|
AZEM HAJDARI, VRASJA E GABUAR (PJESA E DYTË) 12 PLUMBA NË TRUP
(Botuar në “Illyria” në 23 gusht 2019)
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i tridhjetë e tre i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
E shtuna e 12 shtatorit 1998 kishte shumë shi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendin ku punoja, në Itali. Në edicionet informative të mbrëmjes televizionet kryesore publike dhe ato të rrjetit privat Mediaset njoftuan si ngjarje inkurajuese që tërë ato ditë të lagura gjer në palcë do të përjetonin më në fund një ndërprerje të shkurtër të rrebesheve. Pastaj gjithçka do të rifillonte si më parë.
Megjithatë në edicionet e lajmeve të TVSH-së në Tiranë shirat e shumtë të 12 shtatorit nuk bënin asnjë përshtypje dhe asnjë lloj lajmi. Në orën 20.00, kronika qëndrore informative, përveç konferencës për shtyp të Fatos Nanos të sapo kthyer atë ditë nga pjesëmarrja në EKSPO 98 të Lisbonës dhe bërja publike prej tij e një pakete të padëgjuar më parë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nëpërmjet një periudhe tranzicioni 3-5 vjeçare të Serbisë, kohë e cila i duhej lënë asaj për t’u demokratizuar dhe vetëm pas kësaj përcaktimit të statusit të shqiptarëve, TVSH bëri të ditur se Partia e Ballit Kombëtar e drejtuar nga Shpëtim Rroqi qe shprehur kundër deklaratës së kryeministrit shqiptar në Lisbonë. Deklaratën se Kosova do të kishte kryeqytet Beogradin, ata e quajtën akt tradhëtie.
Para këtij lajmi TVSH bëri të ditur gjithashtu se kundër deklaratës Nano qe shprehur edhe Partia Republikane. Kjo e fundit e cilësonte këtë gjest si të papërgjegjshëm, duke theksuar se ishte pjesë e sjelljes së vazhdueshme sipërfaqësore të kryeministrit.
Pothuaj në fund të edicionit informativ të orës 20.00 Televizioni Shtetëror Shqiptar bëri të ditur një njoftim nga Kuvendi, sipas të cilit ditën e hënë, 14 shtator 1998, në orët 10.00 dhe 11.00 do të kishte mbledhje të rregullta për shqyrtim projektligjesh të dy komisioneve parlamentarë dhe se sërish në orën 11.00 do të mbahej një seancë pune edhe nga vetë Kryesia. Kjo do të shqyrtonte kalendarin dy javor të punimeve të Kuvendit.
Sipas videoregjistrimeve të përminutshme që u kam bërë atë kohë në Romë tërë edicioneve të lajmeve që kapja në apartamentin tim në Viale Eritrea, televizionet italiane si edhe euronews kishin në vend të parë dhe hollësisht zhvillimin e ngjarjes së bujshme të skandalit epshor të presidentit amerikan Bill Klinton.
Euronews përsëriti disa herë edhe një lajm nga çfarë po ndodhte ndërkohë në Kosovë. Sipas këtij televizioni, ushtria serbe e pajisur me shumë tanke po përpiqej të ndikonte në valën e madhe të ikjes së refugjatëve vendas dhe se këta të fundit po largoheshin pa pushim. Vendi më i pëlqyer për ta qe Mali i Zi, ku deri ato çaste patën mbërritur 120.000 kosovarë. Ndërkohë Euronews në minutën e gjashtë të gjysmë orëshit të saj informativ ciklik tha se “në Maqedoni po kryheshin stërvitje të NATO-s”.
Në to merrnin pjesë 1500 ushtarë të 26 vëndeve të kësaj Aleance ushtarake dhe se ky ishte një paralajmërim i qartë për Beogradin.
