Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“VRITENI, VRITENI, VRITENI NANON!” (Azem Hajdari, vrasja e gabuar, pjesa e tretë)


(Botuar në Illyria në 30 gusht 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i tridhjetë e katërt i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Ne ishim një staf i Ministrisë së Jashtme Shqiptare që po përgatisnim në Romë njërën prej vizitave më të dobishme për vendin tonë, por edhe për vetë karierën politike të Fatos Nanos. Trazira në Tiranë me vrasjen e deputetit dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes qe edhe kundër punës tonë, demoralizuese për të, shkatërruese
Në përfaqësinë tonë diplomatike me punonjës të përzjerë nga periudha e qeverisjes Berisha dhe po kaq edhe nga ajo socialiste, tre javë më parë me drejtues Pandeli Paskon, ambasador i Berishës dhe në tranzit me një të Ngarkuar me Punë, Shpëtim Çuçkën, po ashtu ambasador i tij në Moskë dhe funksionar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, përveç keqardhjes njerëzore vrasja e Azem Hajdarit shkaktoi edhe neveri për autorët konkretë.
I mbaj mend shumë hollësishëm, por edhe shënuar në ditarin tim me zë, pikëllimin e disa prej kolegëve apo të familjeve të tyre. Ndërkohë kur je i angazhuar në punë diplomatike ky profesion të kufizon ndikimin e simpative partiake, i hedh ato pas shpine sepse të pengojnë shumë të bësh korrektësisht punën për tërë vendin e popullin tend. Nuk është rasti këtu të rrëfej sa mirë ja kaluam muaj më parë me një delegacion të madh deputetësh shqiptarë të pozitës dhe të opozitës, të ardhur në Romë për një vizitë pune e bashkëpunimi me parlamentin italian.
Ndërkohë po shtoj edhe një rrethanë tjetër. Kur në shkurt 1996 me urdhër të Presidentit të asaj kohe (Sali Berisha) u rrëmbeva në shtëpinë time në Berat për llogari të SHIK-ut nga Policia Kriminale e Shtetit dhe pas kësaj, deri në lirimin nga burgu, kalova dy javë i mbyllur në një bunker të Komisariatit të Laprakës, pastaj i mbajtur fshehur në katet e sipërme të Drejtorisë së Policisë në Tiranë, më në fund në tre qeli të burgut 313, Azem Hajdari nuk kishte qenë në favor të kësaj keqsjelljeje dhe intrige ndaj meje si gazetar i opozitës. Dihej që ai kishte një grup të armatosur dhe qe i skajshëm në gjestet e luftës politike, por për aq sa informacion merrja në burg kuptova se ai nuk kishte rol në çfarë po më ndodhte. Në të vërtetë ai për aq sa mora vesh, u rreshtua me ata që në PD ishin të mbyllej kërcënimi dhe shantazhi shtetëror ndaj meje, pra të lihesha në jetë të lirë.
Akuza se urdhërdhënës i vrasjes së Azem Hajdarit qe Fatos Nano ishte krejtësisht i pabesueshëm, të paktën në Ambasadën Shqiptare në Romë, ku ishte punuar për ardhjen e tij në vizitë të lartë shtetërore, madje në mëngjesin e 15 shtatorit duhej të ndodhej në kryeqytetin italian. Ndërkohë pak ditë më parë shtypi shqiptar kishte njoftuar se Nanos i kishte ardhur miratimi i mezipritur i një vizite të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo do të kryhej dhjetë ditë pas vizitës në Romë: në 26 shtator.
Gjithnjë sipas gazetave dhe jo burimeve të shpërndara të Ministrisë tonë, kryeministri do të pritej nga Sekretarja e Shtetit Mejdlin Ollbrajt si edhe nga kreu i CIA, Xhorxh Tenet. Ollbrajt ishte një hebreje shumë e vendosur për ta ndëshkuar me forcë ushtarake Sllobodan Millosheviçin, kurse Tenet qe më afër interesave greke, por aspak admirues i Serbisë.
