|
PASDITE E 14 SHTATORIT 1998 NË TIRANË: AUTOBLINDAT E POLICISË QËLLOJNË MBI TANKET E OPOZITËS
Azem Hajdari, vrasja e gabuar, pjesa e gjashtë
(Botuar në “Illyria” në 19 shtator 2019)
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i tridhjetë e shtatë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
Siç e përshkruam zhvillimin e ngjarjeve të paraditë-pasdites së 14 shtatorit 1998 në Tiranë, në orën 14.44 na erdhi në Ambasadë mesazhi faks i Ministrisë së Jashtme ku thuhej se \"në Tiranë gjendja është kaotike, tek kryeministria ka të shtëna nga godina dhe protestuesit. Flitet se Nano do të japë dorëheqjen. Në Presidencë po punohet për zgjidhjen politike, TVSH është në duart e protestuesve, ku kryetari i Legalitetit i është drejtuar popullit për vetëpërmbajtje, sepse sipas tij, institucionet shtetërore janë në duart e protestuesve. Në MPJ akoma është stafi ekzistues. Për njoftime të tjera do t\'ju vëmë në dijeni...”
Menjëherë pas këtij çasti lashë zyrën dhe u nisa me nxitim për në apartamentin tim të banimit në Viale Eritrea, jo më shumë se një çerek ore larg. Pothuaj non stop deri në mesnatë kreva afro tetë orë regjistrime video të televizioneve italiane, të kanalit të dytë francez dhe të Euronews, të cilat i kapja me sinjal të mirë. Në shtatë apartamentet e personelit tonë, pronë e shtetit shqiptar në atë pallat, ku deri ato çaste, edhe pse qe liruar nga puna dhe urdhëruar të rikthehej në Tiranë, në Ministri, ende banonte ambasadori Pandeli Pasko, merrej nëpërmjet një antene satelitore edhe TVSH.
Tani, pas 21 vitesh, tek i rishoh ato regjistrime e kuptoj edhe më mirë se nuk mund të veproja ndryshe jo vetëm për të realizuar një raportim sa më të plotë për eprorët e mi, por edhe për vetë profilin tim si autor librash me objekt shkrimin e historisë së veçantë dhe shumë të potershme të shqiptarëve.
Ajo që po ndodhte në Tiranë ishte pikërisht kjo pamje karakteristike, madje dukej shumë më e hatashme se të tjera pararendëse. Qe e papërfytyrueshme edhe për ata, si unë, që e kishin përjetuar nga afër trazirën e vitit 1997. Një rast të tillë i të qënit dëshmitar i një eklipsi social e politik, fati nuk ta jep shpesh.
Ishte kjo një mundësi po ashtu për të verifikuar se si dukeshim ne shqiptarët, si perceptoheshim në “sytë e botës”, si reflektoheshim në mendjen e Perëndimit.
Ndërkohë qe kuptimplotë çfarë trasmentoi TVSH. Në orën 18.00 televizioni publik shqiptar përcillte atëherë për shikuesit një edicion lajmesh me temë kryesore çështjen e Kosovës dhe të luftës së saj për të shpëtuar prej sundimit serbomadh. Ky emision trasmentohej në drejtim të të gjithë bashkëkombësve nëpër botë dhe kjo realizohej nëpërmjet satelitit. Pagesën për këtë shërbim e përballonin vetë kosovarët.
Në edicionin e orës 18.00 të 14 shtatorit folësi i lajmeve dukshëm ngulmonte në leximin e mesazheve dhe të telegrameve që vinin nga parti apo grupe të ndryshme shqiptarësh në Malin e Zi, nga Lugina e Preshevës dhe prej emigracionit kosovar në vende evropiane e më tej. Të gjithë ato u bënin trysni politikanëve në Tiranë që të largoheshin nga përdorimi i dhunës, të hiqnin dorë prej përdorimit të vrasjes së Azem Hajdarit për qëllime dhe embicie të luftës së brendshme politike, sepse ndryshe një Shqipëri e dobësuar do ta rënonte aspiratën liridashëse në Kosovë.