Në shkrimin e mëparshëm të ciklit të javës së shkuar ju informuam se përveç fillimisht teletekstit të RAI-t dhe të Mediaset, marrë prej Agjencisë Shtetërore Italiane të Lajmeve ANSA, mbi vrasjen në Tiranë të deputetit shqiptar Azem Hajdari fillimisht, në orën 23.00, foli RAIUNO, kurse në mesnatë RAIDUE. Pastaj ju paraqitëm titujt dhe tekstet e plota të disa prej të përditshmeve italiane të ditës tjetër që gdhiu: 13 shtatorit. Po e vijojmë këtë reagim nëpërmjet gazetave të tjera italiane.
\"La Repubblica\" e publikonte ngjarjen tronditëse në krye të faqes 14: “Është vrarë në Tiranë krahu i djathtë i Sali Berishës\". Mbititulli kishte fjalët: \"Azem Hajdari, udhëheqësi i \"të ashpërve\" të PD-së\".
Shkrimi i plotë qe ky: \"Krahu i djathtë i ish-presidentit shqiptar Sali Berisha, Azem Hajdari, është vrarë mbrëmë në një pritë përpara selisë së Partisë Demokratike në Tiranë. Sipas burimeve të partisë janë plagosur rëndë edhe dy truprojat e tij. Atentatorët kanë pritur që deputeti të delte nga selia e Partisë Demokratike dhe e kanë mitraluar nga një veturë që ecte. Hajdari i konsideruar si shef i ultrave të Partisë Demokratike, u plagos me pistoletë vitin e shkuar në sallën e parlamentit nga një deputet socialist. Në mbrëmje udhëheqësi i PD-së dhe ish-presidenti Sali Berisha ka akuzuar policinë si përgjegjëse të vrasjes. Prej ditësh PD që i kundërvihet qeverisë socialiste të Fatos Nanos, organizon marshime kundër saj, duke kërkuar lirimin e funksionarëve dhe ministrave të qeverisë së shkuar me akuzën se kanë kryer krime të rënda gjatë shtypjes së revoltës së vitit të shkuar\".
“La Repubblica” në Itali është gazetë afër të majtës, lexues kishte shumë, dhe gjykimet e saj se Azem Hajdari qe kreu i pjesës më të ashpër të Partisë Demokratike, udhëheqësi i ultrave të saj, ishte shumë ndikues tek opinioni publik.
Ndërkaq gazeta tërësisht e djathtë “Il Giornale\", me një shkrim në mes të faqes 17, më i madhi i saj, titullonte: “Është vrarë më besniku i Berishës\". Mbititulli i parë dhe i dukshëm qe: \"Prej muajsh drejtonte protestat kundër qeverisë socialiste\". Mbititulli tjetër kishte fjalët: \"Prita jashtë selisë së Partisë Demokratike të ish-presidentit shqiptar: Azem Hajdari ka vdekur pak më pas në spital\".
Lajmi i plotë, i shoqëruar me një foto të Hajdarit, qe: \"Eksponenti i opozitës Azem Hajdari, krah i djathtë i ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha, ka vdekur mbrëmë në një atentat.
E referojnë burimet e spitalit ushtarak, ku eksponenti politik u shtrua. Sipas burimeve jo të konfirmuara kanë mbetur të plagosur shumë rëndë edhe dy truprojat.
Atentati ka ndodhur para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë pak pas orës 21.30. Hajdari u mitralua nga një veturë, ndërsa politikani po delte nga selia e partisë.
Azem Hajdari, 36 vjeç, ishte sekretar i komisionit parlamentar të Mbrojtjes.
Midis themeluesve kryesorë të Partisë Demokratike të Sali Berishës, muajt e fundit qe në krah të ish-kryetarit të shtetit, udhëheqësit aktual të opozitës, në një numur manifestimesh në shesh, ku kërkohej me forcë dorëheqja e qeverisë së tanishme të kryeministrit Fatos Nano.
Në javët e fundit, pas arrestimit të gjashtë eksponentëve të ish-qeverisë demokratike, gjendja politike në Shqipëri është bërë shumë e tensionuar dhe Hajdari qe ndër kryesorët organizatorë të të gjitha manifestimeve në shesh që përditë po zhvillohen në të gjitha qytetet e vendit.
