|
24 GUSHT 1998: ME GJASHTË ARRESTIME OPOZITARËSH NË TIRANË NIS “SHTATORI I ZI”
(Botuar në “!llyria” në 11 korrik 2019)
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i njëzetë e shtatë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
Intervistën e tij të përditshmes së madhe italiane “Corriere della Sera” Fatos Nano ia pati dhënë gazetarit të saj Renco Çanfaneli (Renzo Cianfanelli), jo një profesionisti të rëndomtë, por fituesi të disa çmimeve ndërkombëtare për publiçistikë.
Çanfaneli, pasi pati kryer studimet për jurisprudencë në Universitetin “La Sapienza” të Romës dhe më pas specializuar për ekonomi, në katër vitet e para të moteve shtatëdhjetë kishte punuar në BBC të Londrës. Nga 1974 deri në 1988 pati qenë në “Corriere della Sera” si korespondent i saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe. Më vonë kishte punuar si i dërguar i gazetës në pikat më të nxehta të konflikteve të armatosura në botë. Pati qenë edhe në ish-Jugosllavi si edhe posaçërisht në Bosnjë.
Ballkani ishte në një farë mënyre “shtëpia” e tij.
Në Tiranë në fundkorrik 1998 qe gjendur pikërisht për shkak të kësaj detyre të profilizuar të tij. Prej këtu edhe kishte intervistuar kryeministrin e Shqipërisë. Emri i tij i njohur, kërshëria e italianëve për kryeministrin e Tiranës si edhe tirazhi kampion i “Corriere della Sera”, siguronin lexues të shumtë, po ashtu dukshmëri të epërme. Ambasada jugosllave në Romë me siguri do t’ja raportonte qendrës çfarë kishte deklaruar Fatos Nano.
Në fillim të saj shkruhej: “Tiranë-Kriza e Kosovës, megjithë fitoret e fundit e të parashikueshme të serbëve kundër atyre që kërkojnë shkëputjen e Shqipërisë, në vend që të ftohet, po bëhet edhe më kërcënuese. Kështu përsëritet si kohë më parë strategjia e tentuar në Bosnjë prej qeverive të Sarajevës dhe Zagrebit, të cilat, për të ndalur ofensivën e serbë-boshnjakëve të mbështetur nga Beogradi në vitet 1992-94, synonin ta shndërronin luftën ballkanike në një luftë europiane, duke kërkuar të ndërhyjë NATO”.
Më pas redaksia, sigurisht me dorën e Renco Çanfanelit, shënonte: “Incidentet e kufirit të shpërthyera në Maqedoni (ku 40 për qind e popullsisë është shqiptare) duke mpleksur edhe trupa të Shqipërisë, japin një konfirmim të ri. Maqedonia është e terrorizuar nga ideja se mos bëhet një \"faltore\" tjetër shqiptare për furnizime me armë të UÇK-së, fronti i luftëtarëve kosovarë, sepse e di se në një rast të tillë nuk do t\'i shpëtonte dot konfliktit, të cilën ka arritur ta shmangë që nga fillimi i shpërbërjes se Federatës Jugosllave”.
Në vijim: “Tamam sepse në Kosovë serbët po fitojnë ushtarakisht, merr këtë pamje pikërisht prej kësaj llogjike të përmbysur, edhe kërcënimi se mos konflikti përhapet. Ndërkohë që propaganda e Beogradit akuzon fondamentalistët islamikë se i fryjnë zjarrrit, ku është bërë e frikshme e ashtuquajtura Shqipëri e Madhe, gjendet rasti të bëjmë pyetjen: në cilën anë është Shqipëria? Ndërhyrja e NATO-s, siç ka kërkuar kryeministri shqiptar Fatos Nano, apo bisedimet me udhëheqesin serb Millosheviç, aktualisht e modeluar me formulën e \"Alto Adixhes\", për të bllokuar ndërkombëtarizimin e luftës siç ka propozuar ministri i Jashtëm italian Lamberto Dini?
