Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

MASAKRA SERBE E PREKAZIT, KËSHILLTARI I AMBASADËS SPANJOLLE NË ROMË KËRKON INFORMACION URGJENT


(Botuar në “Illyria” në 21 qershor 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i njëzetë e katërt i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Në shkrimin e herës së shkuar u ndalëm për disa çaste në minutat e para të pasmesnatës së 3 prillit 1999, kur autori i këtyre rradhëve pa se në teletekstin e televizionit publik italian RAI dhe grupit privat më të madh Mediaset, u shfaq njoftimi se Ismail Kadare pati porsabotuar një artikull në të përditshmen franceze “Liberation”.
Titulli qe tronditës, klithës, ulëritës që ta dëgjonin të gjithë: “Populli im është duke u shfarrosur”.
“Populli im, populli shqiptar, thoshte Kadare që në rreshtin e parë, ndodhet në syrin e një cikloni”. Menjëherë më pas: “Kjo është një luftë e cila vë përballë njëri tjetrit qytetërimin e Evropës me barbarinë e fashizmit ballkanik të Serbisë”.
Në këtë cikël shkrimesh për 20 vjetorin e luftës për çlirimin e Kosovës siç i kemi kushtuar vëmendje të dukshme veprimtarisë së Ibrahim Rugovës, duke e shndërruar në personazhin numër një të ngjarjeve të pranverë-verës 1999 në Romë, po ashtu përherë e më shumë do të zotërojë hapësirë edhe Ismail Kadare, protagonist tepër kyç e këtij momenti në kryeqytetin italian.
Kadaresë me këtë rast nuk mund t’i thuhet se qe pesonazh i dytë ose se e kishte vendin pas Rugovës. Ai qe në pozicionin “ekstra”. Por këtë përmasë të tij të jashtëzakonshme do t’ja lëmë lexuesit ta gjykojë. Ne do të rrëfejmë çfarë ndodhi.
Emri dhe vepra e shkrimtarit është shumë e hershme në Itali, nis që nga fillimet e viteve shtatëdhjetë. Në motin 1999, të cilin e kemi vënë në qendër në këtë cikël, ky autoritet i tij në opinionin publik italian po i mbushte tre dekadat. Qe i vetmi emër me prestigj të lartë që vinte prej trojeve të shqiptarëve. Nënë Tereza ishte e ndjerë këtë kohë, por tepër e vështirë të thuash se fama e saj pozitive e tejkalonte shumë atë të Ismail Kadaresë.
Ndërkaq pas periudhës së parë të botimeve të tij në Perëndim, të cilat në më shumë se dy dekada u bënë para vitit 1990, pra gjatë regjimit komunist dhe me mbështetjen e këtij të fundit, që nga fundi i këtij moti, tetor 1990, ikjes së Kadaresë në Francë, nisi një fazë e dytë e tyre.
Ndërsa në këndvështrimin politik të dy këto hapësira kohore ndryshojnë dhe jo rrallë as përputhen e as kanë koherencë shpjeguese bindëse prej vetë shkrimtarit, në temën e Kosovës krijimtaria kaderiane e publikuar jashtë vendit ka vijimësi të palëkundur dhe natyrshmëri të plotë.
Ajo nuk ka as ndërrim regjimi, as mbyllje apo hapje politike, asnjë ndikim nëse në pushtet qenë komunistët stalinistë të Enver Hoxhës apo paskomunistë me në krye disa emra të tjerë, të cilët majtas e djathtas u paraqitën si liberalë.
Ismail Kadare dhe Kosova kanë afro një gjysmë shekulli që rrinë ngushtësisht pranë.
Kjo krijimtari e tij mbetet tërësisht bindëse në motivet që ka përcjellë dhe e padyshimtë se në të ka sadopak hipokrizi.
Kjo është arsyeja kryesore përse në këtë cikël shkrimesh rrëfimin, por edhe interpretimin e saj, do ta vëzhgojmë vetëm rreth kësaj lënde.
