejtë të krizës, në interes të shqiptarëve, të sërbëve dhe të bashkësisë ndërkombëtare. UÇK nuk i ka mundësitë dhe forcat të përzihet në çështjet e brendshme të Shqipërisë, aq më tepër që shumë nga njerëzit tanë ndodhen atje. Akuzat e Beogradit janë gënjeshtra, një grackë e re e regjimit sërb, i cili nuk kursen mjetet për të dobësuar UÇK, për të na kundërvënë me Shqipërinë. Qeveria e tanishme shqiptare nuk bie në këtë kurth ashtu si çdo qeveri e Tiranës. Për ne shqiptarët janë të gjithë të njëllojtë. Nuk mbështesim asnjë parti. Jemi neutralë. Na vjen keq për gjithçka që ndodh, por ne jemi krejtësisht jashtë saj”.
Pyetjes “Por edhe kryeministri Nano duket se ka një lloj dyshimi për sa i takon UÇK-së”, Demaçi i jepte përgjigjen: “Fatos Nano e njeh më mirë nga të gjithë pozicionin e UÇK-së. Për këtë gjë ai është nga ata që i beson më pak këto akuza”.
Pyetjes së Ingrid Badurinës “Si i gjykon faktet e ndodhura në Tiranë?” Adem Demaçi i vinte përpara fjalët: “Gjendja është shumë e tensionuar dhe komplekse. Dikujt i ka hipur gjaku në kokë. Opozita ka përdorur çdo mjet, edhe ato të papranueshme, për të arritur në pushtet. Ne shqiptarët që jetojmë në skllavëri, nuk e shikojmë me sy të mirë këto gjëra. Mendojmë se është e drejta e çdo partie për të luftuar për pushtetin, por nuk mbështesim metodat që kapërcejnë masën dhe minojnë interesat kombëtare të Shtetit”.
Në pyetjen “Dhe dëshirat e disave për të ngritur një Shqipëri të Madhe?” Demaçi ka si përgjigje këtë formulim: “Kjo ide është një gjë që i ka kaluar koha. Nuk janë më kushtet edhe pse nuk mund të krijohet një Shqipëri e Madhe edhe duke i bashkuar të gjithë shqiptarët. Sot ekziston vetëm një Sërbi e Madhe, por e madhe sepse pushton tokat e të tjerëve. Shqipëria e Madhe u konsumua e i iku koha bashkë me Luftën e Dytë Botërore...\".
Pyetjes se mos veprimtaria e tij politke mund t\'i kushtojë jetën, Adem Demaçi i përgjigjej me fjalët: \"Kur vdesin fëmijë dhe pleq, njerëz të pafajshëm, atëhere le të vdesë edhe Adem Demaçi\".
Në mbrëmjen e 18 shtatorit kanalet televizive publike Raiuno dhe Raidue dhanë intervista të alternuara me kryeministrin shqiptar Fatos Nano dhe kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha. Në një formë tjetër, por sërish duke i ballafaquar deklaratat e të dyve, i alternoi edhe Rai Tre. Të tre kanalet televizive që në fillim të kronikës informuan se me votim të parlamentit shqiptar ish-presidentit i qe hequr imuniteti dhe tani një fije e ndante nga burgimi. Komentatorët theksuasn se bashkësia ndërkombëtare dhe kryeministri Nano ishin kundër veprimit të arrestimit të liderit të opozitës.
Në mëngjesin e 19 shtatorit \"Corriere della Sera\" rubrikën e saj tendencioze \"Shqipëria në flakë\" e botonte në faqen 10. Aty ndodhej edhe artikulli \"Përfundon në Kosovë...\" Në këtë shkrim thuhej se vrasja e Azem Hajdarit nuk ishte gjë e thjeshtë. Ai qe vrarë jo se kishte qenë krahu i djathtë i Berishës, porse ishte njeriu që mbante lidhje me UÇK-në. Gazetari mendonte se vrasja duhej të qe nisur nga Beogradi, edhe pse ekzekutuesi mund të ishte shqiptar. Sipas tij, me vrasjen e Hajdarit i bëhej bllokim tjetër alternativës për shkëputje të Kosovës dhe për krijimin e \"Shqipërisë së Madhe\", një projekt që e nxiste ish-presidenti shqiptar. Nga pala italiane, këmbëngulte autori, bëhej presion që Berisha të ndalte veprimet e tij kryengritëse, kurse nga qeveria shqiptare të gjendeshin fajtorët e vërtetë dhe jo ata që përdoreshin për konsum politik.