Gjithnjë sipas gazetave të Tiranës, prej Uashingtonit Fatos Nano do të shkonte në Nju Jork, ku do të mbante një fjalim në OKB. Shtypi shqiptar ngulte kembë dhe bënte be se për këtë zotëronte burime tepër të sigurta, se ndërkohë po punohej edhe për një takim të dëshiruar të Nanos me presidentin amerikan Bill Klinton.
Po të realizohej, kjo vajtje në SHBA do të ishte vizita e dytë e Nanos në SHBA. Porse për këtë prani zyrtare të kryeministrit shqiptar në Shtëpinë e Bardhë, Sali Berisha mendonte se do të qe e parealizueshme. Ai këmbëngulte se kreu i socialistëve planifikohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të largohej nga posti i tij.
Ndërkaq “Rilindja Demokratike” e 13 shtatorit në faqen e tretë, në shkrimin \"Kush ishte Azem Hajdari\", mes të tjerash ngulte këmbë se “Partia Demokratike e konsideron vrasjen e Azem Hajdarit si vrasjen politike më makabre të historisë sonë kombëtare...”, “Azem Hajdari vdiq nga plumbat e Kryeministrit Vrasës”, Azemin e vrau Fatos Nano dhe Sllobodan Millosheviçi”, \"Nano në gjak me të gjithë shqiptarët\", \"Amaneti i Azemit është një dhe vetëm një: \"Vdekje, vdekje, vdekje komunizmit!\", \"Sot ka vetëm dy rrugë për të vdekur, frikacakët vdesin në krevat e të fshehur pas fustanit të grave, burrat jetojnë ose vdesin si Azem Hajdari\".
“Fatos Nano, ky kriminel i fëlliqur dje ka vulosur fundin, vdekjen e tij. Me vrasjen e Azem Hajdarit, Nano dhe e gjithë klika e tij kanë hyrë përfundimisht në gjak jo vetëm me të gjithë demokratët, por me të gjithë shqiptarët. Ky ishte fundi, më tej fillon katastrofa. Që nga ky moment nuk ka më logjikë, nuk ka më tolerancë, nuk ka më asgjë. Ose komunizmi do të zhduket jo më si ide, por fizikisht ose le të zhdukemi ne të gjithë. Që nga ky moment të gjithë ata që në dhjetor \'90 ishin me Azemin për të rrëzuar diktaturën, të gjithë ata që luftuan komunizmin dhe donin një Shqipëri pa komunistë, të gjithë ata që aspironin lirinë, të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe demokratë janë në gjak me Nanon dhe me komunizmin. Që nga ky moment Nano duhet të shohë tek çdo demokrat gjakësin e tij. Që nga ky moment Nano nuk duhet të flejë më...\".
Atë 13 shtator gazeta “Zëri i Popullit” nëpërmjet hapësirës së madhe kushtuar ngjarjes bënte të dukshme idenë e saj faqen se “Në ato pak të dhëna rreth këtij akti nuk mund të çojnë absolutisht në përfundimin se jemi përpara një vrasjeje politike, siç mund të jenë të interesuar forca të caktuara ta inkuadrojnë atë.
Si e tillë ngjarja kriminale kundër Azem Hajdarit nuk mund të shërbejë si një moment që acaron akoma më tej jetën politike të vendit, duke përfaqësuar një pikë kulmore për mbajtjen ngritur me çdo kusht të strategjisë së destabilizimit të Shqipërisë, gjë që ndjehet plotësisht në deklaratën e ngutur që doli mbrëmë nga selia qëndrore e Partisë Demokratike\".
Në mbrëmjen e asaj dite të 13 shtatorit, në edicionet kryesore të orës 20.00, të kanalit të parë të RAI-t si edhe në ato TG5 të Mediaset, rreth zhvillimit të ngjarjeve në Shqipëri nuk kishte asnjë lajm. Në heshtje qe edhe Euronews. Papritmas në edicionin tjetër informativ, atë të orës 20.30 të kanalit të dytë të RAI-it, gazetarja Adele Ammendola që në fillim, sapo u uroi të diel të mbarë dëgjuesve të saj, tha se nga Shqipëria vinin lajme dramatike. “Pas vrasjes së numrit dy të opozitës, shqiptoi ajo, shumë manifestues kanë tentuar një sulm kundër ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Disa makinave u është vënë zjarri dhe në përleshje midis policisë dhe të revoltuarve mund të ketë disa të vrarë”.
