Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

PRILL 1944, DIPLOMATI SPECIAL DHIMITĖR BERATI I SHKRUAN MINISTRIT TĖ JASHTĖM BAHRI OMARI: QEVERIA JONĖ E KA HARRUAR KOSOVĖN
PĖRFUNDIMI I KRIZĖS SĖ ARMATOSUR TĖ SHTATORIT 1998: DORĖHIQET FATOS NANO
NĖ RRUGĖN KU ISHTE THEMELUAR PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE PLUMBA MBI MINISTRIN KOSOVAR AHMET KRASNIQI
NĖ TIRANĖ NUK BIE QETĖSI: NĖ 21 SHTATOR 1998 DINAMIT NĖ BANESĖN E POLITIKANIT MINORITAR GREK VASIL MELO
“KOKĖKRISJE”: SULMOJ MEDIAN ITALIANE PĖR SHTRĖMBĖRIME TĖ IMAZHIT TĖ SHQIPĖRISĖ DHE JA DAL
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

FILLIM SHTATOR 1998, NË SHBA SKANDALI EPSHOR I BILL KLINTONIT, NË LISBONË FATOS NANO THOTË SE KOSOVA KA KRYEQYTET BEOGRADIN


(Botuar në “Illyria” në 9 gusht 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i tridhjetë e një i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Nuk ju thamë herës së shkuar që në pasditen e 9 shtatorit, në orën 14.00 filloi në televizionin shumëkanalësh Mediaset seria e rradhës e filmit amerikan për fëmijë “Simpson”, i vlerësuar nga psikologë të SHBA si mjaft pedagogjik dh e posaçërisht kulturëdhënës.
Këshillohej që për mesazhet e tij ai të ndiqej vëmëndshëm.
Subjekti i kësaj serie të Simpsonit autorit të këtyre rradhëve, cili nuk kish pasur mundësi ta ndiqte rregullisht, qe aspak dashamirës për shqiptarët.
Nuk ishte hera e parë që kinematografia amerikane, ndryshe nga çfarë kishte përparësi në objektivat e veta shtetërore SHBA (dhe këto çaste ishte e angazhuar në shprehjen e miqësisë së fortë me shqiptarët në të gjitha trojet e tyre ballkanase), bënte gjeste të kundërta.
Subjekti i asaj serie të ciklit edukativ të Simpsonit ishte ky: Një ditë fëmijët e shkollave në një qytet vendosën të bënin shkëmbim kulturor me bashkëmoshatarë të tyre nga vende të tjera të botës. Në përgjigje baba Simpsonit i erdhi një djalë nga Shqipëria.
Djalin e vet, edhe ky i quajtur Simpson, për shkëmbim kulturor e dërgoi në Francë. Por në këtë vend djalin e trajtonin keq. E kishte marrë një fshatar francez, i cili e kishte vënë të punonte. Prodhonte verë por duke i hedhur alkool metilik që ta shtonte.
Ndërkohë shqiptari me Simpsonin baba interesohej të mësonte, sillej shumë mirë, shkoi në uzinën bërthamore, ku ai punonte dhe bënte parreshtur fotografi. Baba Simpsonit kjo gjë i pëlqente, i dukej si fëmijë kurioz e që kishte dëshirë të kuptonte çdo gjë të re.
Në darkë shqiptari i vogël e kishte zakon të hipte në një pemë të oborrit të madh, ku ndodhej një shtëpizë, dhe që andej të lëshonte me radio disa mesazhe të fshehta.
Pas disa ditësh erdhi një skuadër policësh dhe i tha Simpsonit se dikush nga ajo lagje dërgonte mesazhe të koduara për një shtet të huaj. Gërma e parë e këtij shteti, thanë policët, fillon me A. Por ndërkohë baba Simpsoni e dinte se fëmija kishte zbritur nga një avion që niste me A: \"Albanian Airlines\".
Pikërisht në këtë kohë të bisedës djali nxorri kokën nga ajo shtëpia lart në pemë. Simpsoni e pa dhe e thirri. Fëmija zbriti dhe policët e pyetën se kush ishte. Ky u mëdysh, por baba Simpsoni, i sigurtë se po e ndihmonte, tha atë që dinte: \"Është një djalë nga Shqipëria\".