\"E vërteta, i përgjigjet \"Corriere\"-s kryetari i qeverisë shqiptare, është se në Kosovë konflikti po ndërkombëtarizohet. Nga mbi 100 mijë refugjatë të kësaj krahine, prej luftës që ka përfshirë qendrat e mëdha të banimit, janë në fakt edhe 20 mijë refugjatë në Shqipëri, 13 mijë në Malin e Zi dhe një numër akoma jo i saktësuar në Maqedoni. Nuk duhet të harrojmë se rezistenca e armatosur e shqiptarëve në Kosovë ka lindur si përgjigje kundër veprimeve të dhunshme të forcave serbe. Pa u përfshirë nga ndjenja e alarmit, ka mbërritur momenti se diskutimet, duke u parë nga pika ku ka arritur kriza, duhet të mbështeten jo vetëm nga opcione politike, por edhe ushtarake\".
Në këtë çast të bisedës Renco Çanfaneli e pyet Fatos Nanon: “Ju kërkoni ndërhyrjen e NATO-s. Dini në fakt e përjashton, duke thënë se \"nuk ka motiv për të dërguar trupa në një rajon që hyn në kufijtë e Serbisë, i cili është një shtet sovran, dhe duke qënë i tillë duhet të respektohet\". Këto marrje qendrimesh, të shoqëruara edhe me idenë e një pakete ndihmash të modelit \"Alto Adixhe\" për Kosovën, ju kanë zhgënjyer?”
Nano iu përgjigj gazetarit Çanfaneli me këto fjalë: \"Në rast se qendroj në këtë poltron kjo do të thotë se jam një njeri që nuk zhgënjehem lehtësisht. I njoh problemet që kanë edhe aleatët tanë më të mirë, si Italia. Por midis Sërbisë së Milosheviçit dhe dy demokracive të Bashkimit Evropian siç jeni ju dhe Austria, sinqerisht nuk shoh ngjashmëri. Nuk mendoj se një autonomi, edhe më e madhe se ajo që Kosova kishte deri ne vitin 1989 e të cilën Milosheviçi e hoqi, mund të funksionojë në një regjim si i tij, që nuk është demokratik\".
Renco Çanfaneli pyet: “Dhe ju mendoni, në të vërtetë, se një ndërhyrje e NATO-s kundër Sërbisë në Kosovë do të favorizonte demokracinë?”
Fatos Nano i prerë: “E vetmja mënyrë për të mbërritur këtë është që Ballkani të bëhet më evropian. Por është e nevojshme të ndalen diktatorët e fundit të mbetur në Evropë. Siç është saktësisht Millosheviçi. Dhe në rast se NATO nuk lëviz në Kosovë, pasojat, përveç se kërcënojnë vendet me një stabilitet të arritur, por akoma të brishtë si Shqipëria dhe Maqedonia, do të godasin edhe anëtarët më të ekspozuar të NATO-s siç janë Italia dhe Greqia. Aleanca apo një prani ndërkombëtare e një policie ushtarake, e cila mund të bëhet nëpërmjet Bashkimit Evropian perëndimor, duhet të ndërhyjë jo vetëm për të mbrojtur qendrueshmërinë në jug të Ballkanit, por edhe për të mbushur mendjen, nëpërmjet një \"kordoni sanitar të demokracisë\" e diktatorëve si Millosheviçi që janë të ngrehur. Sepse, dhe e përsëris, në rast se qëllimi është të çohet Ballkani dhe Sërbia sa më afër demokracisë, Millosheviçi është krejtësisht i pandreqshëm\".
Ky ishte i tërë teksti i asaj që i pati pohuar Fatos Nano gazetarit të njohur italian të së përditshmes më të madhe të këtij vendi, tirazhi i mezatar i të cilës për vitin 1998 qe 932.067 kopje në ditë.
Kjo intervistë ishte sfidë për njeriun me të cilin në takimin ndërballkanik të Kretës kishte biseduar kokë më kokë dhe për pasojë nga shumë bashkëkombës nuk qe parë me sy të mirë duke u emërtuar nga kundërshtarë politikë si një lloj tradhëtari i Kosovës.
Do të kishte pasoja Nano prej kësaj deklarate, sepse pak a shumë kjo donte të thoshte se Millosheviç kishte në Shqipëri një kabinet qeveritar krejtësisht të padëshirueshëm? Beogradi zyrtar mund ta kuptonte me këtë qëndrim një mysliman, por një ortodoks jo.
Si vijuan ngjarjet më pas kësaj top interviste, kësaj “prerjeje në besë” të Fatos Nanos ndaj logjikës së Kretës?
