|
AZEM HAJDARI, VRASJA E GABUAR
Pjesa e parë
(Botuar në “Illyria” në 15 gusht 2019)
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i tridhjetë e dy i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
Në 11 shtator agjencia italiane e lajmeve Adnkronos për skandalin epshor të presidentit amerikan publikoi njëri pas tjetrit, si të qe një përrua i fryrë nga ujrat e një shiu të rrebeshtë, plot 31 lajme. Njëmbëdhjetë shtatori 1998 ishte pothuaj i tëri dita e seksit e Bill Klintonit, edhe pse ai sapo u kishte kërkuar ndjesë amerikanëve dhe familjes së tij në një drekë-lutjeje me 125 udhëheqës fetarë të ftuar në Shtëpinë e Bardhë.
Të nesërmen, më 12 shtator, kur Adnokronos do të përhapte edhe 29 lajme të tjera për skandalin e presidentit Klinton, “Zëri i Popullit” në faqen e parë do të botonte titullin e shkrimit “Programi i investimeve publike 1998-2001\".
Në faqen e tretë kjo e përditshme e partisë qeveritare do të shënonte se \"Sipas të gjitha informacioneve nga Ministria e Rendit Publik dhe SHIK, PD po përpiqet të shfrytëzojë momentin duke ndërtuar të njëjtën strategji, duke përpunuar të njëjtët skenarë si në periudhat shtator-tetor 1997 dhe janar-shkurt 1998”.
Më tej shtonte se “Strategjia e PD mund të përmblidhet: Nxitja dhe më pas krijimi i konfliktit në zona të caktuara të vendit midis grupeve të caktuara njerëzish dhe institucioneve shtetërore për të realizuar më pas reaksionin zinxhir të tensionimit të situatës me qëllim realizimin e destabilitetit politik në të gjithë vendin (ose në një pjesë të madhe të tij) që do t\'i hapnin rrugën zgjedhjeve të reja”.
Në vijim, nën titullin “Aktivitetet, aktet dhe deklaratat antiligjore të PD-së” gazeta rreshtonte këto: “Gjatë mitingjeve lideri i PD Sali Berisha ka përdorur shprehjet: \"Tirani në litar\", \"Vdekje tiranëve\", \"Vdekje vrasësve, kontrabandistëve, bllokmenëve\", \"Liri a vdekje deri në fitore\", \"Fatos, do t\'ju bëjmë pluhur\", \"Nano, do të rezervojmë fatin e Çausheskut\".
“Zëri i Popullit” vinte në dukje se edhe “Lideri i PD-së Azem Hajdari kishte thënë: \"O sot o kurrë!\", \"Rrëmbeni armët!\"
E përditshmja e Partisë Socialiste theksonte se “Deri më sot PD ka zhvilluar disa manifestime të paligjshme në Tiranë. Premisat janë për të tjera mitingje të këtij lloji. Parrullat e përdorura: \"Do të lirojmë të gjithë të burgosurit e neodiktaturës brenda gjashtë ditëve gjallë a vdekur\", \"Ja vdekje ja liri\", \"O burra rrëmbeni armët\", \"Vdekje komunizmit\",
“ZP” nuk harronte të sillte në kujtesë të lexuesve të saj se gjatë protestave të opozitës ishte kryer edhe djegia e një kutie-arkivol me fotografinë e kryeministrit Fatos Nano.
Faqja e tretë e “Zëri i Popullit” mëshonte fort edhe në një denoncim tjetër të saj publik: “Sipas informacioneve që kemi, deputetë të PD dhe liderë lokalë të saj janë përfshirë në veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore si më poshtë: Krijimi i organizatave të paligjshme (Ushtria për Çlirimin e Shqipërisë nga Komunistët), krijimi i forcave të armatosura, grumbullim armatimi dhe armatosja e njerëzve...
Më pas “ZP” rreshtonte më shumë se një dyzinë aktesh në të cilat opozita apo ndjekës të saj, kishin përdorur lëndë eksplozive.
