|
RADIO TIRANA NË FESTËN E 28 NËNTORIT 1938
Tre dokumente nga historia e shtetit tonë.
(Publikuar në FB në 28 shtator 2019)
Për festimet kombëtare të 26 vjetorit të Ditës së Pavarësisë Radio-Tirana, e vënë në punë gjatë muajit gusht, i njofton opinionit publik shqiptar orën kur do të flasin Ahmet Zogu dhe bashkëshortja e tij Geraldinë.
Ata do të përshëndesin përurimin e Stacionit Radiofonik të Tiranës.
Ndërkaq po i paraqitim lexuesit të këtyre rradhëve edhe një dokument të dytë: shkresën kur vihen në dijeni të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat e vendit për nisjen teknike të trasmentimeve në këtë Stacion. Ajo u drejtohet edhe gazetave Demokratia në Gjirokastër, Jeta e Re në Vlorë dhe Gazeta e Korçës.
Kjo shkresë daton fundgusht 1938 dhe vë në dijeni se duhet njoftuar populli që Radio Tirana do ta nisë trasmentimin e saj në valët e shkurtëra 40 në datën 29 gusht, ora 17.00. Ndërkaq në orët 18.00-19.30 do të ketë këngë dhe valle kombëtare. Në orën 19.30 do të ishte konferenca e Anton Mazrekut, në 21.00 do të kishte koncert me këngë klasike prej theatrit cinema nacional në prani të naltësis së saj mbretnore princesësh ruhije.
Shkresa lajmëruese njofton edhe për programin e ditës 30 gusht, ku bie në sy se do të trasmentohet edhe fjalimi i ministrit të arsimit me rastin e vënies së gurit të parë në stadiumin kombëtar. Në 31 gusht Stacioni Radiofonik mes të tjerash do të kishte edhe një fjalim të mbretëreshës Geraldinë me rastin e përurimit të Monumentit të Lirisë. Në 1 shtator radioja e porsavënë në punë do trasmentonte edhe një fjalë të kryetarit të Parlamentit me himnin mbretnor.
Dokumenti i tretë që po ju paraqesim është i datës 1 dhjetor 1938. Ai bën fjalë për një verifikim të dëgjimit të kësaj radioje nëpër territorin e Shqipërisë. Rezulton se Lushnjari njofton Tiranën se programet në brezin orar 13.00-14.00 dëgjohen mirë, kurse ato të kohës 19.00-20.00 nuk dëgjohen fare.
Lushnjari raporton nga Berati dhe ngul këmbë se mosdëgjimi teknik i radios është edhe në qytetin e Fierit.
Ylli Polovina
Dokumentacioni është i Arkivit të Ministrisë së Punës së Jashtme
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|