|
EDHE KËSHILLTARI I JAKOMONIT E DO SHQIPËRINË
(Botuar në “Illyria” në 1 gusht 2019)
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i tridhjetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
Ishte e nënkuptueshme, por edhe tronditëse, që të mbushte me zemërim, që fillim shtatori i vitit 1998 në Tiranë po ndërlikohej në vend që, duke pasur ndërkohë një krizë të rëndë të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavinë e mbetur, me vullnet politik të dy partive të mëdha në rivalitet, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, nuk bënin të ndodhte e kundërta: zbutja e konfliktit politik.
Në të vërtetë Fatos Nano, i gjetur në grackë nga arrestimet që Prokuroria e Përgjithshme, pa dijeninë e tij, pati kryer nëpër mesnatën e 22-23 gushtit me burgosjen e gjashtë ish-funksionarëve të lartë të PD-së dhe të qeverisë së saj të dikurshme, po tentonte tërheqjen.
Por opozita prej kësaj merrte forcë, me sa duket sepse e konsideronte gjest frike. Azem Hajdari deklaroi: \"Fatos Nano ka mbaruar. Ai është njeri i krizës, faktori antishqiptar në vend. Tek Nano shqiptarët shohin imazhin e diktatorit. Demokratët shqiptarë nuk mund ta lenë Shqipërinë në dorën e një bande kriminelësh\".
Po këtë ditë në një konferencë shtypi Sali Berisha mëshoi fjalët: \"Opozita do të përdorte edhe forcën në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të qytetarëve\". Po ashtu tha; \"Në qoftë se proçeset gjyqësore i ngrijnë, mjetet paqësore kanë marrë fund dhe mbetet vetëm forca\".
I pyetur nga një gazetar se \"a nuk është antikushtetuese mbrojtja e kushtetutshmërisë me anë të forcës\" Berisha u përgjigj: \"Është e ligjshme në të gjitha rrethanat shoqërore, është vetëm kushtetuese, vetëm e ligjshme. Sa herë që preket kushtetutshmëria dhe rendi kushtetues, çdo qytetar ka të drejtën të vdesë në mbrojtje të tij, çdo forcë politike ka të drejtën të vdesë në mbrojtje të saj\".
Pyetjes tjetër se \"a ju tremb fatura e gjakut që do të paguanin shqiptarët në rast se ky qëndrim do të ishte konseguent\", Sali Berisha i ktheu fjalët: \"Mua nuk më tremb kurrë fatura e lirisë\".
Më 9 shtator masmedia shqiptare, edhe pse nuk dukej se i jepte ndonjë rëndësi të posaçme, bënte të ditur se kryeministri qe nisur për në vizitën tij të lajmëruar në Portugali. Në Lisbonë ai do të merrte pjesë në ditën e Shqipërisë, e cila do të organizohej në panairin ndërkombëtar EXPO\'98.
Një nga të përditshmet shqiptare me këtë rast shënonte se kryetari i qeverisë po ikte nga vendi \"duke lënë pas situatën politike më të vështirë për qeverisjen e PS, që prej kohësh kur Nano filloi të drejtojë qeverinë e koalicionit\".
Në 10 shtator “Zëri i Popullit” vendoste në titujt e lajmet e faqes së parë grumbullin e fjalëve: \"Rikthehen maskat dhe shpërthimet e eksplozivëve. Edhe ky është një realitet që nuk mund t\'i fshihet opinionit publik. Mbi 18 raste grabitjesh nga maskat e armatosura, 7 raste vrasjesh, plagosjesh apo sulme mbi forcat e rendit, mbi 22 raste përdorimi të lëndës eksplozive, nuk janë pak për të konkluduar se rendi vazhdon të ketë probleme...\".
