Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

14 SHTATOR 1998, KRYEMINISTRIA MITRALUAR, TELEVIZIONI PUSHTUAR. PO FATOS NANO KU ND0DHET?


Azem Hajdari, vrasja e gabuar, pjesa e pestë

(Botuar në “Illyria” në 12 shtator 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i tridhjetë e gjashtë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Në edicionin e orës njëzetë të 13 shtatorit 1998 kanali i parë i televizionit publik italian RAIUNO përcolli me pamje sulmin e protestuesve të Partisë Demokratike kundër selisë së kryeministrisë në Tiranë, mjediset e djegura në katin e parë të ndërtesës si edhe gjurmët e plumbave mbi dyert e xhamta apo faqet e mureve.
U dhanë pamje video edhe të Sali Berishës, ku ish-Presidenti ngulte kembë se Azem Hajdarin e kishte vrarë Fatos Nano dhe se ky brenda mesditës së të nesërmes duhej të jepte dorëheqje të pakthyeshme.
Pas këtij lajmi folësi i RAIUNO trasmentoi një kronikë për furinë e shirave të rënë ato ditë gjithkund nëpër Itali.
Në 20.30 Euronews përsëriti pamjet e flakëve në Tiranë si edhe të dhënën që në kryeqytetin shqiptar kishte rënë qetësi, por megjithatë në Ministrinë e Punëve të Brendshme i druheshin turbullimeve të reja të nesërmen, kur do të varrosej deputeti i njohur i opozitës dhe truproja e tij.
Ndërkaq në orën 19.00 nisi në Tiranë një takim midis ambasadores amerikane, Mariza Lino, atij italian Marçelo Spatafora, Fatos Nanos dhe Rexhep Meidanit. Ajo ishte kryer në zyrën e këtij të fundit.
Në përfundim kryeministri shqiptar mori mbështetjen që të mos largohej me dhunë nga posti dhe domosdoshmëria e kryerjes në vazhdim të detyrës.
Me të mbaruar takimi i rëndësishëm, në orën 20.00 Fatos Nano u rikthye në kryeministri për të rimbledhur bashkëpunëtorët.
Në orët e mbrëmjes së vonë të 13 shtatorit edicionet informative të televizioneve italiane përsëritën të njëjtën situatë dhe prej një ndjesie jo të qartë se atë natë nuk do të kishte ndonjë zhvillim tjetër në Tiranë, por as në Romë, nuk bëra më regjistrime video. Videokasetat, siç edhe aparaturën regjistruese e pata blerë me kursimet e rrogës time, e cila, siç edhe e kolegëve, ishte aq e vogël saqë nuk të jepte mundësi shumë për lukse teknologjike.
Kështu nga kaseta treorëshe e nisur atë ditë mbeti hapësirë e mjaftueshme për të hedhur në të zhvillimet e 14 shtatorit. Nuk mund ta merrja me mend që do të ndodhte e pazakonshmja: në 14 shtator, duke filluar nga çastet e para të pasdites, do të regjistroja tetë orë nga kronikat e të gjitha televizioneve që kapja në apartamentin tim në Viale Libia, përfshi edhe TVSH-në.
Ndërkohë që në Romë televizionet vendase përsëritën deri në pasmesnatë ato që kishin trasmentuar në edicionet kryesore të orës 20.00, në Tiranë situata nuk qe aq fort e paqme. Mbledhja e Këshillit të Ministrave kishte vijuar deri në mesnatë dhe në të Fatos Nano dukej i lëkundur, madje një çast pati shqiptuar fjalët: \"Unë do të jap dorëheqje. Propozoj për kryeministër Ilir Metën...\" .
Ndërkohë qeveria shqiptare e kishte marrë një njoftim nga kryeministri italian Romano Prodi se ky e kishte anulluar takimin që parashikohej të bëhej me Nanon në Panairin e Barit.
Kur në orën 01.30 Fatos Nano doli në një konferencë shtypi para njerëzve të medias deklaroi: \"Nuk do të jap dorëheqje dhe do të shoh të gjitha mundësitë politike për zgjidhjen e situatës\".
Në mëngjesin e 14 shtatorit, duke shkuar për në punë (Ambasada jonë ndodhej në Via Asmara, një dyzinë minutash larg apartamenteve të personelit), ndjenja se të gjithë kalimtarët e njohur të shihnin me trishtim apo me habi se çfarë lloj shteti dhe populli përfaqësonim ne shqiptarët, qe mpirëse.
Mora tufën e gazetave në kioskën ku ishim pajtuar dhe renda drejt godinës së përfaqësisë. Ngjitur me Ambasadën ishte ndërtesa e Konsullatës së Tunizisë, të cilët përveç rrogave shumë të mira dhe një kamioni të madh që u vinte përmuajshëm me ushqime nga vendi i tyre, kalonin një jetë pa telashe të vëmendjes së opinionit publik italian.
