Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PËRSE ITALIANËT NUK SHPREHNIN SIMPATI PËR FATOS NANON


Azem Hajdari, vrasja e gabuar, pjesa e shtatë

(Botuar në “Illyria” në 26 shtator 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i tridhjetë e tetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Në gazetën “La Repubblica” të 15 shtatorit, vumë në dukje në shkrimin e herës së shkuar, Kastriot Islami, nënkryeministër i Shqipërisë, pati botuar një intervistë, të cilën redaksia ia kishte titulluar \"Tani Berisha duhet të iki, është një kriminel, do ta arrestojmë\".
I qenë bërë gjashtë pyetje.
Shkrimi niste kështu: \"Sali Berisha nuk është më një bashkëbisedues politik, është një kriminel i kërkuar nga policia dhe rrezikon dënimin me vdekje, sepse është ai që ka përgatitur prej muajsh grushtin e shtetit dhe sulmin ndaj institucioneve\". Qeveria shqiptare akuzon dhe po përgatit lëvizjet e saj të ardhshme: “Një ndryshim të ekzekutivit, pse jo edhe me një drejtues të ri, por pasi gjendja të rikthehet nën kontroll, pa iu dhënë presioneve”. Kryeministri Fatos Nano” është fshehur, por nuk ka lëvizur nga Tirana”, thotë dikush i cili ia qendruar pranë tij gjatë tërë këtyre orëve të nxehta. Për të administruar krizën ndenji krahu i tij i djathtë, nënkryeministri Kastriot Islami. Ky që nga studio e kryetarit të Shtetit Rexhep Meidani, i cili po kryen bisedime me të gjitha forcat politike, lëshon kundërsulmin. Shqipëria po bie në kaos? “Sot në mbrëmje policia dhe forcat speciale kanë nisur të rimarrin kontrollin e gjendjes. Janë çliruar selia e qeverisë, ministritë e Financës dhe të Drejtësisë, Parlamenti dhe është prapsur një përpjekje depërtimi prej veriut, nga kufiri me Kosovën, i mbështetësve të krahur të ashpër të Partisë Demokratike. Në televizion po luftohet, por është çështje orësh: pas pak rebelët do të munden. Efekshmëria i reagimit, nuk anashkalon përballimin e çështjes në institucionet shqiptare. “Nuk bëhet fjalë për një revoltë popullore. Ishte një grusht shteti i vërtetë. Mes tremijë vetëve që morën pjesë në funeral kishte edhe treqind njerëz të armatosur me kallashnikovë dhe me dinamit në xhepa\". Pra nuk bëhet fjalë për një reaksion për shkak të vrasjes së Hajdarit? “Nuk ishin banorë të Tiranës, por kriminelë që i sollën posaçërisht prej veriut të Shqipërisë dhe vënë në jetë puçin. Ky qe një plan i përgatitur me kohë. Ne nuk shpikim asgjë: ka të dhëna të sakta, edhe prej shërbimit të fshehtë italian me të cilin punojmë në kontakt të ngushtë-sipas të cilit grushti i shtetit ka qenë përgatitur deri në hollësitë më të vogla që prej tre muajsh. Kanë lëvizur persona, janë mbledhur mitralozë dhe eksplozivë, po ata deklarata, duke kërkuar bashkëpunim me forcat e rendit. E gjithë kjo ka një emër: grusht shteti. Ish-presidenti Sali Berisha është përgjegjësi kryesor dhe direkt. Ligji parashikon edhe dënimin me vdekje për krime si kjo. Berisha e di: ose të shkojë ose rrezikon ekzekutimin\".
Kur gazetari e pyeti: \"Nuk besoni se një kërcënim i tillë për kryetarin e opozitës rrezikon të hedhë akoma benzinë mbi zjarr?\" Kastriot Islami iu përgjigj: “Po punojmë për një zgjidhje politike. Prej orësh po bisedojmë me forcat politike, përfshirë edhe ato të opozitës, këtu në zyrën e presidentit Meidani. Është gati për një rishikim të qeverisë dhe jo patjetër duhet të jetë në krye të Këshillit të Ministrave Fatos Nano\".
Gazetari e ripyet: \"Atëhere Fatos Nano mund të japë dorëheqjen?\" Zëvëndëkryeministri përgjigjet: \"Kryeministri nuk do të japë dorëheqjen për asnjë arsye nën pengun e treqind personave të armatosur... Ai që ka organizuar këtë tentativë për grusht shteti dëshiron të bllokojë procesin e demokratizimit të Shqipërisë”.