Ndërkaq \"La Stampa\" bënte të ditur në trazirat e ndodhura kishte pasur \"Luftëtarë të UÇK-së në sheshin Skënderbej\", porse “forcat politike kosovare marrin distancë nga kriminelët\".
Në 20 shtator \"La Repubblica\" citonte në rubrikën e saj informative \"Opinione nga bota\" një fragment artikulli nga e përditshmja franceze \"Le Monde\". Atje bëhej fjalë për faktin se megjithë çfarë po ndodh në Kosovë, përfshi edhe katastrofën humanitare, Millosheviç qe bërë njeri i padënueshëm.
Në 21 shtator 1998 ishte fare e qartë që vëmendja e medias italiane për ngjarjet turbulluese në Shqipëri po binte me shpejtësi. Ishin të lodhur. Vendi i vogël përballë kishte vite që u sillte bezdi, lodhje dhe mundim, pse jo për t’i ndihmuar edhe para të hequra nga arka e shtetit të tyre. Në të vërtetë në Tiranë nuk po ndodhte më asgjë që e cënonte rendin publik të vendit dhe ndeshja politike mes opozitës dhe pozitës ishte përqendruar kryesisht tek ballafaqimi me fjalë.
Por...ndërsa televizionet kryesore italiane në mbrëmje, po ashtu dhe në mëngjes, i dhanë hapësirë pranisë në kryeqytetin shqiptar të një “trojke” të ardhur posaçërisht nga Bashkimi Evropian për të pajtuar palët, por me t’u larguar ajo qeveria dhe Sali Berisha mbetën në pozicionet e mëparshme, krejt papritur filluan arrestimet e para për të akuzuarit për kryengritje. U prangosën tre vetë, por u bë e ditur se numri i të arrestuarve do të shkonte deri në njëzetë.
Për rrjedhojë Sali Berisha ndërpreu çdo komunikim me Fatos Nanon dhe ngriti në këmbë një të quajtur \"Front të refuzimit të diktaturës\". Në edicionet e lajmeve të orës njëzetë të 20 shtatorit në Raiuno dhe Raidue foli italisht edhe vetë ish-Presidenti. Ai e shpjegoi vetë vendimin që pati marrë.
Në 22 shtator për Shqipërinë më në fund nuk shkruanin asnjë rresht as \"Corriere della Sera\", as \"La Stampa\", as \"La Repubblica\", as \"Il Tempo\". Vetëm \"Il Manifesto\" botonte në rubrikën e saj informative \"Shkurt\" lajmet \"Kosovë, Adem Demaçi tërhiqet nga jeta politike\" dhe \"Hungaria: në Vojvodinë e njëjta autonomi\". Në lajmin e parë shkruhej se Demaçi pati deklaruar se tërhiqej nga jeta politike për \"arsye shëndeti\", por në të vërtetë largohej sepse kishte patur grindje të ashpër me krerët ushtarakë të UÇK-së. Po kështu thuhej se grupi negociator i Rugovës kishte formuluar projektin e marrëveshjes me Beogradin: kërkonin për Kosovën statusin \"e përkohshëm\" që \"të jetë pjesë e Jugosllavisë, në cilësinë e një identiteti të pavarur e të barabartë me dy republikat e tjera federale\".
Pra bashkë me Fatos Nanon dhe Departamentin Amerikan të Shtetit edhe Ibrahim Rugova nuk kërkonin pavarësim të Kosovës.
Por në të njëjtin edicion “Il Manifesto\" që në krye të faqes 10 botonte shkrimin \"Është bombarduar shtëpia e gjykatësit anti-Berishë\". Mbititulli qe: \"Një dështim manifestimi i opozitës\" dhe \"Granatë kundër shtëpisë së prokurorit që heton mbi grushtin e shtetit\". Autori kishte inicialet S.D.R.
Në të flitej për granatën e hedhur në shtëpinë e një prokurori në Tiranë, pastaj për komunikatën e ashpër kundër Berishës të grupit të prokurorëve. Artikulli vijonte: \"Kryeministri Fatos Nano ndërkohë \"fut në xhep\" disa mbështetje pas ditës rrënuese të revoltës. Banka Botërore deklaron se do të vazhdojë të financojë projektet e rindërtimit të ekonomisë shqiptare. Dhe NATO \"e shqetësuar\" për dhunën e kohëve të fundit në Shqipëri shprehet e lehtësuar që situata \"mbetet e normalizuar\". Aleanca mbështet qeverinë e Fatos Nanos, e cila \"ka ndjekur një politikë të moderuar në Ballkan\"- ka thënë dje në Bruksel një burim i NATO-s sepse stabiliteti i vendit është një faktor kyç për të gjithë rajonin\".