Madje folësi theksoi se pikërisht atë ditë të 14 shtatorit një njësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte hedhur në erë në afërsi të Likovskit një transporter me ushtarë serbë, duke shkaktuar vdekjen e shumëve prej tyre të hipur në atë mjet. Transportuesi qe pjesë e një armate të tërë, e cila po sulmonte prej tre ditësh territorin kosovar dhe se për ta ndaluar këtë mësymje UÇK zotohej të bënte gjithçka të mundur.
Telegazetari i atij edicioni informativ për të gjithë bashkëkombësit në botë theksoi se gjendje e tensionuar luftimesh ishte vënë re edhe në komunën e Klinës. Një korrespodent vendas, i cili u lidh me TVSH, raportoi se ushtria sërbe po digjte banesat e shqiptarëve në Klinë. Këto djegie banesash po kryheshin edhe në dy komuna të tjera, mes tyre zjarri i qe vënë edhe një kulle treqindvjeçare. Korespodenti citonte një për një emrat e pronarëve të shtëpive të shkrumbuara.
Më pas në edicionin e lajmeve kryesore, të orës 20.00, të kanalit të parë të televizionit publik italian RAIUNO, gazetari i shumënjohur dhe mirëdashës për shqiptarët, Lamberto Spozini, duke e ekspozuar si lajmin e parë çfarë po ndodhte në Tiranë, theksoi se mbështetësit e Sali Berishës patën pushtuar jo vetëm televizionin shtetëror, kryeministrinë dhe disa ministri, por edhe parlamentin. Po ashtu, duke kumtuar lajmin se “tashmë policia njofton një gjendje të rimarrë nën kontroll”, Spozini shtoi: “Të dhënat që depërtojnë nga Tirana janë kontradiktore”. Pastaj: “Përveç tre të vrarëve ka edhe 14 të plagosur”.
Ky i fundit konsiderohej informacion i sigurt.
Binte në sy që kronikat ilustruese të atij edicioni të RAIUNO qenë marrë nga çfarë drejtpërsëdrejti kishte trasmentuar në Tiranë, me shënimin “Pa koment”, live, një burim televiziv i quajtur “Studio 1”.
Cilët ishin këta? Dukej si televizioni i një shteti tjetër paralel.
Pas pak në ekranin e RAIUNO doli pamja e ish-presidentit Sali Berisha, i cili bënte të ditur, me gojën e telegazetarit italian. se kishte bërë thirrje për ndaljen e dhunës, por gjithsesi zgjidhja politike e krizës do të kalonte vetëm nëpërmjet dorëheqjes se Fatos Nanos.
Pas Berishës u shfaq Skënder Gjinushi dhe RAIUNO e emërtoi si “aleat i Nanos”. Ky, me detyrë kryetar parlamenti, atë që pati ndodhur e konsideronte grusht shteti.
Telekronika nga Tirana e kanalit të parë të televizionit publik italian sqaronte se ora 14.00 ishte ajo e pikut të suksesit të revoltuarve, por shënonte se pasdite policia shqiptare pati kaluar në kundërmësymje dhe rimarrë ndërtesat e parlamentit, të ministrive të pushtuara dhe të kryeministrisë.
Në televizionin shtetëror, kumtoi RAIUNO, “ende janë nja njëzetë të revoltuar”.
Pas kësaj kronike të parë ai kanal trasmentoi një të dytë, të hartuar nga gazetari italian në vendin e ngjarjes, Pino Kazerta, por me zë, në telefon, i rrëfente ngjarjet nga kryeqyteti shqiptar profesor Fabio Tedeski i Istitutit “Galileo Galilei”. Ky tha se kishin dalë në shesh autoblinda të policisë dhe patën shtënë breshëri të gjata kundër tankeve me kryengritës dhe këta i patën lënë blindet dhe larguar me vrap. Po ashtu makina të shumta të policisë lëviznin me shpejtësi dhe me sirenat ndezur nëpër rrugët kryesore të Tiranës duke i tutur ata që patën zënë ministritë apo të tjerë që vidhnin dyqanet e privatëve. Kështu gjithçka ishte “pastruar”.