Zakonisht, teksa kaloja përbri portës së tyre të kangjelltë, nuk vështroja nga oborri, ku si rregull vërtitej kopshtari, një tunizian i sjellshëm dhe që e donte miqësinë me ne shqiptarët. Atë mëngjes të 14 shtatorit mbaj mend që me dëshirë i hodha sytë nga brendësia e konsullatës së Tunizisë, me shpresë se do të ndeshja në sytë plot mirësi të kopshtarit, por në oborr dhe tek shkallët hyrëse nuk kishte frymë njeriu.
Mbledhja tek i Ngarkuari me Punë filloi fiks në orën tetë. Shpëtim Çuçka, i cili kur vinte dhe largohej nga Ambasada pëlqente të mbante një kapelë borselinë, dukej i qetë dhe të parën fjalë që shqiptoi para trupës së diplomatëve ishte \"do ta realizojmë patjetër vizitën e kryeministrit në Romë\".
Pastaj në porositi: “Mos iu jepni depresionit të shkaktuar nga ngjarjet e fundit në Tiranë; imazhi i Shqipërisë u rëndua dhe për pasojë u ndërlikua edhe influenca e rezultatet e pritshme të delegacionit, megjithatë bjerini telefonit të Konfindustrisë, Ministrisë së Jashtme Italiane, asaj të Industrisë, të Tregëtisë me Jashtë, partive politike, koordinoni me ambasadorin tonë në Vatikan për vizitën e kryeministrit Nano tek Papa, kërkoni të dini çfarë mendojnë gazetarët për ngjarjet e djeshme dhe për vetë vizitën e planifikuar!”
“Ka mundësi që rreth orës dymbëdhjetë edhe unë të bëj një vizitë në Farnezina”, shqiptoi në fund të mbledhjes së shpejtë Shpëtim Çuçka.
Siç duket Tirana ende nuk e kishte informuar nga zhvillimi i mesnatës, kur Roma pati njoftuar qeverinë shqiptare se Romano Prodi kishte pezullur takimin e tij me Fatos Nanon që do të bëhej atë ditë të 14 shtatorit në Panairin e Lindjes në qytetin e Barit. Kjo donte të thoshte se qe vënë në pikëpyetje tërë cikli i takimeve të kryeministrit shqiptar edhe në Romë.
Megjithatë secili prej diplomatëve do të bënte atë për të cilën u urdhërua. Në fund të fundit nuk qe pak që Fatos Nano të kryente takimin në Konfindustria, tek krerët e Parlamentit dhe të Senatit, tek disa kryetaë partish si edhe veçanërisht tek Papa Vojtila.
U ngritën të iknin, por duke dalë nga zyra e të Ngarkuarit me Punë pikërisht aty ku ndodhej garderoba e thjeshtë, dikujt prej punonjësve i ra në sy mungesa e borselinës.
Tashmë i futur në zyrën time nisa të shfletoj me shpejtësi gazetat. Nëpër to mund të kishte të dhëna ekstra, të cilat i duheshin dërguar Ministrisë së Jashtme në Tiranë sa më shpejt, pa pritur të hartohej tërë raporti ditor.
Nuk gjeta.
Por shumë shpejt do ta merrnim vesh se ato orë qenë ngritur në prag alarmi bazat ajrore dhe avionët ushtarakë të transportit. Duhej të ishin gati për të mbartur nga Shqipëria të gjithë qytetarët italianë që jetonin atje. Bëhej fjalë për dymijë vetë. Për të qenë ky një veprim shumë i shpejtë në Brindisi u dërgua edhe një aeroplan i madh C-130 bashkë me një grup special ushtarakësh të Marinës.
Ndërkohë në ujrat territoriale shqiptare qe i pranishëm Grupi Detar 28, i angazhuar prej kohësh kundër emigracionit klandestin. Qenë gati për ndërhyrje evakuimi edhe karabinierët e njësisë Tuscania si edhe batalioni San Marco.
Po ashtu Ambasada siguroi informacion se gatishmërisë së Ministrisë së Mbrojtjes në Romë po i përgjigjej në Tiranë një mobilizim i madh i ambasadës italiane për të regjistruar të gjithë bashkështetasit e tyre në Shqipëri. Por deri ato çaste vetëm pesëdhjetë prej tyre qenë shprehur se ishin gati të evakuoheshin.