Që prej 1 gushtit 1998 do të rridhnin shumë ditë, por një qëndrim të ngjashëm nga toni dhe vendosmëria e daljes kundër Sllobodan Millosheviçit në median italiane nuk do të kishte. Gjersa Shqipërinë e përmbytën disa ngjarje të tjera, as të shkuara nëpër mend, por që të zgjonin mjaft dyshime.
Për këtë lidhje të ngatërruar ngjarjesh në vitin 2003 botova librin “Kur u vra Azem Hajdari”- (Nga ditari i një diplomati).
Po përpiqemi ta provojmë këtë, pra kulmimin e fortë të Fatos Nanos kundërt Sllobodan Millosheviçit dhe kundërveprimi i dyshuar që i ndodhi.
Dhjetë ditë më vonë nga botimi i intervistës në “Corriere della Sera”, në 11 gusht, që prej orës 4.00 të mëngjezit teleteksti i Radio Televizionit Italian publikoi një lajm, në të cilin, midis të tjerash, Ibrahim Rugova cilësohej shefi i rebelëve. Me këtë term, “rebelët”, në median vendase kuptoheshin luftëtarët e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me pak fjalë, sipas teletekstit të RAI-it, Rugova qe shefi i tyre.
Ishte pasaktësi rutinë, e paqëllimtë apo mirëfilli një dizinformacion dhe për pasojë edhe provokacion? Këtë kohë në Romë prej disa kontakteve personale që kisha, po zinte përherë e më shumë vend një fjalënajë, sipas të cilës Shqipëria do të kishte një “shtator të zi”. Diçka, thoshin, do të ngjajë, por pa e saktësuar çfarë konkretisht. Gjithsesi kuptohej se do të qe trazim i madh i rendit publik dhe i qendrueshmërisë së vendit.
Në Romë, ku formuloheshin shumica e lajmeve për Italinë mbase kishte ndonjë grup që frynte e zmadhonte qëndrime të ashpra ndaj Beogradit zyrtar me qëllim që jo vetëm ta inkriminonte rezistencën e shqiptarëve të Kosovës, por edhe të justifikonte reprezaljet e pandërprera të Sllobodan Millosheviçit.
Na duhet të saktësojmë për lexuesin se ato kohë, në vitet 1998-2002, lajmet e teletekstit qenë shumë më depërtues dhe ndikues se ato që shqiptoheshin me fjalë në ekrane. Jo vetëm sepse qëndronin aty, në ekran, për orë e orë të tëra, por sepse elitat italiane të politikës, të ekonomisë dhe të çdo fushe tjetër, çdo çast informoheshin jo duke pritur edicionet e lajmeve, por duke hapur menjëherë teletekstin. Madje televizionet nëpër zyra dhe korridore institucionesh i mbanin tek ai. As donin t’ja dinin çfarë me figurë transmentonte ai.
Atë ditë të 11 gushtit nuk u ndjeva mirë me atë formulim të gënjeshtërt për Ibrahim Rugovën por edhe për vetë Kosovën, por gjithsesi prita që formulimi të korrigjohej nga vetë sektori i televideos i RAI-it, siç edhe në ndonjë rast tjetër më parë kishte ndodhur. Kur e humba shpresën për ta ruajtur veten e të mos dukesha ngackaman e mistrec, i telefonova redaksisë.
E pritën vërejtjen me shumë mirësjellje dhe e saktësuan menjëherë siç ua propozova formulimin: Ibrahim Rugova është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nuk qe hera e parë që redaksia e televideos e RAI-t më përfillte dhe me shpejtësinë më të madhe bënte korrigjimin. Do të ishte e tillë edhe më vonë, deri sa në fillim të marsit 2002, në përfundim të mandatit në Ambasadën tonë në Romë, do të largohesha prej andej për t’u rikthyer në Ministrinë e Jashtme në Tiranë.
(Edhe tani që shkruaj këto rradhë kam emocion prej atij bashkëpunimi që pata me këtë redaksi dhe do të përjetoja dëshpërim në rast se në kohën e kufizuar që tashmë më jep mosha, nuk do të gjej mundësinë ta përshkruaj këtë raport mirësie me më shumë rradhë dhe me të gjitha rastet që përjetova).
Pra ishte thjesht një pasaktësi ajo e televideos së RAI-t, jo provokacion i qëllimtë. Ishte e nevojshme ta mbaja larg dyshimit për “shtatorin e zi”.