Menjëherë pas kësaj nisi kronika me figurë nga ngjarjet në Tiranë e telegazetarit italian Luço Bruneli (Lucio Brunelli). Duke saktësuar se imazhet me të cilat po e shoqëronte kronikën e tij qenë të repertorit, pra jo të asaj dite, ai theksoi: “I është vënë flaka kateve të para të godinës qeveritare, disa zyrave, përfshirë edhe asaj të kryeministrit Fatos Nano”.
Bruneli vuri në dukje se gjatë përleshjeve jo vetëm qenë djegur disa makina, por ishin përdorur armë si edhe ndaj policisë qenë hedhur gurë. Gjithnjë sipas telegazetarit italian që nuk e linte të qartë nëse ndodhej realisht në Tiranë apo lajmin po e montonte në studiot e RAI-t në Romë, kishte pasur disa të plagosur, por flitej edhe për të vrarë. Çdo të dhënë tjetër që Luço Bruneli përdori më tej ishte e njohur, përfshi edhe njoftimin se qeveria shqiptare për atë që do t’i jepte informacion real rreth vrasësit të Azem Hajdarit do të paguante një shumë të barabartë me 70 milion lireta italiane.
Pasi u përcoll shkurt një intervistë me një emigrant shqiptar, i cili nuk dinte asgjë të hollësishme për shvillimet në Tiranë, më në fund redaksia e lajmeve të RAIDUE u lidh me telefon me kolonelin italian të njësisë “Interforce” Fabricio Lizi (Fabrizio Lisi). Ky tha se nga ndërtesa e kryeministrisë që po digjej, kishte dalë shumë tym si edhe shtoi që manifestuesit patën sulmuar edhe Ministrinë e Brendshme. “Tani, tha koloneli, gjendja është më e qetë dhe po zhvillohen bisedime mes disa partive dhe qeverisë”.
Pastaj saktësoi se komanda e tyre në Tiranë qe pikë referimi për të gjithë italianët që ndodheshin në Shqipëri dhe pyetjes së redaksisë nga Roma se sa qenë konkretisht këta italianë Fabricio Lizi iu përgjigj: “Janë shumë, sidomos në Tiranë dhe përreth saj”.
Kur ky lajm i parë i edicionit informativ të RAIUNO u mbyll, i dyti, edhe ky me statusin e ngjarjes së jashtzakonshme, filloi të përcillte zhvillimet më të fundit nga skandali epshor i presidentit Bill Klinton.
Në orën 21.00 qe tashmë Euronews, i cili dha një njoftim me fjalët e forta “Rishpërthen protesta në Shqipëri pas vrasjes mbrëmë të Azem Hajdarit...”. Lajmi shtoi se “grupe manifestuesish patën sulmuar selinë e qeverisë, e cila është tashmë në një mbledhje emergjente”. U vu në dukje se qe sulmuar edhe Ministria e Brendshme.
Afër mesnatës kanali i parë i RAI-t si lajm të fillimit vendosi atë të presidentit amerikan dhe të dytë ngjarjet në Shqipëri, duke theksuar se zyra e kryeministrit shqiptar qe duke u djegur nga flakët.
“Shqipëria po shkon drejt kaosit”, vuri në dukje folësja e edicionit informativ. Nga Tirana kronika kishte si hartues gazetarin italian Pino Kaserta. Sipas tij me vrasjen e Azem Hajdarit Shqipëria po përjetonte të shkuarën e saj të luftës së mëparshme civile. Ai theksoi se megjithë përleshjet, nuk kishte asnjë të vrarë. Sali Berisha, sipas tij, kishte kërkuar dorëheqjen e Nanos, ndërsa prej autoriteteve policore thuhej se ajo vrasje qe pasojë e një larjeje hesapesh brenda rrethit familjar të vetë Azem Hajdarit dhe se vrasësi qe kushëriri i një të vrari tjetër më parë.