Pa shkuar ora njëmbëdhjetë raportin mbi situatën mediatike italiane ia nisëm Ministrisë së Jashtme dhe Kryeministrisë dhe që prej këtij çasti kaluan vetëm pak minuta për të ardhur deri tek ne lajmi i turbullirave të reja në Tiranë. Ishin njoftime shumë të rënda. Sapo i kishte shpërndarë agjencia Adnkronos, por edhe patjetër kryesorja ANSA. Veç ne këtu nuk kishim asnjë mundësi të merrnim informacion live. Tariva vjetor shkonte deri në dhjetë milion lireta, por edhe në rast se pajtoheshe vetëm në kronikë politike dhe atë të jashtme pesë milion duhej t’i harrxhoje. Për Ambasadën tonë dhe buxhetin e shtetit shqiptar kjo qe e pamundur.
Adnkronos thoshte se “ato çaste në Tiranë sundonin dhuna dhe kaosi. Ndërkohë që po mbahej funerali i liderit të Partisë Demokratike Azem Hajdari, të vrarë të shtunën e kaluar, u verifikuan përleshje me armë zjarri mes demonstruesve dhe policisë. Në shesh për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nano, qenë sipas disa burimeve, mbi pesë mijë manifestues, shumica pasues të ish-presidentit Sali Berisha, të cilët kanë sulmuar dhe pushtuar ndërtesën e Televizionit Shtetëror në Tiranë. Trasmentimet u ndërprerë. Pastaj rifilluan për të treguar me pamje një person shumë i lëvizshëm dhe i paqetë, i cili quhej Eqerem Spahiu, udhëheqës Partisë Monarkiste, aleate e Demokratëve.
Ky drejtpërsëdrejti nga ekrani u shpreh se “të gjitha institucionet e vendit” janë “në duart e kryengritësve”. Pastaj lexoi një numër shpalljesh kundër “qeverisë së korruptuar të Fatos Nanos”.
Pas këtij lajmi mora menjëherë në telefon Ermelinda Meksin, të cilën e kishim mike të vjetër familjare. Ministrja e Bashkëpunimit Ekonomik dhe e Tregtisë qe shumë e shqetësuar, për Fatos Nanon shprehu dëshpërim që kishte dy ditë e nuk e pati parë dhe as takuar. Ermelinda ngutej ta mbyllte bisedën si një mënyrë për të mos e bërë të dukshme pakënaqësinë e saj ndaj kryeministrit, prej të cilit priste drejtim organizativ konkret në përballim të situatës së rëndë të rendit publik.
Edhe një ministër tjetër ishte i pezmatuar. Në mëngjesin e asaj dite të 14 shtatorit, madje ende pa gdhirë, e kishte telefonuar kryeministrin. Nano pati reaguar. “Ku do të takohemi?\", e kishte pyetur anëtari i kabinetit qeveritar. \"Vështirë, qe përgjigjur tjetri, jam në lëvizje\".
Pastaj menjëherë sinjali i celularit ishte ndërprerë.
Ndërsa ndërtesa e Kryeministrisë qe sulmuar sërish dhe godina e Radiotelevizionit pushtuar, po ai ministër telefonoi numrin e një ambasade shumë të rëndësishme.
I thanë se Fatos Nano qe larguar nga Tirana.
Pas disa orëve sërish telefonoi tek kjo ambasadë. Përgjigjia ishte: \"Kryeministrin e kini në Maqedoni. Është në zyrën e Kris Hillit”.
Pastaj zëri shqiptoi: “I thashë të kthehet\".
Ambasadori i SHBA në Maqedoni, Hill, qe një nga koordinatorët kryesore të aksionit amerikan në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës, kundër dhunës së Sllobodan Millosheviçit.
Por ende pa shkuar mesdita e atij 14 shtatori të trazuar, madje ende shumë larg akrepave nga shifra 12, isha unë që përjetova një mbresë tjetër. Ra telefoni dhe në receptor u ndje zëri i një kolegut tim, i cili po rrinte në dhomën e dezhurit. Më tha se po e lidhja me Vjollca Nanon, të motrën e kryeministrit shqiptar.
Për shkak të mjaft rrethanave si edhe botimit të një librit tim me titullin “Nano e Berisha”, përkthyer ndërkohë edhe në greqisht, kisha raporte të ngushta komunikimi me Rexhinën, bashkëshorten Nano, po ashtu edhe me të jatin Thanas, një plak që u gëzohej shumë sinqerisht vizitave të mia në shtëpinë e tyre në Tiranë ndërsa i biri ndodhej në burg dhe banesa e tyre vëzhgohej nga SHIK njëzetë e katër orë për njëzetë e katër.
Pas daljes nga burgu dhe më në fund bërë kryeministër e pata takuar dy herë Fatos Nanon, në biseda pak minutëshe. Ishte Nano që kish porositur emërimin tim në ambasadën shqiptare në Romë, pasi pata shmangur pozicione më të larta në Tiranë. Por kjo është një histori e ndërlikuar dhe nuk e ka vendin e rrëfimit këtu.