Të gjitha këto na shtynin në fillim pranverë të vitit 1999 që në Ambasadën tonë në Romë rolin e Ismail Kadaresë në opinionin publik italian ta llogaritnim sa të një Ministrie të tërë ose, pse jo, sa të gjithë politikanët shqiptarë të marrë së bashku.
Në shtypin vendas shkrimtari i shumënjohur prej kohësh nga lexuesit e tij e kish bërë të ndjeshme ndërhyrjen e tij në 7 mars 1998, tek e përditshmja “Stampa”. Në raportin ditor që i dërguam Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë vumë në dukje se në faqen 7 të saj qenë publikuar “katër shkrime, përfshi edhe një intervistë të Ismail Kadarese”. Saktësonim se bashkë me artikujt qenë vendosur edhe një fotografi e kryeministrit rus Jevgenij Primakov, një tjetër me pamje grash kosovare të cilat qanin, si edhe një portret të Sali Berishës.
E informonim qendrës se “Artikulli i parë e ka titullin \"Kosova i thërret me ulërimë botës: Na shpëtoni\". Nëntitulli vazhdon: \"Nga Beogradi \"operacioni përfundoi, terroristët u likujduan\". Në këtë shkrim të Giuseppe Zaccaria-s përmendet një ushtar i UÇK-së i maskuar, i veshur në të zeza, që ka dalë në \"Hrt\", televizionin kroat, dhe u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të rreshtohen me UÇK-në e të shkojnë në male. Ky luftëtar e tha emrin e tij: e quanin Flamur\".
Vijonte informacioni ynë: “Në shkrimin e dytë ka një intervistë me Kadarenë me titull \"Kadare: Nuk do të sllavizohemi nga Millosheviç\". Ismali Kadare e quan qeverinë e Beogradit si naziste dhe se për çështjen e Kosovës nuk ka më asnjë shpresë bashkëjetimi. Ata duhet të divorcohen, kosovarët duhet të marrin në duart e tyre fatin e vet. Ndryshe do të rrjedhë pambarimisht gjak. Kadare ndjen zhgënjim edhe nga dobësia e shtetit të vet, i cili nuk ka fuqi ekonomike dhe politike e për këtë arsye ndjek një politikë të jashtme të butë. Intervistën po jua përcjellim”.
(Në raportin tonë informativ qenë përfshirë edhe të dhëna për shkrimin e tretë, i cili qe “një intervistë me një lider të \"Lidhjes së Serbëve të Kosovës\". Ky paraqitet tek intervistuesi me inicialet G.Z. pa prezantuar emrin e tij. Nga përgjigjet që jep duhet të jetë Dushan Ristiç. Thotë po ato gjëra që i paraqitëm për çfarë pati shkruar sot \"Corriere della Sera\").
Po përse kishte ndërhyrë Kadare në 7 mars, realisht një ditë më parë, sepse në shtatë ajo që ai i kish thënë ishte botuar?
Sepse pati ndodhur një heroizëm dhe njëkohësisht krim i madh.
Në 5 mars kishte dhënë jetën në betejë me ushtrinë serbe Adem Jashari. Prej asaj lufte që zgjati tri ditë, u vranë edhe 26 antarë të familjes së tij, gra dhe fëmijë. (Shtypi ato çaste fliste për 11 persona të familjes). Mbeti e gjallë vetëm një vajzë e vogël, Besarta. Jeta e saj pati shpëtuar thjesht sepse nuk e kishte zënë furia e plumbave të armatës rrethuese të gjeneralit Stefan Gjuroviç.
Këtë ngjarje tronditëse “La Stampa” e publikonte po atë ditë që botonte edhe intervistën me Ismail Kadarenë. Kjo e përditshme shënonte se për shkak të këtij progromi serb në Kosovë dhe dhjetra viktimave të tij, në Shqipëri ushtria ishte vënë në gjendje alarmi dhe gatishmërie.