Atëhere policët menjëherë thirrën \"ai është, ai është\" dhe e kapën.
Ndërkohë djali i tij, Simpsoni i vogël, me ndihmën e policisë franceze bëri që fshatarët falsifikues e kontrabandistë të verës, të arrestoheshin.
Dhe u nis i gëzuar drejt Amerikës, vendit të tij. Doemos jo shqiptari, por pikërisht ai qe modeli edukativ që sipas filmit duhej ndjekur. I ardhuri nga Shqipëria ishte një spiun dhe nuk duhej as inkurajuar dhe as ndihmuar.
Sigurisht edhe kur bëhej fjalë për refugjatë nga Kosova.
Njeriu në çdo çast mund të bëhet paranojak dhe i tillë u shndërrova edhe unë atë pasdite të 9 shtatorit 1998, tek kapa në ekran jo një lajm, por një krijimtari artistike, i cili ngjante si të ishte vendosur qëllimisht kundër nesh. Ndoshta gjithçka qe një rastësi, pjesë në Perëndim e kulturës në lirisë, megjithatë efekti ishte si i një diversioni të qëllimtë.
Nuk mund ta dija çfarë ndodhte as edhe në SHBA, sepse duhej të jetoje atje për t’i diktuar e kuptuar zhvillimet, por kishte ditë që nuk më hiqej nga mendja një hov mediatik për çështjen e Seks Gejtit (SexGate), skandalit epshor të presidentit amerikan me stazhieren e re në administratën e Shtëpisë së Bardhë, Monika Levinski (Monica Lewinsky).
Pothuaj tërë dhjetëditësishi i parë i shtatorit 1998, ndërsa Sllobodan Millosheviçi dhe shteti jugosllavo-serb qe në revansh ngadhënjimi mbi çështjen shqiptare të mëvetësimit të Kosovës, në kronikën e ngjarjeve ndërkombëtare të ngulitej në qerpik të syrit tema e skandalit të raporteve të fshehta seksuale të Bill Klintonit, personit kryesor që shtynte përpara qëndrimin e fortë të ndëshkimit ndaj Beogradit zyrtar dhe me këtë rast shpresën kryesore se Kosova më në fund do të çlirohej.
Në 9 shtator mediat italiane, veçanërisht agjencia e lajmeve Adnkronos, shënonin se raporti për SexGate ishte përfunduar dhe përmbante plot 300 faqe me fakte, episode konkrete dhe akuza ndaj presidentit amerikan. Një sondazh i botuar nga “Time” thoshte se prej Dhomës së Deputetëve një pjesë e madhe qenë dakord për fillimin e një procesi shkarkimi të Bill Klintonit. Për Senatin ky hetim opinionesh parathoshte të kundërtën: dëshiruesit e shkarkimit (impeachment) ishin një pjesë e vogël. Partia e presidentit, ajo Demokratike, bënte rezistencë që njeriut të saj të mos i ndodhte as vetëdorëheqja dhe as dëbimi nga posti.
Pasditen e 9 shtatorit i Ngarkuari me Punë, Shpëtim Çuçka, thirri në zyrë diplomatin që në Ambasadë merrej me ekonominë dhe çështjet juridike, Leon Kostën. I kishte treguar bocetin e ftesës së bërë nga Konfindustria për vizitën në Itali të delegacionit shqiptar të prirë nga Fatos Nano. Ai bocet qe hartuar nga departamenti i marrëdhënieve ndërkombëtare i Konfindustrias Italiane, pra prej këshilltarit Masoni, me të cilin kolegu Kosta dhe unë kishin bashkëpunuar që në ide të kësaj veprimtarie.
Masoni e pati dërguar në Ambasadë projektin që të merrte edhe plotësimet e palës shqiptare dhe pas kësaj gjithçka të bëhej ekzekutive.