Kur e pyesin se ku gjendet Fatos Nano, sepse janë përhapur fjalë që është plagosur ose i detyruar të arratiset jashtë shtetit, nënkryeministri Kastriot Islami kthen përgjigjen: \"Është në Tiranë, në vend të sigurtë. Nuk është zhdukur, por ka folur me gojën e zëdhënësit të tij, duke denoncuar grushtin e shtetit të urdhëruar nga Berisha. Sot në mëngjes, kur u duk sikur gjendja po shkonte për keq, u kërkoi vendeve të cilat në të kaluarën na kanë ndihmuar, Italisë më së pari, të ndërhynin me çdo mjet për të risjellë rendin në Shqipëri dhe përkeqësimin e situatës. Qeveria nuk ja mbath përballë kriminelëve”.
Në “La Stampa” ishte Pavli Zëri, kështilltar diplomatik i kryeministrit Fatos Nano, i cili ndërhynte për sqarim në opinionin publik italian. Intervistën me të gazeta e titullonte “Diçka duhet të ndryshojë”, “Është e mundshme dorëheqja e Nanos”.
Pyetjes se si qe gjendja në Tiranë, Zëri fillimisht iu përgjigj me fjalët: “Funerali i deputetit Azem Hajdari ishte një rast për të kryer një tentativë grushti shteti nga mbështetësit e Sali Berishës kundër qeverisë. Por ndërkaq mund të themi se ai dështoi”. Më pas: “Besoj se Sali Berisha e tentoi një grusht shteti për të rimarrë me dhunë pushtetin që njerëzit ia kanë hequr me votë”.
Gazetari italian i bën pyetjen tjetër, duke ia vënë në dyshim përgjigjen bashkëpunëtorit të kryeministrit shqiptar: “Për Partinë Demokratike bëhet fjalë se kjo qe një revoltë spontane e shkaktuar prej vrasjes së deputetit Azem Hajdari, dëshiruar kjo vrasje nga qeveria”.
“Është false”, ia kthen Pavli Zëri. Ndërkohë vijon: “Mbi vrasjen gjykata shqiptare po kryen hetime. Berisha duhet të presë rezultatet e saj. Drejtësia ka rregullat e veta”.
Ndërkaq \"Il Giornale\" botonte një bisedë të ish-Presidentit me gazetarin Marko Ventura. Titullohej \"Berisha: \"Nano është një vrasës\", kurse nëntitulli qe \"Nuk do ta lë Shqipërinë, duhet shkuar menjëherë në zgjedhje\".
Në intervistën e tij ish-Presidenti i përgjigjej 19 pyetjeve. Shkurtimisht ai thoshte: “Nuk kam frikë...revolta është vetëm një reagim i popullit nga humbja e një udhëheqësi të tij”.
Po ashtu: “Të shtënat i filluan njerëzit e qeverisë”.
“Kur isha unë president, më 1996, u shkatërruan 380 mijë rrënjë kanabis, këta më 1998 kanë prishur vetëm 60 rrënjë”.
Tjetër përgjigje: “Fatos Nano nuk gjendet sepse po mobilizon njerëzit e tij për luftë civile, kjo që po ndodh është skenar i tij, dje nëpërmjet zëvëndësit të tij i vodhi gazetës \"Albania\" linjën \"Internet\" dhe transmentoi lajmin se unë do të vritesha. Për të provokuar luftën civile\".
Deklaronte më pas Sali Berisha: “Kam vetëm një kërkesë: Fatos Nano të japë dorëheqjen. Jam për një qeveri teknike. Fatos Nano duhet të ikë, unë e njoh mirë, ai është një vrasës”.
Më tej: “Në rast se Nano nuk dorëhiqet situata do të jetë jashtë kontrollit. Unë nuk bëj gjë tjetër veç u them njerëzve të mos bëjnë dhunë, por ata nuk më dëgjojnë”.
Pastaj: “Nuk është halli që të vijë Sali Berisha në pushtet, por të vendoset rendi publik, institucionet, rregullat, ligjet...\".
“Il Manifesto” e 15 shtatorit nuk botonte vetëm shkrimin e Ada Trifiros \"Tre ditë të çakallit\" (nëntitulli \"Tiranë, bandat e Berishës qëllojnë nëpër rrugë\"), por edhe një intervistë me Fatos Lubonjën. Redaksia e titullonte \"Ish-presidenti, strategjia e terrorit\".
Ndërkaq “Il Giornale”, e përditshme afër të djathtës, nuk e fshihte simpatinë politike që kishte për ish-Presidentin shqiptar. Në brendësi të saj e prezantonte atë me fjalët: \"Kush është Berisha? Ish-kardiologu që i hapi rrugën demokracisë\".