Ndërkaq faqja e pare e “Rilindjes Demokratike” përgjigjej: “Sot, miting i madh i \"Bashkimi për Demokraci\" në sheshin \"Skënderbej\", \"Tirana në shesh: Nano nuk ke shpëtim!\", \"Opozita paralajmëron reagimin më të ashpër për të mbrojtur rendin kushtetues\", \"Hidhet në erë shtëpia e deputetit të Lushnjës...si edhe kinoteatri i qytetit, ku do të zhvillonte punimet aktivi i jashtëzakonshëm\". Më tej: \"Klani i Nanos kërkon shkarkimin e Tetës\", \"Ministri i Brendshëm nuk zbatoi urdhërin për të qëlluar mbi protestuesit\", \"Pritet zëvendësimi i tij me një \"dorë të fortë që të shtypë demokratët\", \"Bllokoni aeroportin\", \"Përgatitet arratisja e madhe e qeveritarëve\", \"Sulmohet me armë komisariati i Laçit\", \"Kurbin, mbi 30 minuta luftë mes uniformave blu dhe personave të panjohur\".
Afër mesditës së 9 shtatorit, kur ndërkohë Tiranës i qe nisur raporti ditor mbi reagimin e medias italiane për gjendjen e saj të brendshme, por edhe mbi Shqipërinë e Kosovën, një çast u ngrita nga tryeza dhe e hodha vështrimin matanë dritares. Ishte një përpjekje për t’u shplodhur, tepër e rrallë në ditët intensive të punës, por mbaj mend që atë 9 shtator e kreva me një lloj lehtësimi të brengës në shpirt.
Por sigurisht këtë veprim nuk do ta kisha mbajtur mend, sikur të mos ndodhte një episod tjetër, të cilin do ta rrëfej më pas.
Këto çaste të këtyre kujtimeve për 20-vjetorin e luftës së Kosovës dëshiroj t’i vë në dukje lexuesit se një diplomat shqiptar në ato vite, veçanërisht në periudhën 1996-1998, jetonte e punonte në vise të huaja pa gëzuar dot t’i vinte prej atdheut të vet një ngjarje që i jepte dinjitet. Ndodhte e kundërta dhe ai në më të shumtën e rasteve ndihej i vështruar me sy të shtrembër nga opinioni i huaj vendas, si të qe pjesë e jo vetëm një anomalie shtetërore, por edhe njerëzore.
Secili prej tyre, me sa di dhe për këtë kam biseduar me kolegë, përjetonte herë pas here ndjenjën e poshtërimit, edhe pse me siguri që të gjithë në punën e tyre në mënyrë të dukshme përpiqeshin të dëshmonin kryelartësi dhe bënin sikur asgjë problematike nuk pati ndodhur në Tiranë apo në qytetet e tjera të shtetit të tij.
Çuditërisht atë mesditë të 9 shtatorit 1998 isha në këtë gjendje të fundit: po bëja sikur asgjë anormale nuk kishte ndodhur në Shqipëri dhe se si “zotni” mund të shijoja pejsazhin.
Ambasada jonë në Via Asmara ishte buzë saj si edhe pak metra më tej kryqëzohej me Nomantanën, një nga rrugët më të mëdha e më të zhurrmshme të Romës. Doemos për t’u shplodhur sadopak më duhej që përtej pamjes së përhershme të lëvizjes së lumit të makinave, mbi afshin e asfaltit të asaj fund vere, vështrimin ta hidhja përtej, atje tek niste parku i Vilës Leopardi.
Kjo ishte një hapësirë e vogël, por e mbushur me gjelbërim, vetëm pesëmbëdhjetë metra më larg murit rrethues të Ambasadës.
Kisha vetëm dy apo tri minuta tek dritarja, kur ra telefoni. Për një çast m’u duk puna më raskapitëse e asaj dite ta ngrija atë receptor. Kur aparati e pulsoi edhe më dritën e kuqe të sinjalit të thirrjes, e kapa dorezën.
Matanë receptorit u dëgjua zëri i Ana Maria Çislagit (Anna Maria Cislaghi), mikes së njohur të Shqipërisë, e cila qe edhe shefja e sektorit të marrëdhënieve me Jashtë në Fiera del Levante (Panairin e Lindjes) në qytetin e Barit.
