|
OPERACIONI USHTARAK, POR EDHE DIPLOMATIK E MEDIATIK “PATKOI”
(Botuar në “Illyria” në 6 qershor 2019)
Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i njëzetë e dy i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
Që kur Havier Solana në 31 mars 1999, në mbrojtje të të drejtave njerëzore të shqiptarëve të Kosovës, shpalli jo zbutjen, por ashpërsimin e ndërhyrjes së armatosur kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit, në kundërveprimin e diktatorit serb dhe të Rusisë, me dallgën e madhe të tyre diplomatike për ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s, u bashkua, siç thamë shkrimin e kaluar, edhe Leka Zogu.
Qe një bashkim i tërthortë me serbët, në thelb mbase jo i dëshiruar prej tij, sepse familja Zogu, veçanërisht Ahmeti, megjithëse e rënduan biografinë e tyre politike në 1924 në bashkëpunimin e ngushtë me Beogradin për rrëzimin e Fan Nolit, kur gjenin rast pas Luftës së Dytë Botërore, jepnin sinjale mbështetjeje për Kosovën.
Ndërsa “Komandanti”, siç thirrej në oborrin mbretëror shqiptar në Paris Hyllë Spahia, i ngarkuari i Oborrit Mbretëror me çështjet ushtarake, nga Parisi u mundua t’i shpjegonte në 3 prill 1999 agjencisë italiane joshtetërore të lajmeve Adnkronos përse në ndihmë të refugjatëve kosovarë do të dërgonin 15 kamionë të rimorkuar me ilaçe, veshje dhe ushqime, por jo furnizim tjetër, vetë Leka gjendej në Tiranë.
Ai qe vendosur aty në mes të vitin 1997, vetëm pas një tentative të dytë rikthimi. Herën e parë, më 1994, nuk e lejuan të qëndronte më shumë se 48 orë, sepse pati sjellë me vete edhe një arsenal armësh të rënda, për të cilat thoshte se qenë thjesht pjesë të një koleksioni të tij. Ndërkaq zyrtarisht i komunikuan se kishte në përdorim vetëm një pasaportë të kohës së mbretërisë dhe jo të shtetit shqiptar të kohës.
Kështu e kthyen mbrapsht.
E kaluara e Leka Zogut qe e mbushur plot me histori të trafikimit të armëve dhe të përndjekjes, për këtë arsye kontrabandimi, që ia bënin qeveritë e vendeve ku ndodhej përkohësisht në ekzil.
Duket jo e qartë se si njeriu i pasionuar fort pas armëve për në tregun e zi, por edhe i veprimeve të egra me to kundër ambasadave shqiptare të shtetit komunist të para nëntëdhjetës në Paris dhe në Romë, të vlerësuara nga policia e dy vendeve të mësipërme si gjeste terroriste, nuk kishte mundësi të dërgonte, të paktën disa “dyfeqe”, për luftën çlirimtare e armatosur.
Shumë shpejt në këtë cikël shkrimesh do t’i referohemi rrëfimeve të bashkëkombësit Flamur Gashi, në Tiranë ato kohë drejtor i Radios “Kontakt”, veprimtar i angazhuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Ibrahim Rugovën, po ashtu me Partinë Demokratike të Shqipërisë, pjesëtar në disa misione ndihme për Kosovën gjatë luftës së saj, përfshi edhe udhëtime shërbimi që koordinoheshin dhe kalonin nga Roma.
Gashi e pati takuar këto kohë Leka Zogun në Tiranë dhe kish krijuar një përshtypje të vet nëse pretendenti për fronin monarkik të Shqipërisë kontribuonte realisht, pra të paktën fshehurisht, me armë aksionin e çlirimit.
Sidoqoftë ajo që do të dëshironim të nxirrnim në pah në këtë shkrim të njëzetë e dytë të ciklit është kjo: Serbia dhe Rusia, ndërsa që prej 31 marsit 1999 patën intensifikuar kundërveprimin diplomatik dhe përpiqeshin të linin përshtypjen se shigjeta e busullës së tyre qe paqja, në të vërtetë në terren, në Kosovë, nuk kishin minutë e orë që nuk përdornin armët më të rënda për të shuar qëndresën kundër tyre.