Kur paraqiste Fatos Nanon shkruante: \"Cili është Nano? Pas kaosit të 97-tës doli nga burgu për të udhëhequr vendin\".
Raportimin për shtypin e asaj dite të 15 shtatorit 1998 sapo ia kishim dërguar Tiranës kur nga Roma drejt kryeqytetit shqiptar u nis posaçërisht për në kryeqytetin shqiptar një avion çarter. Qe i mbushur me gazetarë italianë, mes tyre ishte edhe Namik Ajazi, punonjës i TVSH-së.
Me të kishim kontakte të hershme bashkëpunimi kombëtar. Ai kishte bërë një dokumentar për njërën nga degët pasardhëse të familjes së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, në Napoli.
Avioni çarter qe nisur sepse kompania italiane e fluturimeve, Alitalia, nuk mund të udhëtonte, sepse aeroporti i Rinasit qe mbyllur.
Kur gazetarët italianë hynë në Tiranë dy prej tyre, përfshi edhe Ajazin e italian Filipo Landi që i priti në aeroport, shkuan në selinë e Partisë Demokratike. Atje rreth 250 përkrahës të saj, e shumta të rinj 23-24 vjeçarë, lëviznin kudo me krehëra fishekësh hedhur krahqafë dhe mitroloza në duar. Qenë barrikaduar edhe jashtë godinës, ku kishin ngritur fortino me thasë me rërë dhe qëndronin me gishtin në kembëz. Në paradhomën e zyrës së ish-presidentit nënkryetari i PD-së po fliste njëherësh me dy celularë. Kur gazetari italian Landi e pyeti se çfarë ishin ata të armatosur brenda selisë së partisë, nënkryetari u përgjegj shpejt e shpejt se \"ata na mbrojnë, kemi frikë se mos na sulmojnë trupat qeveritare\".
Ndërkohë në Romë sipas shtypit të 15 shtatorit 1998, forcat politike italiane për çfarë po ndodhte në Shqipëri kishin shprehur qëndrimet e tyre. Senatori Jash Gavronski i Forca Italia-s, qendër e djathtë e drejtuar prej Silvio Berluskonit, pati thënë se Romano Prodi kishte përgjegjësitë e tij, sepse i pati mbrojtur me çdo mënyrë udhëheqësit aktualë shqiptarë”. Për Gavronskin \"Është një njollë për rolin dhe imazhin e vendit\". Pier Ferdinando Kazini, sekretari kristiandemokratëve, kishte deklaruar: \"Qeveria Nano duhet të largohet. Duhet sa më shpejt të favorizohet një marrëveshje mes të dy palëve për t\'i dhënë jetë një qeverie emergjence të pajtimit kombëtar. Në qoftë se nuk ndiqet kjo rrugë Shqipëria do të bjerë në tragjedi\".
Për Aleancën Nacionale, parti pasfashiste, kriza shqiptare konsiderohej një faliment i politikës së qeverisë së sotme italiane për Ballkanin. Alfredo Mantovani i kësaj partie i kërkonte qeverisë Prodi që të ndërpriteshin ndihmat për Tiranën.
Partia populiste Lidhja e Veriut nënvizonte rrezikun e një vale të re refugjatësh.
Ramon Mantovani i partisë ekstremiste të majtë Rithemelimi Komunist deklaronte se e dënonte “grushtin e shtetit të Berishës”, por nuk i gjente me vend edhe \"ëndërrat ekspansioniste dhe flirtin me NATO-n, në vend që të angazhohet më shumë për të përmirësuar kushtet e rënda të jetesës së popullit shqiptar\".
Serxho Matarela, shef i grupit parlametar i Popullorëve në Dhomën e Parlamentit italian (presidenti aktual italian), shprehej “për marrje pozicionesh të kujdesshme në favor të disa forcave politike\". “E vetmja gjë që duhet të bëjmë tani, shtonte ai, është të ndihmojmë qeverinë shqiptare për të ndriçuar vrasjen e përfaqësuesit të opozitës dhe të ftojmë Berishën të ndalë spiralen e dhunës”.
Vito Leçeze i të Gjelbërve, nënkryetar i komisionit të politikës së jashtme të Dhomës, sulmonte duke theksuar papërgjegjësinë e qëndrës së djathtë italiane për të inkurajuar vullnetin përmbysës të Berishës.
Umberto Ranieri i Demokratëve të Majtë, parti në qeverisje, shpallte “nevojën e një qendrimi më të ekujlibruar të forcave politike italiane në mënyrë që në Shqipëri të vendosej kthjelltësia e paqja”.