Oficeri i lartë i Rojes së Financës në Tiranë Renato Pisakane shpjegoi se pjesa më e dhimbshme e asaj që pati ngjarë, ishin plaçkitjet e dikastereve të pushtuara për disa orë dhe të dyqaneve përreth qendrës së qytetit. Duke qenë se Pisakane banonte në hotelin pesëmbëdhjetë katësh në anë të sheshit “Skënderbej” dhe gjithçka e pati parë prej dritares së dhomës së tij që shihte nga ana e sheshit, ndërsa pak orë më herët kishte dalluar shumë protestues të depërtuar deri aty, të cilët shtinin si të çmendur me automatikë “Kallashnikov”, tani nuk kishte më asnjë gjurmë të tyre. Gjendja qe shumë e qetë.
Pasi përfundoi kronika intensive nga Tirana, RAIUNO trasmentoi një tjetër nga Kosova. Nisi të raportonte njëri prej telegazetarëve më të mirë italianë, Enio Remondino. Ai qe i dërguar i televizionit publik italian në Jugosllavi dhe rezidenën e kishte në Beograd. Nga sa shihej në sfond të prapa siluetës së tij ai nuk ndodhej në Prishtinë, por në ndonjë fshat. Që në fjalët e para Remondino theksoi se deri ato çaste perëndimorët ishin mësuar që kriza e Ballkanit të vepronte e gjithsesi të mbetej në trekendëshin Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, por duket se ajo është e shtrirë edhe më tej. “Ka hyrë në të edhe Shqipëria”, spikati Enio, duke përdorur posaçërisht shprehjen “është përfshirë”.
Sipas Remondinos, kosovarët kishin ngritur në revoltë kundër represionit serb një ushtri të tyre, e cila furnizohej me njerës, para dhe me armë prej veriut Shqipërisë, nga njerëzit e Sali Berishës. Kronikën e tij telegazetari i njohur italian e mbylli me metaforën se e nxehta e zjarrit të ndezur në Tiranë tashmë ndihej deri këtej nga po ndodhej ato çaste ai: në Kosovë.
Remondino ishte i shqetësuar që prej gjashtëqind mijë refugjatëve kosovarë të hyrë në Maqedoninë me vetëm 2 milion banorë, ky vend, shumë strategjik në krahun juglindor të NATO-s, mund të ishte në rrezik të destabilizimit.
Lamberto Spozini, në vijim të edicionit të tij, theksoi se Shqipëria për Italinë nuk ishte thjesht një vend fqinj si tërë të tjerët, por krejt i veçantë, sepse atje ajo kishte interesat e veta të shumta, të cilat duhej t’i mbronte. Në Shqipëri sipas RAI-t, ndodheshin 300 sipërmarrës italianë, si edhe kompani. Prej këtyre qenë katër investues të mëdhenj: Alcatel, Banca di Roma, Enel dhe Adriatica Navigazione.
U shpjegua gjithashtu se në korrikun e atij viti qeveria italiane i pati dhënë asaj shqiptare 60 miliardë lireta për ta ndihmuar në shëndoshjen e gjendjes në sektorët e shkollimit, të shëndetësisë, të transportit, të bujqësisë dhe të kualifikimit të punonjësve të administratës.
Pas kësaj doli në ekran presidenti i shoqatës së sipërmarrësve italianë në Shqipëri Luixhi Fabri, i cili tha se vërtet situata degjeneroi, por ajo tashmë pritet të përmirësohet, sepse në thelb nuk kishte asnjë ngjashmëri me gjendjen e vitit 1997.