Në 15 gusht 1998, ndërsa vendin e parë të politikanit që kishte dalë vendosmërisht kundër Millosheviçit deri ato çaste e mbante Fatos Nano, në të njëjtën gazetë ku ai pati dhënë intervistën, “Corriere della Sera”, në faqen 9, u botua me germa fort të dukshme shkrimi “Mbledhje firmash për të inkriminuar Millosheviçin\".
Në të bëhej fjalë për nismën e Partisë Radikale Italiane, e cila që atë ditë të botimit, e shtunë 15 gusht 1998, në Romë dhe në 11 qytete të tjera mblidhte firma për të dërguar Millosheviçin në gjyqin e Hagës. Përveç krimeve në Kroaci dhe Bosnjë PRI e akuzonte presidentin jugosllav edhe për krime genocidi në Kosovë.
Partia Radikale me në krye Marko Panelën ishte e vogël numerikisht, por gjesti i saj qe një kulmim i vërtetë i qëndrimit të fortë ndaj presidentit pasjugosllav. Ai shkonte në rrugën e deklarimit të fortë të Fatos Nanos, por ecte edhe më tej.
Ndërkaq katër ditë më pas, në 19 gusht, gazeta “Il Giornale\", afër të djathtës, njoftonte se për Kosovën NATO kishte nisur manovra ushtarake. \"Il Tempo\", gazeta kombëtare e Romës, botonte në krye të faqes 11 lajmin \"NATO tregon muskujt në Kosovë\". \"La Gazzetta del Mezzogiono\" publikonte që në faqen e parë shkrimin \"Stërvitje e madhe ushtarake për \"paqen\" në Kosovë\". Nëntitulli qe: \"Pulia - kreu i urës së NATO-s\". Me autor të shkrimit Armando Ficarotin ky ishte edhe artikulli më i detajuar për këto manovra në shtypin italian të asaj dite. Midis të tjerash aty shkruhej se \"Ky është një vend që 60 për qind të popullit e ka të fesë muslimane, por që dëgjon kryeministrin e tij të thotë që \"përqafimi\" i islamizmit nga ish-presidenti Berisha ishte \"një gabim i madh që duhet pranuar.\"
Ishte e përditshmja e komunistëve të moderuar të Partisë Demokratike të së Majtës, \"L\'Unita\", e cila botonte në mes të faqes 11 shkrimin e Toni Fontanës \"NATO dhe rusët së bashku stërvitje në Shqipëri\". Në një fragment të mbititullit thuhej: \"Një paralajmërim Millosheviçit për Kosovën\".
E veçanta e këtij shkrimi qe se përmendej edhe një ndërhyrje e kryeministrit Fatos Nano, i cili pati folur për agresion nga ana e serbëve në kufi të vendit të tij, por gjithsesi e kishte mbyllur fjalën me theksin tek \"zgjidhja me anë bisedimesh\".
Në shkrim përmendej si deklaratë me akuza kundër Beogradit dhe po ashtu me tone luftarake edhe një e presidentit shqiptar Rexhep Meidani.
Manovrat ushtarake të NATO-s në Shqipëri me objektiv stërvitjen për ndërhyrjen e mundshme në Kosovë, vijonin, pa rënë më nën vëmendjen e shtypit italian, kur në mbrëmjen e vonë të 24 gushtit Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare, kryesisht nëpërmjet njërit prej përfaqësuesve më kryesorë të saj, Agim Tirana, krah i djathtë në mbrojtjen juridike të Nanos gjatë periudhës së burgimit të këtij të fundit, u bë nxitës i gjashtë arrestimeve shumë të bujshme nga rradhët e opozitës së Sali Berishës.
Këtë zhvillim të papritur shtypi italian e njoftoi në 25 gusht, por me fare pak rradhë, si për shembull “Bëhet fjalë për arrestime të disa ministrave dhe gjeneralëve të ish-qeverisë Berisha, që janë lyer me gjak në krimet kudër popullit dhe arritën gjer aq sa të urdhëronin bombardimin e qyteteve të jugut dhe që shpëtuan nga moszbatimi i urdhërave nga rangjet e ulta të ushtrisë\".
Pak a shumë kaq. Italianëve nuk iu duk ngjarje e dorës së parë. Këtë cilësi, dukshmërinë, asaj ia dha Berisha, duke e ngritur në këmbë partinë e vet dhe duke e nxjerrë në shesh.