Në verën e vitit të shkuar Hajdari u plagos me disa plumba pistolete në sallën e parlamentit nga një deputet i Partisë Socialiste, ndërsa në majin e shkuar i shpëtoi një pritë tjetër në veri të Shqipërisë, zonë ku ai ka lindur\".
Siç mund të shihet lehtë, edhe “Il Giornale” përforconte se deputeti i vrarë qe një “ultra” dhe se po ashtu ishte besnik i ish-presidentit Sali Berisha. Qe ai, i cili drejtonte në terren të gjitha protestat kundër Fatos Nanos. Lidhja që kësaj vrasjeje i bëhej me një përpjekje të mëparshme të një deputeti socialist për ta likujduar fizikisht, e vendoste gjithçka në sfondin e një krimi krejtësisht politik.
Nuk mbetej asnjë hapësirë që lexuesit italian t’i shkonte nëpër mend se ngjarja e rëndë mund të ishte kryer për arsye të tjera të rëndësishme, por jo politike. Ca më pak të mendonte se mund të qe pasojë e hidhur e ndonjë incidenti personal.
“L\'Unità\", e përditshme e të majtës në qeverisje, në artikullin e saj në krye të faqes 12, nxirrte në pah një informacion të ri. Sipas saj, \"Radiot private kanë ndërprerë programet duke dhënë hollësitë më të fundit të ngjarjes. Forca të policisë janë mobilizuar dhe disa agjentë janë sulmuar me fjalë para selisë së Partisë Demokratike, duke u akuzuar se ishin \"vrasësit\" e udhëheqësit të tyre. Me një komunikatë të lexuar në një televizion privat, Partia Demokratike e ish-presidentit Sali Berisha, ka akuzuar policinë se është përgjegjëse e drejt për drejtë e vrasjes së liderit të partisë Azem Hajdari dhe e një prej truprojave të tij. Në komunikatë bëhen të njohur disa emra policësh, të cilët pas krimit, kanë ikur në afërsi të selisë së Ministrisë së Brendshme. Sipas të njëjtës komunikatë, vrasësit kanë ikur të hipur në katër vetura me targa të Vlorës, të qytetit të Shqipërisë jugore, i cili vitin e shkuar ishte teatër i kryengritjes që çoi në rrëzimin e vetë Berishës. Nga Ministria e Brendshme kufizohen të thonë se deri ku kanë shkuar hetimet dhe japin një version krejt tjetër të asaj që ka ndodhur. Kanë qëlluar tre të rinj që kanë ikur me një veturë në drejtim të veriut të vendit. Ministri i Brendshëm Perikli Teta, po drejton një mbledhje. Në komunikatën e saj Partia Demokratike e përcakton krimin si \"atentat politik\" dhe ngarkon me përgjegjësi kryeministrin Fatos Nano. Në një konferencë shtypi të mbajtur mbrëmë natën Berisha ka akuzuar një polic se është përgjegjës për vrasjen dhe ka akuzuar hapët Fatos Nanon\".
Ritheksojmë: më 12 shtator ishte e shtunë, e diel e nesërmja. Shumë shi binte në Tiranë dhe po aq shumë edhe në Romë. Gjithçka dukej si një dekor i organizuar më së miri për një vrasje shekulli.
Gjer ato çaste për shqiptarët përafërsisht e tillë kishte qenë ajo e Esat Pashë Toptanit, e Avni Rustemit ca më shumë, ndërsa drodhi tërë Shqipërinë dhe krijoi në histori të quajturin Revolucion Demokratiko-Borgjez të Qershorit. Nuk kishin pasur më parë shqiptarët një ngjarje politike dhe shoqërore të këtij lloji. Asnjëherë nuk patën bërë një revolucion social. Më të dobishmin e tyre e kishin thirrur me një emër paqësor dhe që nuk të sillte në mendje ndonjë përmbysje, nisje nga fillimi apo nga pika zero.
E quajtën Rilindje.