\"Rilindja Demokratike\" në po këtë ditë të 12 shtatorit kishte dalë me në faqen e parë të saj me titujt “Sot, miting i madh në qytetin e Fierit\", \"Vazhdojnë protestat për rrëzimin e qeverisë Nano dhe lirimin e të burgosurve politikë\", \"SHBA i mbyll derën Nanos\", \"Vdekja politike e Nanos\", \"Lezha: \"Gjithë Shqipëria me Tiranën, ta shporrim, ta shporrim Fatos Nanon\", “Sulmohet me armë hidroçentrali i Fierzës\", \"Policia do të sulmojë selinë BSPSH-së\", \"Shteti i ka shpallur luftë të hapur Sindikatës më të madhe në vend\".
Pas të mësipërmëve vinte titulli \"Nano: Kosova nën Serbi\". Shihej qartë se çfarë pati deklaruar kryeministri shqiptar në EXPO të Lisbonës, nuk qe për të çështje e parë. Për këtë temë diçka më shumë interpretonte faqja e tretë e “RD”-së: “Nano: Kosova nën Serbi\", \"Deklaratë kundër Kosovës e kryeministrit shqiptar në Lisbonë\", \"Nano, zëdhënës i Millosheviçit\".
Këtë 12 shtator paradite në Shqipëri, në Fier, Azem Hajdari, i ardhur nga Tirana po atë mëngjes, pati deklaruar: “Kjo qeveri nuk e ka të gjatë...Nano dhe klika e tij janë sot qëniet më të urryera për shqiptarët, që në një vit sundimi të komunistëve shohin se u është rrëmbyer pasuria, mirëqënia, liria, qetësia dhe puna...\". Hajdari pati qenë shumë i zemëruar me deklaratën e kryeministrit Nano për fatin e Kosovës vetëm me Beogradin kryeqytet.
Në orën 18.00, në vijim të punës së përditshme për të fiksuar në video edicionet e lajmeve që kapeshin në apartamentin tim në Viale Eritrea (televizionin shqiptar TVSH, gjithë stacionet kryesore italiane, kanalin e dytë francez dhe Euronews), fillova regjistrimin. Ato çaste e quajta këtë veprim si një rutinë të dobishme dhe ndoshta për këtë arsye e ndërpreva. Më mirë do të ishte një regjistrim i edicioneve të të gjitha televizioneve në orën 20.00, veprim që e kryeja çdo ditë. Qenë emisionet më të sakta dhe kronikat më të plota.
As mund ta dija se pikërisht në orët e mëtejshme të natës do të ndodhte ngjarja e rëndë e vrasjes së deputetit Hajdari. Si të gjitha videoregjistrimet edhe këtë të orës 20.00 të 12 shtatorit 1998 e ruaj në arkivin tim personal. Tek e rishoh me emocionon. RAIUNo dhe TG5 njoftonin shirat e mëdha që binin mbi Itali, duke vështirësuar edhe një garë makinash shpejtësie, ndërsa TVSH në krye të pasqyrës, njëri pas tjetrit, pati montuar rubrikën “Nano kthehet nga Lisbona” dhe “Nga ngjarjet në Kosovë”.
Kryeministri shqiptar sapo kishte ardhur nga Portugalia dhe telekronika e gazetarit Bujar Muharremi fillimisht paraqiti pamjet e zbritjes së tij nga avioni dhe më vonë mjedise pranë zyrës kryeministrore, ky numri një i qeverisë kishte dhënë një konferencë shtypi. Kronika ishte e gjatë dhe përveç fjalëve shpjeguese të gazetarit vetë Fatos Nano me zërin e tij theksoi se populli shteti shqiptar kanë forcat e njerëzit e duhur për t’i mbrojtur bashkëkombësit nga dhuna e makinës serbe e luftës. Në këtë kuptim, theksoi ai qeveria shqiptare nuk mund të sillet si një shoqatë patriotike, por është një partner zyrtar i shtetit dhe për këtë qëllim duhet të realizojë mirëkuptim dhe harmonizim me faktorët ndërkombëtar.
Pastaj ai paraqiti paketën e tij të zgjidhjes së krizës së Kosovës: Më së pari të ndërpritej dhuna serbe ndaj popullit të Kosovës dhe pas kësaj të vijonte një proces tranzicioni 3-5 vjeçar për demokratizimin e Sërbisë. Ndërsa kjo të kryhej fati i i statusit të Kosovës do të zgjidhej më mirë dhe si cilësi të kësaj gjendjeje ai nënvizoi pavarësimin e pushtetit vendor.