Thelbi është ky: Kolegu po ma drejtonte mua telefonatën e Vjollca Nanos si të një miku të shtëpisë së kryeministrit, edhe pse nuk e dinte që unë asnjëherë nuk e pata takuar këtë grua.
Vjollca jetonte në Romë. Ishte emigrante e vjetër, sigurisht e pas rënies së diktaturës. Në Tiranë pati punuar në Radion e Jashtme dhe për këtë arsye ishte kolege me kunatën time, Ilirjanën. Prej saj patëm mësuar se Vjollca, beqare jo e re në moshë, ndërkohë që i vëllai ndodhej në burg prej këmbënguljes së Sali Berishës për të likujduar rivalin e tij politik, e kishte mbajtur atë për disa pak kohë në banesën e saj të vogël në Romë, gjithsej një dhomë e kuzhinë.
Ku, mbi jastekët e dhomës së ndënies nuk mungonte edhe një kukull e madhe. Vjollca flinte me të si me një motër të munguar.
Me mbajtjen e përkohshme të të jatit ajo lehtësonte Rexhinën, e cila kishte mbi shpinë edhe fëmijët. Gjithsesi Rexhina mbetej personi kryesor që kujdesej për plakun.
Ndërkohë Vjollca Nano kishte të njohur ambasadorin tonë të mëparshëm, Pandeli Paskon, i emëruar në atë post nga Sali Berisha. Pasko e kishte pasur Nanon shok shkolle. Pandeliu dhe Vjollca takoheshin kur Fatos Nano qe bërë kryetar qeverie.
Kur Vjollca, ndërsa pati ardhur në Ambasadë për t’u takuar me titullarin tonë, dy herë kishte zbritur deri në “bodrum”, siç i thoshim ne katit nëndhes të godinës, ku në një kthinë qe zyra e financieres për dy përfaqësitë tona në Romë: atë pranë Shtetit Italian, siç qe ambasada ku punoja, dhe asaj pranë Selisë së Shenjtë, siç qe ambasada shqiptare në Vatikan.
Financiere ishte bashkëshortja ime, Fatbardha, e cila, sipas një detyrimi ligjor për çdo diplomat, kundrejt një pagese fare të vogël edhe pse ditëpuna qe shumorëshe, mbulonte kryerjen e një shërbimi.
Unë do ta takoja Vjollcën vetëm pas asaj telefonate të afërmesditës së 14 shtatorit 1998, por përsa më kishte treguar ime shoqe, pata përftuar ndjesinë e një gruaje mjaft interesante dhe origjinale (mbante edhe një qen të vogël), me karakter trimëror dhe natyrë humane.
Kur doli zëri i saj në telefon ajo po qante. Nga tronditja më ikën fjalët. Vjollca ngashërente dhe më pyeste me këmbëngulje nëse dija gjë ku në Tiranë ndodhej i vëllai. Pati humbur çdo kontakt me të dhe dridhej mos e kishin vrarë, siç nga kronikat e televizioneve italiane dhe lexuar në gazetat e këtij vendi, pati dëgjuar se ishte rrezik.
Më erdhi rëndë nga vetvetja si në ato ditë tronditëse nuk e kisha shkuar ndër mend që në Romë jetonte edhe një bashkëkombëse, e cila e kishte jetën të lidhur shumë fort prej zhvillimeve politike në Tiranë dhe e vuante imazhin e rënduar të vendit të saj ato çaste mbase më shumë se shqiptarët e tjerë të emigruar aty.
U mundova ta siguroja se Fatos Nano duhej t’i kishte shpëtuar këtij kërcënim. Nuk zotëroja asnjë të dhënë që t’ia mbushje mendjen me fakte. Më në fund ajo shqiptoi me zë të dridhur: “Faleminderit\" dhe e mbylli receptorin.
Në orën 14.44 erdhi prej Ministrisë së Jashtme mesazhi fax se \"në Tiranë gjendja është kaotike, tek kryeministria ka të shtëna nga godina dhe protestuesit. Flitet se Nano do të japë dorëheqjen. Në Presidencë po punohet për zgjidhjen politike, TVSH është në duart e protestuesve, ku kryetari i Legalitetit i është drejtuar popullit për vetëpërmbajtje, sepse sipas tij institucionet shtetërore janë në duart e protestuesve. Në MPJ akoma është stafi ekzistues. Për njoftime të tjera do t\'ju vëmë në dijeni. Sokol Gjoka”.
Gjoka ishte drejtor i Drejtorisë së Shtypit, por në fund të mesazhit tek emri i tij pati firmosur një tjetër.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 10 shtator 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com