Në vazhdim të edicionit të lajmeve të orës 20.00 të RAIUNO u trasmentua një paketë me qëndrimet kryesore të qeverisë si edhe politikanëve kryesorë italianë. Këto opinione do të ishin mjaft të hollësishme në shtypin e të nesërmes, 15 shtator 1998.
Por në atë mbrëmje të 14 shtatorit autorit të këtyre rradhëve i bëri përshtypje deklarata e udhëheqësit pasfashist Marko Travalia, sipas të cilit në Shqipëri për ta rivendosur gjendjen nën kontroll duhej të ndërhynte NATO.
Kishim rënë shumë poshtë në imazhin dhe prestigjin tonë, por edhe në funksionin e misionin kombëtar që duhej të kryenim për të mbrojtur Kosovën dhe shndërruar vendin tonë në një gjoks dhe shpinë të sigurt të saj!
Si shtet ishim jashtë loje: ngulmonim që Aleanca Atlantike të ndërhynte në Serbi dhe po krijonim përshtypjen se asaj i duhej si veprim i parë ta bënte këtë gjë në Shqipëri!
Në orën 20.30 edicioni i lajmeve i kanalit të dytë të RAI-t qe shumë më i plotësuar me telekronika nga Tirana. Në to sqarohej se trasmentimi live i sulmit mbi ndërtesën e qeverisë si edhe marrjen e radiotelevizionit shqiptar ishte kryer nga një stacion privat: Alba Tv.
Telekronika thoshte se prej vendit sekret ku qe vendosur Fatos Nano me ministrat e vet, ky organizoi kundërofensivën. Policia hyri në veprim, tha telegazetari italian nga Tirana (Franko Di Mare) me urdhrin për të shtënë pa asnjë paralajmërim mbi këdo që mbante nëpër duar një armë. U tha se ministritë e pushtuara ishin dy. Nuk u përmend fare parlamenti. Të vrarët sërish 3 dhe të plagosurit 14.
Në vijim telekronikat e RAIDUE theksonin se pas këtyre ngjarjeve në Tiranë pritej që drejt Italisë të vërshenin mijra refugjatë. Kryeministri Romano Prodi, u theksua në edicion, po e ndiqte nga afër situatën dhe kishte ngritur në gatishmëri një pjesë të trupave detare dhe ajrore.
Ishin pikërisht këto lajme të orës 20.30 të 14 shtatorit 1998 që bënë të ditur jo vetëm rikthimin e kontrollit qeveritar mbi institucionet e jetën e vendit, por që Fatos Nano i kishte dhënë një ultimatum Sali Berishës. Ky qe i habitshëm: ish-Presidenti duhej ta linte Shqipërinë e të largohej nga territori i saj e shumta brenda mengjesit të së nesërmes. Ndryshe do të arrestohej dhe burgosej.
Kanali i Tretë i RAI-t në orën 22.30 vuri në dukje se ajo që kishte kryer Sali Berisha pati përfunduar “në një blof kolosal”. Sipas këtij televizioni, grushti i shtetit pati dështuar. Ora e skadencës së ultimatimit të Fatos Nanos saktësoi se ishte pesë e mëngjesit të 15 shtatorit, por ish-Presidenti pati deklaruar se nuk kishte aspak ndërmend që të ikte nga Shqipëria.
Vendi, prej të cilit Nano pati organizuar kundërmësymjen e vet qe sekret, por gjithsesi ishte brenda Shqipërisë, në mos në territorin e Tiranës, në një shtëpi miqsh. Ndërkaq ministri i Jashtëm Paskal Milo në një intervistë dhënë pasdites së vonë radios private “Klan”, të cilën e kishin regjistruar edhe agjencitë italiane të lajmeve ANSA dhe Adnkronos, pati deklaruar se Sali Berisha kishte bërë një grusht shteti për të marrë pushtetin.