Kjo e fundit ishte një frazë e dyfishtë, e cila linte të nënkuptonte më fort formulën e një republike brenda Jugosllavisë se sa mëvetësimin.
Me këtë rast Nano vuri në dukje si piketa orientuese qenë propozimet e Grupit të Kontaktit dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në atë edicion lajmesh të TVSH-së u njoftua edhe për një vizitë atë ditë të 12 shtatorit të presidentit të Republikës Rexhep Mejdani në Athinë, ku qe takuar me kryeministrin Simitis dhe atij i kishte theksuar se në Kosovë duhej menjëherë të ndërpritej dhuna serbe dhe pastaj të vendoseshin trupa ndërkombëtare.
E kishte ndjekur Azem Hajdari këtë kronikë televizive, ndërsa dihej se qe kthyer me të shpejtë nga Fieri i detyruar nga disa telefonata dhe se deri në 20.05 për një orë kishte qenë me bashkëshorten e tij dhe fëmijët jashtë shtëpisë dhe godinës së Partisë Demokratike, ku kishte zyrën. Me siguri ai qe i vendosur në deklaratën e tij të disa orëve më parë për Fatos Nanon si tradhëtues të çështjes së Kosovës.
Ishte ora rreth dhjetës së mbrëmjes kur i ra zilja telefonit celular konsullit Drini Bello, i cili qe punonjës i shërbimit të fshehtë shqiptar. Thirrja ishte nga Tirana. Qe shefi i tij. Nuk kishte zë të qetë. I tha menjëherë se “Rreth orës 21.15, është vrarë Azem Hajdari”. Pastaj shtoi: “Po më dëgjon?”
Bello iu përgjigj: “Të dëgjoj”, por zërin që nxorri e kish aq shumë të dobët sa nuk u ndje i sigurt se shefi në Tiranë ja kish dalë ta dëgjonte. Pas kësaj pjesa tjetër e bisedës nuk qe veç fjalë të mpira: ku, si ndodhi, kush mund ta ketë vrarë.
Gjithçka rrodhi brenda një minute. Shefi i theksoi fjalët se pas kësaj që ndodhi kishin porosi të vinin në dijeni njerëzit e tyre dhe me këtë rast të mos linin t\'u shpëtonte ndonjë informacion rreth vrasësve të mundshëm. Sidomos po të dinin që ata kishin kaluar kufirin shtetëror.
Më në fund njeriu nga Tirana e mbylli telefonatën pa thënë natën e mirë. Tjetri ia kishte ngjitur alarmin dhe bashkë me të edhe pagjumësinë. Për Bellon tashmë nuk kishte më as natë dhe as ditë. Vrasja qe e madhe dhe nuk do të kalonte dot pa shkaktuar pasoja. Në mos ishte projektuar enkas për këtë mision. Kur njëri nga kolegët e një shërbimi të huaj i kishte thënë se në shtator do të keni një trazirë as që i kishte shkuar mendja se ajo do të kishte si shkëndijë vrasjen e një politikani të dëgjuar të opozitës.
Drini Bello si në një aparat kinematografik shfaqjesh nisi të kthejë mbrapsht regjistrimet e bëra në punën e tij për acarimin e ndeshjes politike në Tiranë. Ishin disa e jo një ato fjalënaja për Shtatorin e Zi Shqiptar, siç edhe formulohej në ngjashmëri të kobshme me emër njëjta të tjera nëpër botë, por në të gjitha rastet kur kolegë të tij të shteteve të Perëndimit në Romë, ia sillnin bisedën në këtë çështje, nuk dilte fare e qartë nëse kishin burime të provuara apo pseudolajme të stisura nga media dhe qarqe të njohura të huaja jo dashamirëse ndaj qeverisë socialiste në Tiranë dhe vetë Shqipërisë.
Atij iu kujtua se një agjent i kamufluar si diplomat nuk i pati thënë më të zakonshmen hamendje në kësi rastesh: atë që në shkaktimin e atij shtatori ndjellakeq qenë apo mund të ishin njerëzit e Sllobodan Millosheviçit, më të interesuarit gjeostrategjikisht për të paralizuar protestën e Kosovës dhe luftën e saj për t’u shkëputur nga Serbia dhe Jugosllavia e mbetur.