Shpëtim Çuçka e kishte hedhur firmën në parim në fund të bocës dhe porositi që menjëherë, pas disa plotësimeve për të cilat u dakordësua me Leon Kostën, ftesa t\'i ridërgohej nëpërmjet faksit këshilltarit Masoni. Leoni e mori tekstin dhe në zyrën e tij nisi ta rifomulojë në kompjuter. Një çast ia nguli vështrimin stemës së Konfindustrisë Italiane, kaq herë të parë prej tij, por që ato momente po i bënte shumë përshtypje. Kapitalistët e këtij vendi kishin simbol një shqiponjë, veç me një kokë.
Pastaj nisi të shkruajë në kompjuter këtë tekst: “E martë, 15 shtator”.
Papritur u mpi. Asnjëherë fjala \"e martë\" nuk e kishte tronditur kaq sa kësaj here. Leon Kosta nuk i paragjykonte ditët e javës, sepse të gjitha ato pa përjashtim i kishin sjellë njëlloj gëzime të mëdha dhe hidhërime shtypëse. Por togu i fjalëve \"e martë, 15 shtator\" i futi dridhmat.
Vetëtimthi iu kujtua vezullimi i papritur i syve të Masonit kur ai dhe unë e takuam për herë të parë dhe ishim duke pirë një kafe në hollin e madh të katit të parë të ndërtesës në xham dhe duralumin të Konfindustrias. Atëhere Masonit i kishte shpëtuar një frazë e mjegullt e dyshuese në se vërtet do të realizohej vizita e kryeministrit shqiptar në Romë. La të kuptohej se nuk qe fort i bindur.
Kosta u përpoq të shtynte përtej perceptimit të tij një ankth që tashmë në atë 9 shtator po i përhapej nëpër trup, po i shkonte deri tek gjymtyrët e duarve. Gjithsesi vazhdoi të shkruante: “Seminar \"Ekonomia shqiptare: mundësi bashkëpunimi për ndërmarrjet italiane\", Romë, 15 shtator 1998, ora 15.00, Sala Giunta\".
Mbajti një çast frymën dhe sërish mëshoi tastet e gërmave të kompjuterit: \"Ora 15.00-Mirëseardhje nga Këshilltari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare...Ora 15.10-Fjala e ministrit shqiptar për Ekonominë dhe Privatizimin, Fjala e ministres për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tregtinë me Jashtë, Fjala e ministrit italian për Tregtinë me Jashtë...\".
Leon Kosta rimbajti frymën, por iu duk sikur nuk qe ai fajtor për këtë, sepse ishte ajri që nuk po ia mbushte dot krahërorin. “Djalli fshihet në detaje” thoshte një fjalë e urtë që diplomatët e përdorin shumë dhe ai e pikasi.
Në bocën e mëparshme, të parën, të 4 shtatorit 1998, ishte shkruar se në seminar do të fliste edhe Fatos Nano. Tashmë në bocën e re, të 8 shtatorit, fjala e tij ishte shmangur. Shpjegimi që këshilltari Masoni, shefi i marrëdhënieve me jashtë të Konfindustrias u dha, ishte pak a shumë: kryeministri shqiptar nuk do të takohej dot me presidentin e Konfindustrisë, për shkak se ky në 15 shtator do të ndodhej jashtë Romës.
Pra, ndryshe nga Panairi i Barit, ku qe parashikuar që Nano të fliste, në Romë kjo nuk do të ndodhte, sepse edhe vetë shefi i Konfindustrias nuk do të mbante dot fjalë, kjo për shkak të mungesës fizike të tij. Kështu, për barazi dhe partneritet, i pari digjte të dytin.
Gjithsesi Leon Kosta pati shpresuar se do të ndodhte mrekullia dhe shefi i shoqatës së sipërmarrësve italianë do të anullonte ikjen nga Roma në 15 shtator. Por tashmë, pas bocës së porsardhur, të dytës dhe përfundimtares, rikonfirmohej detaji brengosës i projektit të mëparshëm.
Diplomati Kosta nuk e dinte se ndërkohë në zyrën e tij I Ngarkuari me Punë Shpëtim Çuçka, në Ministrinë e Jashtme në Tiranë me përvojë postesh të rëndësishme koordinuese dhe së fundi jashtë vendit ambasador i Republikës së Shqipërisë në Rusi, po hartonte një raport të shkurtër për ministrin e Punëve të Jashtme Paskal Milo. Thelbi i asaj që kërkonte t’i trasmentonte shefit të tij ishte: në prag të vizitës së delegacionit shumë të rëndësishëm nga Tirana si pasojë e ngjarjeve politike që po zhvilloheshin në Shqipëri imazhi i vendit dhe jo pak edhe ai i kryministrit, kishin filluar të dëmtoheshin rëndë, gjë që mund të ndikonte në rezultatet e vizitës.