Reagimi i shkrimtarit ishte paraqitur përmbledhtas në hyrje të intervistës: “Paris, Ismail Kadare, çdo ditë një masakër e re në Kosovë. Si e gjykon shkrimtari më i madh i gjallë i shqiptarëve gjendjen e bashkëkombësve të tij në feudon e fundit që i ka mbetur ish-perandorisë jugosllave? Serbia shumëfishon justifikimet. Ju i besoni? “Nazistë, ja çfarë janë. Si mund ta quash ndryshe një qeveri që bombardon qytetarët e saj, duke i vrarë? Serbët praktikojnë në Kosovë terrorizmin shtetëror. Dhe pastaj Beogradi manipulon opinionin publik botëror, duke i paraqitur viktimat si kriminelë. Po a janë terroristë shqiptarët? Prej kohësh pësojnë mbi shpinë poshtërrimet më të këqija pa reaguar. Por para masakrës së një familjeje, është e pamundur të rrish gojëheshtur...”
Më pas Kadare deklaronte: “Italia mund dhe duhet të na ndihmojë. Harrojini një çast problemet e përditshme që ju krijohen nga refugjatët e ardhur nga Shqipëria: tashmë është një popull i tërë të cilit i është vënë në lojë gjithë ekzistenca e tij. Midis vendeve fqinj tuaji është i vetmi që mund të ndërhyjë me autoritet për të ndalur dhe bllokuar spiralen e dhunës. Ju lutem, bëheni!”
Pas kësaj gazetari i “La Stampa” Enriko Benedeto (Enrico Benedetto) i bëri pyetjen “Në ç’mënyrë duhet bërë kjo?”. Kadare iu përgjigj: “Kosova është Bosnja e re. Duhet që bashkësia ndërkombëtare të dërgojë dhe vendosë atje njerëz dhe mjete, ndryshe vrasjet do të zgjasin pa fund. Mendoj gjithashtu për Evropën. Do të isha i pari që do të uroja dhe gëzoja që në mbështetje popullit kosovar t’u vinin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç e tregoi rasti boshnjak prania e SHBA është vendimtare. Por nuk ka kohë për të humbur”.
I vijon pyetjet gazetari i “La Stampa”: “Por Rusia i akuzon “perëndimorët” të mos ndërhyjnë në çështjet serbe?”
Përgjigja e Ismail Kadaresë: “Kjo është mizore. E mora vesh këtë lajm pak orë më parë dhe e gjej këtë mjaft të pashpirt, të egër, ndaj 50 të vrarëve të fundit, siç e thonë numrin buletinet. Të mbrohet popullsia serbe, dakord. Por është një regjim vrasës ai që Moska e shpall të pandëshkueshëm. Mbase edhe nuk duhet të shtangem dhe habitem nga kjo. Rusët e kanë mbushur gjenocidistin Mlladiç me dekorata të larta. Por kjo është e turpshme, shkruaje këtë fjalë që po them”.
Gazetari Benedeto ndërhyn sërish: “Irredentizmi kosovar synon ngritjen e Shqipërisë së Madhe. Je dakort me betejën për këtë?”
Ismail Kadare: “Nuk duhet të jem unë ai që duhet të prononcohet për të ardhmen, Kosovën në liri të plotë. Një bashkëjetesë mes serbëve dhe shqiptarëve megjithatë më duket utopi. Atje sundon apartejdi. Janë shumë të rralla martesat e përzjera. Përveç një pakice katolike, pjesa tjetër e shqiptarëve besojnë tek Allahu. Askush nuk do t’ia dalë t’u mësojë atyre alfabetin cirilik, sllavishtja është një gjuhë e huaj...Identiteti nacional i shqiptarëve është shumë i fortë. “Pastrimi etnik” nuk bën gjë tjetër veç e forcon...”
Pyetja e fundit e gazetarit Enriko Benedeto: “Atëherë çfarë uroni?”