Vrasje shekulli pati qenë edhe ajo e Mehmet Shehut, më së shumti bindës që ishte një vetvrasje trimërore, sfiduese ndaj Enver Hoxhës.
Vrasja e Azem Hajdarit nëpër natën e 12 shtatorit, për aq sa të paktën u perceptua ato çaste dhe në orët në vazhdim u përjetua, qe e këtyre përmasave të jashtëzakonshme, me cilësi dhe starndarte të plota për të mbetur në histori.
Gjer në orën 22.50 lajmin e kishin dhënë të gjitha agjencitë kryesore të botës. Nga kjo stuhi e medias globale një gjysmë ore më vonë, në 23.18, kobin e njoftoi edhe Agjensia Shqiptare e Lajmeve ATSH. Televizioni shtetëror e komunikoi edhe më vonë: në 23.43. Në një minutë e gjysëm tekst u ngushëllua familja e deputetit të vrarë si edhe u lexua një deklaratë për ruajtjen e qetësisë.
Lënda e shkruar ishte kjo: “Qeveria shqiptare i shpreh ngushëllimin e saj më të thellë familjes Hajdari, gruas dhe fëmijëve, për atentatin ndaj bashkshortit dhe babait të tyre Azem Hajdari. Ajo dënon me forcë aktin tragjik, i cili i mori jetën deputetit Hajdari dhe shoqëruesit të tij në mbrëmjen e ditës së shtunë 12 shtator.
Atentati ndaj liderit të dhjetorit dhe deputetit të Partisë Demokratike përbën një humbje të madhe për demokracinë shqiptare.
Qeveria ka angazhuar të gjitha strukturat e rendit, policisë kriminale dhe SHIK-ut për të gjurmuar dhe zbuluar autorët e krimit.
Ajo i lutet të afërmeve, partive politike, Partisë Demokratike në veçanti që të gjejnë forca, të përmbajnë pikëllimin dhe emocionin për humbjen e njeriut të tyre të zemrës. Qeveria i kërkon të gjithë personave apo dëshmitarëve të ngjarjes që të bashkëpunojnë dhe t\'i ofrojnë informacionin që kanë organeve shtetërore\".
Ndërkohë një konferencë e improvizuar shtypi e Sali Berishës u kumtua në \"Shijak TV\" në orën 23.58. Zëri i kryetarit të Partisë Demokratike dridhej. Ai foli vetëm tre minuta, ndërsa përballë kishte një auditor kryesisht me gra të veshura në zi. Vetëm pas mesnate Berisha mundi të japë një intervistë e gjatë, përsëri në \"Shijak TV\". Pak më parë Kryesia e Partisë Demokratike qe mbledhur, siç bëri të ditur, “për të nderuar figurën e liderit të shquar të lëvizjes së dhjetorit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari dhe vendosi: Të mbahet tre ditë zi kombëtare, duke filluar nga dita e dielë, më 13 shtator. Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike dhe ato të pushtetit lokal demokrat të ngrihen flamujt gjysmështizë...”
Tashmë mesnata kapërceu cakun e vet dhe në një një konferencë të dytë shtypi kryetari i Partisë Demokratike, i cili nga mediatikbërësit iu paraqit publikut me titullin shkencor “Prof. Dr.”, një pyetjeje nga gazetarët për shkaqet pse pati ngjarë kjo vrasje e një politikani që e deshte shumë Kosovën dhe se pas kësaj që ndodhi ajo ndihej e tradhëtuar, iu përgjigj: Azem Hajdari është zëri i nacionalizmit shqiptar”.
Sipas Berishës, ai “qe në një farë mënyre zëdhënësi më i fuqishëm, më i hapur i interesave kombëtare. Ishte një njeri me kurajo të jashtzakonshme, i vetëdijshëm se do të vritej\".