\"Il Giornale\" ndërkohë botonte në mes të faqes 14 shkrimin \"Misioni italian pas paqes shqiptare\". Nëntitulli kishte fjalët \"Gjashtëdhjetë policë, karabinierë dhe financierë po rindërtojnë forcat e armatosura të Tiranës\". Në këtë shkrim të Luçiano Gulit përmendej edhe \"bomba e hedhur në shtëpinë e një gjykatësi, që heton rreth përgjegjësisë së Sali Berishës dhe të të ashpërve të partisë së tij demokratike të akuzuar për kryengritje\" dhe konkludon se ky episod mund të jetë edhe \"shenjë e fillimit të një zinxhiri të ri dhune dhe lufte mes bandash\". Më pas autori deklaronte: \"E reja e vërtetë në krahasim me stinën e përgjaktë dhe me zi të marsit të kaluar është në ndjenjën e jashtëzakonshme që kanë njerëzit për stabilitet dhe rend. Kjo ndjenjë ndihet në të gjithtë vendin\". Nisur nga ky konstatim autori thoshte se \"Vendi po rimerr frymë. Por në se vendi nuk ra sërish në anarki, pjesën më të madhe të meritës e kanë një grusht njerëzish, të cilët që prej një viti punojnë pa bujë dhe pa bërë reklamë...\". Dhe më pas ai përmendëte drejtuesit ushtarakë dhe financierët italianë që ndihmonin në rindërtimin e sektorëve të ndryshëm të shtetit shqiptar.
Kishte ndodhur po ashtu një çudi. Për të njëjtën ngjarje me hedhje granate po përhapej edhe një lajm tjetër. Rreth orës nëntë të mëngjesit të 22 shtatorit agjencia e lajmeve Adnkronos pati botuar me vonesë lajmin “Atentat me dinamit kundër banesës së Vasil Melos, udhëheqës i partisë së pakicës greko-shqiptare, Partisë Shqiptare për Mbrojtjen e të Drejtave Njerëzore. Duke iu referuar një televizioni lokal shpërthimi ngjau mbrëmë dhe përveç disa dëmeve materiale, nuk shkaktoi asnjë viktimë. Për momentin policia pohon se ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme për përgjegjësit e këtij akti, porse disa gazeta kanë bërë lidhjen midis liderit të Partisë Demokratike Sali Berishës dhe disa sulmeve të tij verbale kundër qeverisë greke, duke e akuzuar këtë të fundit se mbështeste kryeministrin shqiptar socialist Fatos Nano.
Shumica e pakicës greke jeton në jug të vendit. Sipas Athinës bëhet fjalë për 120 mijë njerëz, por Tirana këmbëngul se janë vetëm 50 mijë”.
Ngjarja kishte ndodhur në 21 shtator dhe Vasil Melo sigurisht nuk qe ndonjë nga prokurorët hetonte mbi grushtin e shtetit, siç shkruanin “Il Giornale” e së djathtës dhe “Il Manifesto” i së majtës së skajshme të nesërmen.
Çfarë po ndodhte kështu? Konfuzion i plotë apo diversion?
Një pjesë e medias italiane si edhe disa qarqe të saj donin thjesht lajme të bujshme nga Shqipëria apo pëlqenin që ajo të ishte një “trazirë perpetum mobile”?
Apo lobet serbe, të cilat ndikonin shumë në Itali, pra njerëzit e tyre të shërbimeve të fshehta, qenë hedhur në sulm për të djallëzuar imazhin e Shqipërisë e larguar vëmendjen e opiniont publik të Perëndimit ndaj luftës çlirimtare në Kosovë?
Dhe, të mobilizuar apo jo posaçërisht për gjoja granatën e hedhur për të vrarë një prokuror afër Fatos Nanos e qeverisë së tij, në fakt pak dinamit zhurrmues në banesën e politikanit Vasil Melo, do të kishin “fat”. Nëpër natën e të njëjtës ditë të 21 shtatorit 1998 në një nga rrugicat e Tiranës do të vritej me atentat Ahmet Krasniqi, komandanti i FARK, forcave të armatosura të udhëhequra nga partia e Ibrahim Rugovës, konkurente e UÇK-së.
Tashmë u bë e ankthshme pyetja: Kush po vriste në Shqipëri dhe përse?

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 3 tetor 2019













Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com