Simboli i kësaj politike kundërveprimi me dy kahje, dy fytyra dhe dy tehe, ishte operacioni ushtarak “Patkoi”.
Edhe aksionin diplomatik serb sidomos gjatë fillim prillit 1999 mund njëlloj ta quajmë: “Patkoi” diplomatik.
Të tjerë individë dhe grupe, të nxitur apo organizuar prej tyre ose thjesht nga që ishin simpatizantë historikë të Beogradit dhe të Moskës, kryen edhe një “Patkoi” tjetër.
Këtë e ndërmorrën në një terren tjetër, elektronik: në media, me përparësi televizionet.
Do të kemi rast në shkrime pasardhës të provojmë gjerësisht se Ambasada jonë në Romë mblodhi prova të shumta se si në një pjesë të medias italiane prej lobesh politike të afërta me qëndrimet e Jugosllavisë dhe të Rusisë, u shpërthye paralelisht një sulm i madh kundër imazhit të Shqipërisë, i cili imazh vërtet nuk qe i shkëlqyer, por nuk ish i tillë që ajo të përcaktohej si “atdheu i mafies”, si shteti dhe qeveria që po i vidhte ndihmat humanitare ndërkombëtare dërguar për refugjatët kosovarë, si territor i mbushur me ekstremistë islamistë dhe ndjekës të shëmbullit dhe objektivave terroristë të Bin Ladenit, si vend ku trafikoheshin fëmijët dhe organet e tyre të brendshme, si territori nga ku skafistët sulmonin me emigrantë të dyshimtë, shumica kriminelë, kontinentin evropian, për ta destabilizuar atë.
Do t’i rrëfejmë lexuesit për luftën që bënim nëpërmjet medias italiane dhe lidhjeve që të gjithë ne diplomatët e personelit të përfaqësisë si edhe bashkatdhetarë të tjerë shumë të aftë kishim, për ta neutralizuar sa të mundnim këtë valë të madhe shpifjesh, këto lajme të sajuara, të gënjeshtërta, por të ndërtuara mjeshtërisht nga “gjeneralë” të vërtetë të “fake news”.
Tani për tani po ju paraqisim vetëm një grimcë të këtij operacioni mediatik dhe diplomatik filoserb “Patkoi”, si edhe kundërpërgjigjet tona.
Janë katër episode të zhvilluara në pesë ditë.
Më 21 mars ambasadori Loentiev Çuçi, i dha një intervistë gazetares Maria Gracia Napoletana të agjencisë së lajmeve Adnkronos. Intervista, e përfunduar në orën 14.00, u tramentua nga ajo në 16.55.
Adnkronos veçoi nga biseda me ambasadorin katër nga përgjigjet e tij më kryesore, rreth të cilave ishte shpërndarë shumë mjegull manipulimi informativ.
E para, “Vetëm një ndërhyrje e NATO-s mund ta zgjidhë atë krizë të rëndë humanitare, mund t’i japë fund masakrave të pastrimit etnik të kryera nga Millosheviçi…Por tani për tani është fituar lufta, paqja akoma jo”. E dyta, “Ditë më parë nënkryeministri Ilir Meta është shprehur kundër të gjithë ekstremistëve, qofshin këta shqiptarë apo serbë, por nuk mund të mos kujtojmë se Millosheviçi përfiton nga tensionet për të treguar se NATO dhe Unmik kanë dështuar, se ato nuk po ja dalin të mbajnë nën kontroll gjendjen në rajon”. E treta, “Nuk ka rëndësi në fiton në zgjedhjet e ardhshme Ibrahim Rugova apo Hashim Thaçi. Éshtë më e rëndësishme që nga zgjedhjet të dalin institucionet e provincës”. E katërta, “Koncepti i “Shqipërisë Madhe” është një ide e lëshuar nga mbështetësit e Millosheviçit për të krijuar konfuzion dhe turbullirë, por nga politikanët shqiptarë nuk janë bërë deklarata të tilla asnjëherë”.
Në 22 mars, në 18.00, Radio Radikale trasmentoi një emision, i cili përfundoi dy orë më pas, në 20.00. E drejtoi Artur Zheji, ato kohë me banim në Romë dhe i punësuar në këtë radio.