Në kronikë u përcoll dhe një intervistë e shkurtër e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Genc Pollo, i cili pyetjes përse dhe nga kush qe vrarë deputeti Hajdari, iu përgjigj se qeveria ka bezdi ndaj atyre që denoncojnë trafiqet e saj të paligjshme.
Të nesërmen në mëngjes, më 14 shtator, \"Corriere della Sera\" botonte që në faqen e parë \"Shqipëria në zgrip të luftës civile\". Nëntitulli kishte fjalët “Është vrarë një udhëheqës i opozitës, në flakë selia e qeverisë\". Mbititulli: \"Në revoltë mbështetësit e ish-presidentit Berisha. Mbledhje e jashtzakonshme tek Prodi: thirrje për të ndalur dhunën\".
Në këtë shkrim thuhej që në fillim se \"Shqipëria ribie në kaos. Vrasja e Azem Hajdarit, deputet i Partisë Demokratike, i vrarë të shtunën në qendër të Tiranës, ka bërë të rishpërthejë dje zëmërimi i sheshit...\". Më pas: \"Në pak orë Shqipëria preçipitoi në klimën e dhunës dhe të frikës që në pranverën e vitit 1997 provokoi gati 2 mijë të vdekur: përleshje me policinë, të shtëna, barrikada, hedhje gurësh kanë ndodhur edhe në rajone të tjera të vendit\".
Në artikullin e “Corriere della Sera” vihej në dukje se presidenti shqiptar Rexhep Meidani pati ndërprerë vizitën e tij në Greqi, se opozita kishte deklaruar emrin e vrasësit (shefi i policisë në Tropojë) dhe se në Romë kryeministri Romano Prodi ka bërë një mbledhje të jashtzakonshme të qeverisë dhe prej andej është dalë me një thirrje \"duhet të ndërpriten menjëherë episodet e dhunës\".
Ndërkohë në faqen 3, krejtësisht speciale, e përditshmja më e madhe italiane paraqiste një emblemë me fjalët \"Shqipëria në flakë\", ku gjendej edhe një flamur kombëtar me shqiponjën dhe yllin e kuq. Në të botoheshin tre shkrime.
Ishte befasi tronditëse dhe mjaft shqetësuese ajo që thuhej.
Shkrimi i parë, me autor të njohurin gazetar të raporteve ndërkombëtare Masimo Nava, qe \"Vrasja politike bën të shpërthejë Tirana\" (Mbititulli: “Shqipëria kthehet në kaos një vit më pas kryengritjes që shkaktoi dy mijë të vdekur. Ish-presidenti i thotë kryeministrit Nano: \"Dorëhiqu!\")
Mes të tjerash në këtë shkrim bëhej edhe kjo analizë: “Viktima ishte konsideruar njëri prej kundërshtarëve më të paepur të regjimit të ri, pikërisht këto ditë koalicioni që mbështet Nanon kishte vënë në projekt masa për të mbytur valën në rritje të incidenteve të provokuara nga Berisha, modalitetet e vrasjes, në kontekstin e fajdeve dhe të mërive në të cilën zhvillohet jeta e brishtë politike në Shqipëri, lë pak dyshime për vulën politiko-mafioze të atentatit, urrejtja dhe kriminaliteti politik, veprimtaria e bandave mafioze dhe përleshjet për pushtet, të kulmuara në luftën e gjatë civile të vitit të shkuar, kanë dominuar jetën politike në Shqipëri; gjendja ekonomike mbetet e rëndë, zona të tëra janë nën kontrollin e kriminalitetit; opozita me Berishën në krye ka valvitur flamurin e nacionalizmit kosovar dhe veriu i Shqipërisë, i mbushur me refugjatë është bërë prapavija e guerriljes; Fatos Nano që është rreshtuar në pozicionet e bashkësisë ndërkombëtare, jo në favor të hipotezës së shkëputjes së Kosovës, i duhet të luajë mes solidaritetit etnik dhe maksimalizmit; në Tiranë qarkullojnë zëra të ndryshme, njeri prej të cilëve thotë se kjo vrasje hyn në një plan për dobësimin e mbështetjeve kryesore për guerriljen kosovare, për rrjedhojë qendrueshmëria e Shqipërisë mbetet akoma një ëndërr”.