Kadare: “Po derdhet shumë gjak. Duhet të divorcohen. Kështu siç edhe e kryen pa shkaktuar dëme të tepërta sllovakët. Kosova duhet ta marrë në duart e saj fatin e vet. Deri tani ka qenë në iluzionin se Evropa mund ta ndihmonte në kuadrin e ekuilibrave ballkanikë. Shpresa të kota. Edhe Tirana e ka deziluzionuar. Dobësia e saj ekonomiko-shoqërore i pengon një politikë të jashtme fitimtare. Prej kësaj serbët kanë përfituar. Por tashmë bota i njeh krimet e tyre. Dhe për këtë duhet të marrë mbi shpinë pasojat”
Tetë ditë më pas të atij marsi 1998 Ismal Kadare do të gjëmonte sërish. Përsëri e kishte temë masakrën e Prekazit kundër Adem Jasharit dhe familjes së tij.
“La Stampa\" në 15 mars do të kishte dy shkrime. I pari qe \"Kosova dorëzohet: Do të bisedojmé\" dhe i dyti \"Një det shpifjesh të përmbysura nga historia\".
Ky i fundit ishte në faqen 10 dhe qe artikull i Ismail Kadaresë. Që në fillim shënohej se ishte shkruar posaçërisht për të përditshmen franceze “Le Monde\" dhe italianen \"La Stampa\".
Duke e njoftuar për këtë Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë bënim edhe shënimin se “Këtë shkrim të Kadaresë po jua përcjellim”, çfarë donte të thoshte se të veçuar nga gazeta origjinalin po jua nisnim me faks.
Pastaj shtonim me tekst: “Nënvizojmë: Ismail Kadare hedh poshtë me logjikë dhe fakte malin me gënjeshtra të fabrikuara nga institucionet sërbe për të vërtetën e autoktonisë së Kosovës.
Ai thotë se shpesh ndodh që pasi e kryejnë krimin turren ushtri me gazetarë, historianë, diplomatë që i justifikojnë vrasjet. Kështu ndodh edhe me avokatët e krimit serb, duke krijuar konceptin e \"tokës së shenjtë\" apo të \"djepit të Sërbisë\". Kadare merr si shenjë një artikull të Henry Tincq në \"Le Monde\" më 10 mars. Edhe francezi shkonte me arsyetimin se shqiptarët kanë ardhur në rajonin, ku banojnë tani, pas dështimit të sërbëve në betejën e Kosovës.
Por autorit i ka shpëtuar një frazë, sipas të cilës shqiptarët e kishin zënë gadishullin para se këtu të vinin sllavët në shekullin e VI-të. Ismail Kadare argumenton se, ndërsa pranon se janë autoktonë, përse duhej që ta linin bosh vendin e tyre, aq më tepër në kufi.
Që të vinin sllavët? Apo se po prisnin turqit që t\'i pushtonin këto troje pjellore?
Po kështu nga njëra anë thonë se ishin turqit që nxitën popullimin shqiptar të Kosovës dhe ekuilibri demografik u prish në favor të tyre në shekullin e 20-të. Por në këtë shekull nuk kishte më influencë Turqia.
Apo se pati shumë emigrantë nga Shqipëria komuniste?
Të gjithë e dinë se kufijtë nën këtë regjim ishin kaq shumë të mbyllura, sa në hynë dyqind, gjysma u vranë nga rojet kufitare.
Po kështu është falsifikuar beteja kundër Turqisë, sikur ajo ka qenë vetëm e serbëve. Atje ishin të gjithë prijësit e Ballkanit, duke filluar nga ai hungarez, rumun e deri tek Ballshët dhe Jonima të shqiptarëve”.
Ky ishte raportimi që i bëmë për këtë shkrim të Kadaresë MPJ-së në Tiranë, ndërsa nuk vendosëm të plotë frazat akuzuese të tij për masakrën e Prekazit: “Ditë e fundit ekranet e vegjël kanë treguar para gjithë botës rreshtin e 70 kufomave të mbuluar me beze të bardhë, të shoqëruar me deklaratën e qeverisë serbe se ato ishin trupat e disa terroristëve. Por po t’ua ngresh bezet do të shohësh trupat pa jetë të tridhjetë grave dhe fëmijëve”.