Emisioni përbëhej nga dy pjesë: në të parën u bë analiza e ngjarjeve më të fundit në Kosovë, Shqipëri dhe Jugosllavi, kurse në të dytën u përballuan pyetje të dëgjuesve nga e gjithë Italia.
Në debat morën pjesë Stefano Silvestro, nëndrejtor i Institutit të Studimeve Strategjike të Italisë, Mentor Nazarko, këshilltar i presidentit shqiptar Rexhep Meidani dhe Antonio Ruso, gazetar i Radios Radikale dërguar në Prishtinë.
Në këtë debat dy orësh, mjaft të kualifikuar dhe me shpirt polemik, nga më të mirët e atyre ditëve, në thelb u tha: Millosheviçi po i godet gjithnjë e më ashpër shqiptarët për të rritur çmimin e kompromisit.
Stefano Silvestro theksoi: \"Deklarimi i Akile Oketos (udhëheqës historik i paskomunistëve italianë-shënimi ynë) për një farë filoserbizmi të politikës së Jashtme italiane të kryesuar nga Lamberto Dini nuk më duket se ka të bëjë posaçërisht me filoserbizëm real. Serbia është një palë me të cilët duhet biseduar, e pranon apo jo një marrëveshje. Së dyti, konflikti është i tillë, që po nisi edhe me avionë nuk i dihet ku përfundon. Po kështu mund të prodhohen edhe efekte negative mbi Dejtonin apo për fatin e Shqipërisë si edhe të vendeve të tjera. Nuk ka filoserbizëm, ka shqetësim”.
Mentor Nazarkoqë nga Tirana theksoi: Institucionet shqiptare janë në efiçensë të plotë për të përballuar krizën, po kështu edhe sistemi i mbrojtjes së vendit. Ministri i Jashtëm Paskal Milo takoi ambasadorët e vendeve të NATO-s dhe të OSBE për t\'i sensibilizuar edhe më shumë. Millosheviçi është i tillë që mund të bëjë lëvizje të dëshpëruara, çdo gjë është e mundur, ne kemi kufij të gjatë me Serbinë. Largimi i vëzhguesve të OSBE i ka lënë hapësirë Beogradit për pastrim etnik, këtë gjë e deklaroi edhe Sulejman Krasniqi këtu në Tiranë: \"serbët nuk kanë më shumë hall likujdimin e UÇK-së se sa pastrimin etnik të shqiptarëve\". Drenica, ku është përqëndruar edhe sulmi më i fundit i serbëve ka densitetin më të madh të shqiptarëve në Kosovë. Makinë gënjeshtrash për situatën në Kosovë nuk është CCN, siç thotë Milosheviçi, por makina e tyre propogandistike në Beograd.
Në 23 mars, rreth orës 18.15 Raiuno transmentoi një reportazh për projektfilmin e regjizorit italian Fabricio Korteze me titull \"Willcome Albania\". Korteze ishte miku ynë, me mua dhe Visar Zhitin mbante lidhje shumë të ngushta.
Në televizionin italian ai foli posaçërisht se Shqipëria nuk qe vetëm ajo e klandestinëve, por edhe e njerëzve me kulturë dhe vend i pamjeve të bukura.
Autori i këtyre rradhëve në emër të Zyrës së Shtypit të Ambasadës i dërgoi menjëherë një letër falënderimi redaksisë së kulturës të Raiuno.
(Të nesërmen, në 24 mars, do të nisnin bombardimet e avionëve të NATO-s mbi Jugosllavinë e mbetur në duart e Sllobodanit).
Në 25 mars e përditshmja \"La Stampa\" në faqen 12 botoi një shkrim për këngëtaren Ana Oksa. Titulli kishte fjalët \"Dashuria kosovare e Ana Oksës\".
Në këtë shkrim flitej për çiftin Ana Oksa-Belluno, bashkëshortë të lidhur me muzikën dhe që po përgatisnin diskun me këngën fituese të Anës. Por duket se qëllimi i vërtetë i reportazhit ishte që të ravijëzohej dashuria që Ana Oksa kishte me sipërmarrësin kosovar Bexhet Pacolli, person me bisnes të shumtë ndërtimesh në Rusi.