Kolegu i pati thënë se trazues mbase qenë turqit. Sipas tij, Ankaraja zyrtare, ndryshe nga Greqia që e shihte me sy të mirë një kryeministër të krishterë ortodoks në Tiranë, pikërisht këtë gjë nuk e dëshironte aspak dhe kërkonte ta zëvëndësonte me një mysliman.
Bello ishte çuditur nga kjo hipotezë, mbetur i pagojë.
Ndërkaq iu kujtua edhe një bisedë me një koleg të tij shqiptar të ardhur në Romë për pak ditë. Ky mes të tjerash i pati folur për një njësi të armatosur kosovarësh, dyqind apo dyqind e pesëdhjetë vetë, të rrinin të grumbulluar në një pikë afër Fierzës apo Vaut të Dejës. Ata stërviteshin nga oficerë që dukej sikur qenë të caktuar nga bashkëpunëtorë të afërt të Ibrahim Rugovës apo Bujar Bukoshit, por kjo, sipas biseduesit, qe thjesht një koperturë. Rugova nuk kishte lidhje fare me këtë njësi. Drejtuesit e këtij grupi ushtarak qenë të caktuar nga Sali Berisha apo rrethi i tij, në një përpjekje për të pasur aktiv një krah të armatosur për qëllimet politike në rivalitetin e brendshëm në Shqipëri.
Siç i tha kolegu nga Tirana, në këtë rast po përdorej si justifikim dhe mbulesë lufta e popullit kosovar për vetëçlirim.
“Nuk e kuptoj”, i kishte thënë kolegu përse Fatos Nano nuk ndërhyn në shpërndarjen e kësaj njësie, e cila ka dëshmuar se pëlqen të ndikojë në qytetin e Shkodrës dhe se për të mbërritur në Tiranë ka mjete motorike të mjaftueshme për të shkuar brenda 4-5 orësh.
Autori i këtyre rradhëve as tani nuk e di nëse konsulli Drini Bello për shkak të detyrës së tij të dyfishtë dhe domosdoshmërisë se Shërbimit në Tiranë duhej të qe vigjilent mos vrasësit e Azem Hajdarit kishin kapërcyer kufirin, ishte i pari apo i dyti në personelin e Ambasadës Shqiptare në Romë që mori lajmin tronditës. Nga çfarë doli të nesërmen në mëngjes për ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e vonë nuk kishte dijeni as i Ngarkuari me Punë, Shpëtim Çuçka. Ai, për t’i kursyer shtetit dietat, ato tre muaj të qëndrimit në kryeqytetin italian fjeti tek e motra. Atij nuk i pati telefonuar kurrkush nga Tirana, sigurisht edhe asnjë tjetër nga personeli ynë në Ambasadë. Edhe ne që e morëm vesh vrasjen e deputetit Hajdari e lamë këtë çështje për të nesërmen.
Atë mbrëmje të thellë të 12 shtatorit fillimisht njoftoi teleteksti i RAI-t. Ora duhej të qe afër dhjetës. Titulli i lajmit ishte: \"Vritet në Tiranë bashkëpunëtori i ish-presidentit Sali Berisha\". Më pas thuhej se “Në një pritë është vrarë deputeti i PD Azem Hajdari. Ai ka qënë bashkëpunëtor i ish-presidentit Sali Berisha. Ka qënë në krye të mitingjeve të opozitës kundër qeverisë Nano. Një vit më parë kundër tij bëri atentat një deputet i Partisë Socialiste. Koalicioni i qeverisë në pushtet ka vënë njëqind mijë dollarë shpërblim për atë që do të japë informacion rreth vrasjes”.
Në orën 23.00, në edicionin e rregullt të lajmeve, RAIUNO e trasmentoi ngjarjen edhe me figurë. Në mesnatë këtë gjë e bëri edhe RAIDUE.
Në të dy rastet Azem Hajdari u cilësua si krahu i djathtë i ish-presidentit Sali Berisha. Kështu media italiane la të kuptojë se ajo qe një vrasje e madhe.