“Alooo!” ishte zëri i saj, paksa ndryshe nga rregulli i italianëve, të cilët bisedën në telefon e nisnin me fjalën \"pronto\".
Ana Maria Kësaj rradhe dukej se mezi po e përmbante veten për ta zbrazur e rrëfyer sa më shpejt atë që i kishte ndodhur. Pesëdhjetë vitet e saj nuk e kishin penguar kurrë që herë pas here të nxirrte në zë një ngazëllim rinor. Atë ditë e kishte telefonuar nga Roma një mik i vjetër, të cilin ajo e thërriste \"ministër\".
Ja shqiptoi emrin: Nikola Lo Ruso Atoma (Nicola Lo Russo Attoma).
Ky shumë vite më parë kishte qënë përfaqësues i Ministrisë Jashtme Italiane pranë këshillit administrativ të Fiera del Levante. Pastaj Ana Maria, pa e rënuar zërin e saj ngazëllimtar, nisi ta shpjegonte ngjarjen më hollësisht.
Ministri Lo Ruso Atoma qe me origjinë nga qyteti i Barit, por që i ri ishte zhvendosur në Romë dhe jetonte atje, ku karrierën e kishte nisur duke ja kushtuar veprimtarisë diplomatike. “Tashmë, shtoi Ana Maria, ai është në pension, madje ka mbushur plot 92 vjeç
Në fillim unë nuk e kuptova ku ishte e jashtëzakonshmja e asaj telefonate të njeriut nëntëdhjetë e dy vjeçar që banonte në Romë dhe ishte marrë me diplomaci. Por më në fund zëri i gëzuar në receptor sqaroi gjithçka: Nikola Lo Ruso Atoma kishte qënë ndihmës i governatorit Françesko Jakomoni, i njohur në fillim të viteve dyzetë si mëkembësi i Mbretit italian në Shqipëri. Madje ishte pikërisht ky nëpunës i lartë, Nikola, i cili i kishte siguruar një bursë studimi edhe piktorit të njohur shqiptar Ibrahim Kodra, në shtator 1998 prej një gjysëm shekulli banues në Milano.
Por të pazakonshmen e telefonatës Ana Maria e la për në fund: Nicola Lo Ruso Atoma e kishte marrë në telefon për të ditur se si po shkonin punët me aktivitetin \"Dita e Shqipërisë\". Lajmin e kishte lexuar nëpër gazeta dhe e dinte saktësisht edhe datën: 16 shtator 1998.
Pastaj Ana Maria shtoi edhe hollësinë e fundit: diplomati i vjetër, karriera e të cilit në Shqipëri lidhej me një kohë aspak të pëlqyer për shqiptarët, herë pas here e telefononte shefen e sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë të Fiera del Levante për ta pyetur se si shkonin punët e bashkëpunimit me Shqipërinë. Kembëngulës ai bëhej veçanërisht sa herë që Ana Maria kthehej nga ndonjë vizite pune në Tiranë. Atëherë nuk mjaftonte edhe një bisedë gjysmë orëshe në telefon. Lo Ruso Atoma donte t\'i dinte të gjitha: ndryshimet e rrugëve, fatin e shesheve të njohura, pallatet e reja që ishin ngritur, shirat dhe vapën e Tiranës.
Këshilltari i Françesko Jakomonit, Nënmbretit të Shqipërisë që nga viti 1939 e deri në 18 prill 1943, kur u zëvëndësua nga shumë i ashpri ndaj shqiptarëve, gjeneral Alberto Pariani, kishte një jetë mjaft interesante. Kur përfundoi lufta Jakomoni në 12 mars 1945 u burgos dhe u dënua prej gjykatës italiane që ndëshkoi funksionarët më të lartë të regjimit fashist. Nuk i kaloi në qeli 24 vitet e dënimit, por shumë shpejt u lirua, sepse bashkë me shumë të tjerë hierarkë musolinianë u amnistua.