Kishte shumë të ngjarë që shkrimi të kishte këtë objektiv, i cili përplasej dhe ishte shumë pak i pajtueshëm me portretin e kosovarit të thjeshtë që kishte hedhur në duar një automatik “Kallashnikov” dhe luftonte armatën serbe.
Duke lënë përshtypjen se ai reportazh ishte i prirur më shumë drejt qëllimit dashamirës spetakolar, gjithsesi shpesh emrin e Ana Oksës autori e shkruante Ana Hoxha, diku duke thënë se ajo qe \"kushëri e largët e diktatorit Enver Hoxha\".
Të tilla qenë ditët e fundmarsit 1999, si edhe të fillim prillit, mes një kundërmësymjeje të madhe diplomatiko-mediatike serbo-ruse. E veshur me kostum të bardhë paqeje. Ndërsa në frontin ushtarak, atje ku të ikte koka, zhvillohej një pamje krejt e kundërt. As që flitej për ndonjë paqetim. Makina e madhe ushtarake e Beogradit të komanduar prej Sllobodan Millosheviçit vetëm godiste, shtypte, vriste.
Në shkrimin e kaluar, referuar njërit prej librave të mi të botuar për këtë periudhë, “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, 2007, ju njohëm me çastet kur koloneli shqiptar në lirim Dilaver Goxhai, u largua fshehurisht nga banesa e tij dhe pas një sistemimi disa orësh në një bazë sekrete të UÇK-së në Tiranë, bashkë me Hashim Thaçin e të tjerë, u nisën drejt Elbasanit dhe më pas kufirit me Maqedoninë, për ta kapërcyer atë mes një akullimi të rëndë bore.
Këtë herë ngjarja e veçuar për informim të lexuesit ka të bëjë me një moment të mëvonshëm të luftës në Kosovë, momentin kur në Beograd dhe Romë, hynin e dilnin të “dërguarit e paqes” të vënë në lëvizje e të nisur nga Moska.
Shkruhet në librin e mësipërm: “Në mbrëmjen e 1 prillit koloneli bashkë me Bislim Zyrakën, të shoqëruar nga një grup i vogël bashkëpunëtorësh dhe disa ushtarë, u nisën nga fshati Divjakë për në malet e Jezercës. Do të vendoseshin në një vendkomandë të re, në terrenin më të përshtatshëm që do të gjenin”.
Sipas Bislimit, shkruhet në libër, zhvendosja u krye për arsyen se të gjithë oficerët e lartë të Shtabit duhej të ndodheshin sa më pranë njësive operative që vepronin në terren, brigadave dhe batalioneve.
Kështu pjesa e Shtabit të Përgjithshëm që po e linte vendkomandën kryesore dhe mori drejtimin e Grykës së Shalës, ishte e hipur në dy jeep-e. Por ky rrugëtim me makina nuk zgjati shumë, sepse një monopat, nga ku ishin të detyruar kalonin, qe goditur me raketat serbe tokë-tokë dhe kështu ishte bërë i pakalueshëm në pikën më të ngushtë, në një ujëmbledhës. Si rjedhojë i lanë jeep-at në pyll dhe vazhduan lëvizjen në këmbë.
“Ora nuk kishte kapur mesnatën, shkruhet në libër, kur i ndaluan disa roje vullnetare. Ishin civilë e të paarmatosur. Sipas rregullave këta roje të veçantë, enkas pa armë, vendoseshin në periferinë më të afërt të kampingjeve me popullsi dhe në rastin e një rreziku të afrimit të trupave serbe nuk kishin asnjë detyrë të kundërvepronin apo të rezistonin, por vetëm të lajmëronin sa më shpejt popullin dhe ata që e administronin kampin. Mosarmatosja e tyre bëhej posaçërisht që të mos kuturisnin kundërveprimin me armë ndaj një armiku të pajisur gjer në dhembë me mjete lufte. U ndalohej që me qendresë ta egërsonin”.
Në pas sqarohet se mbrojtja e kampingjeve me popullsi civile “kryhej në distancë dhe në pikat kyçe nga repartet e UÇK-së, të cilat ruanin dhe mbyllnin çdo shteg e korridor mundësie që armata serbe apo policia speciale e paramilitarët të shkonin gjer ku ndodheshin gratë, fëmijtë e të moshuarit”.