Ajo masakër e kish tronditur shumë shkrimtarin e njohur botërisht, por edhe zemëruar mjaft.
Në mënyrë të përmbledhur këtë artikull të njëkohshëm të “Le Monde” dhe “La Stampa” atë ditë të 15 marsit e pati publikuar edhe “La Repubblica\", çfarë ja raportuam brenda paradites Ministrisë në Tiranë. Shënuam në të se kjo e përditshme italiane theksin e kishte vendosur tek ai fragment i shkrimit në “Le Monde”, i cili “paraqiste faktin e Ismail Kadarese se beteja e Kosovës kundër Turqisë nuk ishte vetëm e serbëve, por edhe e shqiptarëve, rumunëve...pra, e gjithë ballkanasve”.
Në ditët e jehonës së masakrës së Prekazit mes shumë diplomatëve dhe gazetarëve të interesuar për çfarë atje kish ngjarë qe edhe këshilltari politik i Ambasadës së Spanjës në Romë, Rafael Garranzo. Me të unë dhe kolegu im që mbulonte ekonominë, i paharuari Leon Kosta, njiheshim që më parë. Patëm bërë të dy një vizitë, për të nxitur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, në selinë e saj në Palazzo Borghese, Largo della Fontanella di Borghese, nº 19.
Leoni ishte një diplomat mjaft i përgatitur në disa fusha, përfshi edhe jurisprudencën, sepse në këtë profil më parë pati punuar pranë Kryetarit të Kuvendit Popullor, kryesisht Ramiz Alisë, por edhe më pas të Pjetër Arbnorit.
Tani ishte Garranzo që po na e kthente vizitën në selinë tonë në Via Asmara, 7.
Qe 6 mars, e premte, ora 12.30.
Pas takimit, Tiranës, të hartuar nga të dy ne dhe të miratuar nga ambasadori Leontiev Çuçi, iu nis kjo lëndë informative: “Këshilltari politik spanjoll interesohej për zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë dhe kërkonte informacion sa më të ri e aktual.
Atij iu dha informacion i plotë se si ishin në dinamikë këto ngjarje gjatë natës së 5-6 marsit, në mëngjes dhe gjatë gjithë paradites.
Po ashtu zoti Rafael tregoi interes edhe për qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj konfliktit në Kosovë. Iu tha gjerësisht dhe me fakte se qeveria shqiptare është një nga ato që mbështetën e madje u bënë protagoniste me emër në Mbledhjen e Kretës, ajo gjithnjë është për dialog dhe zgjidhje paqësore të konfliktit, por nuk mund të tolerojë dhunën dhe masakrat, vrasjet e bashkëkombasve të saj.
Këshilltari politik i Ambasades Spanjolle u vu në dijeni edhe për diskutimet në parlament për këtë çështje, deri edhe për mitingun e përbashkët që atë ditë do të zhvillohej nga të gjitha partitë në sheshin Skënderbej.
Zoti Garranzo i interesua edhe për Ushtrine Çlirimtare të Kosovës, për qëndrimin e partive politike shqiptare në këtë rajon.
Ne fund të takimit këshilltari politik spanjoll falënderoi dhe shprehu gatishmërine që të ketë vazhdimisht informacion se si shkojnë ngjarjet në Kosovë.
Ylli Polovina dhe Leon Kosta gjithashtu i shprehën atij mirënjohjen për vizitën dhe për interesimin që ka qeveria spanjolle për ç\'ka po ndodh tragjikisht me popullin shqiptar të Kosovës. Ata u treguan të gatshëm për ta informuar në çdo rast që do të kenë informacion të veçante.
Takimi zgjati dyzetë e pesë minuta dhe la përshtypje shumë të mira tek të dy palët”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 10 qershor 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com