Sikur të mos mjaftonte ky shkrim i fortë dhe tepër i rëndë për imazhin e Shqipërisë, i dyti i faqes speciale të “Corriere della Sera” formulohej me titujt \"Kryeministri Prodi thërret një mbledhje urgjente\"...”Ministri i Mbrojtjes Andreata: \"Rrezikojmë një Beirut\").
Ky artikull shoqërohej me fotot e Sali Berishës dhe të Fatos Nanos. Saktësisht teksti për gjithsecilin qe ky: “Sali Berisha, udhëheqësi i Partisë Demokratike, 53 vjeç, i lindur në Tropojë, në veri të vendit, ishte kryeministër nga 92 deri më 97. Duke e drejtuar vendin drejt kapitalizmit, favorizoi \"shoqëritë piramidale\", një sistem spekullacionesh që ra në fillim të vitit 97, duke e çuar vendin në pragun e luftës civile, Berisha u detyrua të japë dorëheqjen, por mbeti i fuqishëm\". Fatos Nano, udhëheqës i Partisë Socialiste, 45 vjeç, erdhi për herë të parë në pushtet me zgjedhjet e vitit 1991. Por akuzat për korrupsion që ranë breshëri mbi të dhe partinë e tij, më pak se një vit më pas favorizuan në kutitë e votimit kundërshtarin Berisha. Kriza e vitit 97 e lejoi të fitojë zgjedhjet e qershorit me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare\".
Në brendësi të këtij shkrimi të dytë thuhej se për shkak të krizës shqiptare kryeministri italian Romano Prodi kishte lënë festën e \"Unità\" në Bolonjë dhe pati anulluar të gjitha angazhimet e tjera. Menjëherë pas tij kishin ardhur në Romë edhe ministri i Jashtëm Lamberto Dini si edhe krerët e Partisë Demokratike të së Majtës në krye të qeverisjes Valter Veltroni dhe Piero Fasino. Me të gjithë këta, këmbëngulte “Corriere della Sera”, mbante lidhje telefonike ministri i Mbrojtjes Andreata, i cili kishte shprehur frikën mos ndokush nga jashtë i frynte zjarrit për ta transformuar Tiranën në një Beirut.
Më pas në artikull vihej në dukje se kryeministri italian Romano Prodi pati shumë biseda telefonike me presidentin shqiptar Rexhep Meidani, me kryeministrin Fatos Nano dhe kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës Sali Berisha. Më vonë në shkrim nënvizohej se \"Pikërisht sot pritej në Romë kryeministri shqiptar Fatos Nano. Do të takonte politikanë dhe sipërmarrës, në kërkim të mundësive të reja ekonomike për rindërtimin e vendit të vet. Por udhëtimi duket se nuk do të bëhet\". Dhe vijonte: \"Sipas Akile Oketos, kryetar i komisionit të Jashtëm të Dhomës, përgjegjësia e sulmeve të armatosura në Tiranë bie mbi grupet që udhëheq ish-presidenti Sali Berisha. Krejt i kundërt është komenti i Karlo Xhovanardit, shef i kristiandemokratëve në Dhomë: \"Solidaritet demokratikëve shqiptarë që rrezikojnë jetën për të mos rënë vendi në totalitarizmin komunist\".