Në vijim në librin “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës” thuhet se, ndërsa vazhduan rrugën në brendësi të Grykës së Shalës, pamja që u shfaq para syve të asaj pjese të Shtabit të Përgjithshëm që si vendkomandë po zhvendosj, ishte mjaft tronditëse. Në një hapësirë të ngushtë ndodheshin tetë mijë vetë, të gjithë të strehuar rrëzë lisave dhe dushqeve e të mbuluar me plastmas.
Shkruaj: “Të vegjëlit e pleqtë, gratë dhe vajzat, flinin nën strehë fijesh plastmasi të kapura nëpër pemë, duke formuar kështu një lloj strehe sa për të pritur vrullin më të madh të rrebesheve të asaj pranvere të ftohtë. Atje ku nuk e kishin patur mundësinë ta gjenin vendstrehimin nën një pemë, ngushtuar pranë njeri-tjetrit, fëmija përqafuar me nënën e gjyshja me mbesën e vogël, kishin hedhur mbi trup ndonjë cep batanijeje apo velence dhe sipër hidhej po ajo fije e tejdukshme dhe e hollë plastmasi.
Ishte një qytet pa një shtëpi, pa një copë tullë e tjegull, pa një gardh e një pus uji.
Ishte një qytet i tërë vetëm prej plastmasi.
Me plastmas ishin ngritur edhe disa qendra shërbimi mjekësor. Me cipën e hollë dhe kërcitëse të tij mbuloheshin e merrnin formën e një kioske edhe disa pika të shitjes së paketave të cigareve dhe të ndonjë sendi tjetër të vogël.
Gryka e Shalës ishte një qytet lufte me vetëm njerëz civilë e plastmas. Atje jo një ushtri e armatosur gjer në dhembë si ajo që i vërtitej nën emrin me domethënien shtypëse “Patkoi”, por edhe vetëm një skuadër me pesë-gjashtë armë dore e përgjakte dhe ja merrte jetën në pak kohë atyre mijra të pambrojturve”.
Më tej në libër thuhet se “ajo gjindje e madhe shpirtërash njerëzorë, me shumica djemtë e tyre në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, hante vetëm një herë në ditë, madje edhe ky ishte një racion me përmasën njëqind apo dyqind gramë”.
Po ashtu në librin “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës\" shkruhet se kishte muaj të tërë që ajo grykë mali rrinte e stërmbushur me refugjatë. Bota me televizionet e saj shihte vetëm refugjatët që kapërcenin kufirin e Jugosllavisë së mbetur, por jo ata të emigruar brenda territorit të vet, siç qenë të Grykës së Shalës. Ky ishte “qyteti” kryesor refugjat i asaj lufte brenda Kosovës. Madje Gryka e Shalës ishte vetë “kryeqyteti”, Prishtina e dytë. Aty kishin strehuar familjet e tyre, gratë, fëmijët e prindërit, pothuaj të gjithë kuadrot e oficerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishin tërë ata që nuk kishin dashur me vullnetin e tyre t’i dërgonin familjet në Shqipëri. Dëshironin t’i kishin aty, në mbrojtje të vendit të tyre, edhe pse pa armë e thjesht frymë njerëzore fizikisht të brishtë para makinës luftarake serbe.
Për atë mesnatë të 1 prillit 1999 shkruhet në libër nga autori i këtyre rradhëve: “Për këta oficerë të UÇK-së ushtria e tyre e mbronte Kosovën me grykën e pushkës, kurse popullsia civile e mbronte me praninë e saj, me trupat e tyre. E mbronin me frymën që merrnin. Me këngët që këndonin lehtas në buzë të mbrëmjeve. Me legjendat që pleqtë u tregonin nipërve dhe mbesave. Me mësimin e shkrimit shqip që të vegjëlit e vazhdonin aty, nën strehët e plastmasta. Nën trokimin e shiut të ftohtë e pikëmadh.
Kur e panë të gjithë Grykën e Shalës shefit të Shtabit të Përgjithshëm i dridhej lehtë dora dhe ai nuk vinte dot kontroll mbi të. Koloneli nuk e çeli gojën përgjatë gjithë udhëtimit drejt fshatit Krojmir, ku do të pushonin sa të pinin nga një cigare. Druhej se i dridhej zëri”.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë më 4 qershor 2019
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|