Në orën 19.00 të asaj dite “djalli që fshihet në detaje” bëri një shfaqje tjetër të tij. Isha në zyrë dhe e ndeza radion (një tranzistor personal shumë i ndjeshëm në kapjen e valëve, edhe atyre të mesme). Ishte orari i emisionit informativ në shqip i BBC-së. Kolegët ato çaste qenë mbledhur në sallën e katit të parë, ku kishte një televizor të lidhur me TVSH-në nëpërmjet një antene satelitore.
Në Lisbonë, siç u njoftua nga radioja e njohur britanike, qe zhvilluar “Dita e Shqipërisë”, një veprimtari pothuaj e paraleltë me atë që do të mbahej në Bari. Kjo ngjarje që dëshmonte interesim të ringjallur për vendin tonë, ishte kryer në EKSPO 98, seanca e përvitshme e ekspozitës ekonomike botërore të Portugalisë.
Dukej sikur pikërisht kjo ekspozitë qe kryelajmi për Shqipërinë, por doli se ishte një tjetër, mbuluar pas kësaj. Në “Ditën e Shqipërisë”, në konferencën e mbajtur për shtyp, kryeministri Fatos Nano, në përgjigje të një pyetjeje për zgjidhjen e krizës së Kosovës, qe përgjigjur pak a shumë: rrugëzgjidhja është pjesëmarrja e Kosovës në një federatë serbe demokratike.
Ai ishte shprehur kundër pavarësisë së saj!!
E pati argumentuar këtë pikëpamje të tij me idenë se ajo ishte e papajtueshme me kontradiktat ndëretnike në këtë territor të trazuar dhe jo të qëndrueshëm, siç qe Ballkani i mesëm dhe ai i sipërm.
Një formulim deri kaq edhe mund ta sugjestiononte bashkësinë ndërkombëtare të dëshiruar të mos kishte luftë, por kryeministri shqiptar kishte shkuar edhe më tej në tezën e vet. Sipas tij, Kosova duhej të kishte kryeqytet Beogradin. Kryeqendrës së Serbisë Fatos Nano i kishte rezervuar të drejtën e postit të ministrit të Jashtëm dhe atij të Brendshëm.
Nano në konferencën për shtyp pati bërë edhe arsyetime të tjera, por dukej se ato nuk kishin zënë ndonjë vend për të rënë në sy dhe zbutur deklaratën për mospavarësinë e Kosovës. Ai pati këmbëngulur se federata e demokratizuar serbe duhej të qeverisej nga një koalicion, se ajo kishte nevojë për funksionimin e një parlamenti me sensibilitete të ndryshme. Nano shprehu edhe besimin tek ndërhyrja e NATO-s për ta arritur një armëpushim dhe më pas të kishte një ruajtje të paqes.
Në atë edicion të Radio BBC u citua edhe një raport i OKB-së për zhvillimin, në të cilin Shqipëria, për të ardhurat për frymë, zinte vendin e 105 në botë.
Pa pritur përfundimin e emisionit, e mbylla radion. Isha i tronditur dhe i zemëruar. Më pas m’u ngjall një shpresë se kryeministri, me sa duket i gjendur në Tiranë në trysninë e luftës politike nga opozita, të cilës mund t’i vinin në ndihmë edhe pa i ftuar diversionistë të Millosheviçit, me manovrën e Lisbonës i kishte mpirë, paralizuar, bërë më pak agresivë.
Lojtar i batutave Fatos Nano mund të bënte shumë shpejt korigjimin e Lisbonës, ose të paktën saktësimin i tezës me formulim brutal se Kosova ende do të kishte kryeqytet Beogradin.