Regjistrimin në kronikën e kohës të këtij zhvillimi media italiane e nisi në 26 gusht. Italiani i thjeshtë dhe jo vetëm ai i kultivuar me dije të mjaftueshme për të kuptuar historinë dhe politikën, nuk mund ta kuptonte ndryshe këtë ngjarje veç si një mënyrë për të dobësuar prapavijën e Kosovës, shtetin amë, Shqipërinë.
Këtë ditë vështrimi i parë i autorit të këtyre rradhëve ishte shfletimi i gazetës së komunistëve radikalë, “Il Manifesto”. Këta ishin vërtetë më të ideologjizuarit, por njëkohësisht edhe më të drejtpërdrejtët. Nuk mbanin ndonjë “qime nën gjuhë”.
Lajmin kjo e përditshme e botonte në faqen 7: \"Berisha në fushë të luftës, manifestim në Tiranë\".
Në të thuhej se në manifestim kishte tre mijë përkrahës të ish-presidentit, parrullat e hedhura qenë kërcënuese kundër kryeministrit Fatos Nano, duke shkuar deri tek parrullat \"Ja vdekje, ja liri\" ose \"Vdekje kriminelëve\".
Fjalët e fundit të lajmit thoshin se \"Nuk duhet të harrojmë, midis të tjerash, rolin kobndjellës të Berishës gjatë muajve të kaluar dhe tani në kalimin e armëve në veri të Shqipërisë për shkëputjen e Kosovës me emrin e \"Shqipërisë së Madhe\".
Pra “Il Manifesto” një pjesë të humorit të keq me Sali Berishën e kishte se, sipas tyre, ai po ndihmonte me armë lëvizjen e qëndresës antiserbe në Kosovë.
Në 31 gusht italianëve u pëlqeu një njoftim në “Il Foglio”, në të cilin thuhej se ekzistonte një shqiptar me emrin Bashkim Dibra, i cili ishte stërvitës i dytë i qenit të njohur në filma dedektivë gjermanë, Lesit. Personi me mbiemrin Dibra merrte 360 mijë lireta në orë për kurimin e qenve të sëmurë nga depresioni dhe ajo që u duhej thënë lexuesve ishte edhe më e bujshme: ky shqiptar pati shëruar edhe qenin e Henri Kisingerit.
Madje edhe të vetë presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klintonit.
Të nesërmen, në 1 shtator, media italiane i hapi vend të dukshëm ngjarjeve të ndodhura në Tiranë në mbrëmjen e 31 gushtit. Fillimisht, duke nisur nga ora 21.57, hyri në veprim teleteksti i RAI-it,. Ai shkroi se opozita, koalicioni Bashkimi për Demokraci, mbrëmë në Tiranë kishte manifestuar kubndër qeverisë dhe se ish-presidenti Sali Berisha pati deklaruar: \"Duhet ta rrëzojmë këtë regjim me çdo mjet\".
Lajmi i teleteksti vijoi edhe tërë paraditen e 1 shtatorit.
Ai kishte një ngulmim të çuditshëm, nuk i bëhej të ikte.
Gjithsesi televizion publik italian nuk transmetoi për këtë ngjarje asnjë lajm me figurë, kurse Mediaset u tregua plotësisht indiferente.
Ndërkaq nuk heshti shtypi i 1 shtatorit. \"La Stampa\" në fund të faqes 7 botoi shkrimin e shkurtër \"Manifestim në Tiranë. Berisha udhëheq revoltën kundër qeverisë\". Informacioni qe marrë nga Agjencia e Lajmeve të Italisë, Ansa. Teksti i plotë ishte: “Pas dy orësh e gjysëm është mbyllur manifestimi i madh i protestës, i ndaluar nga policia dhe i organizuar në Tiranë nga Partia Demokratike e ish-presidentit Sali Berisha, sot udhëheqës i opozitës. Nuk kishte incidente. Burime të Partisë Demokratike megjithatë kanë thënë se forcat e rendit kanë ndaluar disa manifestues. Berisha ka kritikuar ashpër qeverinë e kryeministrit socialist Fatos Nano, duke premtuar se \"do ta rrëzojë këtë regjim me çdo mjet\". Mijëra demonstrues mbanin në duar banderola dhe thërrisnin parrulla kundër \"kthimit të komunizmit\". Ndërkohë një depo e ushtrisë shqiptare është sulmuar dhe plaçkitur në qytetin e Krujës, 50 kilometra nga kryeqyteti; e kanë njoftuar burime zyrtare\".
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 9 gusht 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|