Kaq dija ato çaste për shefin e Lo Ruso Atomës, sepse për këtë të fundit nuk pata dëgjuar deri ato çaste asnjë fjalë, qe dënuar apo jo. Një skedë të tij, sa për dijeni vetiake, do ta plotësoja në ditët e muajt e ardhshëm, sepse qe mjaft intrigruese si Nikola interesohej për gjendjen e Shqipërisë me dashamirësi të dukshme. Më pas do të mësoja se Lo Russo Atoma i donte me zemër tre vende: qytetin e lindjes, Barin, Shqipërinë dhe San Marinon, ku në vitet gjashtëdhjetë qe caktuar si ambasador i shtetit të tij. Këtu pati shprehur dëshirën e tij ta kishte varrin, çfarë iu plotësua, sepse pas asaj dite me telefonatën e Ana Marisë, ai nuk jetoi dot më gjatë se disa muaj.
Lo Ruso Atoma qe bir i një avokati të njohur në Bari, kishte gjashtë vëllezër të tjerë si edhe një motër. Në vitin 1926 bashkë me drejtorin e të përditshmes “Gazzetta di Puglia“, Rafaele Gorzhu (Raffaele Gorjux), themeluan në gjuhën shqipe “Gazeta Shqipetare”. Atëherë ajo qe vetëm një faqe dhe shtypej në Bari në të dy gjuhët.
Qe punonjës në përfaqësinë diplomatike italiane në Tiranë që para pushtimit dhe pas kësaj u emërua si shef i Shtypit të Shërbimit të Jashtëm Shqiptar, i cili institucion nga pushtuesit u nxorr jashtë rolit të vet, duke pothuaj likujduar.
Nikola Lo Ruso Atoma kishte bërë një botim. Bëhej fjalë për guidën historike dhe turistike “Montagne D’Albania”, me autor inxhinierin Piero Ghiglione. Ky libër u shtyp nga Instituti Gjeografik “De Agostini” në Itali dhe kishte në brendësi të tij edhe studimin në 118 faqe të ilustruara edhe me foto, të Lo Ruso Atoma-s. Ishte i titulluar “Rapsoditë e maleve shqiptare”.
Përveç në gjuhën italiane libri i mësipërm u publikua edhe në shqip.
Ndërkohë diplomati italian, me të cilin mëkëmbësi i mbretit Viktor Emanueli III, Françesko Jakomoni, herë pas here këshillohej, qe edhe anëtar i rëndësishëm i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, të drejtuar nga Ernest Koliqi dhe me sekretar Xhuzepe (Giuseppe) Valentinin. Antarë qenë Eqerem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Pater Anton Harapi, Karl Gurakuqi, Lasgush Poradeci, Namik Resuli, Pader Lazër Shantoja, Filip Fishta, Pader Justin Rrota, Ilo Qafëzezi, Anton Paluca, Xhevat Korça, Kolë Kamsi, Ekrem Vlora, Sotir Kolea, Vangjel Koca dhe Dhimitër Berati.
Pas lufte Nicola Lo Russo Atoma kishte vijuar shërbimin e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe spikati roli i tij si shef i delegacionit zyrtar të MPJ Italiane në Fiera Del Levante (Panairin e Lindjes). Me trup pothuaj mezatar dhe i veshur me shumë elegancë, i rrethuar nga sekretare të bukura, Nikola në seancën e përvitshme të Panairit priste me ceremoni dërgatat e huaja, saktësisht autoritetet politike apo diplomatike të vendeve të tjera që vinin në Bari për të shoqëruar sipërmarrësit e tyre ekonomikë.
Ndërkaq nga pushteti komunist në Tiranë Nikola Lo Ruso Atoma vërtet nuk qe shpallur person i kërkuar si kriminel lufte, por raportet e Ambasadës Shqiptare në Romë me të nuk u ngrohën kurrë.
Ja pse atë afër mesditë të 9 shtatorit 1998 isha krejt i paditur për këtë diplomat, me nivelin e lartë Ambasador, i cili interesohej nëpërmjet të tretëve për mbarësinë e vendit tonë.