Dhe rasti për ta kryer këtë gjest vinte pas pak ditësh, në ekspozitën ekonomike botërore të Fiera del Levante në Bari. Kryeministri shqiptar e kishte këtë mundësi sepse në Romë dhe në Bari do të takohej me kryeministrin italian Romano Prodi, me presidentin e vendit Euxhenio Skalfaro, me dy kryetarët e dhomave të parlamentit Violante dhe Mançini, me kryetarët e partive kryesore duke filluar nga lideri i të majtëve Masimo D\'Alema dhe duke përfunduar me kryetarin e të djathtëve Xhankarlo Fini.
Do të bëhej edhe takimi i Fatos Nanos me Papën Vojtila.
Por ai 9 shtator qe ditë e mirëfilltë kur “djalli fshihet në detaje”.
Instiktivisht e rindeza radion. BBC po e vijonte programin e saj. Kësaj here një analist britanik po thoshte se ngjarjet e ndodhura në Shqipëri ndikonin më shumë në Kosovë dhe ato të ndodhura këtu, pra në Kosovë, influenconin shumë më pak në Shqipëri.
Britaniku thua e kishte këtë mesazh: Tirana po trazohej për llogari të fatit të Prishtinës?
Sidoqoftë një gjë ishte e sigurt: nga Sllobodan Millosheviçi dhe mbështetësit e tij nëpër kontinentin evropian dhe atë aziatik, mes të tjerash, po kryhej jo vetëm shuarja përfundimisht e çështjes së çlirimit të Kosovës, por edhe po mbahej larg prej ndikimit italian Ballkani qendror dhe ai i veriut.
Kështu duheshin vëzhguar italianët, si kundërvepronin ata.
Një ditë më pare, më 8 shtator 1998, ndërsa Tirana zjente nga protestat e opozitës së drejtuar nga ish-presideti Sali Berisha, Komisari i Jashtëzakonshëm i Qeverisë Italiane për Rindërtimin e Shqipërisë, Franko Anxhoni (Franco Angioni) pati bërë të ditur në një konferencë shtypi në Pallatin Kixhi (selia e qeverisë) se në “vendin e shqiponjave” shumë shpejt do të vihej në funksionim një numër emergjence për të kontaktuar qytetarët me Forcat e Rendit, se policia qëndrore dhe ajo lokale do të stërviteshin për ta mbajtur situatën e qendrueshmërisë së brendshme nën kontroll, se Shqipëria do te kishte një klasë të re gjykatësish dhe për këtë në Romë pati nisur punën një kurs përgatitor special. Po ashtu nëpër shkolla, si ndihmë italiane, do të shpërndaheshin 1.200.000 libra mësimorë. Do të kishte për qytetet edhe një furnizim me autobuzë urbanë. E tërë kjo në përputhje me shifrën e ndihmës së shpallur dhe të miratuar nga pala italiane që në 3 gusht: plot 60 miliard lireta.
Sidoqoftë ai 9 shtator ishte ditë djajsh dhe nuk të linte të kishe shumë shpresë për përmirësim të shpejtë të gjendjes. Agjencia e lajmeve Adnkronos botonte dhe shpërndante përditë nga 8 deri 12 lajme për skandalin e seksit të presidentit amerikan Bill Klinton. Ajo shënonte se ky tashmë, që nga 5 gushti ku Monika Levinski ishte pyetur për gjashtë orë rresht prej Jurisë së Madhe dhe në 17 gusht po ashtu vetë Bill Klinton për plot katër orë, qe duke përjetuar 25 ditët e tij më të zeza.
Atë 9 shtator edhe pse klinton pati ftuar në Shtëpinë e Bardhë tërë liderët kryesorë të Partisë Demokratike për t’u justifikuar dhe pas kësaj kishte fluturuar për në Florida, në orën 3. 45 të pasdites prokurori i ngarkuar me hetimin e skandalit epshor të presidentit amerikan thirri ogerin e zyrës së tij dhe duke i dorëzuar 35 kutitë me raportin dhe çdo dokument tjetër akuzues ndaj Klintonit, e urdhëroi që menjëherë t’i dorëzonte në Kongres.
Në Capitol Hill dy furgonë blu me lëndën e shkruar mbërritën në orën 16.00.
Pas kësaj kush nëpër botë e kishte mendjen tek Kosova?

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 6 gusht 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com