Më konkretisht ish-Presidenti pati thënë: “Azem Hajdarin e vrau shteti me falangat e tij, emrat janë të njohur. Ai qëndroi gjer në minutën e fundit dhe ne duhet të qëndrojmë gjer në minutën e fundit. Ne jemi një vend që meritojmë lirinë, ne jemi një popull që meritojmë të ardhmen. Vrasja e Azem Hajdarit është vrasja me makabër e Fatos Nanos dhe i atyre që iu shërben Fatos Nano. Ai ishte në një farë mënyre zëdhënësi më i fuqishëm i interesave kombëtare. Kishte një kurajo të jashtzakonshme. Edhe një herë do t\'u kujtoja fjalën e tij në spitalin ushtarak, kur u plagos. \"Unë e kam për nder të vdes për demokracinë\". Ai e tha për mua, por nuk ishte fjala për mua, sepse nuk kishte pse të vdiste për mua. Ai më tha se të jesh i sigurtë se \"unë vdes i lumtur dhe vdes i qetë kur vdes për ty\"...Azem Hajdarin e vrau Fatos Nano...\".
Pa shkuar ora një e natës e fillimit të së dielës, 13 shtator 1998, Sali Berisha kishte konfiguruar motivet përse qe vrarë deputeti i njohur i Partisë Demokratike. Sipas skemës së tij tashmë në veprim që prej fillimit të valës së protestave nga paraditja e 23 gushti, kur në mesnatë ndodhi arrestimi i gjashtë ish-funksionarëve shtetërorë të PD-së, urdhërdhënësi i vrasjes së Azem Hajdarit ishte kryeministri Fatos Nano.
Po ashtu arsyeja përse qe sepse ky mbronte çështjen e çlirimit të Kosovës.
Me pak fjalë krimi vinte edhe prej Beogradit.
Ikështu ishte e ndërtuar një akuzë perfekte, e vendosur bindshëm në kohë, menjëherë pasi në Lisbonë Nano pati deklaruar gjysmëfrazën rëndonjëse për çdo ndërgjegje nacionalisti shqiptar se kryeqyteti i Kosovës do të ishte jetë e mot Beogradi.
Në gjendje të trazuar shpirtërore në atë pasmesnatë të 12 shtatorit që po hynte në ditën e trembëdhjetë të atij shtatori, kur sipas rregullit normal, me që ishte e diel, ne punonjësit e ambasadës mund të mos shkonim në punë ose të paktën jo që pagdhirë, më vërtitej në kokë fjala mitralim, të cilin e kishte përdorur rreth orës 2.00 të natës edhe një televizion periferik italian i krahinës së Puljes.
Sipas këtij njoftimi, i cili u përsërit edhe nga ndonjë gazetë e rëndësishme nacionale, Azem Hajdari qe vrarë jo me disa të shtëna të veçuara, por duke u mitraluar.
Qe shumë e rëndë, në rast se ishte kështu.
Ashtu edhe rezultoi. Të nesërmen afër mesditës buletini informativ që erdhi me faks nga Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë, bënte të ditur se Azem Hajdari ishte goditur me 14 plumba. Ato i kishin përfshirë tërë pjesët më jetike të trupit: zemrën, kraharorin, barkun, gjymtyrët. Po ashtu truproja e tij Besim Çera pati pasur dy plumba në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Nga aktekspertiza rezultonte gjithashtu se Zenel Neza, truproja e dytë, kishte pasur katër plagosje në krahun e djathtë dhe thyerje të kockës së tij.
Të gjitha të shtënat qenë dhënë nga mjaft afër, e shumta 50 cm. Në të tre trupat njerëzorë patën hyrë njëzetë predha plumbi.
Pothuaj masakër.
Tepër larg nga territori i ngjarjes, ndërsa gazetat në letër prej Tiranës vinin përherë, me rrugë poste ajrore 5-6 ditë më vonë nga botimi, duke pasur në mundësi vetëm median italiane, më duhej të verifikoja sa të vërtetë dhe sa manipulim propagandistik e politik kishte skema: vrasje për mosçlirim të Kosovës, vrasës Fatos Nano, dorë e shtyrë nga Beogradi.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 21 gusht 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|