Ndërkohë gazeta lokale “Roma” i pati bërë po këtë pasdite, në orën 18.00, një intervistë me telefon kryetarit të grupit të deputetëve të PD-së, Genc Pollo. Në të ky kishte propozuar ngritjen e një qeverie teknike me në krye presidentin Rexhep Meidani, qe shprehur kundër dhunës dhe se partia e tij kërkonte që popullit shqiptar t’i rikthehej liria dhe demokracia e privuar nga qeveria Nano.
Në mbrëmjen e vonë, pas orës njëzetë, në Ambasadë mbërritën tekstet e shkruara në shqip dhe në anglisht të asaj çfarë pati deklaruar Paskal Milo në radion “Klan” si edhe presidenti Meidani. Nga Fatos Nano nuk erdhi asnjë material informativ.
Këtë mungesë e kuptuam vetëm të nesërmen, kur morëm vesh se paradite qe mbledhur kabineti qeveritar dhe aty kryeministri pati mbajtur një fjalim. Këtë fjalë e regjistrova të nesërmen nga TVSH, sapo të përcjellë prej edicionit satelitor të orës 18.00. Ishin të parët kosovarët që duhej të dinin se Shqipëria ishte rikthyer në normalizimin e rendit publik dhe lufta politike mund të vijonte pa rrëmbyer kallashnikovët.
Atë mëngjes të 15 shtatorit përhapja e gjendjes së kthesës në Shqipëri po vepronte edhe në opinionin italian, çfarë ishte shumë e rëndësishme. Në “Corriere della Sera” botohej një intervistë me Ben Blushin, i cili qe zëdhënësi i Fatos Nanos. Në të informonte se para që të ikte nga zyra kryeministri i pati lënë një mesazh. Fjalët e tij qenë: \"Për këdo që më kërkon t\'i thuhet se ky është një grusht i vërtetë shteti dhe se qeveria e ligjshme e Shqipërisë kërkon të gjithë ndihmën e mundshme nga ana e Perëndimit. Bota nuk mund të rrijë e heshtur për pështjellimin që kanë pamjen e manifestimeve në shesh, por që në realitet janë sulme ushtarake të organizuara nga një forcë që kryen grushte shteti\".
Në intervistë, e cila gazetës italiane të shumënjohur i qe dhënë një ditë më parë, Ben Blushi i përgjigjej katër pyetjeve. Në përgjigje të tyre deklaronte se në mbështetje të Fatos Nanos individualisht kishin ardhur mesazhe solidariteti, por Evropa dhe SHBA po lëviznin ngadalë. Më pas Blushi thoshte se ushtria nuk pati dalë nga kazermat sepse ajo varej nga Presidenti dhe jo Kryeministri.
Në të kundërt të fjalëve të përhapura se Nano qe vrarë, kishte dhënë dorëheqjen apo pati ikur në Itali, zëdhënësi Blushi pohonte se kryeministri për arsye sigurie qe në një vend të sigurtë dhe nuk kishte aspak ndërmend të dorëhiqej.
Surpriza qe se në “Corriere della Sera” botohej shkurt edhe një intervistë me të birin e Enver Hoxhës, Ilirin, sipas të cilit ishte “Berisha stalinisti në Shqipëri. Por Amerika do të ndërhyjë”.
Titulli i shkrimit qe: “Ajo që po na shkatërron është etja për hakmarrje\".
Ndërkohë në “La Repubblica” të 15 shtatorit ndodhej shkrimi më i bujshëm. Qe intervista në gjashtë pyetje me Kastriot Islamin, nënkryeministër i Shqipërisë. Titulli ishte \"Tani Berisha duhet të iki, është një kriminel, do ta arrestojmë\".
Përgjigja e pyetjes së parë qe: \"Sali Berisha nuk është më një bashkëbisedues politik, është një kriminel i kërkuar nga policia dhe rrezikon dënimin me vdekje, sepse është ai që ka përgatitur prej muajsh grushtin e shtetit dhe sulmin ndaj institucioneve\".
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 18 shtator 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|