Shqipëria rrezikonte të shndërrohej në një Bejrut!! E thoshte këtë vetë ministri i Mbrojtjes, i cili kishte në varësi zbulimin e fshehtë më të famshëm dhe me të saktë jo vetëm për Italinë, por edhe përtej tij, SISMI-n. Për ato që thoshte ai patjetër dinte diçka. Shërbimi i Fshehtë Ushtarak Italian kishte njerëzit e vet në Tiranë si edhe një rrjet mjaft aktiv
Shkrimi i tretë i faqes speciale të “Corriere della Sera” formulohej me fjalët \"Një vit më parë Italia gaboi, tani kërkojmë stabilitet\". Mbititulli paraqiste edhe autorin e kësaj deklarate. Ishte Antonio Martino, ish-ministër i Mbrojtjes i Partisë së Berluskonit, Forca Italia. Sipas tij, vitin e kaluar ishte bërë nga qeveria italiane një gabim i madh, çështja shqiptare qe trajtuar si një luftë për liri, pra një popull në revoltë kundër një qeverie joliberale dhe autoritare. Por Martino mendonte se ajo e Sali Berishës “ishte një qeveri legjitime që u rrëzua nga banda të armatosura, disa prej tyre të përbëra nga mafiozë dhe të tjerët nga nostalgjikë të Enver Hoxhës, po ashtu edhe prej të dëshpëruarish. Në këto momente dobësimi i qeverisë së Berishës ishte gabim i madh. Për zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar pati denoncime për mashtrime, po kështu qeveria Nano nuk e mban situatën dot në dorë. Italisë historia i ka dhënë rolin e një \"vëllai të madh\" ndaj Shqipërisë. Për këtë qëllim ajo duhet të shmangë gabimet”.
Në këtë çast Antonio Martino pyetej nga gazeta: “Dhe kjo do të thotë se duhet mbështetur me forcë qeveria e Fatos Nanos?” Përgjigja ishte: \"Unë nuk kam simpati për këtë qeveri, por jam i bindur se duhet mbështetur sepse duhet shmangur me çdo çmim një boshllëk i rrezikshëm pushteti. Porse qeveria italiane duhet t\'i kërkojë shpjegime dhe masa asaj shqiptare\".
“Corriere della Sera” e ripyeste dikur ministrin e Mbrojtjes: \"Cilat masa?\" dhe Martino përgjigjej: \"Kemi të drejtën, për sa edhe e kemi mbështetur qeverinë Nano, që të sqarohen ngjarjet të errta, që përgjegjësit e vrasjeve të ndiqen, që drejtësia të mos administrohet në mënyrë arbitrare. Por edhe opozitës t\'i kërkohet të braktisë dhunën\".
Mënyra se si më e madhja e përditshme italiane, me tirazh ditor 933.000 kopje të shitura, e paraqiste para opinionit italian çfarë po ndodhte në Shqipëri, sidomos rubrika e saj me simbolin e një ylli të kuq, do të na shqetësonte shumë atë mëngjes të 14 shtatorit dhe do të merrnim masat për të kundërvepruar, çfarë donte të thoshte për të sqaruar sa më shpejt që Tirana nuk mund të bëhej kurrë Bejrut.
Veç nuk e mohoj. Njëzetë e një vite më parë m’u tha pështyma në gojë. Kryeministri Romano Prodi dhe krerët më të lartë të qeverisë italiane ndodheshin në alarm e gatishmëri kundërveprimi nëpër zyrat e tyre, të ngjizur në një sistem të tërë ndërlidhjeje për t’u informuar minutë pas minute çfarë po ndodhte në Shqipëri. Ka ndërhyrje të një force të huaj, këmbëngulte ministri i Mbrojtjes Andreata, duke nënkuptuar të paktën një fuqi antiitaliane në Ballkan dhe e tillë qe Jugosllavi-Serbia. Ndërkaq vetë “Corriere della Sera” qe tërësisht me këtë frymë dhe theksonte se tashmë nuk ka dyshim se gjithçka në Tiranë po dëshmonte ndikim të çështjes së Kosovës.
Tirana-Bejrut?!
Në ambasadën tonë në Romë ne ishim larg, të rrezikuar të dinim pak nga çfarë po ndodhte realisht. Mos në Shqipëri po përgatitej një vrasje tjetër? Që të provokohej një luftë civile ky person duhej të qe nga pala e kundërt politike e Azem Hajdarit.
Mos ishte në shenjë Fatos Nano?

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 28 gusht 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com