Në një përputhje të dukshme me politikanët vendas edhe analistët italianë në atë 15 shtator, shprehnin pikëpamjet e tyre. Për ta ngjarjet e Tiranës kishin një logjikë të vetën. Serxho Romano, një ish-ambasador plot inteligjencë, këmbëngulte se partitë politike italiane nuk duhej të bënin disa gabime me Shqipërinë. “I pari gabim i klasës politike italiane, këmbëngulte ai, është të mos bëjë në Shqipëri një parti më të mirë se tjetrën apo një më të keqe se rivalja e saj. Pra, lufta e brendshme politike në Itali të mos eksportohet me po atë model edhe për vendin fqinj, për të cilin ajo është mbrojtësja. E dyta, shteti ynë duhet të mbështesë atë që qeveris. Bëri shumë mirë që mbeshteti atëhere Sali Berishën për hir të stabilitetit dhe bën mirë tani të mbrojë qeverinë e Fatos Nanos. Së treti, ndaj emigracionit klandestin nga Shqipëria duhet më shumë ashpërsi”.
Shkrimtari dhe diplomati i njohur Boris Biankeri, në vitet 1994-1997 edhe sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, botonte shkrimin “Detyra e vështirë e Italisë për Shqipërinë e paqetë dhe të palumtur”. Mes të tjerash në artikull ai këmbëngulte se qeveria në Romë duhej ta favorizonte Fatos Nanon këtë herë sa edhe vetë Sali Berishën një vit më parë. Italisë sipas tij, i duhej një Shqipëri e qendrueshme dhe e jo e trazuar”.
Por ndërkohë në 15 shtator 1998 ishte ndjerë edhe politikani e analisti jugosllav Aleks Gilas. Në “La Stampa” ky thoshte se \"Sali Berisha mund të mbështetet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të zhvendosur kohët e fundit nga Kosova në Shqipërinë e Veriut për shkak të ofensivës së verës të milicisë serbe. Armatën e UÇK-së Berisha e ka si një ushtri personale për ta përdorur në \"ndeshjen finale\" me qeverinë e Fatos Nanos në Tiranë”.
Gjilasin gazeta e prezantonte si “një nga ekspertët më të mirë jugosllavë të çështjeve ballkanike.
“La Stampa” publikonte po ashtu edhe një opinion të ekspertit tjetër, politikan jugosllav edhe ai, Branko Jovanovic, sipas të cilit “Berisha ka lindur (si Azem Hajdari, krahu i tij i djathtë i vrarë të shtunën) në Tropojë, në Shqipërinë Veriore ku luftëtarët e UÇK-së po stërviten dhe pajisen me armë në luftën e tyre për çlirim”.
Që jugosllavët ishin kundër Sali Berishës dhe të gatshëm ta denonconin si frymëzues të luftës për shkëputje të Kosovës nga Jugosllavia e mbetur, kjo kuptohej. Nuk qe fort e qartë përse pjesa më e madhe e politikës italiane distancohej prej Fatos Nanos. Përvoja që kishim grumbulluar në Ambasadë ishte bindja e Romës zyrtare se Nano në mos punonte, anësonte tek grekët.
Por për autorin e këtyre rradhëve në kronikën e këtij raporti të ndërlikuar ndodhet edhe një episod që hedh dritë më të gjerë mbi dukurinë e mësipërme.
Një vit më parë, në çastin kur u ndeshën përballë njëri-tjetrit në Pallatin Kixhi të dy palët, qeveria italiane dhe ajo shqiptare, ndodhi një e papritur. Kur u mbyll mbledhja, Romano Prodi e trajtoi në mënyrë shumë brutale kryeministrin Nano. I tha drejtpërsëdrejti: \"Më ke dhënë kënaqësi që më ke dërguar projektprogramin e qeverisë, por shoh se mes aleatëve kini vendosur në vendin e parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Italia qenka në rradhë me të tjerët. Atëhere në rast se doni të bashkëpunoni me të tjerët, ecni me ta!\"
Menjëherë pas kësaj ministri i Jashtëm italian Lamberto Dini mbështeti Prodin. Tha: \"Nesër është konferenca e vendeve dhuruese. Përse nuk shkoni t\'i gjeni paratë tek SHBA?\"
Sidoqoftë, duke vijuar rrjedhën e ngjarjeve të mesditës së 15 shtatorit 1998, ishte ora 11.00 e saj kur një makinë Volvo e blinduar e ambasadorit shqiptar në Maqedoni u pa në Qafë Thanë.
Brenda saj Fatos Nano.
Nxitonte për në Tiranë.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 25 shtator 2019












Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com