Ndërkohë ngjarjet rridhnin, të vjetrat i zinin të rejat. Të nesërmen, në 10 shtator, miratuar dhe firmosur tashmë nga i porsaardhuri në Romë, i Ngarkuari me Punë, Shpëtim Çuçka, pak kohë më parë ambasadori ynë në Rusi, Drejtorisë së Evropës dhe asaj të Shtypit dhe Informacionit në Ministrinë e Punëve të Jashtme iu dërgua ky raport: Pas pjesës së parë “Jeta politike në Itali”, tek kapitulli “Kosova” thuhej se “Në televizionin italian nuk pati lajm me teletekst, por afër orës 23.00 kanali i parë i RAI-t dha një kronikë të shkurtër për zhvillimet atje. Duke iu referuar vizitës në Beograd dhe Prishtinë të shefit neokomunist Akile Oketo komentatori i televizionit tha se për situatën aktuale atje ekzistojnë tre realitete. Është ai i përshkruar nga Sllobodan Millosheviçi, sipas të cilit shqiptarët po kthehen në shtëpitë e tyre e jeta vijon normalisht; është ai i Ibrahim Rugovës dhe së treti realiteti real, ai që shihet gjithkund”.
Tek nënpjesa “Shtypi i sotëm”: \"La Repubblica\" boton në krye të faqes 20 shkrimin \"NATO është gati për të ndërhyrë në Kosovë\". Në të thuhet se ndërsa BE filloi zbatimin e ndalimit të fluturimeve të kompanisë jugosllave JAT, NATO përfundoi planet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Kosovë. Pastaj jepen hollësi të njohura për alternativat e zbatimit të kësaj ndërhyrjeje dhe fare shkurt një informacion mbi situatën më të fundit të kësaj krize.
\"Il Manifesto\" boton në krye të faqes 6 shkrimin e gjatë \"Kosovë, në një ditë ikin 25 mijë civilë\". Në mbititull thuhet se \"nisi bojkotimi ajror nga BE\". Reportazhi shoqërohet edhe me një foto, në të cilën tregohen fëmijë refugjatë. Në të flitet për rastin më të fundit, ku dje është vënë re një kollonë e gjatë me njerëz më kembë e të hipur në makina e traktorë 12 kilometra e gjatë.
Në po këtë gazetë botohet edhe një shkrim i shkurtër, në të cilin thuhet se OKB kërkon 54 milionë dollarë për Kosovën”.
Në kapitullin “Për vendin tonë”: \"Il Sole 24 Ore\" boton në faqen 27, në rubrikën \"Shkurt\" lajmin për seminarin që do të organizojë Confindustria me qeverinë shqiptare. Confindustria jep edhe numurin e telefonit të saj për çdo informacion të hollësishëm. \"La Gazzetta del Mezzogiorno\" boton në faqen 8 një shkrim të gjatë të Karlo Bolinos me titull \"Ndërmarrje pulieze, ku përfunduat?\" Shkrimi botohet në rubrikën e njohur të kësaj gazete dhe të këtij gazetari \"Shqipëri Pulie\". Në të tregohet historia burokratike e fatit të vëllezërve dhe motrave Popa. Në të thuhet se tashmë pronat e tyre janë marrë në mënyrë abuzive.
Po kjo gazetë në faqen 7, në krye, boton \"Nga Fiera \"rinis\" Jugu\" dhe nëntitulli \"E përuron Prodi, Shqipëria e ftuar nderi\". Ka informacion të njohur për Panairin e 12 shtatorit, ku data 16 jetë është \"Dita e Shqipërisë\". Rilajmërohet se në të do të marrë pjesë edhe kryeministri Fatos Nano”.
Të nesërmen, më 11 shtator, Azem Hajdari do të deklaronte në qytetin e Lezhës: \"Populli në mbarë Shqipërinë është ngritur në këmbë për të rrëzuar qeverinë\".
Kështu në Tiranë tensioni ndërpolitik po i afrohej edhe më përplasjes.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 31 korrik 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|