“Corriere della Sera” e të nesërmes, 13 shtator, botonte në mes të faqes 11, në rubrikën informative \"Harta e Botës\" si lajm të tretë dhe të fundit: “Është vrarë në Tiranë zëvendësi i Berishës\". Teksti i plotë qe: \"Azem Hajdari, 38 vjeç. njeri i spikatur i Partisë Demokratike (PD) e krahu i djathtë i udhëheqësit të saj Sali Berisha, ish-president i republikës, sot shef i opozitës, u vra dje në mbremje në një atentat në Tiranë. Hajdari, i cili më 8 shtator të vitit të kaluar u plagos me armë zjarri në sallën e parlamentit nga një deputet socialist, u mitralua ndërsa po delte nga selia e partisë, afër sheshit Skënderbej, më i rëndësishmi i kryeqytetit. Bashkë me të vdiq edhe një nga dy truprojet që nuk ndaheshin. Tjetri është në fund të jetës në spital. Vrasësit, të mbërritur para selisë së partisë me një autoveturë, pas kryerjes së krimit kanë lënë në vend dy mitroloza kallashnikovë dhe janë larguar të pashqetësuar\".
“La Stampa\" e botonte lajmin sipas variantit të përhapur nga ANSA, Agjencia Shtetërore Italiane e Lajmeve. E pati vendosur në krye të faqes 8: \"Krahu i djathtë i Berishës i vrarë në rrugë në Tiranë\". Mbititulli qe \"Azem Hajdari, i plagosur një vit më parë\". Nëntitulli: \"Një turmë në revoltë kërkon armë në selinë e Partisë Demokratike\". Shkrimi fillonte me fjalët \"Shqipëria po fillon të dridhet. Mbrëmë, ndërsa në Tiranë binte një shi i rëndë, është vrarë në një atentat deputeti Azem Hajdari, 36 vjeç, njeri i spikatur i Partisë Demokratike (PD) e krah i djathtë i udhëheqësit të saj Sali Berisha, ish-president i republikës, sot shef i opozitës. Hajdari, i cili ekzaktësisht një vit më parë (8 shtator) u plagos me armë zjarri në sallën e parlamentit nga një deputet socialist, u mitralua ndërsa po delte nga selia e Partisë Demokratike, e cila ndodhet afër sheshit Skenderbej, më i rëndësishmi i vendit\". Më pas në tekst thuhej se vrasësit kishin qënë në një autoveturë dhe u larguan nga vendi i ngjarjes të qetë e të patrazuar. Ata lanë në vendin e ngjarjes dy automatikë kallashnikov. Hajdari vdiq ndërsa po transportohej në spital. Artikulli vijonte me fjalët se \"e gjithë Shqipëria u trondit nga lajmi dhe që në pak minuta u fut në shtëpitë e tyre nëpërmjet radios dhe televizionit. Një krim të cilën PD menjëherë e ka cilësuar \"politik\" duke akuzuar si përgjegjës drejt për së drejti kryeministrin Fatos Nano, kundër të cilit mijra herë në këto muajt e fundit patën luftuar me fjalë dhe partia e tij. Dhjetra njerëz janë mbledhur përpara selisë së Partisë Demokratike, duke thirrur në mënyrë kërcënuese: \"Na jepni armë\". Krimi rrezikon të shndërrohet në një tërmet në jetën politike tashmë të nxehur të jetës politike në Shqipëri. Sali Berisha ka akuzuar një polic si përgjegjës të këtij ekzekutimi dhe e ka lidhur ngjarjen me kryeministrin Fatos Nano, i cili të premten në mëngjez ishte kthyer nga një vizitë në Portugali. Berisha ka shtuar se vrasësit kanë ikur me një veturë me targën e Vlorës, duke përzjerë kështu drejt për së drejti qytetin e jugut, i cili ishte teatër, vitin e shkuar, i një revolte të armatosur dhe që gjithnjë është cilësuar kështjella elektorale e kryeministrit shqiptar. Ministria e Brendshme ka thirrur një mbledhje, ndërsa qeveria, me një komunikatë të shpërndarë në Tiranë, e ka cilësuar atentatin \"një akt të rëndë kriminal\" dhe i ka bërë thirrje popullit që të bashkëpunojë për të kapur përgjegjësit. Hajdari ishte deri dje organizator i manifestimeve të Partisë Demokratike në sheshe për të protestuar kundër arrestimit të gjashtë eksponentëve të po kësaj partie të përfunduar në burg në mes të muajit gusht me akuzën se kanë kryer krime të rënda në shtypjen e kryengritjes një vit më parë. Majin e kaluar Hajdari i shpëtoi një atentati në qytetin verior të Tropojës, prej nga ku ai ka origjinën\".
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 14 gusht 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|